Biblioteka
Mësimi 17: 1 Nefi 16


Mësimi 17

1 Nefi 16

Hyrje

Pasi u sëmbuan në zemrat e tyre nga fjalët e Nefit, Lamani dhe Lemueli e përulën veten përpara Zotit. Familja e vazhdoi udhëtimin e saj nëpër vendin e shkretë dhe Zoti i bekoi ata me Liahonën, përmes së cilës Ai i udhëhoqi në udhëtimin e tyre. Ndërsa udhëtonin, ata përjetuan vështirësi, përfshirë humbjen e harkut të Nefit, që ishte mjeti i tyre më i mirë për të siguruar ushqim. Pjesa më e madhe e familjes – madje edhe Lehi – filluan të mërmërisnin kundër Zotit. Nefi u foli ashpër vëllezërve të tij për shkak të ankimit, ndërtoi një hark të ri dhe kërkoi këshillën e të atit lidhur me vendin se ku duhej të shkonte për gjueti.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Nefi 16:1−6

Nefi i përgjigjet mërmëritjes së vëllezërve të tij

Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth një kohe kur ata qenë qortuar për bërjen e diçkaje të gabuar dhe për mënyrën se si u përgjigjën. Pastaj kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë te 1 Nefi 16:1. Përpara se ai apo ajo të lexojë, ftojeni klasën që të dëgjojë përgjigjen e Lamanit dhe të Lemuelit ndaj mësimeve të Nefit. Kujtojuni studentëve se Nefi dha mësim se të ligjtë do të ndahen nga të drejtët dhe do të flaken nga prania e Perëndisë (shih 1 Nefi 15:33–36).

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 1 Nefin 16:2. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që ata ta shenjojnë frazën që përdori Nefi për të përshkruar mënyrën se si disa njerëz reagojnë ndaj dëgjimit të së vërtetës kur nuk janë duke e jetuar atë.

  • Çfarë mendoni se do të thotë se “fajtorët e marrin të vërtetën të jetë e rëndë”? Cila mendoni se është domethënia e frazës “i godet ata drejt në qendër”?

  • Cilat janë disa nga mënyrat në të cilat ne mund të reagojmë kur një e vërtetë është e rëndë për t’u përballuar?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 1 Nefin 16:3–4. Ju mund të dëshironi t’u sugjeroni që t’i shenjojnë fjalët në qoftë se dhe atëherë në vargun 3. Nxitini ata të kërkojnë këshillën që Nefi u dha vëllezërve të tij lidhur me mënyrën se si duhet të reagonin ndaj “gjëra[ve] të rënda” që u kishte thënë. Ftojeni një student të shpjegojë me fjalët e tij apo të saj atë që Nefi u mësoi vëllezërve të tij.

  • Sipas 1 Nefit 16:5, si reaguan vëllezërit e Nefit ndaj udhëzimit të tij?

  • Çfarë sugjeron 1 Nefi 16:5 për mënyrën se si duhet të reagojmë kur e vërteta “[na] godet … drejt në qendër”?

1 Nefi 16:7−33

Zoti e udhëheq familjen e Lehit nëpërmjet Liahonës

Pamja
The Book of Mormon prophet Lehi portrayed kneeling on the ground. Lehi is holding the Liahona in his hands. Nephi is standing behind Lehi and is also looking at the Liahona. Other members of the family of Lehi are gathered around Lehi and Nephi.

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 16:9–10. Paraqitni figurën Liahona (62041; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 68). Vëreni në dukje paraqitjen e Liahonës nga artisti.

  • Në çfarë mënyrash mendoni ju se një dhuratë e tillë do të ketë qenë e dobishme për Lehin dhe familjen e tij në rrethanat e tyre?

Ftojini disa studentë që t’i lexojnë me radhë me zë të lartë vargjet nga 1 Nefi 16:16–19.

  • Si i solli përfitim Liahona familjes së Lehit?

  • Pasi familja e Lehit mori Liahonën, a qe udhëtimi i tyre i lehtë apo i vështirë? Çfarë tregon Nefi te 1 Nefi 16:17–19 për të mbështetur përgjigjen tuaj?

  • Përse mendoni se njerëzit e drejtë, të tillë si Lehi dhe Nefi, ndonjëherë duhet të përballen me sprova? (Ju mund të dëshironi të shpjegoni se shumë sprova me të cilat përballemi nuk janë domosdoshmërisht pasoja të zgjedhjeve të gabuara. Përkundrazi, ato janë mundësi për të mësuar e për t’u rritur si pjesë e udhëtimit tonë në vdekshmëri.)

