Biblioteka
Veprimtaritë e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë


Veprimtaritë e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Hyrje

Kjo nënndarje jep disa ide që mund t’i përdorni për t’i ndihmuar studentët të zotërojnë fragmente kyçe të shkrimit të shenjtë. Kur i ndihmoni dhe i nxitni studentët t’i zhvillojnë këto aftësi, ju po i ndihmoni ata të bëhen të sigurt te vetvetja në studimin e tyre [vetjak] të shkrimeve të shenjta. Studentët mund t’i përdorin këto aftësi zotëruese për gjatë jetës së tyre për të gjetur, kuptuar, zbatuar e mësuar më mirë përmendsh fragmentet në shkrimet e shenjta. Idetë për mësimdhënie për secilin element të zotërimit të shkrimit të shenjtë janë renditur më poshtë. Përdorimi i një shumëllojshmërie prej këtyre llojeve të veprimtarive mund t’i ndihmojë studentët që t’i zotërojnë më me sukses fragmentet e shkrimit të shenjtë.

Veprimtari që i Ndihmojnë Studentët të Gjejnë Vendndodhjen e Fragmenteve të Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Shenjimi i Fragmenteve

Shenjimi i fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë mund t’i ndihmojë studentët t’i mbajnë mend këto fragmente dhe t’i gjejnë më me shpejtësi. Merrni parasysh që t’i nxitni studentët t’i shenjojnë këto fragmente kyçe në shkrimet e tyre të shenjta në një mënyrë që i dallon nga fragmentet e tjera që shenjojnë.

Njohja e Librave

Mësimi përmendsh i emrave dhe i radhës së librave në Librin e Mormonit mund t’i ndihmojë studentët t’ua gjejnë më shpejt vendndodhjen fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Në vijim janë shembuj veprimtarish që mund t’i ndihmojnë studentët të familjarizohen me librat në Librin e Mormonit:

  • Gjeni Tabelën e Përmbajtjes – Ndihmojini studentët të gjejnë tabelën e përmbajtjes te Libri i Mormonit, e cila është e titulluar “Emrat dhe Radha e Librave në Librin e Mormonit”.

  • Këndoni një Këngë – Mësojuni studentëve këngën “The Books in the Book of Mormon” [“Librat në Librin e Mormonit”] (Children’s Songbook, f. 119). Vërini që ta këndojnë rregullisht për gjatë vitit për t’i ndihmuar të mbajnë mend emrat dhe radhën e librave në Librin e Mormonit.

  • Përdorni Germat e Para – Shkruani në tabelë germat e para të librave te Libri i Mormonit (1N, 2N, J, E dhe kështu me radhë). Vërini studentët të ushtrohen duke thënë emrat e librave që përputhen me secilën germë. Përsëriteni këtë veprimtari derisa ata të mund t’i thonë përmendsh emrat e librave.

  • Gjuetia e Librave – Thoni emrin e njërit prej librave në të cilin gjendet një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe vërini studentët t’i hapin shkrimet e tyre të shenjta te ndonjë faqe në atë libër. Matni kohën që i duhet të gjithë klasës për të gjetur vendndodhjen e secilit prej librave. Kjo veprimtari mund të përsëritet për t’u mundësuar studentëve që të bëhen më të aftë në mbajtjen mend dhe gjetjen e vendndodhjes së librave te Libri i Mormonit.

Mbajtja Mend e Referencave dhe e Përmbajtjes

Ndërsa studentët mësojnë se ku ndodhen fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe përmbajtjen e tyre, Fryma e Shenjtë mund t’i ndihmojë të kujtojnë referencat e shkrimit të shenjtë sipas nevojës (shih Gjoni 14:26). Fjalë ose fraza kyçe të tilla si: “Unë do të shkoj dhe do të bëj” (1 Nefi 3:7) dhe “të lirë të zgjedhin” (2 Nefi 2:27) mund t’i ndihmojnë studentët të kujtojnë përmbajtjen dhe mësimet doktrinore të secilit fragment. Metodat në vijim mund t’i ndihmojnë studentët t’i lidhin referencat e zotërimit të shkrimit të shenjtë me përmbajtjen e tyre ose fjalët e tyre kyçe. (Ju mund të dëshironi t’i ruani veprimtaritë që përfshijnë konkurrim, garë ose kronometrim për më vonë gjatë vitit, pasi studentët të kenë treguar që e dinë se ku ndodhen fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Në atë kohë, veprimtari të tilla do t’i ndihmojnë të përforcojnë atë që kanë mësuar.)

