Biblioteka
Mësimi 109: Helamani 6–7


Mësimi 109

Helamani 6–7

Hyrje

Si rrjedhojë e përpjekjeve misionare të Nefit dhe Lehit, lamanitët u forcuan në drejtësi. Megjithatë, nefitët u bënë të ligj dhe filluan t’i përkrahnin hajdutët e Gadiantonit dhe Shpirti i Zotit u largua prej tyre. Nefi profetizoi se, në qoftë se nefitët vazhdonin të jetonin në ligësi, do të mbaronin. Gjithashtu profetizoi se, për arsye të drejtësisë së lamanitëve, Zoti do të ishte i mëshirshëm ndaj tyre dhe do t’i ruante.

Sugjerime për Mësimdhënien

Helamani 6

Lamanitët bëhen të drejtë dhe luftojnë kundër hajdutëve të Gadiantonit, ndërsa nefitët forcohen në ligësi dhe i përkrahin hajdutët e Gadiantonit

Vizatojeni skemën që vijon në qendër të tabelës:

Pamja
up arrow

Ftojini studentët të përcaktojnë dhe të mendojnë rreth qëndrimeve e veprimeve që rezultojnë në rritjen e ndikimit të Frymës së Shenjtë në jetën e tyre dhe të atyre që rezultojnë në zvogëlimin e ndikimit të Frymës së Shenjtë.

Shpjegoni që Mormoni mbajti shënim se Zoti e largoi Shpirtin e Tij nga nefitët dhe filloi ta derdhë Shpirtin e Tij mbi lamanitët (shih Helamani 6:35–36). Kujtojuni studentëve se nefitët “ishin bërë të dobët, për shkak të shkeljes së tyre” (Helamani 4:26). “Shpirti i Zotit nuk i ruante më” (Helamani 4:24) dhe qenë “gati për shkatërrim” (Helamani 5:2).

Ftojeni një student ta lexojë me zë Helamanin 6:2. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke kërkuar të gjejnë veprime dhe qëndrime që do t’i çonin nefitët të vazhdonin të ishin “gati për një shkatërrim të përhershëm” (Helamani 6:40). Teksa studentët raportojnë se çfarë gjejnë, vini një student t’i shkruajë përgjigjet e tyre në gjysmën e poshtme të tabelës, poshtë ose anash shigjetës me drejtim nga poshtë. (Mund të jetë mirë të shpjegoni se fjala i papenduar do të thotë pa u penduar dhe pa brejtje të ndërgjegjes.)

Kujtojuni studentëve se, për shkak të përpjekjeve misionare të Nefit dhe Lehit në vitin paraardhës, mijëra lamanitë në Zarahemla qenë pagëzuar dhe pjesa më e madhe e lamanitëve në tokën e Nefit qenë kthyer në besim tek ungjilli (shih Helamani 5:19–20, 50–51). Kërkojini një studenti ta lexojë me zë Helamanin 6:1, 3–5. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar të gjejnë veprime dhe qëndrime që i bënë lamanitët të gëzonin një ndikim më të madh të Shpirtit. Teksa studentët raportojnë se çfarë gjejnë, kërkojini një studenti t’i shkruajë përgjigjet e tyre në gjysmën e sipërme të tabelës, sipër ose anash shigjetës me drejtim nga lart.

  • Ç’do të thotë për ju të jesh i vendosur dhe i vazhdueshëm në besim? (Shih Helamani 6:1.)

  • Në ç’mënyrë iu përgjigjën njerëzit e Kishës kthimit të lamanitëve në besim? (Mund të jetë mirë të vini në dukje se përhapja e ungjillit dhe shoqërimi me shenjtorët mund të sjellë gëzim të madh, madje edhe kur rrethohemi nga ligësia.)

Përmblidheni Helamanin 6:7–14 duke shpjeguar se për afro tre vjet nefitët dhe lamanitët gëzuan paqe. Meqenëse prodhimtaria dhe tregtia u rritën mes tyre, të dy popujt lulëzuan. Më pas, në vitin e 66-të të mbretërimit të gjykatësve, u vranë dy kryegjykatës. Ftojeni një student ta lexojë me zë Helamanin 6:16–17. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke përcaktuar edhe më shumë qëndrime e veprime që e bënë Shpirtin të largohej prej nefitëve. Teksa studentët raportojnë se çfarë gjejnë, kërkojini një studenti t’i shkruajë përgjigjet e tyre në gjysmën e poshtme të tabelës, poshtë ose anash shigjetës me drejtim nga poshtë.

