Biblioteka
Mësimi 55: Mosia 5–6


Mësimi 55

Mosia 5–6

Hyrje

Mosia 5 përmban përmbylljen e fjalimit të mbretit Beniamin drejtuar popullit të tij, rrëfimi i të cilit fillon te Mosia 2. Për shkak të besimit të tyre në fjalët e mbretit Beniamin, njerëzit përjetuan një ndryshim të madh në zemër. Ata hynë në besëlidhje me Perëndinë dhe morën mbi vete emrin e Jezu Krishtit. Siç është shënuar te Mosia 6, mbreti Beniamin ia kaloi mbretërinë e tij të birit, Mosias, i cili sundoi sipas shembullit të dhënë nga i ati.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mosia 5:1–4

Populli i mbretit Beniamin përshkruan ndryshimin e madh që ata kanë përjetuar përmes Shpirtit

Përpara fillimit të orës mësimore, shkruajini pyetjet në vijim në tabelë:

A keni ndier ndonjëherë që kishit nevojë të ndryshonit shpirtërisht?

Çfarë bëtë rreth kësaj?

Nëse keni përjetuar një ndryshim, a e keni ruajtur atë ndryshim deri më sot?

Kërkojuni studentëve që t’iu përgjigjen këtyre pyetjeve në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e tyre të klasës. Pastaj lexoni thënien në vijim nga Plaku Dejvid Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Thelbi i ungjillit të Jezu Krishtit shkakton një ndryshim themelor e të përhershëm në vetë natyrën tonë, i mundësuar nga mbështetja mbi ‘[meritat dhe mëshirën dhe hirin e] Mesias së Shenjtë’ (2 i 2:8). Kur zgjedhim që t’i shkojmë pas Mësuesit, zgjedhim të ndryshojmë – të rilindim shpirtërisht” (“Ye Must Be Born Again”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 20; “Duhet të Lindni Sërish”, Konferenca e Përgjithshme prill 2007 [nr. i artikullit 02368 101], f. 20).

Ju mund të sugjeroni që studentët ta shkruajnë citatin në vijim në shkrimet e tyre të shenjta pranë Mosias 5:2 ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta: “Kur zgjedhim që t’i shkojmë pas Mësuesit, zgjedhim të ndryshojmë” (Plaku Dejvid Bednar).

  • Në çfarë mënyrash zgjedhim që të ndryshojmë kur zgjedhim të ndjekim Jezu Krishtin?

Jepuni studentëve pak minuta kohë që të përsërisin Mosian 2–4. Ju mund të sugjeroni që të lexojnë përmbledhjet e kapitujve. Pyetini se çfarë u kujtohet rreth përmbajtjes së këtyre kapitujve. Pastaj ftojini që të lexojnë në heshtje Mosian 5:1.

  • Çfarë dëshironte të dinte prej popullit të tij mbreti Beniamin?

Kërkojuni studentëve që të lexojnë në heshtje Mosian 5:2–5, duke kërkuar përgjigjen e popullit ndaj pyetjes së mbretit Beniamin. Përpara se studentët të lexojnë, ju mund të dëshironi të shpjegoni që te vargu 2, fjala prirje i referohet natyrës së individit – dëshirave dhe temperamentit të tij apo të saj. Pasi të kenë lexuar, bëni pyetjet në vijim për t’i ndihmuar që të analizojnë vargjet:

  • Çfarë thanë njerëzit rreth prirjeve të tyre?

  • Çfarë e solli këtë ndryshim në prirjet e tyre? (Ata i besuan mësimeve të mbretit Beniamin rreth Jezu Krishtit e Shlyerjes, dhe Shpirti i ndryshoi zemrat e tyre.)