  • Referencat dhe Fjalët Kyçe – Nxitini studentët t’i mësojnë përmendsh referencat dhe fjalët kyçe të secilit fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë të renditur në kartat e zotërimit të shkrimit të shenjtë. (Kartat e zotërimit të shkrimit të shenjtë mund të porositen në internet tek adresa store.lds.org. Ju gjithashtu mund t’i vini studentët të krijojnë vetë grupin e tyre të kartave të zotërimit të shkrimit të shenjtë.) Jepuni studentëve kohë që t’i studiojnë kartat e tyre me një shok dhe pastaj t’i bëjnë pyetje njëri-tjetrit. Nxitini studentët të jenë krijues në mënyrat se si studiojnë së bashku dhe i bëjnë pyetje njëri-tjetrit. Ndërsa bëhen më të zotë me fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, ju mund t’i ftoni të përdorin të dhëna orientuese që përfshijnë kontekst nga fragmentet ose zbatim të doktrinave dhe parimeve nga ato. Personit që i bëhen pyetjet, mund të përgjigjet me gojë ose me shkrim.

  • Kartat e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë – Kjo veprimtari mund të përdoret për të paraqitur ose për të përsëritur një grup fragmentesh të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Përzgjidhni një numër kartash të zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe përgatituni që t’i shpërndani mes studentëve tuaj. (Sigurohuni që të keni kopje të shumta të secilës kartë në mënyrë që më shumë se një student të marrë të njëjtin fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të dëshironi të keni mjaft karta që secili student të ketë dy ose tri fragmente të ndryshme.) Shpërndajani ato klasës. Jepuni kohë studentëve që t’i studiojnë fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, referencën, fjalët kyçe, thënien e kontekstit, doktrinën ose parimin dhe idetë për zbatim në secilën kartë. Thoni disa të dhëna orientuese nga kartat (për shembull, fjalë nga fragmenti i zotërimit të shkrimit të shenjtë ose fjalët kyçe, [fjalë nga] konteksti, doktrina apo parimi, ose zbatimi). Studentët që kanë kartat shoqëruese, duhet të ngrihen dhe të thonë me zë të lartë referencën e zotërimit të shkrimit të shenjtë.

  • Gjuetia e Shkrimit të Shenjtë – Përdorni të dhëna orientuese për t’i ndihmuar studentët të ushtrohen në gjetjen me shpejtësi të fragmenteve në shkrimet e tyre të shenjta. Si të dhëna, ju mund të përdorni fjalë kyçe, thënie të kontekstit, doktrina e parime dhe ide për zbatim nga kartat e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju gjithashtu mund t’i krijoni vetë të dhënat tuaja orientuese. Veprimtaritë e gjuetisë së shkrimit të shenjtë në të cilat studentët konkurrojnë për të gjetur fragmentet në shkrimet e shenjta, mund t’i ndihmojnë që të përfshihen në mënyrë aktive në mësimin e fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Kur përdorni veprimtaritë e gjuetisë së shkrimit të shenjtë për t’i ndihmuar për zotërimin e shkrimit të shenjtë, bëjeni në një mënyrë që nuk u lëndon ndjenjat apo largon Shpirtin. Ndihmojini studentët të shmangin trajtimin e shkrimeve të tyre të shenjta pa nderim ose të qenit konkurrues në mënyrë të tepruar. Gjithashtu merrni parasysh t’i vini studentët të konkurrojnë kundrejt një standardi sesa kundër njëri-tjetrit. Për shembull, studentët mund të konkurrojnë kundër mësuesit, ose mund t’i vini të konkurrojnë për të parë nëse një përqindje e caktuar e klasës mund të gjejë një fragment të veçantë në një sasi të caktuar kohe.

