Biblioteka
Doktrinat Bazë


Doktrinat Bazë

Doktrinat Bazë duhet të vihen në dukje gjatë orëve mësimore si të seminarit dhe të institutit. Mësuesit duhet t’i ndihmojnë studentët që t’i dallojnë, kuptojnë, besojnë, shpjegojnë dhe zbatojnë këto doktrina të ungjillit. Të vepruarit në këtë mënyrë do t’i ndihmojë studentët që të forcojnë dëshmitë e tyre dhe të rritin vlerësimin e tyre për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Studimi i këtyre doktrinave gjithashtu do t’i ndihmojë studentët të përgatiten më mirë për t’ua mësuar të tjerëve këto të vërteta të rëndësishme.

100 fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë të përzgjedhura nga Seminaret dhe Institutet e Fesë u zgjodhën për të mbështetur të kuptuarin e Doktrinave Bazë nga studentët. Shumica e referencave të shkrimit të shenjtë të renditura më poshtë i përkasin fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ato janë përfshirë për të treguar se si lidhen me Doktrinat Bazë.

1. Kreu-Perëndi

Në Kreun-Perëndi ka tri personazhe të ndara: Perëndia, Ati i Përjetshëm; Biri i Tij, Jezu Krishti, dhe Fryma e Shenjtë (shih Joseph Smith—Historia 1:15–20). Ati dhe Biri kanë trupa të prekshëm prej mishi e kockash, dhe Fryma e Shenjtë është një personazh i shpirtit (shih DeB 130:22–23). Ata janë të bashkuar në qëllim dhe doktrinë. Ata janë përsosmërisht të bashkuar që të bëjnë të ndodhë plani hyjnor i shpëtimit i Atit Qiellor.

Perëndia, Ati

Perëndia, Ati, është Sunduesi më i Lartë i universit. Ai është Ati i shpirtrave tanë (shih Hebrenjve 12:9). Ai është i përsosur, ka gjithë fuqinë dhe i di të gjitha gjërat. Ai gjithashtu është një Perëndi i mëshirës, shpirtshmërisë dhe dashurisë hyjnore të përkryer.

Jezu Krishti

Jezu Krishti është i Parëlinduri i Atit në shpirt dhe është i Vetëmlinduri i Atit në mish. Ai është Jehovai i Dhiatës së Vjetër dhe Mesia i Dhiatës së Re.

Jezu Krishti jetoi një jetë pa mëkat dhe kreu një Shlyerje të përkryer për mëkatet e të gjithë njerëzimit (shih Alma 7:11–13). Jeta e Tij është shembulli i përsosur se si duhet të jetojë i gjithë njerëzimi (shih Gjoni 14:6; 3 Nefi 12:48). Ai ishte personi i parë në këtë tokë që u ringjall (shih 1 Korintasve 15:20–22). Ai do të vijë sërish në fuqi e lavdi dhe do të mbretërojë në tokë gjatë Mijëvjeçarit.

Të gjitha lutjet, bekimet dhe ordinancat e priftërisë duhet të bëhen në emrin e Jezu Krishtit (shih 3 Nefi 18:15, 20–21).

Referenca përkatëse: Helamani 5:12; DeB 19:23; DeB 76:22–24

Fryma e Shenjtë

Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi. Ai është një personazh i shpirtit pa një trup prej mishi e kockash. Atë shpesh e quajnë Shpirti, Shpirti i Shenjtë, Shpirti i Perëndisë, Shpirti i Zotit dhe Ngushëlluesi.

Fryma e Shenjtë sjell dëshmi për Atin dhe Birin, zbulon të vërtetën e të gjitha gjërave dhe shenjtëron ata që pendohen dhe pagëzohen (shih Moroni 10:4–5).

Referenca përkatëse: Galatasve 5:22–23; DeB 8:2–3

2. Plani i Shpëtimit

Në ekzistencën para lindjes, Ati Qiellor paraqiti një plan për të na krijuar mundësinë të bëhemi si Ai dhe për të marrë pavdekësinë dhe jetën e përjetshme (shih Moisiu 1:39). Këtë plan shkrimet e shenjta e quajnë plani i shpëtimit, plani i madh i lumturisë, plani i shëlbimit dhe plani i mëshirës.