Ndani me studentët faktet që vijojnë:

Zemra është thelbësore për mbijetesën tonë fizike. Ajo pompon gjakun nëpër trupin tonë, që oksigjeni dhe ushqyesit e tjerë t’u shkojnë të gjitha qelizave tona. Me afërsisht madhësinë e një grushti, zemra mesatare e një të rrituri pompon 7570 litra gjak çdo ditë. Ajo rreh rreth 70 herë në minutë ose 100.000 rrahje në ditë.

  • Duke e ditur natyrën jetike që ka zemra juaj fizike, çfarë do të ishit të gatshëm të bënit për ta mbajtur të shëndetshme?

Shkruani në tabelë këtë referencë të shkrimit të shenjtë: Helamani 6:17, 21, 26, 28–31. Vini në dukje se çdo varg i kësaj reference përdor fjalën zemër ose zemra, duke pasur parasysh zemrën tonë shpirtërore. Jepuni studentëve kohë t’i studiojnë këto vargje dhe të mendohen për përgjigjet e pyetjeve që vijojnë: (Për të kursyer kohë, shkruajini këto pyetje në tabelë përpara orës së mësimit ose përgatitni ato në formë fletushkash që studentët t’iu referohen teksa studiojnë vargjet e renditura në tabelë.)

Si mendoni, përse Satani është aq i interesuar për zemrën e fëmijëve të Perëndisë?

Çfarë bënë nefitët që i krijoi Satanit mundësi të ndikojë në zemrën e tyre? (Shih Helamani 6:17.)

Çfarë i ndodh një personi, zemra e të cilit ndikohet ose kontrollohet nga Satani? (Shih Helamani 6:21, 28, 30–31.)

Ftoni disa studentë t’u përgjigjen pyetjeve. Pastaj kërkojini një studenti ta lexojë me zë thënien e mëposhtme nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës ta dëgjojë me kujdes për të përcaktuar mënyrat me të cilat Satani përpiqet t’i ngulitë tundimet në zemrën tonë.

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Mund të ekzistojnë zbulesat e rreme, nxitjet e djallit, tundimet! Për sa të jetoni, në një mënyrë a tjetër kundërshtari do të përpiqet t’ju çojë shtrembër. …

Nëse merrni ndonjëherë një nxitje për të bërë diçka që ju bën të ndiheni në siklet, diçka që ju e dini në mendjen tuaj se është e gabuar dhe kundër parimeve të drejtësisë, mos iu përgjigjni asaj!” (“Personal Revelation: The Gift, the Test, and the Promise”, Ensign, nëntor 1994, f. 61).

Shtojeni shprehjen dëgjimi dhe dorëzimi ndaj tundimit te lista në gjysmën e poshtme të tabelës. Ftojini disa studentë që me radhë të lexojnë me zë nga Helamani 6:20–21, 37–38. Kërkojini klasës t’i ndjekë, duke kërkuar të gjejnë reagimet e ndryshme të lamanitëve dhe nefitëve ndaj ndikimit të hajdutëve të Gadiantonit.

Thuajuni studentëve se, pasi Mormoni dokumentoi atë që u kishte ndodhur nefitëve dhe lamanitëve, ai vuri në dukje mësime që mund të marrim nga përvoja e tyre. Shkruani në tabelë shprehjet e papërfunduara të mëposhtme:

Nefitët e humbën Shpirtin ngaqë …

Zoti derdhi Shpirtin e Tij mbi lamanitët, sepse …

Ftojini studentët të lexojnë Helamanin 6:34–36, duke kërkuar informacion që do t’i ndihmojë për të plotësuar shprehjet në tabelë.

  • Nisur nga ato që lexuat në këto vargje, si do t’i plotësonit shprehjet e papërfunduara në tabelë? (Mund të jetë mirë t’i plotësoni shprehjet në tabelë duke përdorur përgjigjet e studentëve.)

  • Çfarë na mësojnë këto vargje për atë që mund të bëjmë që ta kemi Shpirtin me ne? (Sido që studentët mund të japin disa përgjigje, sigurohuni që të shprehin se, kur besojmë dhe u bindemi fjalëve të Zotit, Ai do të derdhë Shpirtin e Tij mbi ne. Studentët gjithashtu duhet të shprehin se, kur e lejojmë Satanin të ndikojë në zemrën tonë, Shpirti i Zotit do të largohet nga ne.)