  • Gjuetia e Ngjarjes – Jepni të dhëna orientuese duke krijuar skenarë që paraqitin lidhjen e fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë me jetën e përditshme. Për shembull, si të dhënë për 1 Nefin 3:7, ju mund të thoni: “Xhoni e di se Zoti i urdhëron të gjithë të rinjtë e denjë të shërbejnë në misione, por ai merakoset se mos druajtja e tij do ta pengojë që të shërbejë në mënyrë të efektshme. Pastaj i kujtohet se si iu përgjigj Nefi detyrës së vështirë të marrjes së fletëve prej tunxhi. Xhoni merr kurajë që Zoti do të sigurojë një mënyrë për të që të bëhet një misionar i aftë.” Ndërsa studentët dëgjojnë skenarët, vërini që të gjejnë në shkrimet e tyre të shenjta fragmentet përkatëse të zotërimit të shkrimit të shenjtë.

  • Provime me Alternativa dhe Detyra Kontrolli – Jepuni studentëve mundësi të vënë në provë aftësinë e tyre për të kujtuar fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Të dhënat orientuese mund të përfshijnë fjalë kyçe ose referenca të shkrimit të shenjtë, citate nga fragmentet, ose skenarë që ilustrojnë të vërtetat e dhëna mësim te fragmentet. Provimet me alternativa dhe detyrat e kontrollit mund të jepen me gojë, në tabelë ose në letër. Pasi studentët të kenë bërë provimin me alternativa apo detyrën e kontrollit, merrni parasysh të vini në dyshe studentë që marrin shumë pikë me studentë që kanë më pak pikë. Studenti me më shumë pikë mund të veprojë si mësues për ta ndihmuar studentin me më pak pikë që të studiojë dhe të përmirësohet. Si pjesë e kësaj përpjekjeje, dyshja gjithashtu mund të vendosë një qëllim për të marrë më shumë pikë si skuadër në provimin tjetër. Merrni parasysh të krijoni një diagram ose tabelë njoftimesh për të paraqitur qëllimet e studentëve dhe për të vënë në dukje përparimin e tyre.

Veprimtari që i Ndihmojnë Studentët t’i Kuptojnë Fragmentet e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Përkufizimi i Fjalëve dhe Frazave

Përkufizimi i fjalëve dhe frazave në fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë (ose të ndihmuarit e studentëve për t’i përkufizuar ato) do t’i ndihmojë studentët të kuptojnë domethënien e të gjithë fragmentit. Kur përkufizime të tilla janë të rëndësishme për të kuptuar doktrinat dhe parimet në një fragment, ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët t’i shkruajnë këto përkufizime në shkrimet e tyre të shenjta. Përsëritini kuptimet e fjalëve dhe frazave ndërsa përsëritni fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë.

Përcaktimi i Kontekstit

Përcaktimi i kontekstit të fragmentit të shkrimit të shenjtë mund t’i ndihmojë studentët ta kuptojnë më mirë domethënien e fragmentit. Konteksti përfshin të dhëna lidhur me cilin person po i flet cilit person dhe përse, rrethanat (historike, kulturore dhe gjeografike) të fragmentit dhe pyetjen ose situatën nga ka dalë përmbajtja e fragmentit të shkrimit të shenjtë. Për shembull, konteksti i 1 Nefit 3:7 përfshin faktin që Nefit i qe kërkuar nga i ati, Lehi, i cili qe profet, që të kthehej në Jerusalem dhe të merrte fletët prej tunxhi. Të diturit e kësaj të dhëne mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë më qartë se përse Nefi thotë: “Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar”. Ndërsa jepni mësimet që përfshijnë fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, theksoni kontekstin si rrethana të atyre fragmenteve. Veprimtari shtesë si ajo në vijim mund t’i ndihmojnë studentët gjithashtu t’i kuptojnë këto fragmente kyçe.

  • Përcaktoni Kontekstin – Shkruani titujt në vijim në krye të tabelës: Folësi, Dëgjuesi, Qëllimi, Kuptime të Tjera të Dobishme. Ndajini studentët në grupe dhe caktojini secilit grup një fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ftojini që të zbulojnë kontekstin e fragmenteve të caktuara atyre duke dalluar të dhënat që përputhen me titujt në tabelë. Vërini që t’i shkruajnë në tabelë ato çfarë kanë zbuluar. Pastaj kërkojini secilit grup që të shpjegojë kontekstin e fragmenteve të caktuara atyre dhe se si ky informacion ndikon në të kuptuarin prej tyre të të vërtetave në secilin fragment. Për t’i shtuar edhe diçka më shumë kësaj veprimtarie, ju mund të dëshironi ta sfidoni klasën që të gjejë referencat e zotërimit të shkrimit të shenjtë bazuar në përshkrimet në tabelë, përpara se secili grup të shpjegojë atë që ka shkruar.

