Biblioteka
Mësimi 122: 3 Nefi 12


Mësimi 122

3 Nefi 12

Hyrje

Jezu Krishti i mësoi nefitët se si t’i merrnin bekimet e ungjillit të Tij dhe i udhëzoi ata t’i ndikonin të tjerët për mirë. Ai shpalli se e kishte përmbushur ligjin e Moisiut dhe u dha njerëzve një ligj më të lartë për t’i përgatitur të bëhen si Ai dhe si Ati ynë në Qiell.

Sugjerime për Mësimdhënien

3 Nefi 12:1–12

Jezu Krishti e mëson turmën rreth bekimeve që marrim kur e jetojmë ungjillin e Tij

Përpara orës mësimore, shkruani pyetjet vijuese në tabelë:

A pret Ati Qiellor që ne të jemi të përsosur?

A mendoni se është e nevojshme të bëhemi të përsosur në këtë jetë për të hyrë në mbretërinë çelestiale?

A mund të jemi ndonjëherë të përsosur?

Në fillim të mësimit, i ftoni studentët të përsiaten për këto pyetje. U kërkoni atyre t’i marrin parasysh pyetjet gjatë gjithë mësimit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 12:48. Vini në dukje se kjo është një pjesë e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë pjesë në mënyrë të dukshme që të jenë në gjendje ta gjejnë lehtësisht.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, rreth urdhërimit për të qenë të përsosur:

Pamja
Plaku Rasëll M. Nelson

“Ne nuk ka nevojë të zhgënjehemi nëse përpjekjet tona të zellshme drejt përsosjes tani duken kaq të mundimshme [të vështira] dhe të pafundme. Përsosja është duke pritur. Mund të vijë e plotë vetëm pas Ringjalljes dhe vetëm nëpërmjet Zotit. I pret të gjithë ata që e duan Atë dhe i zbatojnë urdhërimet e Tij” (“Perfection Pending”, Ensign, nëntor 1995, f. 88).

  • Si mendoni ju, përse përsosja mund të vijë “vetëm nëpërmjet Zotit”?

Shqyrtoni tri pyetjet në fillim të mësimit. I pyetni studentët nëse ata mund t’i ndryshojnë përgjigjet e tyre për ato pyetje pas leximit të 3 Nefit 12:48 dhe dëgjimit të shpjegimit të Plakut Nelson. I ndihmoni studentët të kuptojnë se Ati Qiellor nuk pret që ne të bëhemi të përsosur gjatë jetës sonë të vdekshme, por që, ndërsa përpiqemi me zell t’i zbatojmë urdhërimet dhe ndërsa mbështetemi te Shlyerja, ne mund të përsosemi në fund të fundit.

Shkruani fjalën të bekuar në tabelë. I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 12:1–12, duke kërkuar cilësi që Shpëtimtari na nxit t’i zhvillojmë dhe bekime që Ai premton si rrjedhim.

  • Çfarë bekimesh ju kanë ardhur në jetën tuaj si rezultat i të jetuarit të mësimeve të Jezu Krishtit tek 3 Nefi 12:1–12?

Vini në dukje se sa herë shfaqet fjala të bekuar në këto vargje. Ndani dëshminë tuaj për mënyrën se si jeni bekuar kur keni jetuar sipas mësimeve të Shpëtimtarit.

U kërkoni studentëve të shkruajnë në fletoret e shënimeve ose në ditaret e studimit të shkrimeve të shenjta rreth një bekimi që dëshirojnë, i cili përshkruhet tek 3 Nefi 12:1–12. I bëni ata të shkruajnë cilësinë që duhet të zhvillojnë për ta marrë atë bekim. Më pas i ftoni ata të shkruajnë atë që do të donin të bënin për ta zhvilluar atë cilësi. Ftoni dy ose tre studentë të tregojnë për atë që kanë shkruar dhe përse.

3 Nefi 12:13–16

Shpëtimtari e nxit turmën të jenë shembuj të drejtë për botën

Paraqitni një enë me kripë. I kërkoni klasës që të përcaktojnë përfitimet nga kripa. Ndërkohë që përgjigjen studentët, sigurohuni që është e qartë se kripa i jep shije ushqimit dhe se është një lëndë ruajtëse e përdorur për të mos lejuar prishjen e mishit. Ju mund të doni gjithashtu të shpjegoni se, sipas ligjit të Moisiut, priftërinjtë u urdhëruan të ofronin kripë me ofrimet e tyre flijuese (shih Levitiku 2:13). Kështu, kripa ishte simbol i besëlidhjes midis Zotit dhe popullit të Tij.

