Biblioteka
Njësia 30 e Studimit në Shtëpi


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Ethëri 4–12 (Njësia 30)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja e mëposhtme e doktrinave dhe e parimeve që studentët i mësuan ndërsa studiuan Ethërin 4–12 (njësia 30), nuk ka për qëllim që të jepet si pjesë e orës suaj mësimore. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, ndërsa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Ethëri 4–5)

Moroni vulosi shkrimet e vëllait të Jaredit dhe dha mësim rreth kushteve që ne duhet të plotësojmë para se ta marrim atë anal. Nga këto mësime, studentët mësuan se, ndërsa ushtrojmë besim të madh te fjala e Zotit, Ai do të na bekojë me zbulesë të mëtejshme.

Dita 2 (Ethëri 6)

Nga shembulli i jareditëve për ushtrimin e besimit në Zot ndërsa kapërcenin “ujërat e mëdha” (Ethëri 6:3) me maunet e tyre, studentët mësuan se, kur i besojmë Zotit dhe bëjmë vullnetin e Tij, Ai do ta drejtojë rrjedhën e jetës sonë. Erërat i çuan maunet te toka e premtuar dhe studentët mësuan se, nëse besojmë në Zot, mbrapshtia dhe vështirësia mund të na ndihmojnë të përparojmë dhe të arrijmë bekimet e premtuara.

Dita 3 (Ethëri 7–11)

Kur jareditët e shpërfillën paralajmërimin e vëllait të Jaredit dhe zgjodhën të kenë mbret, studentët zbuluan se, kundërshtimi i fjalëve të profetëve, të çon në robëri. Shule ishte një mbret që sundoi me drejtësi. Ndërsa filluan të pendohen dhe të dëgjojnë me vëmendje profetët, njerëzit filluan të përparojnë. Studentët mësuan se, ndërsa pendohemi për padrejtësitë tona, ne fillojmë të përparojmë. Jareditët më në fund ranë në ligësi dhe ilustruan të vërtetën se të mbështeturit e lidhjeve të fshehta çon në shkatërrimin e shoqërive.

Dita 4 (Ethëri 12)

Nga profeti Ethër, studentët mësuan se, kur kemi shpresë dhe besim te Jezu Krishti, ne do të marrim forcë që të jemi të vendosur dhe të gëlojmë në vepra të mira. Moroni shkroi se, nëse dëshirojmë një dëshmi, atëherë duhet së pari të ushtrojmë besim te Jezu Krishti. Nga përgjigjja e Zotit për shqetësimet e Moronit rreth dobësive të tij dhe të shkrimtarëve të tjerë të Librit të Mormonit në të shkruar, studentët zbuluan se, nëse ne e përulim veten dhe ushtrojmë besim te Zoti, atëherë Ai do të bëjë që dobësitë tona të bëhen pika të forta.

Hyrje

Ky mësim përqendrohet tek Ethëri 12:23–41. Moroni na mësoi përse njerëzit kanë dobësi dhe çfarë duhet të bëjnë që t’i kapërcejnë ato.

Sugjerime për Mësimdhënien

Ethëri 4–11; 12:6

Jareditët begatohen dhe bekohen kur janë të drejtë

Caktoni tre studentë që të përsëritin dhe përmbledhin kapitujt vijues duke përdorur përmbledhjet e kapitujve: Ethëri 4–5; Ethëri 6; dhe Ethëri 7–11. Kërkojini një studenti tjetër të përsëritë Ethërin 12:6. Kërkojuni të ndajnë me klasën një apo dy parime që mësuan.

Ethëri 12:23–41

Moroni shpreh shqetësim rreth qëndrimit që do të mbajnë johebrenjtë ndaj Librit të Mormonit

Shkruani fjalën i fortë në një anë të tabelës dhe i dobët në tjetrën. Jepuni studentëve një çast të përsiatin se cilat mendojnë se janë pikat e tyre të forta dhe cilat ndiejnë se janë disa nga dobësitë apo mangësitë e tyre. Shpjegoni se tek Ethëri 12, Moroni na mësoi se si dobësia jonë mund të bëhet pikë e fortë.

Ftojeni një student të lexojë me zë Ethërin 12:23–25 dhe kërkojini klasës të gjejë dobësinë që Moroni mendoi se e kishin ai dhe shkrimtarë të tjerë të Librit të Mormonit. Pastaj bëjuni studentëve pyetjet e mëposhtme:

  • Çfarë dobësie përmendi Moroni në këto vargje?

  • Për çfarë u shqetësua Moroni se do të ndodhte, për shkak të dobësisë së atyre që shkruan Librin e Mormonit?