Analizimi

Analizimi përfshin përcaktimin e doktrinave dhe parimeve që gjenden në fragmentet e shkrimit të shenjtë. Ai gjithashtu përfshin të ndihmuarit e studentëve për të kuptuar se si këto të vërteta janë domethënëse për ta. Kjo mund të çojë në një zbatim më të thellë të doktrinave dhe parimeve në jetën e tyre. Veprimtaria në vijim mund t’i ndihmojë studentët t’i analizojnë fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë:

  • Shkruani të Dhëna Orientuese – Ndërsa studentët njihen më shumë me fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, ftojini që të krijojnë pyetje, skenarë ose të dhëna të tjera që ilustrojnë doktrina dhe parime të dhëna mësim te fragmentet. Këto mund të përdoren për t’i bërë provim klasës.

Shpjegimi

Vënia e studentëve për të shpjeguar fragmentet e shkrimit të shenjtë e thellon të kuptuarit e tyre dhe e përmirëson aftësinë e tyre për të dhënë mësim doktrina dhe parime nga shkrimet e shenjta. Në vijim janë dy metoda që mund t’i ndihmojnë studentët të mësojnë të shpjegojnë fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë:

  • Fjalë dhe Fraza Kyçe – Ftojini studentët të lexojnë më vete të njëjtin fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe të përcaktojnë një fjalë ose frazë që e mendojnë si veçanërisht të rëndësishme për kuptimin e fragmentit. Pastaj ftoni një student t’ia lexojë fragmentin klasës dhe ta vendosë theksin te fjala apo fraza që ai apo ajo ka zgjedhur. Kërkojini studentit të shpjegojë se përse ajo fjalë apo frazë është e rëndësishme për të kuptuar fragmentin. Ftoni disa studentë të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë. Studentët mund të zgjedhin fjalë ose fraza të ndryshme për të njëjtin fragment. Ndërsa anëtarët e klasës i dëgjojnë këto pikëpamje të ndryshme, ata mund të fitojnë kuptim më të thellë të fragmentit.

  • Përgatitni një Mendim Shpirtëror – Jepuni studentëve mundësi të përdorin fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë ndërsa përgatiten dhe paraqitin mendime shpirtërore në fillim të orës mësimore. Ndihmojini që të përgatiten të përmbledhin kontekstin, të shpjegojnë doktrina dhe parime, të tregojnë përvoja ose shembuj domethënës dhe të dëshmojnë për doktrinat dhe parimet te fragmentet. Ju gjithashtu mund të sugjeroni që studentët të marrin parasysh të përdorin një mësim me objekte për të shpjeguar idetë te fragmentet.

Të Ndierit e Rëndësisë së Doktrinave dhe Parimeve

Ndihmojini studentët të kuptojnë dhe të fitojnë një dëshmi shpirtërore për doktrinat dhe parimet e dhëna mësim në fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Plaku Robert D. Hejls shpjegoi: “Një mësues i vërtetë, pasi i ka dhënë mësim faktet [e ungjillit] … , i çon [studentët] një hap më tej për të fituar dëshminë shpirtërore dhe kuptueshmërinë në zemrat e tyre që shkaktojnë veprim e punë” (“Teaching by Faith” [fjalim drejtuar mësuesve të fesë së SAK-ut, 1 shkurt 2002], f. 5, si.lds.org). Kur studentët e ndiejnë të vërtetën, rëndësinë dhe ngulmimin e një parimi ose doktrine përmes ndikimit të Shpirtit të Shenjtë, dëshira e tyre për ta zbatuar atë të vërtetë në jetën e tyre rritet. Mësuesit mund t’i ndihmojnë studentët që t’i ftojnë dhe t’i ushqejnë këto ndjenja të Shpirtit të Shenjtë duke u dhënë atyre mundësi për të treguar përvoja që kanë pasur me të jetuarin e parimeve të ungjillit që gjenden në fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Kjo do t’i ndihmojë studentët t’i kuptojnë më mirë të vërtetat që mësohen te fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe do të sigurojë që këto të vërteta janë të shkruara në zemrat e studentëve. Veprimtaria në vijim mund t’i ndihmojë studentët ta ndiejnë rëndësinë e doktrinave dhe parimeve të dhëna mësim në fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë:

