Biblioteka
Ethëri


Hyrje në Librin e Ethërit

Përse të studiohet ky libër?

Duke studiuar librin e Ethërit, studentët do të mësojnë rreth jareditëve – një grup njerëzish që udhëtuan për në hemisferën perëndimore dhe jetuan atje për shumë shekuj përpara arritjes së popullit të Lehit. Studentët do të mësojnë parime të rëndësishme rreth lutjes, zbulesës dhe marrëdhënies midis ushtrimit të besimit në Jezu Krisht dhe marrjes së njohurisë shpirtërore. Ata do të mësojnë gjithashtu rreth rolit të profetëve në bindjen e njerëzve për t’u penduar dhe rreth pasojave që vijnë tek ata që nuk pranojnë Jezu Krishtin dhe profetët e Tij.

Kush e shkroi këtë libër?

Moroni e përmblodhi këtë libër nga 24 fletët e arta që u quajtën fletët e Ethërit. Libri është quajtur sipas profetit Ethër, që ishte profeti i fundit i jareditëve dhe që krijoi analin e historisë së tyre (shih Ethëri 15:33–34). Rreth 500 vjet përpara se Moroni të bënte përmbledhjen e tij të analeve të shenjta, disa nga njerëzit e Limhit zbuluan fletët e Ethërit kur ishin duke kërkuar vendin e Zarahemlës (shih Mosia 8:7–11; Ethëri 1:2). Profetët nefitë dhe mbajtësit e dokumenteve i pasuan fletët e Ethërit gjersa ato arritën në zotërim të Moronit. Moroni deklaroi se ai nuk përfshiu madje as “të njëqindtën pjesë” të analit në përmbledhjen e tij (Ethëri 15:33).

Për kë u shkrua ky libër dhe përse?

Ngaqë Moroni i përmblodhi fletët e Ethërit pasi jareditët dhe populli i tij qenë shkatërruar, ai e adresoi këtë libër për njerëzit e kohës sonë. Moroni i paralajmëroi johebrenjtë e ditëve të mëvonshme të pendohen, t’i shërbejnë Perëndisë dhe të heqin dorë nga lidhjet e fshehta (shih Ethëri 2:11–12; 8:23). Ai gjithashtu mbajti shënim fjalët e Jezu Krishtit, duke i ftuar “të gjitha … skaje[t e] tokës” të pendohen, të vijnë tek Ai, të pagëzohen dhe të marrin njohurinë që i është fshehur botës për shkak të mosbesimit (shih Ethëri 4:13–18).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Ethëri e plotësoi analin e popullit të tij gjatë dhe pas betejës së madhe përfundimtare ku u vranë të gjithë jareditët përveç dyve – ai vetë dhe Koriantumri (shih Ethëri 13:13–14; 15:32–33). Ai i fshehu pastaj shkrimet “në një mënyrë të tillë që njerëzit e Limhit ta gjenin” (Ethëri 15:33; shih edhe Mosia 8:7–9). Moroni e përmblodhi analin e Ethërit midis vitit 400 Pr.K. dhe vitit 421 Pr.K. (shih Mormoni 8:3–6; Moroni 10:1). Moroni shkroi se jareditët qenë shkatërruar në “[këtë] vend verior” (Ethëri 1:1), duke treguar se ai mund të kishte qenë te vendi ku ata qenë shkatërruar kur përmblodhi analin e tyre.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Ndryshe nga librat e tjerë në Librin e Mormonit, libri i Ethërit nuk flet për historinë e pasardhësve të Lehit. Libri tregon se si jareditët dolën nga Kulla e Babelit dhe udhëtuan për në tokën e premtuar, ku më në fund u shkatërruan. Libri i Ethërit është një dëshmi e dytë për analin e nefitëve që ilustron se “cilido komb që të bëhet zot [i tokës së premtuar], do t’i shërbejë Perëndisë ose ata do të fshihen nga faqja e dheut … kur ata të jenë mbushur me paudhësi” (Ethëri 2:9).

Shfaqja paratokësore e Jezu Krishtit te vëllai i Jaredit “renditet midis çasteve më madhështore në historinë e shkruar”. Kjo ngjarje “e vendosi përgjithmonë vëllanë e Jaredit ndër profetët më të mëdhenj të Perëndisë” (Jeffrey R. Holland, Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 17). Tregimi i Moronit për vegimin jep një dëshmi të fuqishme për Jezu Krishtin dhe paraqet mësime të veçanta rreth natyrës së trupave shpirtërorë (shih Ethëri 3:4–17).

Përmbledhje

Ethëri 1–3 Zoti e ruan gjuhën e jareditëve në Kullën e Babelit dhe premton t’i çojë ata në një vend të zgjedhur dhe t’i bëjë një komb të madh. Ai i udhëheq ata drejt bregdetit dhe i udhëzon të bëjnë maune për udhëtimin e tyre përtej oqeanit. Zoti zbulon Veten dhe “të gjitha gjërat” (Ethëri 3:26) te vëllai i Jaredit.

Ethëri 4–5 Moroni vulos shkrimet e vëllait të Jaredit. Ai regjistron shpjegimin e Jezu Krishtit që këto shkrime do t’u zbulohen atyre që ushtrojnë besim tek Ai. Moroni jep mësim që tre dëshmitarë të ditëve të mëvonshme do t’i bashkohen Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë në dëshmimin e Librit të Mormonit.

Ethëri 6–11 Jareditët udhëtojnë për në tokën e premtuar. Populli shtohet dhe fillon të përhapet mbi tokë. Një varg mbretërish të drejtë dhe të ligj sundojnë mbi shumë breza. Jareditët thuajse shkatërrohen për shkak të lidhjeve të fshehta. Shumë profetë i paralajmërojnë njerëzit që të pendohen, por njerëzit nuk i pranojnë.

Ethëri 12 Moroni jep mësim që kërkohet besim përpara se një person të mund të marrë dëshmi shpirtërore. Ai i shpreh Zotit shqetësimin e tij se johebrenjtë në të ardhmen do të tallen me dobësinë e tij në shkrimin e analit të shenjtë dhe shënon përgjigjen që Zoti i dha. Moroni i nxit lexuesit e ditëve të mëvonshme që të kërkojnë Jezu Krishtin.

Ethëri 13–15 Moroni diskuton mbi profecinë e Ethërit për Jerusalemin e Ri. Pasi jareditët nuk e pranojnë Ethërin, ai dëshmon dhe shënon gjithë shkatërrimin e tyre.