Theksoni se një ndryshim i zemrës është më shumë sesa thjesht një ndryshim i sjelljes. Kur përjetojmë një ndryshim të zemrës, ne bëhemi njerëz të rinj, të ndryshuar përmes fuqisë së Shlyerjes së Shpëtimtarit. Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë këtë të vërtetë, ftojeni një student të lexojë thënien në vijim nga Plaku Dejvid Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Ungjilli i Jezu Krishtit përfshin shumë më tepër se shmangien, mposhtjen dhe pastrimin nga mëkati dhe ndikimet e këqija në jetën tonë; ai gjithashtu kërkon të bësh të mirën, të jesh i mirë dhe të bëhesh më i mirë. … Ky ndryshim i madh nuk është thjesht rezultat i një pune më të zellshme ose i vendosjes së një disipline më të fortë vetjake. Më saktë, ai është rrjedhoja e një ndryshimi themelor të dëshirave tona, motiveve tona dhe natyrës sonë, të mundësuar përmes Shlyerjes së Krishtit Zot. Qëllimi ynë shpirtëror është që të mposhtim edhe mëkatin, edhe dëshirën për mëkat, si njollën, ashtu edhe zgjedhën e mëkatit” (“Duar të Pafajshme dhe Zemër të Pastër”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 81–82).

  • Si mendoni, përse kemi nevojë për Shlyerjen e Jezu Krishtit në mënyrë që të ndryshojmë me të vërtetë?

Drejtojeni vëmendjen e studentëve te fraza “për shkak të Shpirtit të Zotit të Plotfuqishëm” te Mosia 5:2. Mund t’ju duhet të përkufizoni fjalën i plotfuqishëm, që do të thotë i gjithëfuqishëm.

  • Çfarë mund të mësojmë nga Mosia 5:2–4 për mënyrën se si mund të përjetojmë një ndryshim të madh në jetën tonë?

Ndërsa studentët diskutojnë për këtë pyetje, sigurohuni që ta kuptojnë se kur ushtrojmë besim në Jezu Krisht dhe marrim Shpirtin e Shenjtë, ne mund të përjetojmë një ndryshim të madh të zemrës.

Shpjegoni se të përjetosh një ndryshim të madh të zemrës është një proces që ndodh gjatë gjithë jetës sonë, jo një ngjarje e vetme. Thoni thënien në vijim nga Presidenti Ezra Taft Benson:

“Të bërit si Krishti përbën një përpjekje [që zgjat] gjithë jetën dhe shumë shpesh përfshin rritje dhe ndryshim që është i ngadalshëm, pothuaj i padukshëm. …

… dimi i vërtetë përfshin një ndryshim të zemrës dhe jo vetëm një ndryshim të sjelljes. … Më së shumti, pendimi nuk përfshin ndryshime të jashtëzakonshme apo dramatike, por më tepër është një lëvizje hap pas hapi, e vazhdueshme dhe e qëndrueshme drejt perëndishmërisë” (“A Mighty Change of Heart”, Ensign, tetor 1989, f. 5).

Për t’i ndihmuar studentët që ta zbatojnë këtë parim dhe të vlerësojnë përparimin e tyre në përjetimin e një ndryshimi të madh në zemrat e tyre, kërkojuni që t’i përgjigjen pyetjeve në vijim në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. (Ju mund të dëshironi që përpara fillimit të orës mësimore t’i shkruani këto pyetje në tabelë, të përgatitni një fletushkë për shpërndarje me pyetjet ose t’i lexoni pyetjet me ngadalë në mënyrë që studentët të mund t’i shkruajnë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.)

  • Si ka ndryshuar prirja juaj ndërsa keni ndjekur Shpëtimtarin?

  • Çfarë duhet të bëni që Zoti të vazhdojë t’ju ndihmojë ta përjetoni këtë ndryshim?

Jepuni mundësinë një apo dy studentëve që të tregojnë përgjigjet e tyre për këto pyetje. Sigurohuni që ata e kuptojnë se nuk duhet të ndihen të detyruar të tregojnë përvoja ose mendime që janë tepër personale apo të brendshme.

Mosia 5:5–15

Populli i mbretit Beniamin hyn në besëlidhje me Perëndinë dhe atyre u jepet një emër i ri

Ftojeni një student të lexojë me zë Mosian 5:5. Kërkojini klasës që të shikojë se çfarë ishte i gatshëm të bënte populli i mbretit Beniamin për shkak se zemrat e tyre ishin ndryshuar.

  • Çfarë ishin të gatshëm të bënin njerëzit tani që prirjet e tyre kishin ndryshuar nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit?

