Biblioteka
Mësimi 59: Mosia 12:18–14:12


Mësimi 59

Mosia 12:18–14:22

Hyrje

Kur mbreti Noe dhe priftërinjtë e tij e morën në pyetje Abinadin, profeti i qortoi se nuk i jepnin mësim urdhërimet, as nuk i zbatonin ato. Mbreti Noe i urdhëroi priftërinjtë e tij ta vrisnin Abinadin, por Perëndia e mbrojti Abinadin dhe i dha fuqi të vazhdonte me mesazhin e tij. Duke cituar Isaian, Abinadi dëshmoi për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mosia 12:18–13:26

Abinadi e qorton mbretin Noe dhe priftërinjtë e tij që refuzojnë t’u binden e t’i japin mësim urdhërimet

Për të filluar këtë mësim, shkruajini thëniet vijuese në tabelë:

UNË E DI se çfarë do të thotë të jetosh ungjillin e Jezu Krishtit.

UNË E JETOJ ungjillin e Jezu Krishtit.

Kërkojuni studentëve që në heshtje të gjykojnë se sa mirë këto thënie i përshkruajnë ata [personalisht], duke përdorur një shkallë nga 1 në 10 (10-ta do të thotë që thënia i përshkruan ata shumë mirë).

  • Përse mendoni se është e rëndësishme që të mund t’i thuash sinqerisht të dyja këto thënie?

Shpjegoni se ndërsa studentët diskutojnë rreth fjalëve të Abinadit, ata do të mësojnë më shumë rreth rëndësisë së njohjes dhe të jetuarit të ungjillit. Kujtojini se në mësimin e mëparshëm, ata diskutuan mbi rrëfimin për mbretin Noe dhe priftërinjtë e tij, që e futën në burg Abinadin për shkak të profecive të tij kundër tyre (shih Mosia 12:1–17). Përmblidhni Mosian 12:18–24 duke shpjeguar që Abinadi më vonë u soll përpara mbretit Noe dhe priftërinjve të tij. Priftërinjtë e morën në pyetje, duke u përpjekur ta ngatërronin që të thoshte diçka që mund ta përdornin kundër tij. Pastaj, njëri prej tyre i kërkoi që të shpjegonte një fragment të shkrimit të shenjtë.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mosian 12:25–30, duke kërkuar arsyet për të cilat Abinadi e qortoi Noeun dhe priftërinjtë e tij. Pasi studentët të tregojnë se çfarë kanë gjetur, pyetini:

  • Abinadi tha se Noeu dhe priftërinjtë e tij i kishin përdhosur udhët e Zotit (shih Mosia 12:26). Me fjalë të tjera, ata i kishin prishur gjërat e shenjta dhe ishin larguar nga udha e drejtë për të jetuar. Në çfarë mënyrash qenë Noeu dhe priftërinjtë e tij fajtorë për përdhosjen e udhëve të Zotit?

Për t’i ndihmuar studentët që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të dëshironi të vini në dukje që priftërinjtë pretendonin se shpëtimi vinte nga ligji i Moisiut (shih Mosia 12:32). Megjithatë, ata nuk i zbatonin Dhjetë Urdhërimet, të cilat qenë pjesë e atij ligji, dhe ata nuk i mësonin njerëzit që t’i zbatonin urdhërimet (shih Mosia 11:1–15; 12:27–29, 37; 13:25–26).

Tregoni me gisht te thëniet në tabelë.

  • Në një shkallë nga 1 në 10, si mendoni, sa mirë e përshkruan secila thënie Noeun dhe priftërinjtë e tij?

Ftojeni një student të lexojë me zë Mosian 12:31–33. Kërkojini klasës të gjejë parimin që Abinadi i mësoi Noeut dhe priftërinjve të tij. (Ai dha mësim që në qoftë se i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë, ne do të shpëtohemi.)