Tërhiqni vëmendjen e studentëve te listat që shkruan sipër dhe poshtë shigjetave në tabelë. Vini në dukje se veprimet dhe qëndrimet në gjysmën e sipërme të tabelës përfaqësojnë gatishmërinë për t’i besuar dhe për t’iu bindur fjalëve të Zotit, ndërsa veprimet dhe qëndrimet në gjysmën e poshtme përfaqësojnë ligësinë dhe zemërngurtësinë.

  • Ç’po bëni ju për ta ftuar në mënyrë aktive ndikimin e Frymës së Shenjtë në jetën tuaj dhe për ta mbajtur ndikimin e Satanit jashtë zemrës suaj?

  • Në ç’mënyrë ka ndihmuar kryerja e një prej veprimeve nga gjysma e sipërme e tabelës për ta ftuar Frymën e Shenjtë në jetën tuaj? (Mund të jetë gjithashtu mirë t’u kërkoni studentëve të mendohen nëse kanë bërë ndonjë prej veprimeve apo mbajtur ndonjë prej qëndrimeve nga gjysma e poshtme e tabelës dhe të gjykojnë se si ka rezultuar kjo gjë me zvogëlimin e ndikimit të Shpirtit në jetën e tyre.)

Kërkojuni studentëve të shkruajnë në fletore a në ditarë të studimit të shkrimit të shenjtë një gjë që do të bëjnë për ta ftuar Shpirtin e Zotit në jetën e tyre. Nxitini që t’i ndjekin deri në fund qëllimet e tyre.

Helamani 7

Nefi u predikon nefitëve të ligj dhe i urdhëron të pendohen

Për secilën nga pyetjet që vijojnë, ftojini studentët të përdorin librat e tyre të shkrimeve të shenjta, që t’i gjejnë përgjigjet sa më shpejt që munden. Udhëzojini që, kur ta kenë gjetur përgjigjen, të ngrihen në këmbë. Për secilën pyetje, kërkojini personit të parë që ngrihet në këmbë të përgjigjet. Pastaj kërkojuni studentëve të ulen, para se të lexoni pyetjen tjetër.

  • Sipas Helamanit 7:1, cili ishte emri i profetit që u kthye nga toka e veriut?

  • Cila shprehje te Helamani 7:2 përshkruan se çfarë i mësoi Nefi popullit në tokën e veriut?

  • Sipas Helamanit 7:3, përse Nefi iku nga toka e veriut?

  • Sipas Helamanit 7:4, cilët i kishin zënë fronet e gjykimit në kohën që Nefi u kthye në Zarahemla?

Ftojeni një student ta lexojë me zë Helamanin 7:5 dhe kërkojini klasës të përcaktojë se si e sundonin popullin hajdutët e Gadiantonit.

Përmblidheni Helamanin 7:6–12 duke shpjeguar se, kur Nefi e pa gjendjen e popullit të tij, “zemra iu enjt … nga keqardhja” (Helamani 7:6). Ai u ngjit në një kullë në oborrin e tij, që të lutej e të vajtonte për ligësinë e popullit. Kur njerëzit e dëgjuan që lutej dhe vajtonte, një turmë u mblodh për të mësuar përse ishte aq i mërzitur. Ai e përdori këtë mundësi që t’i mësonte.

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Helamanin 7:15–16.

  • Përse Nefi tha se populli “duhet të [çuditej]”?

  • Për çfarë përpiqet Satani?

Ftojini studentët të ndalen dhe të mendojnë mbi gjuhën figurative që përdori Nefi. Pasi Satani fiton ndikim në zemrën e njerëzve, ai kërkon më pas t’i flakë shpirtrat e tyre poshtë në mjerim të përhershëm.

  • Si mendoni, pse Nefi e paralajmëroi popullin për qëllimet e Satanit? Çfarë deshi Nefi që të shmangnin ata?

Ftojini disa studentë që ta lexojnë me zë me radhë nga Helamani 7:17–22, 26–28. Ftojeni gjysmën e klasës të përcaktojë mëkatet e nefitëve dhe kërkojini gjysmës tjetër të klasës të përcaktojë pasojat që Nefi paralajmëroi se do të vinin, nëse populli nuk pendohej.

Teksa gjysma e parë e klasës raporton se çfarë gjeti, vini në dukje ngjashmëritë me atë që shkruhet te gjysma e poshtme e tabelës. Ndërsa raporton gjysma e dytë e klasës, bëni pyetjet që vijojnë:

  • Cila shprehje te Helamani 7:22 nxjerr në pah diçka që Zoti ua refuzon atyre që nuk pranojnë të pendohen? (Mund të jetë mirë t’i këshilloni studentët ta nënvizojnë këtë shprehje te librat e tyre të shkrimeve të shenjta.)