Plani i shpëtimit përfshin Krijimin, Rënien, Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe të gjitha ligjet, ordinancat dhe doktrinat e ungjillit. Liria morale e zgjedhjes – aftësia për të zgjedhur dhe vepruar për veten – është gjithashtu thelbësore në planin e Atit Qiellor (shih 2 Nefi 2:27). Për shkak të këtij plani, ne mund të përsosemi përmes Shlyerjes, mund të marrim plotësi të gëzimit dhe mund të jetojmë përgjithmonë në praninë e Perëndisë (shih 3 Nefi 12:48). Marrëdhëniet tona familjare mund të zgjasin gjatë gjithë përjetësive.

Referenca përkatëse: Gjoni 17:3; DeB 58:27

Jeta Para Lindjes

Përpara se të lindeshim në tokë, ne jetuam në praninë e Atit tonë Qiellor si fëmijët e Tij shpirtërorë (shih Abraham 3:22–23). Në këtë ekzistencë para lindjes, ne morëm pjesë në një këshill me fëmijë të tjerë shpirtërore të Atit Qiellor. Gjatë atij këshilli, Ati Qiellor paraqiti planin e tij dhe Jezu Krishti paratokësor besëlidhi se do të ishte Shpëtimtari.

Ne e përdorëm lirinë tonë të zgjedhjes për të ndjekur planin e Atit Qiellor. Ne u përgatitëm për të ardhur në tokë, ku do të mund të vazhdonim të përparonim.

Ata që ndoqën Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, u lejuan të vijnë në tokë për të përjetuar vdekshmërinë dhe përparimin drejt jetës së përjetshme. Luciferi, një bir tjetër shpirtëror i Perëndisë, u ngrit kundër planit. Ai u bë Satani dhe ai dhe pasuesit e tij u dëbuan nga qielli dhe iu mohuan privilegjet e marrjes së një trupi fizik dhe të përjetimit të jetës në vdekshmëri.

Referencë përkatëse: Jeremia 1:4–5

Krijimi

Jezu Krishti krijoi qiejt dhe tokën nën drejtimin e Atit. Toka nuk u krijua nga hiçi; ajo u organizua nga materiet ekzistuese. Jezu Krishti ka krijuar botë të panumërta (shih DeB 76:22–24).

Krijimi i tokës qe thelbësor për planin e Perëndisë. Ajo siguroi një vend ku ne mund të merrnim një trup fizik, të viheshim në provë e të sprovoheshim dhe të zhvillonim tipare hyjnore.

Ne duhet t’i përdorim burimet e tokës me urtësi, gjykim dhe falënderim (shih DeB 78:19).

Adami qe njeriu i parë i krijuar në tokë. Perëndia e krijoi Adamin dhe Evën sipas shëmbëlltyrës së Vet. Të gjitha qeniet njerëzore – meshkuj dhe femra – janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë (shih Zanafilla 1:26–27).

Rënia

Në Kopshtin e Edenit, Perëndia e urdhëroi Adamin dhe Evën që të mos merrnin nga fruta e pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes; pasoja e këtij veprimi do të ishte vdekja shpirtërore dhe fizike. Vdekja shpirtërore është ndarja nga Perëndia. Vdekja fizike është ndarja e shpirtit nga trupi i vdekshëm. Për shkak se Adami dhe Eva e shkelën urdhrin e Perëndisë, ata u dëbuan nga prania e Tij dhe u bënë të vdekshëm. Shkelja e Adamit dhe e Evës dhe ndryshimet pasuese që ata përjetuan, përfshirë vdekjen shpirtërore dhe fizike, janë quajtur Rënia.

Si rezultat i Rënies, Adami dhe Eva, dhe pasardhësit e tyre mund të përjetojnë gëzim dhe dëshpërim, të njohin të mirën dhe të keqen dhe të kenë fëmijë (shih 2 Nefi 2:25). Si pasardhës të Adamit dhe Evës, ne trashëgojmë një gjendje të rënë gjatë vdekshmërisë. Ne veçohemi nga prania e Zotit dhe duhet t’i nënshtrohemi vdekjes fizike. Ne gjithashtu vihemi në provë përmes vështirësive të jetës dhe tundimeve të kundërshtarit. (Shih Mosia 3:19.)

