Biblioteka
Njësia 2 e Studimit në Shtëpi


Mësimi i Studimit në Shtëpi

1 Nefi 1–6; 9 (Njësia 2)

Material Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja e mëposhtme e doktrinave dhe e parimeve që studentët mësuan ndërsa studiuan 1 Nefin 1–6; 9 (Njësia 2) nuk ka për qëllim që të jepet si pjesë e orës suaj mësimore. Mësimi që ju jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë ndërsa i mbani parasysh nevojat e studentëve.

Dita 1 (1 Nefi 1)

Ndërkohë që studentët studiuan rreth Lehit duke i profetizuar popullit dhe duke e paralajmëruar për t’u penduar, ata mësuan se profetët paralajmërojnë kundër kryerjes së mëkatit dhe japin mësim për shpëtimin përmes Jezu Krishtit. Përveç kësaj, ata mësuan se mëshirat e dhembshura të Zotit shtrihen te ata që ushtrojnë besim në Të.

Dita 2 (1 Nefi 2)

Lehi i përgjigjet urdhrit të Zotit për t’u larguar nga Jerusalemi. Ai tregoi me anë të shembullit parimin se kur jemi besnikë dhe të bindur, Zoti do të na ndihmojë në kohë sprovash. Nefi tregoi një shpirt bindjeje dhe mësoi për veten e tij se kur e thërrasim Perëndinë, Ai mund t’i zbutë zemrat tona për t’i besuar fjalëve të Tij. Studentët mësuan se Perëndia i bekon ata që janë të bindur dhe besnikë.

Dita 3 (1 Nefi 3–4)

Kur Lehi i tregoi Nefit dhe vëllezërve të tij për urdhrin e Perëndisë për ta për t’u kthyer në Jerusalem dhe për të marrë fletët prej tunxhi, Nefi u përgjigj duke dëshmuar se nëse do të bëjmë atë që Zoti urdhëron, atëherë Ai do të përgatitë një udhë për ne për ta plotësuar atë. Nefi dhe vëllezërit e tij zbuluan se ishte e vështirë të plotësoje urdhrin e Zotit. Vendosmëria e Nefit për t’u kthyer në Jerusalem i ndihmoi studentët të kuptonin se kur ushtrojmë besim në Perëndi dhe kërkojmë të bëjmë atë që Ai kërkon, edhe kur nuk mund ta shohim përfundimin, Ai do të na drejtojë përmes Frymës së Shenjtë.

Dita 4 (1 Nefi 5–6; 9)

Ndërsa studentët studiuan rreth përvojës së Lehit duke shqyrtuar fletët prej tunxhi, ata zbuluan parimin vijues: Ndërsa i shqyrtojmë shkrimet e shenjta, ne mund të mbushemi me Shpirtin e Shenjtë dhe të marrim zbulesë. Ndërsa mësuan për qëllimin e Nefit në shkrimin e analit të tij, studentët mësuan edhe se qëllimi i Librit të Mormonit është t’i bindë të gjithë njerëzit që të vijnë te Jezu Krishti.

Hyrje

Mësimi i kësaj jave do u japë studentëve mundësi për të shqyrtuar dhe diskutuar atë që mësuan nga shembulli i familjes së Lehit dhe veprave të tyre të besimit. Ndërsa jepni mësimin, theksoni bindjen besnike të Nefit ndaj urdhrave të Zotit dhe kërkimin e tij të zellshëm për të ditur vërtetësinë e “të gjitha fjalë[ve] që ishin thënë nga ati [i tij]” (1 Nefi 2:16). Ndërsa studentët ndjekin shembullin e Nefit për bindjen, ata do të ndërtojnë dëshminë e tyre vetjake për ungjillin.