  • Mbajtja Vesh e Fragmenteve të Shkrimit të Shenjtë – Ftojini studentët t’i mbajnë vesh fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë te bisedat dhe mësimet në kishë, në fjalimet e konferencave të përgjithshme dhe në diskutimet me familjen dhe miqtë. Herë pas here, ftojini studentët të raportojnë se cilat fragmente kanë dëgjuar, se si u përdorën fragmentet, çfarë të vërtetash u dhanë mësim dhe çfarë përvojash kanë pasur ata apo të tjerët me të vërtetat që u dhanë mësim. Kërkoni mundësi për të dëshmuar (dhe ftojini studentët të dëshmojnë) për të vërtetat që na mësohen nga fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë.

Veprimtari që i Ndihmojnë Studentët t’i Zbatojnë Fragmentet e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Mësimdhënia

Fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe Doktrinat Bazë u krijuan bashkërisht dhe u radhitën me qëllimin e përfitimit të studentëve. (Fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë janë paraqitur për gjatë dokumentit të Doktrinave Bazë.) Kur studentët i mësojnë dhe i shprehin doktrinat dhe parimet e përmbajtura në fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, ata gjithashtu do të mësojnë dhe do të shprehin Doktrinat Bazë. Dhe ndërsa studentët mësojnë të shprehin Doktrinat Bazë me vetë fjalët e tyre, ata mund të mbështeten te fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë të mësuara përmendsh për t’i ndihmuar ata. Dhënia e mundësisë studentëve për të dhënë mësim doktrinat dhe parimet e ungjillit duke përdorur fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë mund të rritë besimin e tyre te vetja dhe te njohuria e tyre për shkrimet e shenjta. Kur studentët japin mësim dhe dëshmojnë për doktrinat dhe parimet që gjenden në fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, ata gjithashtu mund të forcojnë dëshmitë e tyre. Nxitini studentët t’i përdorin fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë për të dhënë mësim dhe për të shpjeguar ungjillin në orën mësimore dhe në bisedat me miqtë, familjen dhe të tjerët.

  • Paraqitni një Mesazh – Caktoni studentë që të përgatitin biseda ose mësime prej 3 deri 5 minutash mbi fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Kërkojuni që të përgatiten në orën mësimore ose në shtëpi. Për t’i ndihmuar ata që të përgatiten, përveç fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë, ata mund të përdorin burime të tjera, të tilla si kartat e zotërimit të shkrimit të shenjtë, Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, ose Të Vërtetë Ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin. Çdo bisedë ose mësim duhet të përfshijë një hyrje, fragmentin e zotërimit të shkrimit të shenjtë, një histori ose një shembull të parimit që po mësohet, dhe dëshminë e studentit. Studentët mund të dalin vullnetarë për t’i paraqitur mesazhet e tyre në orën mësimore, në një mbrëmje familjare ose në kuorumet apo orët e tyre mësimore si pjesë të orvatjeve të tyre me Detyrën ndaj Perëndisë apo Përparimin Personal. Nëse studentët i paraqitin bisedat ose mësimet e tyre jashtë klase, merrni parasysh që t’i ftoni të raportojnë mbi përvojat e tyre.

