Biblioteka
Mësimi 65: Mosia 25


Mësimi 65

Mosia 25

Hyrje

Mosia 25 jep një mbyllje të rrëfimit të popullit të Zenifit (shih Mosia 7–24). Populli i Limhit dhe pasuesit e Almës u kthyen në Zarahemla dhe u bashkuan të sigurt nën sundimin e mbretit Mosia. Pasi këto grupe mbërritën, Limhi dhe populli i tij u pagëzuan. Mbreti Mosia i dha Almës autoritet për të themeluar kisha kudo në vend dhe për të rregulluar punët e Kishës së Perëndisë mes popullit të Nefit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mosia 25:1–13

Njerëzit e mbledhur në Zarahemla bashkohen dhe fillojnë të njihen si nefitë

Ftojini studentët të mendojnë për rrëfimet që kanë lexuar ose dëgjuar të cilat ilustrojnë mënyrën se si Zoti e ka ndihmuar një person duke i dhënë udhëzim, forcë, mbrojtje apo çlirim. Ju mund të sugjeroni që të mendojnë për rrëfime në shkrimet e shenjta, historinë e Kishës ose jetën e anëtarëve të familjes apo miqve. Si shembull, tregoni historinë në vijim të treguar nga një e re e cila po endej përpara grupit të saj dhe zbriti teposhtë një kodre gjatë një aktiviteti në natyrë të lagjes:

“Një zë paralajmërues, i prerë por prapëseprapë i qetë, tha: ‘Kthehu’. Unë pothuaj nuk e mora parasysh, por ai erdhi përsëri. Këtë herë e dëgjova dhe u ktheva te grupi. Ndërsa filluam për poshtë, pamë dy dema të zinj vigan që po ecnin shpejt dhe me zemërim përpjetë kodrës. Më i madhi filloi të godiste tokën me thundrat kur na pa. … Udhëheqësi ynë i priftërisë e hutoi dhe ne qemë në gjendje të kalonim përtej një gardhi në vend të sigurt.

Kur hymë sërish në kamp, unë kuptova se nëse nuk do ta kisha dëgjuar paralajmërimin nga Shpirti, unë mund të isha plagosur rëndë ose madje vrarë. E dija se Ati Qiellor kujdesej për mua personalisht dhe më kishte ruajtur. I jam kaq mirënjohëse Zotit për atë paralajmërim. Kjo përvojë e forcoi dëshminë time dhe më dha një dashuri më të madhe për Zotin” (“Turn Back”, New Era, nëntor 2010, f. 47).

Ftoni një apo dy studentë që të tregojnë një histori për të cilën menduan që ilustron mirësinë dhe fuqinë e Perëndisë në jetën e dikujt tjetër. Pyeteni klasën:

  • Si ju ndihmon dëgjimi i shembujve të mirësisë dhe të fuqisë së Perëndisë në jetën e të tjerëve?

Përmblidhni Mosian 25:1–6 duke shpjeguar që pasi populli i Limhit dhe populli i Almës (të cilët të gjithë ishin pasardhës të popullit të Zenifit) shpëtuan nga robëria dhe u bashkuan me popullin që jetonte në Zarahemla, mbreti Mosia ua lexoi analet e tyre të gjithë njerëzve. Vërini studentët të lexojnë në heshtje Mosian 25:7, duke kërkuar për përgjigjen e përgjithshme të njerëzve ndaj rrëfimeve të marrëdhënieve të Perëndisë me popullin e Zenifit. Ftojeni një student të tregojë se çfarë ka gjetur.

Kopjojeni në tabelë pasqyrën përmbledhëse në vijim. Shpjegoni se te Mosia 25:8–11, ne mësojmë më shumë rreth mënyrës se si iu përgjigj populli rrëfimeve të populli të Zenifit dhe të Almës. Vërini studentët që të kërkojnë në referencat e shkrimeve të shenjta lidhur me çfarë dëgjoi populli dhe se si u ndien rreth asaj që dëgjuan. Përgjigjet për referencën e parë janë dhënë në kllapa si shembull.

Çfarë dëgjoi populli

Si u ndie populli

Mosia 25:8

(Ata dëgjuan se si populli i Limhit u çlirua nga robëria.)

(Kjo i mbushi ata me gëzim të madh.)

Mosia 25:9

Mosia 25:10

Mosia 25:11

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të studiuar referencat e shkrimit të shenjtë, ftoni disa prej tyre që të shkruajnë në tabelë atë që kanë zbuluar. Kërkojuni studentëve që të përmbledhin atë që kanë mësuar nga Mosia 25:8–11 duke thënë parime nga ky fragment që mund t’i zbatojnë te vetja. Ndërsa studentët përgjigjen, ndihmojini që të dallojnë se duke studiuar analet e marrëdhënieve të Perëndisë me të tjerët, ne mund të ndiejmë gëzim dhe mirënjohje për mirësinë e Perëndisë. (Ndërsa studentët i lexojnë këto vargje, ata gjithashtu mund të vënë re brengën dhe humbjen që vijnë si pasojë e mëkatit.)