Për t’i ndihmuar studentët të rritin të kuptuarin e besëlidhjeve nga ana e tyre, jepuni pak minuta kohë që ta studiojnë individualisht [këtë] temë. Ju mund të sugjeroni që ta studiojnë temën te Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta apo tek Të Vërtetë Ndaj Besimit ose që të kërkojnë shkrime të shenjta mbi këtë temë te renditja alfabetike e temave te Libri i Mormonit apo tek kombinimi tresh. Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme, vërini studentët të ndahen dyshe-dyshe dhe t’ia shpjegojnë besëlidhjet njëri-tjetrit me vetë fjalët e tyre.

  • Cilat fjalë apo fraza te Mosia 5:5 tregojnë sinqeritetin e dëshirës së popullit për të bërë dhe për të mbajtur besëlidhjen me Perëndinë? (Përgjigjet mund të përfshijnë “të bëjmë vullnetin e tij”, “në të gjitha gjëra” dhe “për të gjithë pjesën tjetër të ditëve tona”.)

  • Cilat fjalë apo fraza te Mosia 5:5 ju kujtojnë premtimet që ripërtërijmë sa herë që marrim sakramentin?

  • Si mendoni që na ndihmon bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve për të vazhduar me procesin e përjetimit të ndryshimit të zemrës?

Ftojini studentët që të lexojnë në heshtje Mosian 1:11. Kërkojuni që të gjejnë një arsye përse mbreti Beniamin e mblodhi popullin bashkë. (Për t’u dhënë një emër.) Sqaroni se Mosia 5:7–15 jep shpjegimin e mbretit Beniamin për emrin që ai kishte premtuar t’ia jepte popullit të tij. Jepuni studentëve pak minuta kohë që ta lexojnë me shpejtësi Mosian 5:7–14, duke kërkuar fjalët emër dhe thirret, thirreni ose quheni. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto fjalë sa herë që ato shfaqen.

Ftoni disa studentë që të thonë arsyen përse u kanë vënë emrat që kanë. Për shembull, ju mund t’i pyetni që të tregojnë rreth asaj se si prindërit e tyre vendosën që t’u vinin emrin, ose mund t’i pyetni nëse emrat e tyre kanë ndonjë kuptim të veçantë. Pastaj pyeteni klasën:

  • Cila është domethënia e një emri? (Në tabelë, përmblidhni përgjigjet e studentëve për këtë pyetje. Përgjigjet mund të përfshijnë që emri është ai përmes të cilit na njohin, ai lidhet me identitetin tonë, është një mënyrë si dallohemi nga të tjerët dhe shpesh mbart me vete një reputacion dhe pritshmëri për shkak të familjes me të cilën lidhet.)

Ftojeni një student të lexojë me zë Mosian 5:7–8. Kërkojini klasës që të gjejnë emrin të cilin mbreti Beniamin ia dha popullit të tij. Gjithashtu kërkojini atyre që të kërkojnë fjalë dhe fraza që tregojnë rëndësinë e atij emri. Ju mund të dëshironi t’i nxitni që t’i shenjojnë këto fjalë dhe fraza.

  • Çfarë emri i dha mbreti Beniamin popullit të tij?

  • Cilat fjalë dhe fraza vutë re? Çfarë ju mësojnë ato fjalë dhe fraza rreth emrit të Krishtit?

  • Kur e marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë se ne e marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit kur bëjmë dhe mbajmë besëlidhje të shenjta.)

Ndërsa studentët diskutojnë mbi këto vargje, atyre mund t’u duhet ndihmë për të kuptuar doktrinën që ne mund të bëhemi “fëmijët e Krishtit” (Mosia 5:7). Ju mund të dëshironi të vini në dukje që një atë i jep jetë një fëmije. Ne jemi fëmijët shpirtërorë të Atit Qiellor. Ne jemi gjithashtu fëmijë të etërve tanë tokësorë, të cilët, me nënat tona, na dhanë mundësinë për të jetuar në tokë në trupat tanë fizik. Duke iu referuar Mosias 5:7, Presidenti Jozef Filding Smith dha mësim që edhe Jezu Krishti “bëhet Ati ynë” për shkak se Ai “na jep jetë, jetën e përjetshme, nëpërmjet shlyerjes të cilën e bëri për ne”. Presidenti Smith shpjegoi: “Ne bëhemi fëmijët, bijtë dhe bijat e Jezu Krishtit, nëpërmjet besëlidhjeve tona për t’iu bindur Atij” (Doctrines of Salvation, përmbl. Bruce McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 1:29).