Tregoni shembujt vijues të dhënë nga Plaku F. vin Hamond, i Të Shtatëdhjetëve. Nxitini studentët të dëgjojnë rëndësinë si të njohjes edhe të zbatimit të urdhërimeve.

“Shumë vite më parë, një misionar i kthyer u ngrit me guxim në një mbledhje sakramenti dhe shpalli me forcë se e dinte nga studimi vetjak i shkrimeve të shenjta se ungjilli ishte i vërtetë dhe se do të jepte jetën për Zotin dhe Kishën e Tij. Dy javë më vonë, ai u ndodh para peshkopit të lagjes së tij studentore [universitare], i turpëruar dhe i frikësuar, ndërsa rrëfeu që në një çast dobësie ai kishte humbur dëlirësinë e tij. Në një farë mënyre, përkushtimi i tij i shpallur ndaj Shpëtimtarit ishte harruar në vorbullën e pasionit të tij. Megjithëse studiues i fjalës së Perëndisë, ai nuk e kishte lidhur studimin e tij me zbatimin praktik në jetën e përditshme, me këmbë në tokë, si të Krishtit.

Një vajzë e bukur i plotësoi të gjitha kërkesat për të arritur Njohjen e së Resë. Qëllimet e saj vetjake qenë shkruar me maturi dhe qenë vendosur me kujdes në librin e saj të kujtimeve. E paepur, ajo shkroi që do të dilte në takime vetëm me të rinj të denjë dhe se do të gjente atë të ri të veçantë që do të martohej me të në tempull. Kur ishte tetëmbëdhjetë vjeçe, qëllimet e saj u harruan; ajo u arratis pa lejen e prindërve me një djalë që nuk ishte anëtar i Kishës. Shumë lot u derdhën nga ata që e donin më fort – prindërit, mësuesit dhe miqtë e saj. Ajo kishte rënë në zbrazëtinë e tmerrshme të mos lidhjes së kërkesave të ligjit me realitetin e dishepullimit të vërtetë” (“Eliminating the Void between Information and Application”, transmetim satelitor i trajnimit të SAK-ut, gusht 2003, f. 17, si.lds.org).

  • Përse nuk është e mjaftueshme njohja e urdhërimeve për të na cilësuar për shpëtim?

Pamja
Abinadi before King Noah

Paraqitni figurën “Abinadi përpara Mbretit Noe” (62042; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 75). Kërkojuni studentëve të përshkruajnë se çfarë po ndodh në figurë. (Mbreti ka urdhëruar që Abinadi të vritet. Zoti po e mbron Abinadin.) Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë rrëfim, merrni parasysh të vini tre studentë që të ngrihen dhe të interpretojnë në një lexim aktrimi. Një student do të luajë tregimtarin. Studenti i dytë do të lexojë fjalët e mbretit Noe. Studenti i tretë do të lexojë fjalët e Abinadit. Së pari, kërkojini tregimtarit dhe studentit që luan rolin e Noeut të lexojnë pjesët e tyre te Mosia 13:1–2. Pastaj vini studentin që luan rolin e Abinadit të përgjigjet me vargjet te Mosia 13:3–4. Pastaj tregimtari do të lexojë Mosian 13:5–6. Pastaj studenti që luan rolin e Abinadit do të përfundojë me Mosian 13:7–11.

Drejtojeni vëmendjen e studentëve te Mosia 13:11.

  • Çfarë mendoni se do të thotë t’i kemi urdhërimet të shkruara në zemrat tona? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se që t’i kemi urdhërimet të shkruara në zemrat tona, ne duhet ta njohim dhe ta jetojmë ungjillin.)

Vini në dukje se përpara se Noeu të përpiqej ta dënonte Abinadin me vdekje, Abinadi kishte filluar t’u përsëriste një fragment të shkrimit të shenjtë që ndoshta qe i njohur për mbretin dhe priftërinjtë e tij dhe që qe provë e ligësisë së tyre. Vëreni klasën të lexojë në heshtje Mosian 12:34–36 për të parë nëse shkrimi i shenjtë që Abinadi i lexoi Noeut dhe priftërinjve të tij duket i njohur. Ndihmojini të kuptojnë që Abinadi kishte filluar të thoshte Dhjetë Urdhërimet.

