Biblioteka
Mësimi 37: 2 Nefi 27


Mësimi 37

2 Nefi 27

Hyrje

Duke iu referuar shpesh fjalëve të Isaias, Nefi profetizoi se Zoti do të “bëj[ë] një punë të mrekullueshme dhe një çudi” në ditët e fundit. Kjo punë e madhe do të jetë Rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit. Një pikë qendrore e profecisë së Nefit ishte dalja në dritë e Librit të Mormonit. Nefi paratha se dëshmitarë do të shihnin Librin e Mormonit dhe do të dëshmonin vërtetësinë e tij. Ai gjithashtu dëshmoi për rolin themelor që Libri i Mormonit do të luante në punën e Zotit në ditët e mëvonshme – që ai do të ishte një dhuratë e mrekullueshme për botën. (Shënim: 2 Nefi 27 është një paralele e ngushtë me Isaia 29. Në botimin e Biblës për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, shënimet në fund të faqeve te Isaia 29 japin pikëpamje të dobishme për studimin e të dy kapitujve.)

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 27:1–5

Nefi profetizon se në ditët e fundit toka do të mbushet me ligësi

Paraqitni objektet vijuese: një mbajtës deodoranti, një tubet paste dhëmbësh dhe një kallëp apo mbajtëse sapuni. Shpjegojuni se secili objekt është synuar të jetë zgjidhje për një problem. Kërkojuni studentëve të gjejnë problemin që secili objekt është synuar për ta zgjidhur. (Ju mund të zgjidhni të përdorni objekte të tjera që mund të konsiderohen zgjidhje për probleme konkrete.)

Shpjegoni se profecia e Nefit te 2 Nefi 27 tregon për problemet që do të ekzistonin në kohën tonë. Ai dha mësim se njerëzit do të pengoheshin shpirtërisht për shkak të paudhësive të tyre, që ata do të vuanin nga verbëria shpirtërore dhe se ata nuk do t’i pranonin profetët. Nefi gjithashtu profetizoi rreth asaj që Perëndia do të bënte për t’i zgjidhur këto probleme.

Ftoni disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë 2 Nefin 27:1–5. Vëreni klasën të kërkojë fjalë dhe fraza që përshkruajnë disa probleme të ditëve të fundit. Kërkojuni disa studentëve të thonë frazat që kanë gjetur. Për t’i ndihmuar studentët të analizojnë këto fraza, ju mund të doni të drejtoni pyetjet vijuese:

  • Çfarë mendoni se do të thotë të jesh “[i] dehur me paudhësi”?

  • Te 2 Nefi 27:3, disa njerëz në ditët e fundit krahasohen me një njeri të uritur që ëndërron të hajë apo një njeri të etur që ëndërron të pijë, por pastaj zgjohet dhe ndien se shpirti i tij është i zbrazët. Çfarë mund të mësojmë nga kjo? (Ngrënia apo pirja në një ëndërr nuk jep kënaqësi të vazhdueshme dhe nuk përmbush asgjë, gjersa uria apo etja mbeten pas ëndrrës. Po kështu, ata që “luftojnë kundër malit Sion” nuk do të kenë kënaqësi të vazhdueshme, as do të përmbushin ndonjë gjë me rëndësi.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë fraza “ju keni mbyllur sytë tuaj”?

Për t’i ndihmuar studentët të gjejnë të vërteta të ungjillit te 2 Nefi 27:1–5, ftojini të përmbledhin atë që kanë mësuar nga këto vargje. Shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë. Sigurohuni që studentët të kuptojnë se në ditët e fundit, shumë njerëz do të jenë plot paudhësi dhe nuk do t’i pranojnë profetët.

  • Përse mendoni se është e rëndësishme të dimë për këtë profeci dhe përmbushjen e saj?

2 Nefi 27:6–23

Nefi profetizon për daljen në dritë të Librit të Mormonit

Ftojini studentët të lexojnë qetësisht 2 Nefin 27:6–7. Vërini të kërkojnë të gjejnë diçka që Zoti do të siguronte për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve shpirtërore të njerëzve në ditët e fundit.

  • Çfarë do të siguronte Zoti?

  • Çfarë do të përmbante libri?