Rënia është pjesë thelbësore e planit të shpëtimit të Atit Qiellor. Ajo ka një drejtim të dyfishtë – poshtë, por përsëri përpara. Përveç paraqitjes së vdekjes fizike dhe shpirtërore, ajo na dha mundësinë të lindemi në tokë dhe të mësojmë dhe të përparojmë.

Jeta në Vdekshmëri

Jeta në vdekshmëri është kohë mësimi kur ne mund të përgatitemi për jetën e përjetshme dhe të vërtetojmë që do ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për të bërë gjithçka që ka urdhëruar Zoti. Gjatë kësaj jete në vdekshmëri, ne duhet t’i duam dhe t’u shërbejmë të tjerëve (shih Mosia 2:17; Moroni 7:45, 47–48).

Në vdekshmëri, shpirtrat tanë bashkohen me trupat tanë fizikë, duke na dhënë mundësi të rritemi dhe të zhvillohemi në mënyra që nuk qenë të mundura në jetën para lindjes. Trupat tanë janë një pjesë e rëndësishme e planit të shpëtimit dhe duhet të respektohen si një dhuratë nga Ati ynë Qiellor (shih 1 Korintasve 6:19–20).

Referenca përkatëse: Jozueut 24:15; Mateu 22:36–39; 2 Nefi 28:7–9; Alma 41:10; DeB 58:27

Jeta pas Vdekjes

Kur vdesim, shpirtrat tanë hyjnë në botën e shpirtrave dhe presin Ringjalljen. Shpirtrat e të drejtëve pranohen në një gjendje lumturie, që quhet parajsë. Shumë nga besnikët do t’u predikojnë ungjillin njerëzve në burgun shpirtëror.

Burgu shpirtëror është një vend i përkohshëm në botën pas vdekjes për ata që ndërrojnë jetë pa njohurinë e së vërtetës dhe për ata që janë të pabindur në vdekshmëri. Atje, shpirtrave u mësohet ungjilli dhe kanë mundësi të pendohen dhe të pranojnë ordinancat e shpëtimit që janë kryer për ta në tempuj (shih 1 Pjetër 4:6). Ata të cilët e pranojnë ungjillin, do të banojnë në parajsë deri në Ringjallje.

Ringjallja është ribashkimi i trupave tanë shpirtërorë me trupat tanë fizikë të përkryer prej mishi e kockash (shih Lluka 24:36–39). Pas ringjalljes, shpirti dhe trupi nuk do të ndahen më kurrë dhe do të jenë të pavdekshëm. Çdo person i lindur në tokë do të ringjallet për shkak se Jezu Krishti e mposhti vdekjen (shih 1 Korintasve 15:20–22). Të drejtët do të ringjallen përpara të ligjve dhe do të dalin në Ringjalljen e Parë.

Gjykimi Përfundimtar do të ndodhë pas Ringjalljes. Jezu Krishti do ta gjykojë çdo person që të përcaktojë lavdinë e përjetshme që ai apo ajo do të marrë. Ky gjykim do të bazohet në bindjen e secilit person ndaj urdhrave të Perëndisë (shih Zbulesa 20:12; Mosia 4:30).

Ka tri mbretëri lavdie (shih 1 Korintasve 15:40–42). Më e larta prej tyre është mbretëria çelestiale. Ata që janë të guximshëm në dëshminë për Jezusin dhe të bindur ndaj parimeve të ungjillit, do të banojnë në mbretërinë çelestiale, në praninë e Perëndisë, Atit dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit (shih DeB 131:1–4).

E dyta nga tri mbretëritë e lavdisë është ajo terrestriale. Ata që banojnë në këtë mbretëri, do të jenë burrat e gratë e ndershme të tokës, që nuk qenë të guximshëm në dëshminë për Jezusin.

Mbretëria telestiale është më e ulëta e tri mbretërive të lavdisë. Ata që e trashëgojnë këtë mbretëri, do të jenë ata që zgjodhën ligësinë në vend të drejtësisë gjatë jetës së tyre në vdekshmëri. Këta individë do ta marrin lavdinë e tyre pasi të shëlbehen nga burgu shpirtëror.