Në mësimdhënien tuaj, ndiqni qortimin e Plakut Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Ne duhet t’i rijapim gjallëri dhe përparësi mësimit madhështor në Kishë – në shtëpi, nga podiumi, në mbledhjet tona administrative dhe sigurisht në klasë. Mësimdhënia e frymëzuar nuk duhet të bëhet kurrë një teknikë e humbur në Kishë, dhe ne duhet të sigurohemi që kërkimi ynë për të nuk bëhet një traditë e humbur. …

… E ekzaltofshim përvojën e mësimdhënies brenda shtëpisë dhe brenda Kishës, dhe e përmirësofshim çdo përpjekje tonën për të lartësuar dhe udhëzuar” (“A Teacher Come from God”, Ensign, maj 1998, f. 25, 27).

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Nefi 1

Zoti i shtrin mëshirat e Tij të dhembshura mbi besnikët

Shkruani në tabelë parimin vijues: Mëshirat e dhembshura të Zotit shtrihen te ata që ushtrojnë besim në Të. Ftojini studentët të këqyrin 1 Nefin 1 dhe të dallojnë vargun në të cilin jepet mësim kjo e vërtetë (vargu 20).

Bëni pyetjet e mëposhtme për t’i ndihmuar studentët të kujtojnë dhe përmbledhin atë që mësuan ndërsa studiuan 1 Nefin 1–6; 9 gjatë javës:

  • Nga ajo që mësuat te kapitujt që studiuat këtë javë, si i shtriu Zoti mëshirat e Tij të dhembshura te Lehi dhe familja e tij?

  • Çfarë shembujsh bindjeje dhe besimi tregoi Lehi dhe familja e tij?

  • Kur e keni parë Zotin të shtrijë mëshirat e Tij të dhembshura tek ju ose te dikush që njihni?

Ju mund të dëshironi të tregoni rreth një rasti kur Zoti e shtriu mëshirën tek ju dhe familja juaj ndërsa vepruat me besim, ose të tregoni një përvojë që keni gjetur te një botim i Kishës. Ndërsa studiojnë Librin e Mormonit gjatë gjithë vitit, nxitini studentët të kërkojnë shembuj kur Zoti e shtrin mëshirën e Tij ndaj besnikëve.

1 Nefi 2

Zoti mund të na i zbutë zemrat për t’i besuar fjalëve të Tij

Kujtojuni studentëve se pasi Lehi u urdhërua të largohej nga Jerusalemi me familjen e tij, i biri, Nefi, bëri një përpjekje vetjake për të ditur dhe kuptuar vërtetësinë e zbulesave të Atit të tij. Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 2:16, 19.

Pyetini studentët: Edhe pse Nefi nuk murmuriti, çfarë fakti ka te 1 Nefi 2:16 që largimi nga Jerusalemi mund të ketë qenë i vështirë për të? (Nefi shkroi se ai u lut për kuptueshmëri dhe Zoti ia zbuti zemrën. Kjo të lë të kuptosh se largimi nga Jerusalemi nuk ishte i lehtë për të, ndaj Zoti e ndihmoi ta pranonte atë.)

Pyetni: Çfarë fakti shihni që edhe pse Lehi dhe familja e tij ishin të bindur ndaj Zotit, jeta nuk ishte e lehtë për ta? (Shih 1 Nefi 2:4, 11.)

Kërkojuni studentëve të tregojnë mendimet që kanë pasur rreth dëshirave të Nefit dhe rreth asaj që ai bëri, të cilat e bënë të pranonte urdhërimet e Zotit të dhëna përmes të atit.

Ftojini disa studentë të tregojnë atë që shkruan në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta për ditën 2, detyra 4: Tregoni një shembull të një rasti kur, sikurse Nefi, i keni thirrur Atit Qiellor dhe përjetuat një zbutje të zemrës përmes Shpirtit, ose të një rasti kur morët një dëshmi për diçka që tha Zoti.

Jepni dëshminë tuaj vetjake se kur e thërrasim Perëndinë, Ai mund t’i zbutë zemrat tona që t’i besojmë fjalëve të Tij.

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh atë që mund të bëjnë për të forcuar dëshmitë e tyre dhe për të fituar siguri vetjake, siç bëri Nefi. Jepuni atyre mundësinë për të ndarë idetë e tyre, nëse do t’u pëlqente. Nxitini ata të veprojnë sipas mendimeve dhe mbresave të tyre.

