Biblioteka
Mësimi 127: 3 Nefi 18


Mësimi 127

3 Nefi 18

Hyrje

Ndërkohë që Jezu Krishti përfundoi ditën e parë të shërbesës së Tij mes nefitëve, Ai administroi sakramentin. Ai i urdhëroi ata të merrnin sakramentin, t’i luteshin Atit gjithmonë dhe t’u afronin shoqërim të gjithë njerëzve. Shpëtimtari u premtoi bekime të mëdha atyre që bindeshin. Ai më pas u dha dymbëdhjetë dishepujve nefitë udhëzime që lidheshin me shërbesën e tyre në Kishë. Përpara se të ngjitej në qiell, Ai u dha atyre fuqi për të dhënë dhuratën e Frymës së Shenjtë.

Sugjerime për Mësimdhënien

3 Nefi 18:1–14

Jezu Krishti u administron sakramentin nefitëve

Ftojeni një student të lexojë thënien në vijim nga Plaku Xherald N. Land, i Të Shtatëdhjetëve. (U thoni studentëve se emri i tij është Zénkush.) Nxiteni klasën të përfytyrojë se si mund të kishte qenë po të ishin alpinisti i përmendur nga Plaku Land.

“Pak kohë më parë pati një artikull interesant rreth alpinizmit në një revistë mjekësore. …

Artikulli ishte rreth një njeriu të quajtur Zenkush, i cili drejton një shkollë alpinizmi. … Zenkushi po i përshkruante intervistuesit sistemin e sigurimit në alpinizëm. Ky është sistemi me anë të të cilit alpinistët e mbrojnë veten nga rëniet. Një alpinist arrin në një pozitë të sigurt dhe siguron litarin për alpinistin tjetër, zakonisht rreth trupit të vet. ‘Je i siguruar’, do të thotë, ‘Të kam siguruar. Nëse diçka ndodh, unë vërtet do të të pengoj të biesh.’ Është pjesë e rëndësishme e alpinizmit. Tani, vini re atë që vazhdon më pas në artikull: ‘Procesi i sigurimit i ka sjellë Zenkushit çastet më të mira dhe më të këqija të ngjitjes. Zenkushi dikur ra prej një humnere të lartë, duke tërhequr tri mbështetje mekanike dhe duke e shkëputur siguruesin e tij nga buza e shkëmbit. Ai u ndal, me kokëposhtë, rreth 3 metra nga toka, kur siguruesi [Doni], me krahët e hapur si shqiponjë, e ndaloi rënien me forcën e krahëve të tij të tejshtrirë. “Doni më shpëtoi jetën”, tha Zenkushi. “Si i përgjigjeni një njeriu si ai? T’i japësh një litar të përdorur alpinizmi për dhuratë Krishtlindjeje? Jo, duke e kujtuar atë. Gjithmonë e kujton atë”’ [Eric G. Anderson, “The Vertical Wilderness”, Private Practice, nëntor 1979, f. 21; theksimi i shtuar]” (“The Grace and Mercy of Jesus Christ”, në Jesus Christ: Son of God, Savior, bot. Paul H. Peterson, Gary L. Hatch dhe Laura D. Card [2002], f. 48).

  • Si mendoni ju, përse alpinisti ndjeu se dhënia e dhuratave materiale shpëtuesit të tij do të ishte një mënyrë e papërshtatshme për ta falënderuar atë?

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 18:1–7, duke parë për atë që Shpëtimtari u kërkoi nefitëve të bënin për ta kujtuar Atë. (Ju mund të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët për të kujtuar dhe kujtoni tek 3 Nefi 18:7.) Pasi studentët të raportojnë atë që kanë gjetur, u bëni pyetjet që vijojnë:

  • Si na ndihmon marrja e sakramentit për ta kujtuar flijimin e Shpëtimtarit për hirin tonë?

  • Sipas 3 Nefit 18:7, çfarë duhej të kujtonin nefitët ndërkohë që merrnin bukën?

U jepni studentëve kohë për t’u rikthyer tek 3 Nefi 11:14–15. Pastaj bëni pyetjet e mëposhtme:

  • Përse mund të jetë të kujtuarit e trupit të Shpëtimtarit veçanërisht domethënës për nefitët?

  • Edhe pse nuk i keni parë plagët në trupin e Shpëtimtarit, sikurse i panë nefitët, përse është ende e rëndësishme për ju që ta merrni bukën e sakramentit “në kujtim të trupit” të Shpëtimtarit? (DeB 20:77).

  • Çfarë mund të bëni për ta kujtuar gjithmonë Shpëtimtarin?

