Biblioteka
Mësimi 60: Mosia 15–17


Mësimi 60

Mosia 15–17

Hyrje

Ndërsa Abinadi vijoi t’i predikonte mbretit Noe dhe priftërinjve të tij, ai dëshmoi për rolin e Jezu Krishtit si Shëlbues. Një nga priftërinjtë e mbretit Noe, Alma, e besoi Abinadin. Mbreti Noe e dëboi Almën nga oborri i tij dhe i urdhëroi shërbëtorët e tij që ta vrisnin, por Alma u arratis dhe i shënoi mësimet që kishte dëgjuar nga Abinadi. Pasi Abinadi dha mesazhin që Zoti e kishte dërguar të jepte, mbreti Noe dhe priftërinjtë e tij e kërcënuan se do ta vrisnin nëse nuk do të tërhiqte mbrapsht çfarë kishte thënë. Duke refuzuar të mohonte dëshminë e tij, ai “vuajt[i] vdekje nga zjarri” dhe e “vulos[i] të vërtetën e fjalëve të tij me vdekjen e tij” (Mosia 17:20).

Sugjerime për Mësimdhënien

Mosia 15–16

Abinadi jep mësim për rolin e Jezu Krishtit si Shëlbues

Jepuni studentëve dy minuta kohë për të gjetur fjalët shëlbejë, shëlben, shëlbente, shëlbeu, shëlbuar dhe shëlbimin te Mosia 15–16. Ju mund të dëshironi t’u sugjeroni që t’i shenjojnë këto fjalë. Shpjegoni që kur forma të ndryshme të së njëjtës fjalë përsëriten në një bllok të shkrimit të shenjtë, kjo mund të jetë një shenjë që fjala është e rëndësishme për mesazhin e shkruesit. Nxitini studentët që, në mësimin e sotëm, të vënë re mësimet e Abinadit rreth të qenit i shëlbuar.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë rolin e Jezu Krishtit si Shëlbues, vizatoni në tabelë skicën vijuese:

Pamja
Offender

Tregoni nga figura e emërtuar “Shkelësi” dhe kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur kanë kryer një krim. Ata janë dënuar të paguajnë gjoba të mëdha si ndëshkim dhe nuk ka rrugë ligjore e të ndershme përmes të cilës t’i shmangen pagimit të gjobave të tyre. Pyetini studentët se si do të ndiheshin nëse do të përballeshin me një dënim të tillë. Pastaj kërkojuni që të përfytyrojnë sikur një anëtar i familjes ose mik ofron të paguajë gjobat për ta.

  • Si do të ndiheshit kundrejt këtij personi?

Shpjegoni se duke paguar gjobat, anëtari i familjes ose miku do t’i shëlbente nga ndëshkimi i tyre. Fjala shëlbim do të thotë të lirosh nga borxhi ose të shpengosh duke paguar haraçin. Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët që t’i shkruajnë këto përkufizime anash njërit prej vargjeve te Mosia 15 që përmban një formë të fjalës shëlbej.

Shkruani fjalën Ne nën fjalën Shkelësi. Shkruani Drejtësi nën fjalën Ndëshkimi. Shpjegoni se ngaqë kemi mëkatuar dhe kemi thyer ligjet e Perëndisë, ne duhet të ndëshkohemi. Me fjalë të tjera, ne duhet t’i përmbushim kërkesat e drejtësisë. Lexoni thënien në vijim nga Plaku Riçard Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë disa nga pasojat e thyerjes së ligjeve të Perëndisë:

“Drejtësia kërkon … që për çdo ligj të thyer të bëhet kompensim. Kur ju u bindeni ligjeve të Perëndisë bekoheni, por nuk ka avantazhe të fituara që mund të përdoren për të kompensuar ligjet që shkelni. Nëse nuk zgjidhet, ligjet e thyera mund të bëjnë që jeta tuaj të bëhet e mjeruar dhe t’ju pengojnë që të ktheheni tek Perëndia” (“The Atonement Can Secure Your Peace and Happiness”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 42; Konferenca e Përgjithshme Tetor 2006 [nr. i artikullit 01637 101], “Shlyerja Mund të Sigurojë Paqen dhe Lumturinë Tuaj”, f. 58).