Ftojeni gjysmën e klasës të shqyrtojë në heshtje vargjet te 1 Nefi 16:20–22, duke kërkuar mënyrën se si reagoi një pjesë e familjes së Lehit ndaj sprovës së harkut të thyer të Nefit. Ftojeni gjysmën tjetër të klasës të hetojë vargjet te 1 Nefi 16:23–25, 30–32, duke kërkuar reagimin e Nefit ndaj kësaj sprove dhe se si ndikoi reagimi i tij te familja e tij. Pasi çdo grup të raportojë atë që ka zbuluar, pyetni:

  • Çfarë mund të mësojmë nga krahasimi i këtyre dy reagimeve ndaj së njëjtës sprovë?

  • Përse është domethënëse që Nefi shkoi tek i ati për drejtim, edhe pse Lehi kishte mërmëritur? Çfarë parimesh mund të mësojmë nga kjo që t’i zbatojmë në jetën tonë? (Ju mund të dëshironi të shpjegoni se duke shkuar te Lehi për drejtim, Nefi tregoi respekt për të dhe e ndihmoi atë të kthehej te Zoti. Të kërkuarit e këshillës nga prindërit dhe udhëheqësit e priftërisë, pavarësisht papërsosmërive të tyre, është një mënyrë për t’i nderuar ata dhe për të ushtruar besim te Zoti.)

  • Çfarë parimesh të tjera mund të mësojmë nga reagimi i Nefit ndaj fatkeqësisë së familjes së tij? (Teksa studentët japin idetë e tyre, sigurohuni që të theksoni se nëse bëjmë gjithçka që mundemi dhe kërkojmë gjithashtu drejtim nga Zoti, atëherë Ai do të na ndihmojë përgjatë vështirësive tona.)

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 16:26–29. Ftojeni klasën që të kërkojë hollësi rreth mënyrës se si Zoti e përdori Liahonën për të udhëhequr familjen e Lehit. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë dhe të zbatojnë ato që na mësojnë këto vargje rreth marrjes së drejtimit nga Zoti, bëni pyetjet e mëposhtme:

  • Cili është ndryshimi mes ndjekjes rastësore të drejtimit nga Zoti dhe ndjekjes së drejtimit nga Zoti me besim dhe zell?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 1 Nefi 16:29, Alma 37:6–7 dhe Alma 37:38–41, duke kërkuar një parim që jepet mësim në të trija fragmentet.

  • Çfarë parimi jepet mësim në këto tri fragmente? (Sigurohuni që studentët ta kuptojnë se nëpërmjet mjeteve të vogla, Zoti mund të shkaktojë gjëra të mëdha. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë.)

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë “mjete[sh] të vogla” ka siguruar Zoti që të na japë drejtim?

Shkruajini pyetjet vijuese në tabelë, duke e bërë të qartë se në çdo pyetje ka një fjalë apo frazë që mungon. (Ju mund të dëshironi ta bëni këtë përpara se të fillojë ora mësimore.)

  1. Cilat janë dy ose tri mënyra se si … është si Liahona?

  2. Cilat janë disa gjëra që mund të shkaktojnë që ne të mos i kuptojmë mesazhet e rëndësishme nga … ?

  3. Kur jeni bekuar nga ndjekja e udhëzimit të … ?

Ndajeni klasën në tri grupe, me një drejtues në çdo grup. Jepini çdo drejtuesi një kopje të njërës prej detyrave vijuese, në të cilën grupi i tyre do të studiojë një “mjet të vog[ël]” që Zoti e përdor për të na udhëhequr. (Nëse klasa juaj ka shumë studentë, ju mund të dëshironi t’i ndani studentët në më shumë se tri grupe për të zvogëluar madhësinë e grupit. Nëse veproni kështu, do t’ju duhet t’iu jepni një ose më shumë grupeve të njëjtën detyrë.)

Grupi 1: Një Bekim Patriarkal

Lexojani grupit thënien e mëposhtme nga Presidenti Tomas S. Monson:

“I njëjti Zot që siguroi një Liahona për Lehin, siguron për ju dhe për mua sot një dhuratë të rrallë e me vlerë që të na japë drejtim në jetën tonë, që të shenjojë rreziqet për sigurinë tonë dhe për ta skicuar udhën, madje shtegun e sigurt – jo drejt një toke të premtuar, por për në shtëpinë tonë qiellore. Dhurata për të cilën e kam fjalën, njihet si bekimi juaj patriarkal. …

… Bekimi juaj nuk duhet të paloset me kujdes dhe të ruhet diku. Nuk është që të vihet në kornizë dhe të bëhet publik. Përkundrazi, është që ta lexoni. Është që ta doni. Është që ta ndiqni. Bekimi juaj patriarkal do t’ju udhëheqë përmes natës më të errët. Do t’ju udhëheqë përmes rreziqeve të jetës. … Bekimi juaj patriarkal është për ju një Liahonë personale që t’ju hartojë kursin dhe t’ju udhëheqë në rrugën tuaj” (“Your Patriarchal Blessing: A Liahona of Light”, Ensign, nëntor 1986, f. 65–66).