  • Te çfarë burimi mund të kthehemi për të mësuar për përvojat e të tjerëve me mirësinë e Perëndisë? (Shkruani përgjigjet e studentëve në tabelë. Ato mund të përfshijnë shkrimet e shenjta, fjalime të konferencave të përgjithshme, revista të Kishës, biografi të udhëheqësve të Kishës dhe të të tjerëve, dhe histori familjare.)

Ftojini studentët të mendojnë për rastet kur kanë mësuar për mirësinë e Perëndisë ndaj të tjerëve nga burimet e renditura në tabelë.

  • Si keni përfituar nga të mësuarit për mirësinë e Perëndisë ndaj të tjerëve nga një prej këtyre burimeve?

  • Cili mendoni se mund të jetë ndikimi afatgjatë mbi dikë që mëson rregullisht për mirësinë e Perëndisë në marrëdhëniet e Tij me të tjerët?

Nxitini studentët që të kalojnë kohë veç e veç për të zgjedhur një prej burimeve të renditura në tabelë dhe të kërkojnë histori frymëzuese për mirësinë e Perëndisë.

Mosia 25:14–24

Alma themelon Kishën e Perëndisë kudo në tokën e nefitëve

Për t’i përgatitur studentët që të studiojnë organizimin dhe mësimet e Kishës mes nefitëve, pyetni:

  • Kur keni marrë pjesë në një lagje apo degë të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme që nuk ishte lagja apo dega juaj ku banoni? Çfarë ngjashmërish vutë re mes lagjes apo degës suaj ku banoni dhe asaj që vizituat?

  • Në çfarë mënyre është e dobishme të kuptosh që organizimi dhe mësimet e Kishës janë të njëjta në çdo lagje apo degë të Kishës?

Përmblidhni Mosian 25:14–17 duke shpjeguar se pasi Mosia u foli dhe u lexoi njerëzve, ai e ftoi Almën që t’i mësonte ata. Pastaj mbreti Limhi dhe populli i tij kërkuan pagëzimin. Alma i pagëzoi dhe filloi të organizonte Kishën kudo në vend.

Ftoni disa studentë të lexojnë me radhë me zë nga Mosia 25:18–22. Kërkojini klasës që të shikojë se si u organizua dhe u drejtua Kisha mes nefitëve në kohën e Almës. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se organizimi i Kishës siguron që të gjithë anëtarët të marrin të vërtetën, bëni pyetje si këto në vijim:

  • Si ngjan Kisha mes nefitëve me Kishën sot? (Ne kemi lagje dhe degë që janë si “grupe[t] [e] ndryshme” të përmendura te Mosia 25:21. Presidentët e degëve, peshkopët dhe presidentët e kunjeve janë si priftërinjtë dhe mësuesit që drejtonin Kishën në kohën e Almës.)

  • Sipas Mosias 25:15–16, 22, çfarë të vërtetash theksuan priftërinjtë dhe mësuesit e Kishës në kohën e Mosias? (Ju mund të dëshironi të vini në dukje se Zoti i ka dhënë udhëzime të ngjashme prindërve, udhëheqësve të Kishës dhe misionarëve në ditët e mëvonshme. [Shih DeB 15:6; 19:31; 68:25.])

  • Përse është e rëndësishme që të jepet vazhdimisht mësim për pendimin dhe besimin në Perëndi?

Kërkojuni studentëve që të lexojnë Mosian 25:23–24, duke parë për fraza që përshkruajnë bekimet e marra nga ata që u bashkuan me Kishën e Perëndisë.

  • Si u bekuan njerëzit për shkak se u pagëzuan dhe u bashkuan me Kishën e Perëndisë?

  • Në çfarë mënyrash ju ka bekuar Zoti përmes anëtarësisë suaj në Kishë?

Shkruajeni parimin në vijim në tabelë: Ndërsa marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe jetojmë në përputhje me të, Zoti do të derdhë Shpirtin e Tij mbi ne.

Dëshmojuni studentëve se bekimet që kanë përjetuar si anëtarë të Kishës mund të rriten ndërsa mbajnë besëlidhjet e tyre dhe marrin Shpirtin.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mosia 25:17–22. Autoriteti i priftërisë mes nefitëve

Libri i Mormonit nuk jep hollësi të veçanta rreth priftërisë së mbajtur nga profetët dhe vëllezërit e tjerë mes nefitëve dhe lamanitëve. Megjithatë, përmendja e ordinancave dhe e mënyrës sipas së cilës u drejtua Kisha, sigurojnë të dhëna të mjaftueshme që ata mbanin Priftërinë Melkizedeke. Presidenti Jozef Filding Smith dha mësim se “priftëria që mbanin [nefitët] dhe nën të cilën vepronin, qe Priftëria sipas urdhrit të shenjtë, urdhrit të Birit të Perëndisë [shih Alma 13:1–20]. Kjo priftëri më e lartë mund kryesojë në çdo ordinancë të ungjillit” (Doctrines of Salvation, red. Bruce McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 3:87).

Për të dhëna shtesë rreth autoritetit të priftërisë në Librin e Mormonit, shih Komente dhe Informacion për Rrethanat te Mosia 18.