Vizatoni në tabelë dy pllaka të mëdha guri bosh. Ftojeni një student të shkruajë një nga Dhjetë Urdhërimet në një nga këto pllaka. Kërkojini studentit t’ia kalojë shkumësin një studenti tjetër për të shkruar një tjetër nga Dhjetë Urdhërimet. Përsëriteni këtë proces derisa studentët t’i kenë renditur të gjitha urdhërimet që mund të kujtojnë. Ftojini që t’i kontrollojnë përgjigjet e tyre me Mosian 12:34–36 dhe 13:12–24. Ju mund të dëshironi t’i nxitni që t’i shenjojnë Dhjetë Urdhërimet te këto vargje dhe te Eksodi 20:3–17 (një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë).

Pamja
pllaka guri bosh

Thoni thënien në vijim nga Presidenti Gordon Hinkli:

“Dhjetë Urdhërime[t] [u] shkruan nga gishti i Jehovait në pllakat prej guri për shpëtimin dhe sigurinë, për mbrojtjen dhe lumturinë e fëmijëve të Izraelit dhe për të gjithë brezat që do të vinin pas tyre” (“Our Solemn Responsibilities”, Ensign, nëntor 1991, f. 51).

Nxitini studentët të përsëritin Dhjetë Urdhërimet dhe në heshtje të gjykojnë përpjekjet e tyre vetjake për t’i mbajtur ato.

Mosia 13:27–14:12

Abinadi jep mësim për shpëtimin nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit

Shkruani sa vijon në tabelë (ju mund të dëshironi ta shkruani këtë përpara se të fillojë ora mësimore). Kërkojuni studentëve të mendojnë se çfarë mund të shkruhet te vendi bosh.

“Pas gjithë bindjes dhe veprave tona të mira, ne nuk mund të shpëtohemi nga vdekja apo pasojat e mëkateve tona vetjake pa …”

Lexoni me zë thënien në vijim nga Plaku Dallin Ouks:

“Pas gjithë bindjes dhe veprave tona të mira, ne nuk mund të shpëtohemi nga vdekja apo pasojat e mëkateve tona vetjake pa hirin e ofruar nga shlyerja e Jezu Krishtit. Libri i Mormonit e bën të qartë këtë. Ai jep mësim se ‘shpëtimi nuk vjen vetëm nëpërmjet ligjit’ (Mosia 13:28). Me fjalë të tjera, shpëtimi nuk vjen thjesht nga zbatimi i urdhërimeve. … Edhe ata që përpiqen t’i binden e t’i shërbejnë Perëndisë me të gjithë zemrën, fuqinë, mendjen e forcën e tyre, janë ‘shërbëtorë të padobishëm’ (Mosia 2:21). Njeriu nuk mund ta fitojë vetë shpëtimin vetjak” (“Another Testament of Jesus Christ”, Ensign, mars 1994, f. 67).

Plotësojeni thënien në tabelë duke shkruar hirin e ofruar nga shlyerja e Jezu Krishtit. Pastaj kërkojuni disa studentëve që me radhë të lexojnë me zë nga Mosia 13:28, 32–35. Kërkojini klasës të shikojë për fjalë dhe fraza që lidhen me thënien e Plakut Ouks. Ftoni disa studentë të tregojnë se çfarë kanë zbuluar. (Përgjigje të mundshme përfshijnë “shlyerjen”, “shëlbimi[n] [e] Perëndisë”, “ardhjen e Mesias” dhe premtimin se “Perëndia vetë do të vinte poshtë mes fëmijëve të njerëzve”.)