Përshtatini pyetjet në tabelë në mënyrë që të jenë rreth bekimeve patriarkale. Diskutoni për këto pyetje si grup: Caktoni një njeri në grupin tuaj që t’i tregojë pjesës tjetër të klasës se çfarë ka mësuar grupi juaj. Ftoni gjithashtu dikë nga grupi juaj që të tregojë përvojën e tij apo të saj nga pyetja 3.

Grupi 2: Shkrimet e Shenjta dhe Fjalët e Profetëve të Ditëve të Mëvonshme

Lexojani grupit thënien e mëposhtme nga Plaku W. Rolf Ker, i Të Shtatëdhjetëve:

“Fjalët e Krishtit mund të jenë një Liahona vetjake për secilin prej nesh, duke na treguar udhën. Le të mos jemi përtacë për shkak të lehtësisë së udhës. Le t’i marrim me besim fjalët e Krishtit në mendjen dhe zemrën tonë siç shënohen në shkrimin e shenjtë dhe siç shprehen nga profetët, shikuesit dhe zbuluesit e gjallë. Le të marrim me bollëk dhe zell nga fjalët e Krishtit, sepse fjalët e Krishtit do të jenë Liahona jonë shpirtërore që na thotë të gjithë gjërat që duhet të bëjmë” (“The Words of Christ—Our Spiritual Liahona”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 37).

Përshtatini pyetjet në tabelë në mënyrë që të jenë rreth shkrimeve të shenjta dhe fjalëve të profetëve të ditëve të mëvonshme. Diskutoni për këto pyetje si grup. Caktoni një njeri në grupin tuaj që të ndajë me pjesën tjetër të klasës se çfarë ka mësuar grupi juaj. Ftoni gjithashtu dikë nga grupi juaj për të treguar përvojën e tij apo të saj nga pyetja 3.

Grupi 3: Fryma e Shenjtë

Lexojani grupit thënien e mëposhtme nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Ndërsa përpiqemi që qëndrimet dhe veprimet tona të mbështesin drejtësinë, atëherë Fryma e Shenjtë bëhet për ne sot ashtu si Liahona ishte për Lehin dhe familjen e tij në kohën e tyre. Po të njëjtët faktorë që e bënin Liahonën të punonte për Lehin, do të ftojnë po ashtu Frymën e Shenjtë në jetën tonë. Dhe po ata faktorë që e bënin Liahonën të mos punonte në lashtësi, po ashtu do të na bëjnë të largohemi nga Fryma e Shenjtë sot” (“Që të Mund të Kemi Gjithmonë me Vete Shpirtin e Tij”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 30, Raporti i Konferencës, prill 2006, f. 50).

Përshtatini pyetjet në tabelë në mënyrë që të jenë rreth Frymës së Shenjtë. Diskutoni për këto pyetje si grup. Caktoni një njeri në grupin tuaj që të ndajë me pjesën tjetër të klasës se çfarë ka mësuar grupi juaj. Ftoni gjithashtu dikë nga grupi juaj për të treguar përvojën e tij apo të saj nga pyetja 3.

Shënim për mësuesin: Pas gjashtë deri tetë minutash, kërkojini çdo grupi t’i mësojë klasës atë që kanë mësuar nga diskutimi i tyre. Ju mund të dëshironi gjithashtu t’i ftoni studentët të shkruajnë në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e tyre të klasës rreth një kohe kur Zoti i ka udhëhequr ata nëpërmjet mjeteve të vogla. Mbani parasysh që të tregoni për një kohë kur keni marrë drejtim nga Zoti nëpërmjet mjeteve të vogla.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Nefi 4:10. Një Liahona vetjake

Presidenti Spenser W. Kimball i krahasoi ndërgjegjet tona me Liahonën:

“Ju duhet të kuptoni se keni diçka si busulla, si Liahona, në vetë sistemin tuaj. Ajo i jepet çdo fëmije. Kur është tetë vjeç, ai e njeh të mirën nga e keqja, nëse prindërit e tij e kanë mësuar siç duhet. Nëse ai e shpërfill Liahonën që ka në vetë përbërjen e tij, ajo përfundimisht mund të mos i pëshpëritë më atij. Por nëse do të kujtojmë se secili prej nesh e ka gjënë që do ta udhëheqë atë drejt, anija jonë nuk do të shkojë në drejtimin e gabuar dhe nuk do të ketë vuajtje, dhe harqet nuk do të prishen dhe familjet nuk do të qajnë për ushqim – nëse i dëgjojmë urdhërimet e Liahonës sonë vetjake, që e quajmë ndërgjegje” (“Our Own Liahona”, Ensign, nëntor 1976, f. 79).