  • Sipas Plakut Skot, cilat janë disa nga pasojat e thyerjes së ligjeve të Perëndisë?

Ndërsa studentët përcaktojnë pasojat e thyerjes së ligjeve të Perëndisë, fshihni nga tabela fjalën Gjobat. Në vend të saj, shkruani Mjerim dhe Të dëbuar nga prania e Perëndisë. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Mosian 15:1, 8–9. Ju mund të dëshironi të bëni pyetjet në vijim që t’i ndihmoni të kuptojnë një pjesë të doktrinës që gjendet në ato vargje:

  • Fjala ndërmjetësim i referohet një personi që hyn mes dy njerëzve ose grupesh njerëzish për t’i ndihmuar që të pajtohen – me fjalë të tjera, që të arrijnë harmoninë me njëri-tjetrin. Çfarë mendoni se do të thotë që Jezu Krishti erdhi “të bëjë ndërmjetësim” për ne?

  • Fjala mes do të thotë ndërmjet. Çfarë mendoni se do të thotë që Shpëtimtari qëndron “mes [nesh] dhe drejtësisë”? Çfarë mendoni se do të thotë të plotësosh “kërkesat e drejtësisë”?

Ndihmojini studentët të kuptojnë që drejtësia kërkon që ne të ndëshkohemi për mëkatet tona. Shpëtimtari nuk i fshin kërkesat e drejtësisë; Ai qëndron mes nesh dhe drejtësisë për të plotësuar kërkesat e drejtësisë duke marrë ndëshkimin për ne. Ai ka paguar çmimin për të na shëlbuar ne – për të na çliruar nga ndëshkimi. Në tabelë, ndërmjet shkelësit dhe ndëshkimit vendosni një tablo të Shpëtimtarit (të tillë si figura e titulluar “Zoti Jezu Krisht” [64001]).

Pamja
Offender Us

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Mosian 15:5–7, duke menduar për çmimin që Jezu Krishti pagoi për t’i shëlbyer ata – për të qëndruar ndërmjet tyre dhe kërkesave të drejtësisë.

Shkruajini sa vijon në tabelë:

Ata që zgjedhin të shëlbehen

Ata që refuzojnë të shëlbehen

Mosia 15:11–12

Mosia 16:2–5, 12

Ndajeni klasën në dy pjesë. Kërkojini gjysmës së klasës të shqyrtojë Mosian 15:11–12, duke kërkuar karakteristikat e njerëzve që zgjedhin të shëlbehen. Kërkojini gjysmës tjetër të klasës të shqyrtojë Mosian 16:2–5, 12, duke kërkuar karakteristikat e njerëzve që refuzojnë të shëlbehen. Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme, kërkojini grupit të parë të studentëve të tregojë se çfarë ata kanë gjetur.

  • Sipas Mosias 15:11–12, kush do të shëlbehet nga mëkatet vetjake? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë se Jezu Krishti i plotëson kërkesat e drejtësisë për ata që ua vënë veshin fjalëve të profetëve, besojnë në fuqinë e Tij shëlbuese dhe pendohen për mëkatet e tyre.)

Shpjegoni se çmimi që Shpëtimtari ka paguar është një dhuratë personale për këdo që do të zgjedhë të cilësohet për shëlbimin, duke u penduar dhe duke u përpjekur të mbajë urdhërimet e besëlidhjet e veta të bëra me Zotin.

Për të theksuar natyrën personale të Shlyerjes, ftoni një student të lexojë me zë Mosian 15:10. Pastaj drejtojeni vëmendjen e studentëve te fraza “ai do të shohë farën e tij” në atë varg. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që ta shenjojnë këtë frazë. Shpjegoni se në këtë varg, fjala farë i referohet fëmijëve.

  • Kur kemi mësuar që bëhemi “fëmijë [të] Krishtit”? (Kujtojuni studentëve fjalët e mbretit Beniamin mbi këtë temë, që gjenden te Mosia 5. Shih edhe mësimin 55.)

Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta bëjnë një varg personal Mosian 15:10 duke shkruar emrat e tyre në vend të frazës “farën e tij”. Ftojini që të përsiatin për një çast se çfarë do të thotë kjo për ta.