  • Cilin libër mendoni se po përshkruajnë këto vargje? (Për të ndihmuar studentët t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, mund t’u sugjeroni që të shohin referencat e shkrimeve të shenjta të renditura te 2 Nefi 27:6, shënimi në fund të faqes b. Ju gjithashtu mund të doni të shpjegoni se fraza “atyre që kanë fjetur” u referohet profetëve të vdekur që mbajtën analet që u bënë Libri i Mormonit.)

Ngrini një kopje të Librit të Mormonit. Shpjegojuni se Zoti e solli këtë libër për të ndihmuar në korrigjimin e problemeve në ditët e fundit dhe për të sjellë dritë në një botë të errësuar. Zoti u zbuloi profetëve të lashtë hollësi lidhur me daljen në dritë të Librit të Mormonit. Nefi i regjistroi këto hollësi te 2 Nefi 27. Shpjegoni se një profeci e ngjashme gjendet te Isaia 29. (Ju mund të doni të shpjegoni se disa njerëz e kanë kundërshtuar Librin e Mormonit duke pyetur përse Bibla nuk e përmend atë. Vini në dukje se profecia te Isaia 29 tregon se Bibla vërtet dëshmon për Librin e Mormonit.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 27:12–14. Vëreni klasën të kërkojë se për kë tha Nefi se do të lejohet ta shohë librin.

  • Cilët ishin tre dëshmitarët që ishin lejuar ta shihnin Librin e Mormonit “nëpërmjet fuqisë së Perëndisë”? (Oliver Kaudri, Dejvid Uitmer dhe Martin Herris. Shih “Dëshmia e Tre Dëshmitarëve”, f. vii, Libri i Mormonit.)

Theksoni se Nefi përmendi “disa” të tjerë që do të lejoheshin gjithashtu ta shihnin librin.

  • Cilët mendoni se ishin këta dëshmitarë të tjerë? (Ju mund të keni nevojë t’u kujtoni studentëve për tetë dëshmitarë shtesë të Librit të Mormonit. Shih “Dëshmia e Tetë Dëshmitarëve”, f. viii, Libri i Mormonit.)

Theksoni se te 2 Nefi 27:14 përmendet se Zoti do të “vendos[te] fjalën e tij” në “gojën e aq shumë dëshmitarëve, sa i duket atij e përshtatshme”.

  • Çfarë mendoni se donte të thoshte Nefi kur tha se dëshmitarët do të vendosin fjalën e Perëndisë? (Ata që marrin dhe pranojnë fjalën e Perëndisë nëpërmjet Librit të Mormonit do ta ndajnë atë me të tjerë dhe do të dëshmojnë vërtetësinë e tij.)

  • Cilët mund të jenë këta dëshmitarë?

  • Për t’i ndihmuar studentët të vlerësojnë se ata gjithashtu mund të jenë dëshmitarë të vërtetësisë së Librit të Mormonit, ju mund të doni t’i ftoni të shkruajnë emrat e tyre në tekstin anash 2 Nefit 27:14. Si mundet çdo anëtar i Kishës, përfshirë ju, të ndihmojë të vendoset e vërteta e Librit të Mormonit?

  • Kur e keni ndarë dëshminë tuaj për Librin e Mormonit me të tjerë?

Në një mësim të mëparshëm, ju mund t’i keni nxitur studentët të ndajnë dëshmitë e tyre për Librin e Mormonit me dikë tjetër. Nëse po, vazhdoni me atë detyrë duke ftuar disa studentë të tregojnë atë që kanë bërë. Nxitini studentët të vazhdojnë të kërkojnë mundësi për të ndarë dëshmitë e tyre për Librin e Mormonit me të tjerë, përfshirë ata të feve të tjera.

Kopjojeni skemën vijuese në tabelë. (Për të kursyer kohë, ju mund të doni ta bëni këtë përpara se të fillojë ora mësimore.)