  • Interpretim me Role si Misionarë – Përgatitni një numër kartash me pyetje që mund t’i bëjë një kërkues të cilat mund të marrin përgjigje me ndihmën e fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë (për shembull, “Çfarë besojnë anëtarët e kishës suaj rreth Jezu Krishtit?”). Ftoni dyshe studentësh që të vijnë përpara klasës për t’iu përgjigjur një pyetjeje të zgjedhur nga kartat. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si misionarët mund t’iu përgjigjen pyetjeve të ngjashme, ju mund të sugjeroni disa metoda të efektshme mësimdhënieje, të tilla si: 1) thënien e kontekstit të fragmentit të shkrimit të shenjtë, 2) shpjegimin e një doktrine ose parimi, 3) bërjen e pyetjeve për të zbuluar nëse ata të cilëve po u japin mësim, e kuptojnë apo e besojnë atë çfarë është dhënë mësim, 4) ndarjen e përvojave dhe të dëshmisë dhe 5) të ftuarit e atyre që mësojnë të veprojnë në përputhje me të vërtetën e dhënë mësim. Kërkojini klasës që të japë përshtypjet mbi atë çfarë pëlqyen rreth mënyrës se si secila dyshe iu përgjigj pyetjes së tyre.

  • Dëshmoni – Ftojini studentët të shqyrtojnë fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe të zgjedhin njërin që përmban një doktrinë ose parim për të cilin mund të dëshmojnë. Ftojini të dëshmojnë për të vërtetën që kanë përzgjedhur dhe të tregojnë përvoja që i bënë të ishin në gjendje të dëshmonin për të. Ndërsa studentët japin dëshmitë e tyre, edhe Fryma e Shenjtë do të dëshmojë të vërtetën e doktrinave ose parimeve për të cilat po dëshmojnë. Dëshmitë e tyre mund t’i frymëzojnë të tjerët të veprojnë me besim gjithashtu.

    Shënim: Mundësitë për studentët për të ndarë dëshmitë e tyre duhet të jenë me dëshirë. Studentët asnjëherë nuk duhet të detyrohen të japin dëshmi ose të detyrohen që të ndiejnë se duhet të shprehin njohuri që ata nuk i ndiejnë se i kanë. Përveç kësaj, disa studentë janë ngurrues në dhënien e dëshmive të tyre pasi ata gabimisht mendojnë se duhet ta fillojnë me “Unë dua të jap dëshminë time …” ose që shprehja e dëshmive nga ana e tyre duhet të shoqërohet me shfaqje emocioni. Ndihmojini studentët të kuptojnë se kur dëshmojnë, ata thjesht mund të thonë doktrina ose parime që e dinë se janë të vërteta. Dhënia e dëshmisë mund të jetë aq e thjeshtë sa të thuash: “Unë besoj se kjo është e vërtetë”, ose “Unë e di se kjo është e vërtetë” apo “Unë e besoj këtë me të gjithë zemrën time”.

Vënia në Jetë

Sugjerimi i mënyrave si studentët mund t’i zbatojnë doktrinat dhe parimet që përmbajnë fragmentet e shkrimit të shenjtë (ose të ftuarit e studentëve për të menduar për mënyra [të tilla]) u jep mundësinë që të mësojnë duke ushtruar besim. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:

“Një nxënës që e ushtron lirinë e zgjedhjes duke vepruar sipas parimeve të drejta, ia hap zemrën e tij ose të saj Frymës së Shenjtë dhe fton fuqinë e Tij mësimdhënëse, dëshmuese dhe dëshmimin e Tij pohues. Mësimi me anë të besimit kërkon ushtrim shpirtëror, mendor dhe fizik dhe jo thjesht pranim pasiv. Është nëpërmjet sinqeritetit dhe qëndrueshmërisë së veprimit tonë të frymëzuar nga besimi, që ne i tregojmë Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, gatishmërinë tonë për të mësuar dhe për të marrë udhëzim nga Fryma e Shenjtë” (“Seek Learning by Faith”, Ensign, shtator 2007, f. 64).

Jepuni studentëve mundësi të tregojnë dhe të dëshmojnë për përvojat që kanë pasur me zbatimin e doktrinave dhe parimeve. Në vijim është një mënyrë për t’i inkurajuar studentët që t’i zbatojnë fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë në jetën e tyre:

  • Vendosni Synime – Bazuar te pjesa mbi zbatimin tek kartat e zotërimit të shkrimit të shenjtë, ftojini studentët të vendosin synime të posaçme për t’i vënë më mirë në jetë parimet që gjenden te fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Vërini që t’i shkruajnë synimet e tyre në një copë letër për ta pasur me vete si kujtues. Kur të jetë e përshtatshme, ftojini studentët të raportojnë mbi arritjet e tyre.