Referencë përkatëse: Gjoni 17:3

3. Shlyerja e Jezu Krishtit

Të shlyesh është të vuash ndëshkimin për mëkatin, pra të heqësh pasojat e mëkatit nga mëkatari i penduar dhe ta lejosh atë të pajtohet me Perëndinë. Jezu Krishti ishte i vetmi që qe në gjendje të bënte një shlyerje të përkryer për të gjithë njerëzimin. Shlyerja e Tij përfshiu vuajtjen e Tij për mëkatet e njerëzimit në Kopshtin e Gjetsemanit, derdhjen e gjakut të Tij, vuajtjen dhe vdekjen e Tij në kryq dhe Ringjalljen e Tij nga varri (shih Lluka 24:36–39; DeB 19:16–19). Shpëtimtari qe në gjendje të kryente Shlyerjen pasi Ai e mbajti Veten të pastër nga mëkati dhe pati fuqi mbi vdekjen. Nga e ëma e Tij e vdekshme, trashëgoi aftësinë për të vdekur. Nga i Ati i Tij i pavdekshëm, trashëgoi fuqinë për ta marrë sërish jetën e Tij.

Përmes hirit, të bërë të mundur me anë të sakrificës shlyese të Shpëtimtarit, të gjithë njerëzit do të ringjallen dhe do të marrin pavdekësinë. Shlyerja e Jezu Krishtit e bën të mundur për ne edhe marrjen e jetës së përjetshme (shih Moroni 7:41). Për të marrë këtë dhuratë, ne duhet ta jetojmë ungjillin e Jezu Krishtit, i cili përfshin të pasurit e besimit në Të, pendimin për mëkatet tona, të qenit të pagëzuar, marrjen e dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimin deri në fund me besnikëri (shih Gjoni 3:5).

Si pjesë e Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti jo vetëm vuajti për mëkatet tona, por gjithashtu mori mbi Vete dhembjet, sëmundjet dhe dobësitë e të gjithë njerëzve (shih Alma 7:11–13). Ai e kupton vuajtjen tonë sepse e përjetoi atë. Hiri i Tij, ose fuqia shëlbuese, na forcon për të mbajtur barrat dhe për të përmbushur detyrat që nuk mund t’i bëjmë vetë (shih Mateu 11:28–30; Filipianëve 4:13; Ethëri 12:27).

Referenca përkatëse: Gjoni 3:5; Veprat e Apostujve 3:19–21

Besimi te Jezu Krishti

Besimi është një “[shpresë] për gjëra që nuk shihen, të cilat janë të vërteta” (Alma 32:21; shih edhe Ethëri 12:6). Ai është një dhuratë nga Perëndia.

Besimi duhet të përqendrohet te Jezu Krishti me qëllim që ta drejtojë një person drejt shpëtimit. Të pasurit e besimit te Jezu Krishti do të thotë të mbështetesh plotësisht tek Ai dhe të mirëbesosh te Shlyerja, fuqia dhe dashuria e Tij e pafundme. Ai përfshin besimin në mësimet e Tij dhe besimin se, ndonëse nuk i kuptojmë të gjitha gjërat, Ai i kupton (shih Fjalët e Urta 3:5–6; DeB 6:36).

Më shumë se bindje jovepruese, besimi shprehet me mënyrën se si jetojmë (shih Jakobi [Bibla] 2:17–18). Besimi mund të rritet kur lutemi, i studiojmë shkrimet e shenjta dhe u bindemi urdhërimeve të Perëndisë.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme kanë besim edhe te Perëndia, Ati, Fryma e Shenjtë dhe fuqia e priftërisë si dhe tek aspekte të tjera të rëndësishme të ungjillit të rivendosur. Besimi na ndihmon të marrim shërim dhe forcë shpirtërore e fizike për të ecur përpara, për t’u bërë ballë vuajtjeve tona dhe për të mposhtur tundimin (shih 2 Nefi 31:19–20). Zoti do të bëjë mrekulli të mëdha në jetën tonë sipas besimit tonë vetjak.

Përmes besimit në Jezu Krisht, një person mund të marrë heqje të mëkateve dhe përfundimisht të jetë në gjendje të banojë në praninë e Perëndisë.

Referencë përkatëse: Mateu 11:28–30

Pendimi

Pendimi është një ndryshim i mendjes dhe i zemrës që na jep një pamje të qartë mbi Perëndinë, mbi veten dhe mbi botën. Ai përfshin largimin nga mëkati dhe kthimin te Perëndia për falje. Ai merr shtysë nga dashuria për Perëndinë dhe dëshira e sinqertë për t’iu bindur urdhërimeve të Tij.