Pasi studentët të përgjigjen, vërini të lexojnë në heshtje përgjigjen e Zotit për shqetësimin e Moronit tek Ethëri 12:26–27 dhe kërkoni se përse Perëndia na jep dobësi. Pasi studentët të kenë pasur kohë të lexojnë vargjet, kujtojuni se Ethëri 12:27 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë fjalën dobësi në këto vargje, kërkojini një studenti të lexojë thënien vijuese nga Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Kur lexojmë në shkrimet e shenjta për ‘dobësinë’ e njeriut, ky term përfshin dobësinë e përgjithshme por të nevojshme të trashëguar në gjendjen e përgjithshme njerëzore, në të cilën mishi ka një ndikim të tillë të pareshtur [apo të përhershëm] mbi shpirtin. … Dobësia po ashtu përfshin, gjithsesi, dobësitë tona të veçanta, vetjake, që ne pritet t’i kapërcejmë” (Lord, Increase Our Faith [1994], f. 84).

Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se gjendja e përgjithshme njerëzore për të cilën foli Plaku Maksuell i referohet dobësisë që vjen te burrat dhe gratë nëpërmjet Rënies së Adamit. Për shkak të Rënies, ne jemi të gjithë të prirur ndaj tundimit dhe papërsosmërisë njerëzore krahas vetë mangësive tona personale.

Ftojini studentët të gjejnë një parim që mësohet tek Ethëri 12:27. (Në qoftë se e përulim veten dhe ushtrojmë besim te Zoti, atëherë Ai do të bëjë që gjërat e dobëta të bëhen të forta në ne.)

Për të nxitur zbatimin e këtij parimi të dhënë mësim tek Ethëri 12:27, shkruani sa vijon në tabelë:

1. Njoh dobësinë time  2. Përul veten  3. Ushtroj besim te Krishti

Ftojini studentët t’i shkruajnë këto fraza në krye të një cope letre. Nën titujt, kërkojuni studentëve të meditojnë dhe të shkruajnë, tani apo më vonë, 1) një dobësi që përsiatin se e kanë, 2) mënyrën se si mund ta përulin veten në lidhje me atë dobësi dhe 3) mënyrën se si mund të ushtrojnë besim te Krishti, në mënyrë që të mund të marrin ndihmën ose hirin e Tij për ta kapërcyer dobësinë që kanë vënë në listë.

Kur të kenë mbaruar, nxitini studentët ta vendosin letrën në ditarët e tyre vetjakë ose në ndonjë vend tjetër ku mund ta shohin shpesh dhe të kujtohen për përpjekjen që dëshirojnë të bëjnë. Dëshmojuni studentëve se, ndërsa përpiqen përulësisht të kapërcejnë dobësitë e tyre, Zoti do t’i ndihmojë “të bëj[ë] që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta” (Ethëri 12:27).

Ftojini studentët të lexojnë Ethërin 12:26 28, për të gjetur se si Zoti iu përgjigj më tej shqetësimeve të Moronit rreth dobësisë së tij në të shkruar. Ju mund të doni të bëni pyetjet e mëposhtme:

  • Tek Ethëri 12:26, Moroni përmendi përulësinë, që nënkupton të jesh miqësor, i përulur dhe i nënshtruar ndaj vullnetit hyjnor. Përse mendoni se kërkohet përulësi për të anashkaluar dobësitë e të tjerëve?

  • Si mund të na ndihmojë hiri i Zotit (ndihma apo fuqia aftësuese e Tij) që të mos përfitojmë nga dobësitë e të tjerëve?

Theksoni se, ndërsa përparojmë në besim, shpresë dhe dashuri hyjnore, hiri i Zotit do të na ndihmojë kur përballemi me dobësitë e të tjerëve. Përmblidhni Ethërin 12:29–32 duke shpjeguar se Moroni shqyrtoi rëndësinë e të ushtruarit besim dhe dëshmitë e mrekullitë që ai sjell. Kërkojuni studentëve të lexojnë Ethërin 12:33–35 dhe të gjejnë çfarë shkroi Moroni rreth rëndësisë së ushtrimit të dashurisë hyjnore.

Pyetni: Përse është e rëndësishme të kemi dashuri hyjnore kur përballemi me dobësitë e të tjerëve?

Ftojini studentët të ndajnë me një shok student atë që po bëjnë për t’u përpjekur të kenë hirin e Jezu Krishtit më të plotë në jetën e tyre. Kur e lejon koha, ju mund të doni të ftoni disa studentë t’i tregojnë klasës se si ka ndikuar në jetën e tyre përpjekja për të qenë më afër Jezu Krishtit.

Njësia Tjetër (Ethëri 13Moroni 7)

Ndërsa studentët përgatiten të studiojnë njësinë tjetër, nxitini të marrin parasysh sa vijon: Si do të ishte në qoftë se miqtë dhe familja juaj do të vriteshin dhe ju do të ishit i vetmi i lënë gjallë që qe besnik ndaj ungjillit të Jezu Krishtit? Edhe Ethëri edhe Moroni e përjetuan këtë lloj vetmie. Si mund të duroni çfarëdo sprove dhe të arrini jetë të përjetshme? Moroni 7 shpjegon se si besimi, shpresa dhe dashuria hyjnore janë të nevojshme për t’i arritur këto dhurata.