Profecia e Nefit për atë që njeriu do të bënte

Emri i njeriut

Përmbushja e profecisë

Joseph Smith – Historia 1:63–65

Njeriu i 1-rë (“i pamësuar”)

2 Nefi 27:9, 15, 19

Njeriu i 2-të (“një tjetri”)

2 Nefi 27:15, 17

Njeriu i 3-të (“[i] mësuar”)

2 Nefi 27:15–18

Ndajini studentët në çifte. Shpjegojuni se çdo çift do të studiojë një profeci lidhur me daljen në dritë të Librit të Mormonit si dhe përmbushjen e asaj profecie. Vërini studentët të kopjojnë skemën në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta ose fletoret e tyre të klasës, dhe të shkruajnë përgjigjet duke përdorur referencat e dhëna të shkrimeve të shenjta. (Ju mund të doni të shpjegoni se fjala shkronjat, që gjendet te Joseph Smith – Historia 1:63–65, i referohet shkrimit të skalitur në fletët e arit nga të cilat ishte përkthyer Libri i Mormonit.) Pasi studentët të kenë mbaruar, ftojini të ndajnë përgjigjet e tyre me klasën.

  • Sipas 2 Nefit 27:15 dhe Joseph Smith – Historia 1:64, kush është njeriu i mësuar tek i cili Martin Herrisi çoi fjalët e librit? (Charles Anthon [Çarlz Entëni].)

  • Në çfarë mënyrash mundet dikush pa një arsim formal, si Jozef Smithi, të jetë më i përshtatshëm për të përkthyer Librin e Mormonit sesa një dijetar si Charles Anthon [Çarlz Entën]?

Ftojini studentët të lexojnë qetësisht 2 Nefin 27:20–21, duke kërkuar një frazë që përsëritet në çdo varg. (“Unë jam në gjendje të bëj punën time”.)

  • Çfarë do të thotë për ju fraza: “Unë jam në gjendje të bëj punën time”?

  • Si janë Rivendosja e ungjillit dhe dalja në dritë e Librit të Mormonit një konfirmim se Perëndia është në gjendje të bëjë punën e Tij?

  • Cilat janë disa parime që jepen mësim nëpërmjet këtyre vargjeve? (Ndërsa studentët japin idetë e tyre, theksoni se dalja në dritë e Librit të Mormonit është një mënyrë që Perëndia do të përmbushë punën e Tij në ditët e mëvonshme.)

  • Si e forcon përmbushja e kësaj profecie dëshminë tuaj për Librin e Mormonit dhe rolin e tij në Rivendosjen e Kishës së Zotit?

2 Nefi 27:24–35

Nefi profetizon për ndikimin pozitiv të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit dhe të Librit të Mormonit

Lexoni me zë të lartë 2 Nefin 27:24–26 ndërsa studentët ju ndjekin së bashku në librat e tyre të shkrimeve të shenjta.

  • A ju kujtohet t’i keni dëgjuar këto fjalë më parë? Nëse po, ku? (Nëse studentët kanë vështirësi të përgjigjen, shpjegoni se Zoti përdori fjalë të ngjashme kur i foli Jozef Smithit te Korija e Shenjtë; shih Joseph Smith – Historia 1:19.)

Ngrini një nga objektet që shfaqët në fillim të këtij mësimi, dhe kujtojuni studentëve se ai ishte krijuar për të zgjidhur një problem të veçantë.

  • Te 2 Nefi 27:25, çfarë problemesh thotë Zoti do të ekzistojnë midis njerëzve të ditëve të mëvonshme? (Ju mund të doni t’i shkruani përgjigjet e studentëve në tabelë.)

Kujtojuni studentëve për probleme të tjera shpirtërore të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme të përmendura te 2 Nefi 27:5. (Ju mund të doni të shtoni paudhësi, verbëri shpirtërore, dhe mospranim të profetëve te lista në tabelë.)

  • Si ndihmojnë Libri i Mormonit dhe Rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit për të zgjidhur këto probleme?

Kërkojuni studentëve të lexojnë qetësisht 2 Nefin 27:29–30, 34–35, duke parë për mënyra me të cilat Zoti tha se ungjilli i rivendosur dhe Libri i Mormonit do të bekonin njerëzit e ditëve të mëvonshme. Ftojeni një student t’i renditë këto bekime në tabelë.

  • Sipas 2 Nefit 27:29, Libri i Mormonit do të ndihmojë “sytë e të verbërve.… të shohin në terr dhe në errësirë”. Si mendoni, çfarë do të thotë kjo?