Shkruani në tabelë frazën që vijon: Kur marrim sakramentin, ne i dëshmojmë Atit se …

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 18:8–11, duke kërkuar fjalë ose fraza që plotësojnë thënien në tabelë. Kërkojuni disa studentëve të tregojnë atë që kanë zbuluar. (Studentët mund ta plotësojnë thënien në këtë mënyrë: Kur marrim sakramentin, ne i dëshmojmë Atit se gjithmonë do ta kujtojmë Jezu Krishtin. Një tjetër përgjigje e mundshme mund të jetë sa vijon: Kur marrim sakramentin, ne i dëshmojmë Atit se jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që na ka urdhëruar Shpëtimtari.)

Përdorni disa ose të gjitha pyetjet vijuese për t’i ndihmuar studentët ta zgjerojnë të kuptuarin dhe vlerësimin e tyre për rolin e sakramentit për të na ndihmuar që ta kujtojmë Shpëtimtarin:

  • Cilat janë disa aspekte të jetës dhe shërbesës së Shpëtimtarit që mund t’i kujtojmë gjatë ordinancës së sakramentit? (Përgjigjet mund të përfshijnë vdekjen dhe flijimin shlyes të Tij, lindjen e Tij të përulur, mrekullitë dhe mësimet e Tij, kujdesin e Tij plot dashuri ndaj të tjerëve dhe nënshtrimin e Tij ndaj Atit Qiellor.)

  • Edhe pse marrja e sakramentit bëhet për një kohë të shkurtër, ndikimet e përgatitjes për këtë ordinancë dhe të pjesëmarrjes në të janë të përjetshme. Çfarë mund të bëjmë për ta kujtuar gjithmonë Shpëtimtarin pasi e kemi marrë sakramentin dhe gjatë pjesës së mbetur të javës?

  • Si mund të na ndihmojnë për ta kujtuar Shpëtimtarin gjatë javës sinqeriteti dhe vëmendja që i kushtojmë marrjes së sakramentit?

  • Çfarë domethënieje ka sakramenti nëse nuk arrijmë ta kujtojmë Atë?

  • Sipas 3 Nefit 18:7, 11, çfarë u premtoi Shpëtimtari atyre që e marrin sakramentin dhe e kujtojnë Atë? (Ndërsa e marrim sakramentin dhe gjithmonë e kujtojmë Shpëtimtarin, ne vërtet do të kemi Shpirtin e Tij të jetë me ne.)

I kërkoni një studenti të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 18:12–14 dhe më pas i kërkoni një studenti tjetër të lexojë me zë të lartë Helamanin 5:12. Ftojeni pjesën tjetër të studentëve t’i ndjekin ata, duke përsiatur lidhjet midis dy fragmenteve të shkrimeve të shenjta.

  • Si mund t’ju ndihmojë marrja e sakramentit rregullisht që ta bëni Jezu Krishtin themelin mbi të cilin e ndërtoni jetën tuaj?

Për t’i ndihmuar studentët ta kujtojnë më shumë Jezu Krishtin, i ftoni të shkruajnë çdo ditë për javën që vjen në fletoren e klasës, në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta ose në ditarët e tyre personalë rreth asaj që bëjnë për ta kujtuar Shpëtimtarin. I nxitni ata të marrin parasysh që të shkruajnë rreth mendimeve që patën gjatë sakramentit ose mënyrës se si të kujtuarit e Shpëtimtarit i ndikoi mendimet, fjalët dhe veprimet e tyre.

Ndiqni ecurinë e studentëve gjatë disa orëve pasuese mësimore duke i nxitur të vazhdojnë të shkruajnë çdo ditë. Gjatë javës, ju mund të doni t’u jepni atyre dy ose tre minuta në fillim të orës mësimore për të shënuar atë që po bëjnë për ta kujtuar Shpëtimtarin.

3 Nefi 18:15–25

Jezusi i mëson nefitët t’i luten Atit gjithmonë dhe të takohen shpesh së bashku

I ndani studentët në dyshe. Ftojeni çdo dyshe për të lexuar së bashku 3 Nefin 18:15–21, duke kërkuar atë që Shpëtimtari na mësoi të bënim për t’i bërë ballë tundimit. Kur ta kenë mbaruar leximin, i bëni dyshet të shkruajnë një fjali që mendojnë se i përmbledh këto mësime rreth kapërcimit të tundimit. U kërkoni disa dysheve të tregojnë për atë që shkruan. (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme për t’i shprehur përmbledhjet e tyre, ju duhet të përcaktoni të vërtetën që vijon: Nëse do të jemi vërtet vigjilentë dhe do t’i lutemi Atit gjithmonë, ne mund t’u bëjmë ballë tundimeve të Satanit.)