1 Nefi 3–4

Zoti do të përgatitë udhën ndërsa i bindemi me besnikëri urdhërimeve të Tij

Caktojeni secilin student të punojë me një partner. Shkruani referencat vijuese të shkrimeve të shenjta në tabelë: 1 Nefi 3:6–7 dhe 1 Nefi 4:6–13. Ftojini studentët të lexojnë fragmentet dhe të diskutojnë pyetjet në vijim me partnerët e tyre:

  • Çfarë mendoni se është e rëndësishme te deklarata e Nefit “Megjithatë, vazhdova të ecja”? (1 Nefi 4:7).

  • Në ç’mënyrë besimi i Nefit e bëri të mundur për të që t’i merrte fletët prej tunxhi?

Pasi studentët të kenë diskutuar pikëpamjet e tyre me partnerët e tyre, shpjegoni se Zoti mund të na kërkojë të bëjmë diçka, siç ia kërkoi Nefit dhe vëllezërve të tij, pa na treguar menjëherë arsyen, kohën dhe mënyrën si duhet ta bëjmë atë. Nefi mësoi arsyen, kohën dhe mënyrën si Zoti do ta ndihmonte vetëm pasi ai lejoi Shpirtin ta drejtonte dhe pasi vendosi të ecte para me besim. Ndani dëshminë tuaj se kur ushtrojmë besim në Perëndi dhe kërkojmë të bëjmë atë që Ai kërkon, edhe kur nuk mund ta shohim përfundimin, Ai do të na drejtojë përmes ndikimit të Frymës së Shenjtë.

Nëse koha ju lejon, mund të dëshironi t’i pyetni studentët se nëse kanë pyetje ose dëshirojnë të japin pikëpamjet nga dita e tyre e 4-t e studimit mbi 1 Nefin 5–6; 9. Për shembull, ju mund t’i ftoni ata të tregojnë se si reaguan ndaj detyrës 4, në të cilën iu kërkua të shkruanin rreth një rasti kur i shqyrtuan shkrimet e shenjta dhe ndien Shpirtin e Zotit.

Mbylleni duke i kërkuar një studenti të lexojë me zë të lartë (ose të thotë përmendsh) fragmentin për zotërimin e shkrimit të shenjtë 1 Nefi 3:7. Më pas, bëni pyetjet në vijim:

  • Çfarë parimi na mëson 1 Nefi 3:7 lidhur me bindjen ndaj urdhërimeve të Zotit? (Studentët duhet të jenë në gjendje të shprehin parimin se nëse do të kërkojmë të bëjmë atë që Zoti urdhëron, atëherë Ai do të përgatitë një udhë për ne për ta plotësuar atë.)

  • Sipas asaj që lexoni te 1 Nefi 1–6 dhe 9, cilat qenë rezultatet e bindjes së Lehit dhe Nefit ndaj urdhrave të Perëndisë?

  • Kur ka përgatitur Zoti një udhë për t’ju ndihmuar t’i bindeni një urdhërimi?

Ftojini studentët të përsiatin për një fushë në të cilën mund të tregojnë më plotësisht bindjen e tyre ndaj Perëndisë. Ju mund të dëshironi ta përfundoni mësimin duke dëshmuar për bekimet që kanë ardhur në jetën tuaj përmes përpjekjeve tuaja për t’ju bindur urdhërimeve të Zotit.

Njësia Tjetër (1 Nefi 7–14)

Në njësinë tjetër, studentët do të studiojnë vegimet e Lehit dhe të Nefit. Vegimet e Lehit dhe të Nefit për pemën e jetës janë të zbatueshme në jetën tonë sot. Rrëfimi i Nefit për vegimin e tij përfshin përshkrimet e jetës, shërbesës dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit; zbulimin dhe kolonizimin e Amerikës nga johebrenjtë; dhe humbjen e të vërtetave domethënëse nga Bibla dhe rivendosjen e tyre përmes Librit të Mormonit. Rrëfimi i Nefit mbi vegimin e tij përmbyllet me një përshkrim të Rivendosjes së ungjillit.