  • Sipas Helamanit 7:28, cila është rrjedhoja kur njerëzit nuk pranojnë të pendohen? (Ata do të mbarojnë. Mund të jetë mirë që të shpjegoni se, në rastin e nefitëve, mospranimi për t’u penduar do të thoshte se ata do të mbaronin edhe fizikisht, edhe shpirtërisht.)

Shkruani në tabelë këtë të vërtetë: Nëse nuk pranojmë të pendohemi për mëkatet tona, do ta humbasim mbrojtjen e Zotit dhe bekimet e jetës së përjetshme.

Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë këtë parim, ftojini të shpjegojnë se çfarë pasojash mund t’u vijnë njerëzve të ndodhur në situatat që vijojnë: 1) Një i ri nuk pranon të pendohet për një varësi nga pornografia; 2) Një e re ka si përparësinë më të madhe të bëhet shumë e njohur e të gëzojë popullaritet, pavarësisht se prindërit e mësojnë ndryshe; 3) Megjithëse i ka dëgjuar vetë mësimet e profetëve që të kërkojë te shkrimet e shenjta e të lutet, një i ri nuk pranon të bëjë asnjërën.

Ftojini studentët të mendohen se në ç’mënyra mund të kenë nevojë të pendohen. Nxitini të pendohen, në mënyrë që të mund të kenë përherë fuqinë dhe mbrojtjen e Zotit në jetën e tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Helamani 6:35–36. “Shpirti i Zotit filloi të largohej”

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi se zgjedhjet dhe veprimet tona mund të bëjnë që ne t’i largohemi Shpirtit të Shenjtë:

“Duhet gjithashtu të përpiqemi ta dallojmë se kur ‘[largohemi] nga Shpirti i Zotit, që ai të mos ketë më vend në [ne] për [të na] udhëhequr në udhët e urtësisë, që [ne] të mund të [jemi] të bekuar, të begatuar dhe të ruajtur’ (Mosia 2:36). Pikërisht meqë bekimi i premtuar është që të mund të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne, duhet t’u kushtojmë vëmendje e të mësojmë nga zgjedhjet dhe ndikimet të cilat na ndajnë nga Shpirti i Shenjtë.

Standardi është i qartë. Nëse ndonjë gjë që mendojmë, shohim, dëgjojmë ose bëjmë na largon nga Fryma e Shenjtë, atëherë ne duhet të ndalojmë së menduari, së shikuari, së dëgjuari ose së bëri atë gjë. Nëse ajo që, për shembull, ka për qëllim të na zbavitë, na largon nga Shpirti e Shenjtë, atëherë sigurisht ajo lloj zbavitjeje nuk është për ne. Meqë Shpirti nuk mund të rrijë me atë që është vulgare, e vrazhdë ose e pacipë, atëherë qartazi gjëra të tilla nuk janë për ne. Meqenëse kur merremi me ato aktivitete të cilat e dimë se duhet t’i shmangim, e largojmë Shpirtin e Zotit, atëherë të tilla gjëra pa dyshim nuk janë për ne” (“That We May Always Have His Spirit to Be with Us”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 30; “Që të Mund të Kemi Gjithmonë me Vete Shpirtin e Tij”, Konferenca e Përgjithshme prill 2006 [nr. i artikullit 01636 101], f. 49).

Helamani 6:35–36. “Zoti filloi të derdhte Shpirtin e tij”

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, u foli mësuesve të seminarit dhe të institutit për rolin e Frymës së Shenjtë në mësimin e ungjillit:

“Studentët tanë nuk mund të dinë për Perëndinë dhe po ashtu të duan siç duhet të duan, përveç nëse mësohen nga Shpirti i Shenjtë. … Vetëm përmes Shpirtit ata mund të dinë se Ati Qiellor dhe Biri i Tij i ringjallur dhe i përlëvduar iu shfaqën Jozef Smithit. Vetëm përmes Shpirtit ata mund të dinë se Libri i Mormonit është fjala e vërtetë e Perëndisë. … Vetëm nëpërmjet marrjes së këtyre dëshmive, të rrënjosura thellë në zemrat e tyre përmes Frymës së Shenjtë, ata do të ngrihen mbi një themel të sigurt për të qenë të qëndrueshëm përmes tundimeve dhe sprovave të jetës së tyre” (“To Know and to Love God” [fjalim për arsimtarët e fesë të SAK-ut, 26 shkurt 2010], f. 2, si.lds.org).