Mëkatet tona na bëjnë të papastër – të padenjë për t’u kthyer e për të banuar në praninë e Atit tonë Qiellor. Përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit, Ati ynë në Qiell ka siguruar të vetmen mënyrë për ne që të falemi për mëkatet tona (shih Isaia 1:18).

Pendimi përfshin edhe ndjenjën e dëshpërimit për mëkatin e kryer, rrëfimin para Atit Qiellor dhe të tjerëve nëse është e nevojshme, braktisjen e mëkateve, përpjekjen për ta korrigjuar aq sa është e mundshme gjithçka që ishte dëmtuar nga mëkatet e personit dhe të jetuarit e një jetë me bindje ndaj urdhërimeve të Perëndisë (shih DeB 58:42–43).

Referenca përkatëse: Isaia 53:3–5; Gjoni 14:6; 2 Nefi 25:23, 26; DeB 18:10–11; DeB 19:23; DeB 76:40–41

4. Periudha Ungjillore, Braktisja dhe Rivendosja

Periudha Ungjillore

Periudha ungjillore është një periudhë kohore kur Zoti zbulon doktrinat, ordinancat dhe priftërinë e Tij. Është një periudhë në të cilën Zoti ka të paktën një shërbëtor të autorizuar në tokë që mban priftërinë e shenjtë dhe që ka një porosi hyjnore për të përhapur ungjillin dhe për të administruar ordinancat e tij. Sot po jetojmë në periudhën e fundit ungjillore – periudhën e plotësisë së kohëve, e cila filloi me zbulimin e ungjillit Jozef Smithit.

Periudhat e mëparshme ungjillore identifikohen me Adamin, Enokun, Noeun, Abrahamin, Moisiun dhe Jezu Krishtin. Përveç këtyre, ka pasur periudha të tjera ungjillore, duke përfshirë ato midis nefitëve dhe jareditëve. Plani i shpëtimit dhe ungjilli i Jezu Krishtit kanë qenë zbuluar dhe mësuar në çdo periudhë ungjillore.

Braktisja

Kur njerëzit largohen nga parimet e ungjillit dhe nuk kanë çelësat e priftërisë, ata janë në gjendje braktisjeje.

Periudha të braktisjes së përgjithshme kanë ndodhur gjatë historisë së botës. Një shembull është Braktisja e Madhe, e cila ndodhi pasi Shpëtimtari krijoi Kishën e Tij (shih 2 Thesalonikasve 2:1–3). Pas vdekjes së Apostujve të Shpëtimtarit, parimet e ungjillit u korruptuan dhe u bënë ndryshime të paautorizuara në organizimin e Kishës dhe tek ordinancat e priftërisë. Për shkak të kësaj ligësie të përhapur gjerësisht, Zoti e mori nga toka autoritetin dhe çelësat e priftërisë.

Gjatë Braktisjes së Madhe, njerëzit qenë pa drejtim hyjnor nga profetë të gjallë. U krijuan shumë kisha, por ato nuk e kishin autoritetin për të dhënë dhuratën e Frymës së Shenjtë apo për të kryer ordinanca të tjera të priftërisë. Pjesë të shkrimeve të shenjta u prishën apo humbën, dhe njerëzit nuk kishin më një kuptim të saktë për Perëndinë.

Kjo braktisje zgjati derisa Ati Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur iu shfaqën Jozef Smithit dhe filluan Rivendosjen e plotësisë së ungjillit.

Rivendosja

Rivendosja është rithemelimi nga Perëndia i të vërtetave dhe i ordinancave të ungjillit të Tij midis fëmijëve të Tij në tokë (shih Veprat e Apostujve 3:19–21).

Gjatë përgatitjes për Rivendosjen, Zoti ngriti njerëz fisnikë gjatë asaj që u quajt Reformimi. Ata u përpoqën ta kthenin doktrinën, praktikat dhe organizimin fetar në mënyrën si i kishte krijuar Shpëtimtari. Megjithatë, ata nuk e kishin priftërinë apo plotësinë e ungjillit.

Rivendosja filloi në vitin 1820 kur Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën Jozef Smithit si përgjigje ndaj lutjes së tij (shih Joseph Smith—Historia 1:15–20). Disa nga ngjarjet kryesorë të Rivendosjes qenë përkthimi i Librit të Mormonit, rivendosja e Priftërive Aarone dhe Melkizedeke dhe organizimi i Kishës më 6 prill 1830.

