Biblioteka
Mësimi 146: Ethëri 4–5


Mësimi 146

Ethëri 4–5

Hyrje

Zoti e urdhëroi Moronin të vulosë vegimin e regjistruar të vëllait të Jaredit dhe shpjegoi se këto shkrime do të zbuloheshin kur njerëzit të kishin besim si vëllai i Jaredit. Moroni profetizoi se tre dëshmitarë do të sillnin dëshmi për vërtetësinë e Librit të Mormonit në ditët e mëvonshme.

Sugjerime për Mësimdhënien

Ethëri 4:1–7

Moroni regjistron dhe vulos rrëfimin e plotë të vegimit të vëllait të Jaredit

Ftojini studentët të mendojnë për një objekt që është veçanërisht i vlefshëm për ta apo familjen e tyre dhe që ata mund të duan ta mbajnë larg fëmijëve të vegjël. Si shembull, ju mund të doni të shfaqni apo përshkruani diçka që është e vlefshme për ju.

  • Përse nuk do ta lejonit një fëmjë ta prekte një objekt të tillë?

  • Çfarë do t’i nevojitej një fëmije të mësonte apo të bënte përpara se t’ia besonit atij apo asaj objektin?

Shpjegoni se të vërtetat e ungjillit janë të vlefshme për Zotin. Ai do që t’i ndajë të gjitha ato me ne, por Ai pret gjersa ne të jemi gati t’i pranojmë. Ndërsa studentët studiojnë Ethërin 4 gjatë këtij mësimi, i nxitni të kërkojnë parime që mund t’i ndihmojnë të përgatiten për të marrë të vërtetën nga Zoti.

Ftojeni një student të lexojë Ethërin 4:1–5 dhe kërkojini klasës të shohë për çfarë Zoti e urdhëroi Moronin të regjistrojë dhe vulosë.

  • Çfarë qe urdhëruar “të vulos[te]” Moroni?

Shpjegoni se Moroni e përfshiu analin e vëllait të Jaredit në atë që shpesh është quajtur pjesa e vulosur e Librit të Mormonit. (Ju mund të doni të shfaqni tabelën e titulluar Burime të Librit të Mormonit, që gjendet te shtojca në fund të këtij manuali.)

  • Si e përshkroi Moroni atë që pa vëllai i Jaredit? (Shih Ethëri 4:4.)

Për t’i ndihmuar studentët të mësojnë më shumë rreth asaj që Zoti i shfaqi vëllait të Jaredit, i ftoni të lexojnë në heshtje Ethërin 3:25–26 dhe 2 Nefin 27:8–10. Pastaj bëni pyetjet e mëposhtme:

Ftojeni një student të lexojë me zë Ethërin 4:6–7. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të gjejë kushtet që duhet të ekzistojnë përpara se zbulesat që iu dhanë vëllait të Jaredit të bëheshin të njohura. Ju mund të doni t’i nxitni studentët të shenjojnë ato që gjejnë në shkrimet e tyre të shenjta.

  • Çfarë kushtesh gjetët?

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga ky fragment lidhur me marrjen e zbulesës? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se, kur pendohemi dhe ushtrojmë besim te Jezu Krishti, ne mund të marrim zbulesë shtesë.)

  • Përse mendoni se kemi nevojë të pendohemi dhe të bëhemi të pastër me qëllim që të marrim zbulesë shtesë?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se çfarë do të thotë “të ushtrojnë besim … madje si bëri vëllai i Jaredit” (Ethëri 4:7), ftojini të renditin në fletoret e klasës apo ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta aq sa mund të mbajnë mend nga mënyrat se si vëllai i Jaredit shfaqi besim te Zoti. Ju mund të doni të sugjeroni që ata të përsëritin Ethërin 1–3 ndërsa hartojnë listat e tyre. Kur të kenë pasur mjaft kohë për të përsiatur dhe shkruar, ftoni disa studentë të lexojnë disa nga shembujt që kanë renditur, dhe të shpjegojnë përse u bëjnë përshtypje ata shembuj.