  • Si e ndikon ky mësim kuptueshmërinë tuaj për Shlyerjen?

Kërkojuni studentëve që lexuan Mosian 16:2–5, 12 të tregojnë se çfarë kanë gjetur rreth atyre që refuzojnë të shëlbehen. Për të theksuar sa i rëndë është refuzimi për t’u shëlbuar, kërkojuni të gjithë studentëve që të lexojnë në heshtje Mosian 16:5.

  • Çfarë ndodh te skica në tabelë nëse shkelësi vazhdon në mëkat dhe nuk pranon të pendohet? (Ndërsa studentët përgjigjen, hiqeni figurën e Jezu Krishtit nga skica. Ju mund të theksoni se për këta persona, “është sikurse të mos ishte bërë shëlbimi”.)

Ftojini studentët të lexojnë Doktrina e Besëlidhje 19:16–17 për të zbuluar se çfarë do t’u ndodhë atyre që refuzojnë të pendohen e të pranojnë shëlbimin e Shpëtimtarit. Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët që të shkruajnë DeB 19:16–17 në shkrimet e tyre të shenjta pranë Mosias 16:5.

Vendoseni përsëri figurën e Shpëtimtarit te vendi i vet në tabelë.

  • Çfarë të vërtetash keni mësuar sot rreth Shëlbuesit tuaj?

Pasi studentët t’i jenë përgjigjur kësaj pyetjeje, shpjegoni se përveçse dha mësim që Shpëtimtari ofrohet të na shëlbejë nga ndëshkimi për mëkatet tona, Abinadi dha mësim se Shpëtimtari na shëlben nga vdekja. Kërkojuni disa studentë që me radhë të lexojnë me zë nga Mosia 16:6–11. Jepni dëshminë tuaj se për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit do të ringjallen. Ju gjithashtu mund të vini në dukje që të drejtët do të ringjallen në një gjendje lumturie.

Ftojini studentët të shkruajnë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e tyre të klasës rreth ndjenjave vetjake për Shëlbuesin e tyre dhe se çfarë do të bëjnë në mënyrë që të jenë në gjendje të marrin shëlbimin që ofron Ai.

Mosia 17

Alma e beson Abinadin dhe dëbohet; Abinadi digjet

Pyetini studentët:

  • A keni parë ndonjëherë ndonjë njeri të qëndrojë për atë që është e drejtë kur qe e vështirë që ta bënin këtë? Çfarë ndodhi?

Pamja
Abinadi Before King Noah

Paraqitni figurën “Abinadi përpara Mbretit Noe” (62042; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 75). Përmblidhni Mosian 17:1–6 duke shpjeguar që kur Abinadi e mbylli mesazhin e tij, një prift i quajtur Alma u përpoq ta bindte mbretin që Abinadi kishte thënë të vërtetën dhe duhej të lirohej. Mbreti e dëboi Almën dhe dërgoi shërbëtorë që ta vrisnin. Alma u fsheh dhe shkroi fjalët e Abinadit. Tri ditë më vonë, mbreti dhe priftërinjtë e tij e dënuan Abinadin me vdekje.

Ndajini studentët dyshe-dyshe. Kërkojuni që të studiojnë me partnerët e tyre fragmentet e shkrimit të shenjtë në vijim: Mosian 17:7–10, që është rreth zgjedhjeve të Abinadit; dhe Mosian 17:11–12, që është rreth zgjedhjeve të mbretit Noe. Kërkojuni që të krahasojnë zgjedhjet e Abinadit me zgjedhjet e mbretit Noe. Gjithashtu kërkojuni që të diskutojnë rreth pyetjeve në vijim: (Ju mund të dëshironi t’i shkruani këto pyetje në tabelë.)

  • Përse mendoni që fjalët e Abinadit ndikuan te mbreti Noe në atë mënyrë? (Shih Mosia 17:11.) Si ndikuan priftërinjtë e mbretit Noe tek ai? (Shih Mosia 17:12–13.)

  • Çfarë mësimesh mund të marrim nga shembulli i Abinadit? (Një përgjigje që mund të japin studentët është që ne mund të jemi të vërtetë ndaj Perëndisë në të gjitha rrethanat.)