Shpjegoni se pohimet e Abinadit rreth “ligjit” te Mosia 13:28 dhe 32 i referohen ligjit të Moisiut, i cili përfshinte një grup të rreptë urdhërimesh që përfshinin flijimet, festat fetare dhe kryerje të tjera. Ligji qe dhënë për t’i ndihmuar izraelitët ta kujtonin Perëndinë dhe të shikonin me shpresë nga Shlyerja e Jezu Krishtit. Me kohë, shumë izraelitë nuk arritën ta kuptonin rolin e Jezu Krishtit si Shpëtimtari i tyre, duke menduar se mund të shpëtoheshin thjesht përmes bindjes ndaj ligjit të Moisiut.

  • Abinadi dëshmoi se asnjë nuk mund të shpëtohet përveçse nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit (shih Mosia 13:28, 32). Përse është e rëndësishme për ne që ta kuptojmë këtë të vërtetë?

Shpjegoni se ndërsa Abinadi iu foli Noeut dhe priftërinjve, ai citoi disa nga profecitë e Isaias për Jezu Krishtin. Ftojini studentët që të lexojnë në heshtje Mosian 14:3–12. Kërkojuni që të kërkojnë fjalë ose fraza që përshkruajnë se çfarë ka bërë Shpëtimtari për të bërë të mundur shpëtimin e tyre.

Pasi studentët t’i kenë studiuar këto vargje për disa minuta, kërkojuni që të tregojnë se çfarë kanë zbuluar. Ju mund të merrni parasysh t’i shkruani përgjigjet e tyre në tabelë. Për t’i ndihmuar studentët që të mendojnë rreth hidhërimit dhe dhembjes që mbarti Shpëtimtari për ta dhe për t’i ndihmuar që të mendojnë rreth vuajtjes së Tij për mëkatet e tyre, lexojuni atyre thëniet vijuese. Ftojini që t’i plotësojnë këto thënie në mendjet e tyre:

Jezu Krishti ka mbartur dhembjet e mia, të tilla si …

Jezu Krishti u lëndua dhe u godit për shkeljet e mia, të tilla si …

Pyetini studentët se çfarë do të thotë për ta thënia në vijim: “Me vurratat e tij, ne u shëruam” (Mosia 14:5). Mund t’ju duhet të shpjegoni që fjala vurrata i referohet në mënyrë specifike plagëve që mbetën në trupin e Shpëtimtarit kur u fshikullua apo u godit me kamxhik (shih Gjoni 19:1). Përgjithësisht, kjo fjalë i referohet të gjithë vuajtjes së Tij.

Pasi studentët të kenë ndarë ndjenjat e tyre rreth kësaj thënieje, dëshmoni se përmes vuajtjes së Shpëtimtarit dhe vetë përpjekjeve tona për të mbajtur urdhërimet, ne mund të marrim paqe dhe falje në këtë jetë dhe shpëtim në jetën që do të vijë (shih DeB 59:23; Nenet e Besimit 1:3). Ftojini studentët të tregojnë dashurinë dhe vlerësimin e tyre për Shpëtimtarin duke mbajtur urdhërimet.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mosia 13:34. “Perëndia vetë do të vinte poshtë”

Termi Perëndia përgjithësisht i referohet Atit tonë Qiellor, por te Mosia 13:34 i referohet Jezu Krishtit. Shenjtorët e kohës së Dhiatës së Vjetër e njihnin Jezu Krishtin si Jehovën dhe si Perëndinë e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Plaku Xhejms Talmeixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se shkrimet e shenjta na ndihmojnë të kuptojmë hyjninë e Jezu Krishtit dhe rolin e Tij si Perëndi:

“Ne pretendojmë autoritet nga shkrimet e shenjta për pohimin se Jezu Krishti ishte dhe është Perëndia Krijuesi, Perëndia që iu shfaq Adamit, Enokut dhe të gjithë patriarkëve e profetëve përpara përmbytjes së madhe deri te Noeu; Perëndia i Abrahamit, Isakut dhe Jakobit; Perëndia i Izraelit si një popull i bashkuar dhe Perëndia i Efraimit e Judesë pas përçarjes së kombit hebre; Perëndia që ia bëri Veten të njohur profetëve nga Moisiu deri te Malakia; Perëndia i analit të Dhiatës së Vjetër; dhe Perëndia i nefitëve. Ne pohojmë se Jezu Krishti ishte dhe është Jehova, i Amshuari” (Jesus the Christ, bot. i 3-të [1916], f. 32).