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë shprehja mbani sytë hapur tek 3 Nefi 18:18? (Jini shpirtërisht syhapur, vigjilentë ose në rojë.)

  • Si mendoni ju, përse si mbajtja e syve hapur ashtu edhe lutja janë thelbësore për t’i bërë ballë tundimit?

Vini në dukje se 3 Nefi 18:15, 20–21 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë fragment në mënyrë të dukshme, që të jenë në gjendje ta gjejnë lehtësisht.

  • Si na ndihmon lutja të qëndrojmë syhapur dhe vigjilentë ndaj përpjekjeve të Satanit për të na tunduar?

I ftoni studentët t’i përgjigjen njërës prej pyetjeve në vijim në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. (Ju mund të doni t’i shkruani përgjigjet në tabelë ose t’i lexoni ato me ngadalë, kështu që studentët të mund t’i shkruajnë ato.)

  • Si ju ka ndihmuar të luturit që t’u bëni ballë tundimeve të Satanit?

  • Çfarë mund të bëni për t’i përmirësuar lutjet tuaja vetjake?

  • Çfarë bekimesh keni parë nga të luturit me familjen tuaj?

  • Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar familjen tuaj që të ketë lutje familjare të vazhdueshme dhe domethënëse?

Nëse e lejon koha, merrni parasysh t’u kërkoni dy ose tre studentëve të ndajnë me klasën atë që shkruan.

U kërkoni studentëve të mendojnë për dikë që do të dëshironin ta ndihmonin të afrohej më pranë Shpëtimtarit. Shkruani parimin që vijon në tabelë dhe i nxitni studentët ta shkruajnë atë: Ndërsa u shërbejmë të tjerëve, ne mund t’i ndihmojmë ata të vijnë te Krishti. I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 18:22–24.

  • Çfarë na kërkon Shpëtimtarit të bëjmë për t’i ndihmuar të tjerët të vijnë tek Ai? (Ne nuk duhet t’i largojmë të tjerët nga mbledhjet tona të Kishës dhe duhet të lutemi për ta.)

  • Shpëtimtari tha se Ai është drita që ne duhet t’ia ngremë botës. Në çfarë mënyre secili prej nesh mund të jetojë duke mbajtur lart dritën e Shpëtimtarit?

Lexojeni me zë të lartë thënien në vijim nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. I ftoni studentët të dëgjojnë për atë që Plaku Hejls tha se do të ndodhë kur ne jetojmë me drejtësi.

Pamja
Plaku Robert D. Hejls

“A nuk do të ishte e kënaqshme për Jezusin nëse do ta linim dritën tonë të shkëlqente kaq shumë sa ata që na ndoqën ne, do të ndiqnin Shpëtimtarin? Ka njerëz që po e kërkojnë dritën, të cilët me gëzim do të kalojnë përmes portës së pagëzimit nëpër udhën e ngushtë dhe të ngushtuar që çon drejt jetës së përjetshme (shih 2 Nefin 31). A do të jeni ju ajo dritë që i udhëheq ata drejt një porti të sigurt?” (“That Ye May Be the Children of Light” [bisedë në takimin shpirtëror të Universitetit “Brigam Jang”, 3 nëntor 1996], f. 8, speeches.byu.edu).

  • Çfarë mendimesh keni kur merrni parasysh pyetjen: “A nuk do të ishte e kënaqshme për Jezusin nëse do ta linim dritën tonë të shkëlqente kaq shumë sa ata që na ndoqën ne, do të ndiqnin Shpëtimtarin?”

Shpjegoni se të luturit për të tjerët, të ftuarit e tyre për të ardhur në mbledhjet e Kishës dhe dhënia e një shembulli sikurse Krishti, janë mënyra se si ne mund t’u shërbejmë të tjerëve. Ftojini dy ose tre studentë të tregojnë për një përvojë në të cilën ata e mbajtën lart dritën e Shpëtimtarit për ta ndihmuar një njeri të vinte tek Ai.

3 Nefi 18:26–39

Shpëtimtari u mëson dishepujve të Tij që t’iu japin shoqërim të gjithë njerëzve

Përmblidhni 3 Nefin 18:26–39 duke shpjeguar se, pasi Shpëtimtari i foli turmës, Ai iu kthye të dymbëdhjetë dishepujve që kishte zgjedhur, dhe i udhëzoi ata se si t’i udhëhiqnin e drejtonin punët e Kishës. I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 18:32, duke kërkuar mënyrën se si duhet t’u përgjigjemi njerëzve që janë larguar nga besimi.