Drejtojini studentët te fjalët në tabelë që përshkruajnë domethënien e emrit.

  • Si mund të na ndihmojnë fjalët në tabelë të kuptojmë rëndësinë e marrjes mbi vete të emrit të Jezu Krishtit?

Kërkojuni studentëve që të lexojnë në heshtje Mosian 5:9–13, duke kërkuar për këshilla të tjera nga mbreti Beniamin rreth marrjes së emrit të Jezu Krishtit mbi vete. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i lexojnë këto vargje sikur mbreti Beniamin të ishte duke u folur atyre personalisht. Ndajini studentët dyshe-dyshe dhe kërkojuni që të diskutojnë mbi pyetjet në vijim bazuar tek ajo që kanë lexuar. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani këto pyetje në tabelë ose t’ua jepni në një fletushkë.)

  • Mendoni rreth domethënies që ka marrja mbi vete e emrit të Krishtit. Çfarë mendoni se do të thotë ta keni emrin e Krishtit të shkruar në zemrën tuaj? Çfarë bekimesh u vijnë atyre që e kanë emrin e Krishtit të shkruar në zemrën e tyre?

  • Mendoni rreth njerëzve që njihni, të cilët e nderojnë emrin e Krishtit. Çfarë bëjnë këta njerëz për të treguar nderimin dhe dashurinë që kanë për emrin e Krishtit?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë Mosian 5:15. Ftojeni klasën të kërkojë veprimet që i dallojnë ata që i mbajnë besëlidhjet e tyre.

  • Cilat janë disa pyetje që mund t’i bëjmë vetes për të vlerësuar se sa mirë e kemi marrë mbi vete emrin e Krishtit?

Shprehni ndjenjat tuaja rreth asaj se çfarë do të thotë për ju të marrësh mbi vete emrin e Jezu Krishtit. Dëshmoni për rëndësinë e tij në jetën tuaj.

Mosia 6:1–7

Mosia fillon mbretërimin e tij si mbret

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Mosian 6:1–3, për të përcaktuar se çfarë bëri mbreti Beniamin përpara se ta linte turmën të ikte.

  • Përse mendoni se qe e rëndësishme të shënonin emrat e të gjithë njerëzve që kishin hyrë në besëlidhje? Përse mbreti Beniamin caktoi priftërinj mes njerëzve?

Shpjegoni se pasi i foli popullit, mbreti Beniamin ia kaloi mbretërinë të birit, Mosias. Tre vjet më vonë, mbreti Beniamin vdiq. Ftoni një student të lexojë me zë Mosian 6:6–7. Kërkojini klasës që të shikojë për fjalët dhe frazat që tregojnë se Mosia ndoqi shembullin e të atit, dhe e ndihmoi popullin e tij të vazhdonte të përjetonte një ndryshim të madh në zemrën e vet.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mosia 5:15. “Të qëndrueshëm dhe të palëvizur”

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se çfarë do të thotë të jesh “[i] qëndrueshëm dhe [i] palëvizur”:

“Fjala i ‘qëndrueshëm’ përdoret për të treguar të qenit i palëkundur në pozitë, i fortë dhe i vendosur, i patundur dhe i paepur (Oxford English Dictionary Online, bot. i 2-të [1989], “Steadfast”). Fjala i ‘palëvizur’ përdoret për të treguar se një njeri ose një gjë është e pandryshueshme, e ngulitur mirë dhe nuk i nënshtrohet ndryshimit. Ajo gjithashtu nënkupton cilësinë e të qenit e paepur dhe e palëkundshme prej qëllimit të dikujt (Oxford English Dictionary Online, “Immovable”). Pra, një njeri që është i qëndrueshëm dhe i palëvizur është i fortë, i vendosur, i vendosur, i ngulitur mirë dhe që i palëkundshëm prej një qëllimi apo misioni fillestar” (“Steadfast and Immovable, Always Abounding in Good Works”, New Era, janar 2008, f. 2).