Mosia 13:27–35. Ligji i Moisiut dhe Jezu Krishti

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se si ligji i Moisiut lidhet me ungjillin e Jezu Krishtit:

“Lexuesi bashkëkohor nuk duhet ta shikojë kodin e Moisiut – në kohët e lashta ose të sotme – thjesht sinjë strukturë të lodhshme ritualesh fetare që ndiqeshin plot nënshtrim (dhe ndonjëherë me forcë) nga një popull kokëfortë që nuk e pranoi Krishtin dhe ungjillin e Tij. Kjo besëlidhje historike, dhënë nga dora e vetë Perëndisë dhe e dyta në radhë pas plotësisë së ungjillit si një udhë që printe drejt drejtësisë, përkundrazi, duhet parë si koleksioni i pakrahasueshëm i modeleve, shembujve të fshehur, simboleve dhe shëmbëlltyrave të Krishtit siç në fakt është. Për atë arsye qe dikur (dhe ende është, në thelbin dhe pastërtinë e tij) një udhërrëfyes drejt shpirtshmërisë, një portë për te Krishti, një shteg i bindjes së rreptë ndaj urdhërimeve që, përmes ligjeve të detyrës dhe të mirësjelljes, do të çonte drejt ligjeve më larta të shenjtërisë, në udhën për te pavdekshmëria dhe jeta e përjetshme.

… Është kritike të kuptohet që ligjit i Moisiut u vesh me, dhe si rrjedhim përfshiu, shumë pjesë bazë të ungjillit të Jezu Krishtit, që kishin ekzistuar përpara tij. Kurrë nuk pati qëllim të ishte diçka e veçuar ose e ndarë nga ungjilli i Jezu Krishtit, dhe sigurisht jo diçka në antagonizëm me të. … Qëllimi i tij kurrë nuk qe i ndryshëm nga ligji më i lartë. Që të dy kishin qëllim të sillnin njerëzit te Krishti” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 136–137, 147; shih edhe 2 Nefi 11:4; Mosia 16:14–15).

Mosia 14:5. Shërimi përmes Shlyerjes

Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi për shërimin që mund të marrim për shkak të vuajtjes së Shpëtimtarit gjatë Shlyerjes së Tij:

“Çfarë paqeje, çfarë ngushëllimi është kjo dhuratë e mrekullueshme që vjen përmes hirit të dashur të Jezu Krishtit, Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit të të gjithë njerëzimit! …

… Ndonëse jeta e Tij qe e pastër dhe e pamëkatë, Ai pagoi çmimin përfundimtar për mëkatin – tuaj, tim dhe të kujtdo që ka jetuar ndonjëherë. Vuajtja e Tij mendore, emocionale dhe shpirtërore qe kaq e madhe sa bënë që Atij t’i rridhte gjak nga çdo por (shih Lluka 22:44; DeB 19:18). Dhe përsëri Jezusi vuajti me gatishmëri në mënyrë që ne të gjithë të mund të kemi mundësinë të pastrohemi tërësisht – duke pasur besim tek Ai, duke u penduar për mëkatet tona, duke u pagëzuar nga autoriteti i duhur i priftërisë, duke marrë dhuratën pastruese të Frymës së Shenjtë përmes konfirmimit dhe duke pranuar të gjitha ordinancat e tjera thelbësore. Pa Shlyerjen e Zotit, asnjë nga këto bekime nuk do të ishte i disponueshëm për ne, dhe ne nuk do të bëheshim të denjë dhe të përgatitur për t’u kthyer për të jetuar në prani të Perëndisë” (“The Atonement and the Value of One Soul”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 84–85).