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 12:13 dhe të përcaktojnë se kë krahasoi Shpëtimtari me kripën. Ndërsa përgjigjen studentët, shpjegoni se Shpëtimtari po i drejtohej jo vetëm turmës në tempull atë ditë, por të gjithë atyre që pagëzohen në Kishën e Tij dhe jetojnë ungjillin e Tij.

  • Në çfarë mënyrash ne, si pasues të Jezu Krishtit, mund të jemi të ngjashëm me kripën? (Ne duhet të ndihmojmë për t’i ruajtur e shpëtuar njerëzit dhe për ta përmirësuar botën duke ndikuar tek të tjerët për mirë).

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë për kripën që ta humbasë shijen e saj?

Ndërsa studentët e diskutojnë këtë pyetje, ju mund të doni të lexoni thënien vijuese nga Plaku Karlos E. Asai, i Të Shtatëdhjetëve:

“Kripa nuk do ta humbasë shijen e saj me kalimin e kohës. Shija humbet nëpërmjet përzierjes dhe ndotjes. … Shija dhe cilësia i largohen një njeriu kur ai e ndot mendjen e vet me mendime të papastra, e përdhos gojën e vet duke folur më pak se të vërtetën dhe e keqpërdor forcën e vet duke kryer vepra të liga” (“Salt of the Earth: Savor of Men and Saviors of Men”, Ensign, maj 1980, f. 42).

  • Përse duhet të jemi të pastër me qëllim që t’i ndikojmë të tjerët për mirë?

Shpjegoni se Shpëtimtari përdori një simbol tjetër për të na mësuar se si anëtarët e besëlidhjes së Kishës së Tij duhet t’i ndikojnë të tjerët për mirë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 12:14–16. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari e përdori dritën për të na mësuar rreth rolit të popullit të Tij të besëlidhjes në botë. Përpara se të lexojë studenti, ju mund të doni të shpjegoni se një babunë është një shportë.

  • Si mund të jenë anëtarët e Kishës një dritë për të tjerët? Si mendoni ju, çfarë do të thotë ta lini dritën tuaj të shkëlqejë? (Ndërsa studentët i përgjigjen kësaj pyetjeje, i ndihmoni të kuptojnë se shembujt e tyre të të jetuarit të drejtë mund të ndihmojnë njerëz të tjerë).

  • Në çfarë mënyrash disa anëtarë të Kishës mund ta mbulojnë dritën e tyre?

  • Sipas 3 Nefit 12:16, përse dëshiron Shpëtimtari që ne ta lejojmë dritën tonë të shkëlqejë? (Kur japim një shembull të drejtë, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët ta përlëvdojnë Atin Qiellor. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë parim me fjalët e tyre në shkrimet e tyre të shenjta.)

  • Shembujt e drejtë të cilëve ju kanë ndihmuar të afroheni më pranë Atit Qiellor dhe ta forconi dëshirën tuaj për ta jetuar ungjillin?

I ftoni studentët të përsiaten për shembullin që ata dhanë për studentët. I nxitni ata të mendojnë se si mund t’i ndihmojnë të tjerët më mirë për ta shtuar dashurinë e tyre për Atin Qiellor dhe dëshirën e tyre për ta ndjekur Atë.

3 Nefi 12:17–48

Jezu Krishti i mëson turmës ligjin më të lartë që do t’i ndihmojë të bëhen si Ai dhe Ati Qiellor

Shpjegoni se Shpëtimtari vazhdoi t’i mësonte nefitët se si të vinin tek Ai dhe të hynin në mbretërinë e qiellit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 12:19–20. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar një fjalë që shfaqet shumë herë në këto vargje.

  • Çfarë fjale të rëndësishme përdor Shpëtimtari tri herë si pjesë e kësaj ftese që të vijmë tek Ai? (Urdhërimet.)