  • Përse është e rëndësishme që të vazhdojmë t’u shërbejmë njerëzve që janë larguar nga besimi?

Merrni parasysh të ndani një përvojë në të cilën ju ndihmuat për t’i shërbyer dikujt nga fëmijët e Perëndisë dhe e ndihmuat atë njeri të vinte te Krishti.

Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – 3 Nefi 18:15, 20–21

Shënim: Për shkak të kohëzgjatjes së këtij mësimi, ju mund të dëshironi ta filloni mësimin pasues me veprimtarinë vijuese të zotërimit të shkrimeve të shenjta. Ose kjo veprimtari mund të përdoret në një mësim të ardhshëm, kur të keni më shumë kohë për të përsëritur fragmente të zotërimit të shkrimeve të shenjta.

Kaloni disa minuta duke i ndihmuar studentët të mësojnë përmendsh 3 Nefin 18:15, 20–21. I shkruani të tri vargjet në tabelë dhe i bëni studentët t’i praktikojnë duke i thënë ato me zë të lartë. Pasi studentët t’i kenë lexuar të gjitha vargjet dy ose tri herë, filloni të fshini pjesë të ndryshme të vargjeve ndërsa studentët vazhdojnë ta thonë me zë të lartë të gjithë fragmentin. Përsëriteni këtë proces derisa të gjitha fjalët të jenë fshirë nga tabela.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

3 Nefi 18:15. Lutuni kurdoherë

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli rreth asaj se çfarë do të thotë të “luteni kurdoherë”:

“Prandaj lutja e mbrëmjes mbështetet dhe është vazhdim i lutjes sonë të mëngjesit. Dhe lutja jonë e mbrëmjes është gjithashtu përgatitje për lutje kuptimplote në mëngjes.

Lutjet e mëngjesit e të mbrëmjes dhe të gjitha lutjet e ndërmjetme nuk janë ngjarje pa lidhje ose të shkëputura; përkundrazi, lidhen së bashku për çdo ditë dhe përgjatë ditëve, javëve, muajve dhe viteve. Kjo është pjesërisht mënyra me të cilën ne përmbushim këshillën e shkrimeve të shenjta ‘lutuni kurdoherë’ (Lluka 21:36; 3 Nefi 18:15, 18; DeB 31:12). Lutje të tilla kuptimplote janë dobiprurëse në marrjen e bekimeve më të larta që Perëndia mban rezervë për fëmijët e Tij besnikë” (“Lutuni Kurdoherë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 42).

3 Nefi 18:21. Lutuni në familjet tuaja

Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, foli për fuqinë e lutjes familjare:

“Lutja familjare është një ndikim i fuqishëm dhe mbështetës. Gjatë ditëve të errëta të Luftës II Botërore, një bombë 250 kg ra jashtë shtëpisë së vogël të vëllait Peti, një ati të ri në Liverpul në Angli, por bomba nuk plasi. Bashkëshortja e tij kishte vdekur, prandaj ai po i rriste i vetëm pesë fëmijët e tij. Ai i mblodhi ata së bashku për lutje familjare në atë kohë aq të shqetësuar. Ata ‘të gjithë u lutën … me zell dhe kur e kishin mbaruar lutjen, fëmijët thanë: “Babi, do të jemi vërtet mirë që të gjithë. Do të jemi vërtet mirë që të gjithë në shtëpinë tonë sonte.”

Dhe kështu ata shkuan në shtrat, përfytyrojeni, me atë bombë të tmerrshme që shtrihej jashtë derës gjysmë e zhytur në tokë. Nëse do të kishte shpërthyer, ajo do të kishte shkatërruar ndoshta dyzet ose pesëdhjetë shtëpi dhe do të kishte vrarë dyqind ose treqind njerëz.

Të nesërmen në mëngjes … e tërë lagjja u largua për dyzet e tetë orë dhe bomba më së fundi u hoq.

Në rrugë duke u kthyer, vëllai Peti e pyeti mbikqyrësin e A.R.P.-së (Masave Paraprake për Bombardimet Ajrore). Mbikëqyrësi: “Pra, çfarë gjetët?”

“Z. Peti, ne mbërritëm te bomba jashtë derës tuaj dhe e gjetëm gati për të shpërthyer në çdo çast. Nuk kishte asgjë që nuk shkonte me të. Jemi të habitur përse nuk plasi.”’ [Andre K. Anastasiou, në Conference Report, tetor 1946, f. 26.] Gjëra të mrekullueshme ndodhin kur familjet luten së bashku” (“The Lifeline of Prayer”, Ensign, maj 2002, f. 61).