Ndihmojini studentët të kuptojnë se Libri i Mormonit dhe ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit sjellin gëzim dhe kuptim tek ata që i studiojnë dhe i pranojnë ato. Nxitini studentët të kërkojnë zgjidhje për sfidat e tyre në Librin e Mormonit dhe të ndajnë dëshmitë e tyre për Librin e Mormonit me të tjerë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Nefi 27:1–2. “Paudhësi dhe me të gjitha llojet e neverive”

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve shprehu shqetësimin e tij rreth kalbëzimit moral mbizotërues dhe rrezikut shpirtëror që na rrethon në ditët e fundit:

“Unë nuk di asgjë në historinë e Kishës apo në historinë e botës që të krahasohet me rrethanat tona të tanishme. Asgjë nuk ndodhi në Sodoma dhe Gomora që të kalojë në ligësi dhe shthurje atë që na rrethon ne tani.

Fjalët përdhosëse, vulgarizimi dhe blasfemia dëgjohen kudo. Ligësia dhe zvetënimi që s’thuhen dot dikur bëheshin fshehtas; tani janë sheshit, madje u është dhënë mbrojtje ligjore.

Në Sodomë dhe Gomorë këto gjëra ishin të kufizuara. Tani ato janë përhapur kudo në botë dhe janë midis nesh” (“The One Pure Defense” [drejtuar mësuesve të fesë së SAK-ut, 6 shkurt 2004], f. 4, si.lds.org).

2 Nefi 27:10-11. “Pasi libri do të jetë i vulosur”

Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve foli për shkrimet e shenjta ende për t’u zbuluar:

“Shumë shkrime të tjera të shenjta do të na vijnë ende, përfshirë ato të Enokut (shih DeB 107:57), të gjitha shkrimet e Apostullit Gjon (shih Ethëri 4:16), analet e fiseve të humbura të Izraelit (shih 2 Nefi 29:13), dhe përafërsisht dy të tretat e fletëve të Librit të Mormonit që ishin vulosur: ‘Dhe vjen dita që fjalët e vulosura të librit do të lexohen mbi majat e shtëpive; dhe ato do të lexohen nëpërmjet fuqisë së Krishtit; dhe të gjitha gjërat do t’u zbulohen fëmijëve të njerëzve, ato që kanë qenë ndonjëherë mes fëmijëve të njerëzve dhe që do të jenë, deri në mbarimin e tokës’ (2 Nefi 27:11). Sot ne mbajmë kombinime katërfishe të volitshme të shkrimeve të shenjta, por një ditë, përderisa më shumë shkrime të shenjta po dalin, mund të kemi nevojë të tërheqim karroca të kuqe e të vogla dëng me libra” (A Wonderful Flood of Light [1990], f. 18).

2 Nefi 27:14. Dëshmitarët do të vendosin fjalën e Zotit

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dha dëshminë e tij të patundur për Librin e Mormonit:

“Dëshmoj se një njeri nuk mund të vijë te besimi i plotë në këtë punë të ditëve të mëvonshme … derisa ai apo ajo të mirëpresë natyrën hyjnore të Librit të Mormonit dhe të Zotit Jezu Krisht, për të cilin ai dëshmon. …

… Nuk isha mes grumbullit të Nefitëve që prekën plagët e Zotit të ringjallur. Por dëshmia ime për këtë dokument dhe paqja që ajo i sjell zemrës njerëzore, është po aq detyruese dhe e qartë, sa dhe e tyrja. Ashtu si ata, ‘[unë ia jap emrin tim] botës, që t’i [dëshmoj] botës atë që [unë] kam parë.’ Dhe ashtu si ata, ‘[unë nuk gënjej], Perëndia dëshmon për të’. [“Dëshmia e Tetë Dëshmitarëve”, f. viii, Libri i Mormonit; theksimi i shtuar.]

Kërkoj që dëshmia ime për Librin e Mormonit dhe gjithçka që ajo nënkupton, e dhënë sot me betimin tim dhe pozitën time, të regjistrohet nga njerëzit mbi tokë dhe engjëjt në qiell. Unë dua që të jetë krejtësisht e qartë, kur të qëndroj para shufrës së gjykimit të Perëndisë, që i kam shpallur botës, në gjuhën më të drejtpërdrejtë që mundem të thërras, se Libri i Mormonit është i vërtetë, se ai erdhi me atë mënyrë që tha Jozefi” (“Siguri për Shpirtin Njerëzor”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 89–90).