Priftëria Aarone iu rivendos Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit nga Gjon Pagëzori më 15 maj 1829. Priftëria Melkizedeke dhe çelësat e mbretërisë gjithashtu u rivendosën në vitin 1829, kur Apostujt Pjetri, Jakobi dhe Gjoni ia dhanë ato Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit.

Plotësia e ungjillit u rivendos dhe Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e “vetm[ja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë mbi faqen e tërë dheut” (DeB 1:30). Kisha përfundimisht do të mbushë të gjithë dheun dhe do të ekzistojë përjetë.

Referenca përkatëse: Isaia 29:13–14; Ezekieli 37:15–17; Efesianëve 4:11–14; Jakobit [Bibël] 1:5–6

5. Profetët dhe Zbulesa

Një profet është një person që është thirrur nga Perëndia për të folur për Të (shih Amosi 3:7). Profetët dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe japin mësim ungjillin e Tij. Ata bëjnë të njohur vullnetin dhe natyrën e vërtetë të Perëndisë. Ata e dënojnë mëkatin dhe paralajmërojnë për pasojat e tij. Ndonjëherë, ata profetizojnë për ngjarjet e ardhshme (shih DeB 1:37–38). Shumë mësime të profetëve gjenden në shkrimet e shenjta. Ndërsa i studiojmë fjalët e profetëve, ne mund të mësojmë të vërtetën dhe të marrim udhëzim (shih 2 Nefi 32:3).

Ne e mbështesim Presidentin e Kishës si profet, shikues dhe zbulues, dhe si të vetmin person në tokë që merr zbulesë për të drejtuar gjithë Kishën. Ne gjithashtu i mbështesim këshilltarët në Presidencën e Parë dhe anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve si profetë, shikues e zbulues.

Zbulesa është komunikim nga Perëndia për fëmijët e Tij. Kur Zoti ia zbulon vullnetin e Tij Kishës, Ai flet përmes profetit të Tij. Shkrimet e shenjta – Bibla, Libri i Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe – përmbajnë zbulesa të dhëna përmes profetëve të lashtë dhe atyre të ditëve të mëvonshme. Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është profeti i Perëndisë në tokë sot.

Individët mund të marrin zbulesë për t’i ndihmuar për nevoja, përgjegjësi dhe pyetje të veçanta vetjake dhe për t’i ndihmuar në forcimin e dëshmive të tyre. Shumica e zbulesave drejtuar udhëheqësve dhe anëtarëve të Kishës vijnë përmes mbresave dhe mendimeve nga Fryma e Shenjtë. Fryma e Shenjtë u flet mendjeve e zemrave tona me një zë të qetë e të ulët (shih DeB 8:2–3). Zbulesa mund të vijë edhe përmes vegimeve, ëndrrave dhe vizitave nga engjëjt.

Referenca përkatëse: Psalmeve 119:105; Efesianëve 4:11–14; 2 Timoteut 3:15–17; Jakobit [Bibël] 1:5–6; Moroni 10:4–5

6. Priftëria dhe Çelësat e Priftërisë

Priftëria është fuqia dhe autoriteti i përjetshëm i Perëndisë. Nëpërmjet priftërisë Perëndia krijoi dhe sundon qiejt dhe tokën. Nëpërmjet kësaj fuqie Ai i shëlben dhe i ekzalton fëmijët e Tij, duke bërë të ndodhë “pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).

Perëndia ua jep autoritetin e priftërisë anëtarëve të denjë meshkuj të Kishës në mënyrë që ata të mund të veprojnë në emrin e Tij për shpëtimin e fëmijëve të Tij. Çelësat e priftërisë janë të drejtat e presidencës, ose fuqia e dhënë njeriut nga Perëndia, për të udhëhequr dhe drejtuar mbretërinë e Perëndisë në tokë (shih Mateu 16:15–19). Përmes këtyre çelësave, mbajtësit e priftërisë mund të autorizohen të predikojnë ungjillin dhe të administrojnë ordinancat e shpëtimit. Të gjithë ata që shërbejnë në Kishë, thirren nën drejtimin e një personi që mban çelësat e priftërisë. Si rrjedhojë, ata kanë të drejtë për fuqinë e nevojshme për të shërbyer dhe për të përmbushur përgjegjësitë e thirrjeve të tyre.