Veprimtari që i Ndihmojnë Studentët t’i Mësojnë Përmendsh Fragmentet e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Mësimi Përmendsh

Mësimi përmendsh i fragmenteve të shkrimit të shenjtë mund ta thellojë të kuptuarin dhe ta rritë aftësinë e studentit për të dhënë mësim ungjillin. Kur studentët i mësojnë përmendsh shkrimet e shenjta, Fryma e Shenjtë mund t’u sjellë në mendje fraza dhe ide në kohë nevoje (shih Gjoni 14:26; DeB 11:21). Kujtohuni që t’i përshtatni veprimtaritë e mësimit përmendsh në përputhje me aftësitë e studentëve tuaj. Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, nxiti mësimin përmendsh të shkrimeve të shenjta kur tha:

“Fuqi e madhe mund të vijë nga futja në kujtesë [mësimi përmendsh] i shkrimeve të shenjta. Futja në kujtesë e shkrimeve të shenjta është si të krijosh miqësi të re. Ajo është si të zbulosh një individ të ri që mund të të ndihmojë në kohë nevoje, të japë frymëzim e ngushëllim dhe të jetë një burim nxitjeje për ndryshimin e nevojshëm” (“Fuqia e Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 6).

Secila nga veprimtaritë në vijim mund të përsëritet disa ditë rresht në fillim ose në fund të orës mësimore për t’i ndihmuar studentët që të arrijnë të mbajturit mend për një kohë të gjatë:

  • Gara me Nga Një Fjalë – Sfidojeni klasën që të thotë një fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë nga një fjalë e nga një fjalë secili student njëri pas tjetrit. Për shembull, kur i ndihmoni studentët të mësojnë përmendsh Almën 39:9, studenti i parë do të thotë fjalën tani, studenti i dytë do të thotë biri, studenti i tretë do të thotë im, dhe kështu me radhë derisa i gjithë vargu të plotësohet. Kronometrojani kohën klasës dhe jepuni disa mundësi përpjekjeje që të arrijnë një kohë të synuar. Ndërsa e përsëritni këtë veprimtari, merrni parasysh të ndërroni renditjen e studentëve në mënyrë që t’u duhet të thonë fjalë të ndryshme.

  • Shkronjat e Para – Shkruajini në tabelë shkronjat e para të secilës fjalë në një fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Tregojini me gisht shkronjat ndërsa klasa e përsërit fragmentin me ju, duke përdorur shkrimet e tyre të shenjta sipas nevojës. Përsëriteni këtë veprimtari derisa studentët të ndihen të sigurt për aftësinë e tyre për ta thënë fragmentin vetëm me ndihmën e shkronjave të para. Ju mund të dëshironi t’i fshini disa prej shkronjave sa herë që studentët e thonë me zë fragmentin. Kjo dalëngadalë do ta rritë sfidën derisa studentët të mund ta përsëritin fragmentin pa i përdorur shkronjat e para.

  • Gjëzë Formuese me Shirita Letre – Shkruani, ose vërini studentët të shkruajnë fjalët e një fragmenti të zotërimit të shkrimit të shenjtë në një copë letre gjatësore. Priteni letrën në shirita duke i lënë të paprekur rreshtat e shkrimit të shenjtë. Pritini më të vogla disa prej shiritave për të përfshirë në secilin prej tyre vetëm pak fjalë nga fragmenti. Përziejini shiritat e letrës dhe jepuani dysheve ose grupeve të vogla të studentëve. Sfidojini studentët që të rregullojnë shiritat e letrës në rendin e duhur, duke përdorur si udhëzues shkrimet e tyre të shenjta. Vërini që të ushtrohen derisa të mos u duhet më të përdorin shkrimet e tyre të shenjta. Pasi të kenë mbaruar, kërkojuni që ta thonë me zë të lartë fragmentin. Ju gjithashtu mund të kronometroni kohën që u duhet studentëve për të parë se cili grup mund t’i vendosë më shpejt shiritat sipas renditjes së duhur. Ose ju mund ta kronometroni kohën që i duhet të gjithë klasës për të parë se sa kohë u duhet të gjitha grupeve për ta plotësuar gjëzën formuese (kur grupi i parë përfundon, lëreni që të ndihmojë grupet më të ngadalta).