Kujtojuni studentëve objektin e vlefshëm që menduan në fillim të orës mësimore, dhe kushtet në të cilat do t’ia besonin atë një fëmije. Dëshmoni se, në të njëjtën mënyrë, Zoti u kërkon fëmijëve të Tij që të plotësojnë disa kushte përpara se Ai t’u zbulojë atyre të gjithë të vërtetën e Tij. Ai kërkon që ne ta tregojmë me vepra përgatitjen shpirtërore dhe besimin tonë.

Ethëri 4:8–19

Zoti na mëson se çfarë duhet të bëjmë për të marrë zbulesë të mëtejshme

Ngrini lart një copë rrobë. Shpjegoni se Zoti na mësoi parime që mund të na ndihmojnë të marrim zbulesë. Kur Ai dha mësim këto parime, Ai iu referua një veli. Veli është një perde apo një copë rrobë që përdoret për të mbuluar apo fshehur diçka.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 4:15 dhe të gjejnë frazën që përfshin fjalën vel.

  • Cilit lloj veli iu referua Zoti? (“Vel[it] të mosbesimit.”) Si ngjan mosbesimi me një vel?

  • Fjala grisni do të thotë ta copëtosh apo ndash. Çfarë mendoni se do të thotë “grisni … vel[in e] mosbesimit”?

Ftojeni një student të lexojë me zë Ethërin 4:8, një tjetër të lexojë me zë Ethërin 4:11 dhe një tjetër të lexojë me zë Ethërin 4:15. I kërkoni klasës të ndjekë dhe të gjejë çfarë mund të na pengojë nga marrja e zbulesës dhe çfarë mund të na ndihmojë të “gris[im … velin e] mosbesimit” dhe të marrim më shumë zbulesë.

  • Çfarë mendoni se do të thotë të “lufto[sh] kundër fjalës së Zotit”? (Ethëri 4:8.)

  • Sipas Ethërit 4:8, me çfarë pasojash përballemi kur luftojmë kundër fjalës së Zotit?

  • Sipas Ethërit 4:11, cili është ai bekim që marrim kur besojmë te fjalët e Zotit?

Shkruajeni në tabelë thënien e paplotë vijuese:

Kur e besojmë fjalën e Zotit, …

Kërkojuni studentëve ta plotësojnë këtë thënie sipas asaj që kanë mësuar në këto vargje. Edhe pse përgjigjet e studentëve mund të ndryshojnë, sigurohuni që ata të gjejnë parimin vijues: Kur e besojmë fjalën e Zotit, Zoti do të na bekojë me zbulesë të mëtejshme. Shkruajeni këtë parim në tabelë. Ju mund të doni gjithashtu t’i nxitni studentët ta shkruajnë atë në shkrimet e tyre të shenjta pranë Ethërit 4:11.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë parim, pyetni:

  • Përse mendoni se kemi nevojë t’i besojmë të vërtetat që kemi marrë tashmë, përpara se Zoti të na japë të tjera?

Kërkojini një studenti të shkruajë në tabelë shembujt vijues të ushtrimit të besimit te fjala e Zotit: studimi vetjak i shkrimeve të shenjta; ndjekja e nxitjeve nga Fryma e Shenjtë; ndjekja e udhëheqësve vendorë të Kishës; studimi i shkrimeve të shenjta në kishë dhe seminar; ndjekja e fjalëve të profetëve të ditëve të mëvonshme.

Ftojini studentët të përsiatin se si të treguarit e besimit te fjala e Zotit në një nga këto mënyra, i ka çuar ata te marrja e një zbulese të mëtejshme. Nxitni disa studentë të tregojnë atë që kanë përjetuar.