Referencë përkatëse: DeB 121:36, 41–42

Priftëria Aarone

Priftëria Aarone shpesh quhet priftëria përgatitore. Detyrat në Priftërinë Aarone janë dhjak, mësues, prift dhe peshkop. Në Kishë sot, anëtarët e denjë meshkuj mund ta marrin Priftërinë Aarone duke filluar nga mosha 12 vjeç.

Priftëria Aarone “mban çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit të pendimit e të pagëzimit” (DeB 13:1).

Priftëria Melkizedeke

Priftëria Melkizedeke është priftëria më e lartë, ose më e madhe dhe administron gjërat shpirtërore (shih DeB 107:8). Kjo priftëri më e madhe iu dha Adamit dhe ka qenë në tokë sa herë që Zoti e ka zbuluar ungjillin e Tij.

Fillimisht ajo quhej “Priftëria e Shenjtë, sipas Urdhërit të Birit të Perëndisë” (DeB 107:3). Më vonë ajo u njoh si Priftëria Melkizedeke, e quajtur sipas një prifti të lartë të shquar që jetoi gjatë kohës së profetit Abraham.

Brenda Priftërisë Melkizedeke janë detyrat e plakut, priftit të lartë, patriarkut, Të Shtatëdhjetit dhe Apostullit. Presidenti i Priftërisë Melkizedeke është Presidenti i Kishës.

Referencë përkatëse: Efesianëve 4:11–14

7. Ordinancat dhe Besëlidhjet

Ordinancat

Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, një ordinancë është një veprim i shenjtë dhe zyrtar që ka domethënie shpirtërore. Secila ordinancë u përcaktua nga Perëndia për të dhënë mësim të vërteta shpirtërore. Ordinancat e shpëtimit kryhen përmes autoritetit të priftërisë dhe nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësat e priftërisë. Disa ordinanca janë thelbësore për ekzaltimin dhe quhen ordinanca shpëtuese.

Ordinanca e parë shpëtuese e ungjillit është pagëzimi me zhytje në ujë nga një person që ka autoritet. Pagëzimi është i domosdoshëm që një individ të bëhet anëtar i Kishës dhe të hyjë në mbretërinë çelestiale (shih Gjoni 3:5).

Fjala pagëzim vjen nga një fjalë greke që do të thotë të kridhesh ose të zhytesh. Zhytja është simboli i fundit i jetës mëkatare të një personi dhe i lindjes së tij apo të saj në një jetë shpirtërore, të përkushtuar shërbimit ndaj Perëndisë dhe fëmijëve të Tij. Gjithashtu, është simbol i vdekjes dhe i ringjalljes.

Pasi një person pagëzohet, një apo më shumë mbajtës të Priftërisë Melkizedeke i vendosin duart e tyre mbi kokën e personit dhe e konfirmojnë atë anëtar të Kishës. Si pjesë e kësaj ordinance, që quhet konfirmim, personit i jepet dhurata e Frymës së Shenjtë.

Dhurata e Frymës së Shenjtë ndryshon nga ndikimi i Frymës së Shenjtë. Përpara pagëzimit, një person mund ta ndiejë ndikimin e Frymës së Shenjtë herë pas here dhe përmes atij ndikimi mund të marrë dëshmi të së vërtetës (shih Moroni 10:4–5). Pas marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë, një person ka të drejtën e shoqërimit të vazhdueshëm të Tij, nëse ai ose ajo i mban urdhërimet.

Ordinanca të tjera shpëtuese përfshijnë shugurimin në Priftërinë Melkizedeke (për burrat), marrjen e indaumentit të tempullit dhe vulosjen e martesës (shih DeB 131:1–4). Të gjitha ordinancat shpëtuese të priftërisë shoqërohen nga besëlidhjet. Në tempull, këto ordinanca shpëtuese mund të kryhen edhe në mënyrë mëkëmbëse për të vdekurit. Ordinancat mëkëmbëse hyjnë në fuqi vetëm kur personat e vdekur i pranojnë ato në botën e shpirtrave dhe i respektojnë besëlidhjet e lidhura me to.

Ordinanca të tjera, të tilla si administrimi i të sëmurëve dhe vënia e emrit si dhe bekimi i fëmijëve, janë gjithashtu të rëndësishme për zhvillimin tonë shpirtëror.

