Biblioteka
Mësimi 95: Alma 38


Mësimi 95

Alma 38

Hyrje

Shibloni shërbeu me atin e tij, Almën, si misionar mes zoramitëve (shih Alma 31:7). Pas këtij misioni, Alma shprehu gëzim në qëndrueshmërinë dhe besnikërinë që kishte treguar Shibloni, ndërkohë që vuante prej përndjekjes. Alma gjithashtu i dëshmoi Shiblonit për fuqinë e Shpëtimtarit për çlirim dhe i ofroi këshillë lidhur me përpjekjet e vazhdueshme të Shiblonit për të dhënë mësim për ungjillin.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 38:1–3

Alma shpreh gëzim për besnikërinë e Shiblonit

Nëse i ftuat studentët ta bënin veprimtarinë e zbatimit të detyrës në shtëpi në fund të mësimit të mëparshëm, u kujtoni atyre dy pyetjet që i ftuat t’ua bënin prindërve të tyre ose ndonjë të rrituri tjetër të besueshëm:

  • Si ju ka ndihmuar bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë?

  • Çfarë këshille keni për mua, që mund të më ndihmojë të kem më shumë urtësi në rininë time?

U kërkoni studentëve të raportojnë rreth përvojave të tyre me këtë veprimtari. Pasi studentët të kenë folur, i pyetni:

  • Si e ndikoi kjo përvojë dëshirën tuaj për t’i zbatuar urdhërimet e Zotit?

Shpjegoni se Alma 38 shënon këshillën që Alma i dha birit të tij, Shiblonit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 38:1–3. E vini klasën që ta ndjekë, duke kërkuar fraza që përshkruajnë se si Alma u ndje rreth Shiblonit dhe përse u ndje ashtu. I ftoni studentët të tregojnë për atë që gjejnë.

  • Çfarë mund të mësojmë nga Alma 38:2–3 lidhur me ndikimin që fëmijët e drejtë mund të kenë mbi prindërit e tyre? (Studentët mund të japin përgjigje të ndryshme. Sigurohuni që ata e përcaktojnë të vërtetën që kur të rinjtë janë të qëndrueshëm dhe besnikë në zbatimin e urdhërimeve, ata mund t’iu sjellin gëzim të madh prindërve të tyre.)

  • Kur kanë ndier gëzim prindërit tuaj për shkak të një vendimi të mirë që keni bërë ose për shkak të përpjekjeve tuaja për ta jetuar ungjillin?

  • Si ndikojnë përpjekjet tuaja për të zbatuar urdhërimet në marrëdhënien tuaj me prindërit tuaj?

Ju mund të dëshironi të tregoni një shembull të mënyrës se si familja juaj është ndikuar nga zgjedhjet e drejta të fëmijëve në familje.

Alma 38:4–9

Alma dëshmon për fuqinë e Shpëtimtarit për të çliruar

Shpjegoni se Alma i kujtoi Shiblonit që ata të dy e kishin provuar fuqinë e Shpëtimtarit për çlirim. Përgatiteni tabelën e mëposhtme si një fletushkë ose paraqiteni atë në dërrasë dhe i bëni studentët ta kopjojnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta.

Shibloni (Alma 38:4–5)

Alma (Alma 38:6–8)

Nga çfarë u çlirua ai?

Përse e mori ai bekimin e çlirimit?

Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e tij?

Plotësojeni tabelën si klasë ose caktoni studentë ta plotësojnë atë në dyshe. I bëni studentët t’u drejtohen fragmenteve të shkrimeve të shenjta të renditura në tabelë, ndërkohë që u përgjigjen pyetjeve. I nxitni ata të përfshijnë atë që tashmë e dinë rreth mënyrës se si Zoti e çliroi Shiblonin (shih Alma 38:2–3) dhe Alma (shih Mosia 27; Alma 36). Pasi studentët ta plotësojnë tabelën, u bëni pyetjet e mëposhtme për t’i ndihmuar ata të diskutojnë parimet që kanë mësuar:

  • Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Shiblonit? (Studentët mund të përcaktojnë parime të ndryshme. Sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Nëse i durojmë të gjitha gjërat me durim dhe besim te Perëndia, Ai do të na çlirojë nga sprovat, shqetësimet e mundimet dhe do të na ngrejë në ditën e fundit.)

  • Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Almës? (Edhe pse studentët mund të përgjigjen në mënyra të ndryshme, sigurohuni që ata shprehin se, për të marrë heqje të mëkateve tona dhe për të gjetur paqe për shpirtrat tanë, ne duhet të ushtrojmë besim në Jezu Krishtin dhe ta kërkojmë mëshirën e Tij.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 38:9. E vini klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Alma dëshironte që biri i tij të mësonte rreth Shpëtimtarit.

  • Përse është e rëndësishme për ne të dimë që Jezu Krishti është e vetmja “udhë ose [i vetmi] mjet … nëpërmjet të cilit [ne] mund të shpëto[hemi]”?

  • Në çfarë mënyrash keni përjetuar çlirim nëpërmjet fuqisë së Shpëtimtarit? (Ju mund të dëshironi t’u jepni studentëve kohë për të përsiatur mbi këtë pyetje përpara se t’u kërkoni përgjigjet e tyre). Çfarë bëtë ju që ta kërkonit atë çlirim?

U jepni njëfarë kohe studentëve për të përsiatur se si mund ta kërkojnë ndihmën e Zotit për një sfidë personale.

Alma 38:10–15

Alma e këshillon Shiblonin që të vazhdojë t’u mësojë njerëzve ungjillin dhe të zhvillojë tipare të drejta

Shpjegoni se Alma e nxiti Shiblonin për të zhvilluar cilësi që do ta ndihmonin atë, ndërkohë që ai vazhdoi t’u mësonte ungjillin dhe t’u shërbente të tjerëve. Këshilla e Almës për Shiblonin mund të zbatohet për këdo që dëshiron të shërbejë, t’i mësojë të tjerët ose të ndikojë tek ta për mirë. I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 38:10–15, duke kërkuar për këshillë e cila do të ishte veçanërisht e dobishme për ta. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që gjejnë.

U jepni studentëve një kopje të udhëzuesit të studimit në fund të këtij mësimi. Shpjegoni se, ndërsa e përdorin udhëzuesin, ata do të shohin se si përpjekjet tona për të zhvilluar tipare të drejta na përgatitin për t’i mësuar të tjerët dhe për t’u shërbyer atyre. I ftoni ata të zgjedhin një pjesë të këshillës së Almës në kolonën e majtë të udhëzuesit dhe ta plotësojnë veprimtarinë mësimore përkatëse në kolonën e djathtë. (Nëse nuk mund të bëni kopje të udhëzuesit të studimit, përshtateni veprimtarinë duke udhëhequr një diskutim në klasë dhe duke e përdorur informacionin në udhëzuesin e studimit si burim).

Kur studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për ta plotësuar një nga veprimtaritë mësimore në udhëzuesin e studimit, merrni parasysh t’u kërkoni disave prej tyre të tregojnë për atë që kanë mësuar nga kjo veprimtari dhe se si mendojnë ta vënë atë në zbatim. Nëse u keni dhënë studentëve kopje të udhëzuesit të studimit, i nxitni ata ta çojnë atë në shtëpi dhe të mësojnë më shumë rreth këshillës së Almës drejtuar Shiblonit.

Udhëzuesi i Studimit për Almën 38:10–12

Shqyrtoni pjesë të ndryshme të këshillës së Almës, të renditura më poshtë dhe zgjidhni një që ju do të dëshironit ta përmirësoni. Përfundoni veprimtarinë mësimore përkatëse për t’ju ndihmuar ta zbatoni këtë këshillë në jetën tuaj.

Këshilla e Almës

Aktivitete Mësimore

“Të jesh i zellshëm dhe i përmbajtur në të gjitha gjërat” (Alma 38:10).