Drejtojuni përsëri shembujve të shkruar në tabelë. Kërkojuni studentëve t’i shqyrtojnë ata shembuj ndërsa përsiatin në heshtje se sa mirë e tregojnë besimin e tyre te fjala e Perëndisë. Sugjeroni që për çdo shembull, ta renditin veten në një shkallëzim nga 1 deri në 10, me një notë 10 që do të thotë se shembulli i referohet diçkaje që ata e bëjnë mirë. Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës apo ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta për një mënyrë se si mund të tregojnë më shumë besim në drejtimin që kanë marrë tashmë nga Zoti. Jepni dëshminë tuaj për parimin që keni shkruar në tabelë, dhe i nxitni studentët të vazhdojnë me objektivat që kanë shkruar.

Fshijeni frazën “besojmë fjalën e Zotit” nga tabela. Theksoni se Zoti dha mësim parime shtesë rreth marrjes së zbulesës. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Ethërin 4:13–15, duke kërkuar për gjëra të tjera që mund të bëjnë për të marrë zbulesë nga Zoti.

Kur studentët të kenë pasur kohë për të lexuar, kërkojuni të sugjerojnë mënyra për të plotësuar thënien. Përgjigjet mund të përfshijnë parimet vijuese: Kur vijmë te Zoti, Zoti do të na bekojë me zbulesë të mëtejshme. Kur lutemi përulësisht, Zoti do të na bekojë me zbulesë të mëtejshme.

Për t’i ndihmuar studentët t’i kuptojnë më mirë këto parime, merrni parasysh të bëni pyetjet vijuese:

  • Çfarë do të thotë për ju të vish te Zoti? (Përgjigjet mund të përfshijnë studimin e fjalëve të Tij, kthimin e zemrave tona tek Ai, pendimin dhe ndjekjen e bindjen ndaj Tij.)

  • Çfarë do të thotë të kesh një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar? (Të jesh i përulur, i penduar dhe pranues i vullnetit të Zotit.) Përse janë të nevojshme këto qëndrime kur lutemi për zbulesë të vazhdueshme nga Zoti?

Ftojini studentët të përsiatin se si mund t’i përfshijnë këto parime në përpjekjet e tyre për të marrë zbulesë.

Përmblidhni Ethërin 4:17–19, duke shpjeguar që Zoti deklaroi se dalja e Librit të Mormonit në dritë do të jetë një shenjë se vepra e ditëve të mëvonshme e Perëndisë ka filluar. Ai gjithashtu i nxiti të gjithë njerëzit të pendohen dhe të vijnë tek Ai.

Ethëri 5

Moroni deklaron se tre dëshmitarë do të shohin dhe japin dëshmi për fletët

Ngrini figurën Jozef Smithi Përkthen Librin e Mormonit (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 92). Ftojeni një student të lexojë me zë Ethërin 5:1–3. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përfytyrojë se si mund të kishte qenë për Jozef Smithin të përkthente Librin e Mormonit dhe të kuptonte se kjo këshillë ishte shkruar drejtpërdrejt për të nga Moroni mbi 1.400 vite përpara.

Pamja
Jozef Smithi Përkthen Librin e Mormonit
  • Çfarë tha Moroni rreth fletëve që pati “vulos[ur]”?

  • Sipas Ethërit 5:2–3, çfarë do të ishte i privilegjuar Jozefi të bënte me fletët?

Pyetini studentët nëse mund t’i thonë emrat e Tre Dëshmitarëve të Librit të Mormonit dhe të kujtojnë se çfarë përjetuan. (Nëse studentët kanë nevojë për ndihmë, ftojini të lexojnë “Dëshmia e Tre Dëshmitarëve” në ballë të Librit të Mormonit.) Ju mund të shpjegoni se përveç Tre Dëshmitarëve, të tjerë kanë dëshmuar për vërtetësinë e fletëve të arta, përfshirë anëtarë të Kreut-Perëndi (shih Ethërit 5:4), Moroni (shih Ethëri 5:6), Jozef Smithi dhe Tetë Dëshmitarët.