Nëse është e mundur, jepuni studentëve një kopje të thënies në vijim nga Presidenti Gordon Hinkli:

Jini të fortë – në qëndresën tuaj për të drejtën. Ne jetojmë në një epokë kompromisi. … Në situatat me të cilat përballemi përditë, ne e dimë se çfarë është e drejtë. … Ne duhet të kultivojmë forcën për të ndjekur bindjet tona” (“Building Your Tabernacle”, Ensign, nëntor 1992, f. 52).

Ju mund të dëshironi t’i ftoni studentët që të shkruajnë Unë do të jem i vërtetë ndaj Perëndisë në të gjitha rrethanat në shkrimet e tyre të shenjta pranë vargjeve te Mosia 17:9–12. Drejtojeni vëmendjen e studentëve te fjalët e fundit të Abinadit, që gjenden te Mosia 17:19 – “O Perëndi, merre shpirtin tim”. Pastaj kërkojini një studenti të lexojë me zë Mosian 17:20.

  • Çfarë ju bën përshtypje rreth fjalëve të fundit të Abinadit?

Kërkojuni studentëve që t’i përgjigjen pyetjes në vijim në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:

  • Çfarë do të bëni ju që të jeni të vërtetë ndaj Perëndisë në të gjitha rrethanat?

Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme, ftoni disa studentë që të tregojnë atë që kanë shkruar. Gjithashtu, pyetni nëse ka studentë që do të donin të tregonin se çfarë do të thotë ungjilli për ta dhe se çfarë kanë bërë në të shkuarën për të qenë të vërtetë ndaj Zotit gjatë kohëve të vështira. Mbylleni me dëshminë tuaj.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mosia 15:9. Drejtësia dhe mëshira

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi rreth realitetit të drejtësisë dhe bekimit të mëshirës:

“Secili nga ne bën gabime në jetë. Ato çojnë në shkelje të ligjeve të përjetshme. Drejtësia është ajo pjesë e planit të Atit Qiellor për lumturinë që mban rregullin në botë. Ajo është si graviteti për një alpinist shkëmbor, gjithnjë e pranishme. Ajo është një mike nëse zbatohen ligjet e përjetshme. Reagon me dëmtimin tuaj nëse injorohet. Drejtësia garanton që ju të merrni bekimet që meritoni për bindje ndaj ligjeve të Perëndisë. Drejtësia kërkon gjithashtu që, për çdo ligj të thyer, të bëhet kompensim. Kur ju u bindeni ligjeve të Perëndisë bekoheni, por nuk ka avantazhe të fituara që mund të përdoren për të kompensuar ligjet që shkelni. Nëse nuk zgjidhet, ligjet e thyera mund të bëjnë që jeta tuaj të bëhet e mjeruar dhe t’ju pengojnë që të ktheheni tek Perëndia. Vetëm jeta, mësimet dhe veçanërisht Shlyerja e Jezu Krishtit mund t’ju çlirojnë nga kjo situatë e vështirë, që pa to do të ishte e pamundur.

Kërkesat e drejtësisë për ligjet e thyera mund të kënaqen nëpërmjet mëshirës, të arritur nëpërmjet pendesës dhe bindjes tuaj të vazhdueshme ndaj ligjeve të Perëndisë. Një pendesë dhe bindje e tillë janë absolutisht thelbësore për Shlyerjen që ajo të realizojë mrekullinë e saj të plotë në jetën tuaj. Shëlbuesi mund ta vendosë përgjegjësinë tuaj vetjake me drejtësi dhe t’ju falë me zemërgjerësi në rrugën tuaj të pendesës. Nëpërmjet Shlyerjes ju mund të jetoni në një botë ku drejtësia siguron që ju do të ruani atë që keni arritur nëpërmjet bindjes. Nëpërmjet mëshirës së Tij ju mund të korrigjoni pasojat e ligjeve të shkelura” (“The Atonement Can Secure Your Peace and Happiness”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 41–42; Konferenca e Përgjithshme Tetor 2006 [nr. i artikullit 01637 101], “Shlyerja Mund të Sigurojë Paqen dhe Lumturinë Tuaj”, f. 58-59).