Zelli është përpjekja e vazhdueshme, e kujdesshme dhe e ndërgjegjshme. Të jesh i përmbajtur do të thotë të “përdorësh masë në gjithçka ose të ushtrosh vetëkontroll” (Kent Uatson, “Të Jemi të Matur në të Gjitha Gjërat”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 38). Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth arsyes përse këto dy tipare nevojiten kur një njeri u mëson ungjillin të tjerëve dhe u shërben atyre. Gjithashtu shkruani rreth ndonjë aspekti në jetën tuaj në të cilin mund të jeni më i zellshëm dhe më i përmbajtur dhe mënyrës se si përmirësimi në ato aspekte do t’ju ndihmojë t’i mësoni të tjerët dhe t’u shërbeni atyre me më shumë efektshmëri.

“Vër re të mos ngrihesh në krenari; … të mos lëvdohesh” (Alma 38:11).

Një aspekt i krenarisë është të vendosësh besim më të madh te vetja sesa te Perëndia. Krenaria është gjithashtu e dukshme kur një njeri mendon se ai ose ajo është më i mirë ose më i rëndësishëm se të tjerët. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth asaj që mund të ndodhë nëse një anëtar i Kishës është plot krenari në thirrjen e tij ose të saj. Plaku Robert Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi: “Dishepujt e vërtetë flasin me besim të qetë, jo me krenari mburracake” (“Kuraja e Krishterë: Çmimi i Qenies Dishepull”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 73). Mendoni për dikë që njihni, i cili jua mëson ungjillin “me besim të qetë”. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth këtij personi dhe ndikimin që mësimdhënia e tij ose e saj ka pasur te ju. Gjithashtu shkruani një ose dy mënyra se si do të kërkoni ta shmangni krenarinë.

“Ki guxim, por të mos jesh arrogant” (Alma 38:12).

Lexoni fjalët e Apostullit Pal te Filipianëve 1:14 (në Dhiatën e Re) për të parë se si shërbëtorët e Perëndisë mund të tregojnë guxim. Presidenti Xhejms Faust, i Presidencës së Parë, na mësoi se si mund të shmangim qenien arrogant: “Unë nuk besoj se ne kemi nevojë ta … ngremë zërin, të jemi shtytës apo indiferentë në mënyrën se si i drejtohemi [punës misionare]” (në James Bell, In the Strength of the Lord: The Life and Teachings of James Faust [1999], f. 373). Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth mënyrës se si një njeri mund të jetë i guximshëm pa qenë arrogant. Shënoni një mënyrë të veçantë se si do ta zbatoni këshillën për të qenë të guximshëm por jo arrogant. Gjithashtu shkruani rreth mënyrës se si kjo këshillë mund t’ju ndihmojë të jeni të suksesshëm në mësimdhënien e të tjerëve dhe në shërbimin ndaj tyre.

“Të frenosh të gjitha pasionet e tua” (Alma 38:12).

Të frenosh do të thotë të kufizosh, të udhëzosh ose të kontrollosh. Një pasion është një emocion i fortë. Përsiatni mbi pyetjet e mëposhtme dhe shkruani përgjigjet tuaja në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mendoni përse është e rëndësishme për ne që t’i frenojmë pasionet tona? Si mendoni se frenimi i pasioneve tuaja mund t’ju ndihmojë të mbusheni me dashuri? Çfarë do të bëni për të ndjekur këshillën e Almës për t’i frenuar të gjitha pasionet tuaja?

“Të përmbahesh nga përtacia” (Alma 38:12).

Rishikoni fragmente të shkrimeve të shenjta, të renditura në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta te kombinimi tresh nën “Përtac, Përtaci” f. 150. Kërkoni për këshillë rreth asaj se çfarë do të thotë të jesh përtac dhe rreth të kundërtës së të qenit përtac. Zgjidhni dy vargje të renditura te hyrja dhe i studioni ato. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth asaj që mësoni nga vargjet që keni zgjedhur. Shkruani rreth mënyrës se si këshilla për t’u përmbajtur nga përtacia do t’ju ndihmojë t’i mësoni të tjerët dhe t’u shërbeni atyre në mënyrë më të efektshme. Së fundi, shkruani për një mënyrë të veçantë që ju do të përmbaheni nga përtacia.