  • Në cilat mënyra mund të jeni një dëshmitar i Librit të Mormonit, madje pa i parë fletët? Si mundet që dëshmia juaj për Librin e Mormonit të ndikojë te njerëzit e tjerë?

Për ta përfunduar këtë mësim, kërkojuni disa studentëve të japin dëshminë e tyre për Librin e Mormonit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Ethëri 5. Dëshmia e Tre Dëshmitarëve

Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë ka thënë:

“Kur isha një djalosh me priftëri Aarone, unë mora një vërtetim të drejtpërdrejtë për dëshminë e mrekullueshme të Tre Dëshmitarëve lidhur me vërtetësinë e Librit të Mormonit. Presidenti i kunjit tim ishte Presidenti Henri D. Mojl dhe babai i tij ishte Xhejms H. Mojl. Gjatë verës, Vëllai Xhejms H. Mojl e vizitonte familjen e tij dhe adhuronte me ne në lagjen tonë të vogël në juglindje të Luginës së Solt-Lejkut.

Një të diel, Vëllai Xhejms H. Mojl na tregoi një përvojë të pashoqe. Kur ishte i ri, ai shkoi në Universitetin e Miçiganit për të studiuar për drejtësi. Ndërsa po mbaronte studimet, babai i tij i tha se Dejvid Uitmeri, një nga dëshmitarët e Librit të Mormonit, ishte ende gjallë. Babai i sugjeroi birit të tij që të ndalej gjatë rrugës së kthimit për në Solt-Lejk-Siti për t’u takuar me Dejvid Uitmerin kokë më kokë. Qëllimi i Vëllait Mojl ishte që ta pyeste rreth dëshmisë së tij lidhur me fletët e arta dhe Librin e Mormonit.

Gjatë asaj vizite, Vëllai Mojl i tha Dejvid Uitmerit: ‘Zotni, ju jeni i moshuar dhe unë jam i ri. Unë kam studiuar rreth dëshmitarëve dhe dëshmive. Ju lutem më tregoni të vërtetën lidhur me dëshminë tuaj si një nga dëshmitarët e Librit të Mormonit.’ Dejvid Uitmeri i tregoi atëherë këtij të riu: ‘Po, unë i mbajta fletët e arta në duart e mia dhe ato na u shfaqën nga një engjëll. Dëshmia ime lidhur me Librin e Mormonit është e vërtetë.’ Dejvid Uitmeri u largua nga Kisha, por ai kurrë nuk e mohoi dëshminë e tij për vizitën e engjëllit, për mbajtjen në dorë të fletëve të arta apo për vërtetësinë e Librit të Mormonit. Dëgjimime veshët e mi të kësaj përvoje të mrekullueshme drejtpërdrejt nga buzët e Vëllait Mojl pati një ndikim të fuqishëm e vërtetues mbi dëshminë time në rritje. Pasi e kisha dëgjuar atë, unë ndieja se ajo ishte detyruese mbi mua” (“A Growing Testimony”, Ensign, nëntor 2000, f. 54).

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, tha:

“Tre Dëshmitarët kurrë nuk e mohuan dëshminë e tyre për Librin e Mormonit. Ata nuk mundeshin sepse ata e dinin se ishte e vërtetë. Ata bënë sakrifica dhe u përballën me vështirësi përtej asaj që kanë njohur ndonjëherë shumica e njerëzve. Oliver Kaudëri dha të njëjtën dëshmi rreth origjinës hyjnore të Librit të Mormonit ndërsa ishte duke vdekur. Ajo që ata vazhduan të pohojnë mbi atë që panë dhe dëgjuan në atë përvojë të mrekullueshme, gjatë periudhave të gjata të largimit nga Kisha dhe nga Jozefi, e bën dëshminë e tyre më të fuqishme” (“An Enduring Testimony of the Mission of the Prophet Joseph”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 90).