Referencë përkatëse: Veprat e Apostujve 2:36–38

Besëlidhjet

Një besëlidhje është marrëveshje e shenjtë midis Perëndisë dhe njeriut. Perëndia jep kushtet për besëlidhjen dhe ne biem dakord të bëjmë atë që Ai na kërkon të bëjmë; pastaj Perëndia na premton disa bekime për bindjen tonë (shih DeB 82:10).

Të gjitha ordinancat shpëtuese të priftërisë shoqërohen nga besëlidhje. Ne bëjmë besëlidhje me Zotin në pagëzim dhe i ripërtërijmë ato besëlidhje duke marrë sakramentin. Vëllezërit që marrin Priftërinë Melkizedeke, hyjnë në betimin dhe në besëlidhjen e priftërisë. Ne bëjmë besëlidhje të tjera në tempull.

Referenca përkatëse: Eksodi 19:5–6; Psalmeve 24:3–4; 2 Nefi 31:19–20; DeB 25:13

8. Martesa dhe Familja

Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe familja është thelbësore në planin e Tij të shpëtimit dhe për lumturinë tonë. Lumturia në jetën familjare është e mundur të arrihet më mirë kur bazohet te mësimet e Zotit Jezu Krisht.

Fuqitë e shenjta të krijimit të jetës duhet të përdoren vetëm midis burrit dhe gruas, ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte. Prindërit duhet të shumëzohen dhe të mbushin tokën, t’i rritin fëmijët e tyre me dashuri e drejtësi, dhe të plotësojnë nevojat fizike dhe shpirtërore të fëmijëve të tyre.

Bashkëshorti dhe bashkëshortja kanë një përgjegjësi solemne që ta duan dhe të kujdesen për njëri-tjetrin. Etërit duhet t’i kryesojnë familjet e tyre me dashuri e drejtësi dhe të sigurojnë gjërat e nevojshme për jetën. Nënat janë kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre. Në këto përgjegjësi të shenjta, etërit dhe nënat kanë detyrim të ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë.

Plani hyjnor i lumturisë bën të mundur që marrëdhëniet familjare të vazhdojnë përtej varrit. Toka u krijua dhe ungjilli u zbulua në mënyrë që familjet të mund të krijohen, vulosen dhe ekzaltohen përjetësisht. (Përshtatur nga “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129.)

Referenca përkatëse: Zanafilla 2:24; Psalmeve 127:3; Malakia 4:5–6; DeB 131:1–4

9. Urdhërimet

Urdhërimet janë ligje dhe kërkesa që Perëndia ia jep njerëzimit. Ne e shfaqim dashurinë tonë ndaj Tij duke mbajtur urdhërimet e Tij (shih Gjoni 14:15). Mbajtja e urdhërimeve do të sjellë bekime nga Zoti (shih DeB 82:10).

Dy urdhërimet më themelore janë: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde. … Dhe … duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mateu 22:36–39).

Dhjetë Urdhërimet janë një pjesë thelbësore e ungjillit dhe janë parime të përjetshme që janë të nevojshme për ekzaltimin tonë (shih Eksodi 20:3–17). Zoti ia zbuloi ato Moisiut në kohët e lashta dhe Ai i ka shpallur ato përsëri në zbulesat e ditëve të mëvonshme.

Urdhërime të tjera përfshijnë lutjen e përditshme (shih 2 Nefi 32:8–9), të mësuarit e ungjillit të tjerëve (shih Mateu 28:19–20), mbajtjen e ligjit të dëlirësisë (shih DeB 46:33), pagimin e së dhjetës së plotë (shih Malakia 3:8–10), agjërimin (shih Isaia 58:6–7), faljen e të tjerëve (shih DeB 64:9–11), të pasurit e një shpirti falënderimi (shih DeB 78:19) dhe mbajtjen e Fjalës së Urtësisë (shih DeB 89:18–21).

Referenca përkatëse: Zanafilla 39:9; Isaia 58:13–14; 1 Nefi 3:7; Mosia 4:30; Alma 37:35; Alma 39:9; DeB 18:15–16; DeB 88:124

Për më shumë informacion mbi këto tema, shkoni te LDS.org, Teachings, Gospel Topics [Mësimet, Tema mbi Ungjillin]; ose shihni Të Vërtetë Ndaj Besimit: Një Referim Për Ungjillin (2004).