Shpjegoni se 3 Nefi 12:21–47 përmban disa urdhërime të veçanta që dha Shpëtimtari, të cilat do të na ndihmojnë të vijmë tek Ai dhe të bëhemi më shumë si Ai. Kur ua mësoi këto urdhërime nefitëve, Ai iu drejtua parimeve që ishin pjesë e ligjit të Moisiut dhe më pas u mësoi atyre një ligj më të lartë. Ai iu drejtua kuptueshmërisë tradicionale të ligjit të Moisiut kur përdori fraza të tilla si “është thënë nga të lashtët” dhe “është shkruar”. Kur Ai tha “por unë ju them juve”, Ai paraqiti mënyrën se si Ai dëshiron që ne ta zbatojmë atë urdhërim sot.

Për t’i ndihmuar studentët t’i studiojnë këto vargje, kopjoni tabelën që vijon në dërrasë. Ndajeni klasën në katër grupe. I caktoni secilit grup një rresht në tabelë dhe i ftoni ata të lexojnë vargjet shoqëruese dhe t’u përgjigjen pyetjeve.

Cila ishte kuptueshmëria tradicionale në ligjin e Moisiut?

Si na këshilloi Shpëtimtari të jetojmë?

Çfarë mund të bëjë një i ri ose e re që ta vërë në jetë mësimin e Shpëtimtarit?

3 Nefi 12:21

3 Nefi 12:22–26

3 Nefi 12:27

3 Nefi 12:28–30

3 Nefi 12:38

3 Nefi 12:39–42

3 Nefi 12:43

3 Nefi 12:44–46

Për dobinë e studentëve që lexojnë 3 Nefin 12:22, ju mund të doni të shpjegoni se Raka është një term poshtërues ose tallës, i cili shpreh përbuzje ose përqeshje (shih Mateu 5:22, shënimi d në fund të faqes). Ju gjithashtu mund të doni të shpjegoni se Plaku Dejvid E. Sorensen, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim se fraza “merru vesh shpejt me kundërshtarin tënd” (3 Nefi 12:25) do të thotë t’i “zgjidhim herët mosmarrëveshjet tona, përndryshe pasionet e çastit rriten në egërsi fizike ose emocionale dhe ne bëhemi robër të zemërimit tonë” (“Forgiveness Will Change Bitterness to Love”, Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 11).

Kur studentët ta kenë mbaruar studimin e vargjeve caktuar atyre, e ftoni secilin grup t’i raportojë përgjigjet e tyre. Ju mund të doni t’i bëni ata t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në tabelën në dërrasë.

  • Çfarë u duk se ndryshoi midis ligjit të Moisiut dhe ligjit më të lartë të mësuar nga Jezu Krishti?

Ju mund të doni të vini në dukje se ligji më i lartë përqendrohet më shumë mbi dëshirat, mendimet dhe qëllimet tona sesa mbi veprimet tona të jashtme.

  • Ndërsa përpiqemi të përsosemi, përse është kaq e rëndësishme që të përqendrohemi mbi dëshirat, mendimet dhe qëllimit tona?

I ftoni studentët të zgjedhin një nga mësimet e Shpëtimtarit tek 3 Nefi 12 dhe shkruani një paragraf rreth mënyrës se si ata do të bëjnë përparim në atë fushë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 12:19–20. I ndihmoni studentët të kuptojnë se me anë të pendimit dhe përpjekjes plot zell për t’i zbatuar urdhërimet që na mësoi Shpëtimtari, ne mund të bëhemi të përsosur nëpërmjet Shlyerjes dhe të “[hyjmë] në mbretërinë e qiellit” (3 Nefi 12:20).

Pasi studentët t’i kenë plotësuar këto veprimtari, i ftoni ata të tregojnë atë që ishte më domethënësja për ta. Përmblidheni këtë kapitull duke shkruar parimin vijues në tabelë: Kur vijmë te Krishti dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij, ne mund të bëhemi më shumë si Ai dhe si Ati ynë Qiellor, të cilët janë të përsosur. I kujtoni studentët se, me qëllim që të fitojmë një shkallë përsosmërie, ne duhet të mbështetemi te Shlyerja e Jezu Krishtit. I ftoni studentët të shkruajnë rreth një ose dy mënyrash se si do të donin t’i vinin në jetë mësimet e Shpëtimtarit që ata i mësuan sot. Përfundoni duke ndarë dëshminë tuaj për parimin që shkruat në tabelë.

Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – 3 Nefi 12:48

I ftoni studentët t’i hapin shkrimet e tyre të shenjta te 3 Nefi 12:48. U kërkoni atyre ta lexojnë vargun njëzëri me zë të lartë. U jepni studentëve kohë për ta studiuar vargun dhe më pas u kërkoni atyre t’i mbyllin shkrimet e tyre të shenjta dhe ta thonë vargun përsëri sa më mirë që munden. I bëni ata ta përsëritin procesin e të parit të vargut, mbylljes së shkrimeve të tyre të shenjta dhe më pas të përsëritjes së vargut përmendsh.

  • Si u përmirësuat nëpërmjet përpjekjes?

  • Si ju ndihmon kjo veprimtari që të kuptoni udhëtimin tuaj drejt përsosjes?

Vini në dukje se përpjekjet tona në jetë janë vendimtare. Megjithatë, i kujtoni studentët se Zoti nuk pret që ne të bëhemi të përsosur në të gjitha gjërat gjatë jetës sonë të vdekshme. Nëpërmjet Shlyerjes dhe përpjekjeve tona të zellshme për ta ndjekur Shpëtimtarin, ne mund të përsosemi në fund të fundit. I ftoni studentët të mendojnë për një mënyrë se si ata mund të përpiqen për ta ndjekur Shpëtimtarin.

Shënim: Për shkak të kohëzgjatjes së këtij mësimi, ju mund të dëshironi ta përdorni këtë veprimtari një ditë tjetër, kur të keni më shumë kohë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

3 Nefi 12:28-30 Mëkati i epshit

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

“Pse epshi është një mëkat aq vdekjeprurës? Pra, veç ndikimit krejtësisht Shpirt-shkatërrues që ai ka mbi shpirtin tonë, unë mendoj se ai është mëkat ngaqë e përdhos marrëdhënien më të lartë e më të shenjtë që Perëndia na jep në jetën e vdekshme – dashurinë që një burrë e një grua kanë për njëri-tjetrin dhe dëshirën që ka ai çift për të sjellë fëmijë në një familje që synohet të jetë përgjithnjë. Dashuria na bën vetvetiu t’i afrohemi pranë Perëndisë dhe njerëzve të tjerë. Epshi, nga ana tjetër, është kategorikisht i paperëndishëm dhe i thur lavde kënaqjes vetjake. Dashuria vjen me duart hapur e me zemrën hapur; epshi vjen vetëm me oreksin hapur” (“Jo më Vend për Armikun e Shpirtit Tim”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 44–45).

3 Nefi 0:43-44 “Ta duash të afërmin tënd” dhe “duajini armiqtë tuaj”

Mësimi i Shpëtimtarit dhënë nefitëve se ata duhet ta duan njëri-tjetrin dhe t’i duan armiqtë e tyre, ishte në kohën e duhur dhe domethënës. Pas shekujsh luftërash midis nefitëve dhe lamanitëve, si edhe vitesh konflikti të brendshëm, do të kishte pasur një traditë urrejtjeje midis grupeve kundërshtare. Për shembull, Mosia 10:17 thotë se lamanitët i “mësua[n] fëmijët e tyre që ata duhet t’i urrenin ata [nefitët] dhe që ata duhet t’i vrisnin ata dhe që ata duhet t’i grabitnin dhe t’i plaçkitnin ata, dhe që të bënin gjithçka, që të mund t’i shkatërronin ata”. Po të kishin vazhduar njerëzit të jetonin mësimet e Shpëtimtarit tek 3 Nefi 12:43–44, ata mund ta kishin ruajtur paqen dhe t’i kishin dhënë fund përfundimisht traditës së rreme të mësimit të fëmijëve për t’i urryer armiqtë e tyre. Megjithatë, vitet e paqes që pasuan vizitën e Shpëtimtarit, u shkatërruan ngaqë disa nga njerëzit zgjodhën që të “ngri[nin] krye qëllimisht kundër ungjillit të Krishtit; dhe u mësuan fëmijëve të tyre se nuk duhet të besonin”. Ata zgjodhën të përvetësonin “ligësi[në] dhe … neveri[në e] etërve të tyre, sikurse qe madje në fillim. Dhe atyre iu mësua të urrenin fëmijët e Perëndisë, madje, sikurse u qe mësuar Lamanitëve që në fillim të urrenin fëmijët e Nefit” (4 Nefi 1:38–39).