Biblioteka
Mësimi 128: 3 Nefi 19


Mësimi 128

3 Nefi 19

Hyrje

Pasi Shpëtimtari e përfundoi vizitën e Tij të parë te nefitët, lajmi i vizitës së Tij u përhap mes popullit gjatë gjithë asaj nate. (Të gjitha ngjarjet e shënuara tek 3 Nefi 11–18 ndodhën gjatë një dite.) Gjatë gjithë natës, njerëzit punuan “jashtëzakonisht … që të mund të ishin të nesërmen në vendin” ku Shpëtimtari do të shfaqej përsëri (3 Nefi 19:3). Në mëngjes, dymbëdhjetë dishepujt i mësuan njerëzit dhe u lutën me ta. Jezu Krishti u shfaq dhe i urdhëroi njerëzit të luteshin, ndërsa Ai iu lut Atit në emër të tyre. Për shkak të besimit të tyre, të dymbëdhjetë dishepujt u pastruan. Jezusi u lut që dishepujt dhe gjithë ata që u besuan fjalëve të tyre, të mund të bëheshin një me Të dhe me Atin e Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

3 Nefi 19:1–14

Dymbëdhjetë dishepujt u shërbejnë njerëzve sikurse urdhëron Shpëtimtari

I ftoni studentët të përfytyrojnë atë që mund të bënin ose se si mund të ndiheshin nëse do ta dinin se të nesërmen Jezu Krishti do të vinte në tempull (ose në qendrën e kunjit, ose në qendrën e qytetit, ose në ndonjë vendndodhje tjetër, që do të kërkonte një farë përpjekjeje nga ana e studentëve për të udhëtuar deri atje).

  • Si do të shkonit atje?

  • Kë do të donit të shkonte me ju?

  • Çfarë do të bënit për t’u përgatitur për këtë përvojë?

U kujtoni studentëve se, pranë përfundimit të vizitës së Shpëtimtarit te nefitët në ditën e parë, Ai i nxiti njerëzit të shkonin në shtëpitë e tyre dhe të përsiatnin e luteshin rreth mësimeve të Tij për t’u përgatitur për vizitën e Tij të nesërmen (shih 3 Nefin 17:3). Vërini studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 19:1–3, duke kërkuar përgjigjen e nefitëve ndaj premtimit të Shpëtimtarit se Ai do të kthehej të nesërmen. Pasi studentët të raportojnë atë që gjejnë, përmblidhni 3 Nefin 19:4–8 duke shpjeguar se, pasi turma u mblodh të nesërmen, dymbëdhjetë dishepujt i ndanë njerëzit në dymbëdhjetë grupe dhe filluan t’i mësonin ata. Pasi e udhëzuan turmën të gjunjëzohej në lutje, dymbëdhjetë dishepujt gjithashtu u lutën dhe më pas u mësuan njerëzve të njëjtat të vërteta që Shpëtimtari u kishte dhënë mësim ditën e mëparshme. Pastaj dishepujt u gjunjëzuan në lutje përsëri.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 19:8–9. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar atë për të cilën u lutën dishepujt.

  • Çfarë dëshiruan dishepujt më shumë se çdo gjë tjetër?

  • Të dymbëdhjetë dishepujt do t’i drejtonin punët e Kishës mes nefitëve pasi të largohej Shpëtimtari. Si mendoni ju, përse ata kishin nevojë për Frymën e Shenjtë në shërbesën e tyre?

  • Në lutjet që bëni, cilat janë pak gjëra që i dëshironi më shumë se të tjerat?

  • A luteni për Frymën e Shenjtë? Përse po ose përse jo?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 19:10–12. Pasi ai ose ajo ta ketë mbaruar leximin, shpjegoni se ky pagëzim i dytë ishte një rrethanë e veçantë. Edhe pse nefitët ishin pagëzuar më parë për heqjen e mëkateve dhe ishin të denjë për të qenë në praninë e Jezu Krishtit, Shpëtimtari i urdhëroi ata të pagëzoheshin përsëri, sepse ai e kishte organizuar Kishën sërish.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 19:13–14. Vëreni klasës ta ndjekë atë, duke kërkuar bekimet që morën dishepujt në përgjigje të dëshirave të tyre të drejta. Për të ndihmuar që të rritet dëshira e studentëve për ndikimin e Frymës së Shenjtë në jetën e tyre, bëni veprimtarinë që vijon:

I ndani studentët në dyshe. I kërkoni secilës dyshe të bëjë një listë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta për atë që Fryma e Shenjtë bën për ata që jetojnë me denjësi. Më pas, i ftoni studentët t’i krahasojnë listat e tyre me thënien që vijon nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. (Përpara orës mësimore, bëni kopje të thënies ose shkruajeni në tabelë.) I bëni studentët të shtojnë në listat e tyre ndonjë ide të re që gjejnë kur lexojnë thënien.

Pamja
Plaku Robert D. Hejls

“Fryma e Shenjtë … është burimi i dëshmisë sonë për Atin dhe Birin. …

Ne kemi nevojë për Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tonë të vazhdueshëm për të na ndihmuar të bëjmë zgjedhje më të mira në vendimet me të cilat përballemi çdo ditë. … Shoqërimi me Shpirtin do t’u japë atyre [të rinjve tanë] forcën që t’i bëjmë ballë të ligës dhe, kur nevojitet, që të pendohen dhe të kthehen tek shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar. … Ne të gjithëve na duhet fortifikimi i mundësuar përmes Frymës së Shenjtë. … Të pasurit e dhuratës së Frymës së Shenjtë i ndihmon anëtarët e familjes të bëjnë zgjedhje të urta – zgjedhje që do t’i ndihmojnë të kthehen me familjet e tyre tek Ati i tyre Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, për të jetuar me Ta përjetësisht” (“The Covenant of Baptism: To Be in the Kingdom and of the Kingdom”, Ensign, nëntor 2000, f. 8).

  • Në çfarë mënyrash bekimet në listën tuaj do të ishin të dobishme për të rinjtë në Kishë?

I ftoni studentët të shqyrtojnë listën e bekimeve që kanë shkruar, dhe të marrin parasysh se çfarë kemi nevojë të bëjmë për t’u kualifikuar për këto bekime. Vërini ata të lexojnë në heshtje 3 Nefin 19:9, 13, duke kërkuar një parim rreth marrjes së ndikimit të Frymës së Shenjtë. I bëni studentët ta shkruajnë parimin që përcaktuan. U kërkoni dy ose tre prej tyre të tregojnë atë që kanë shkruar. (Studentët mund të tregojnë diçka të ngjashme me sa vijon: Dëshirat dhe lutjet tona të drejta mund të na kualifikojnë për t’u mbushur me Frymën e Shenjë.)

  • Kur ju kanë ndihmuar dëshirat dhe lutjet tuaja të drejta që ta ndieni ndikimin e Shpirtit?

Shkruajeni në tabelë thënien vijuese të paplotë. I ftoni studentët ta shkruajnë këtë thënie të pjesshme dhe më pas ta plotësojnë atë me fjalët e tyre.

Unë do t’ia tregoj me të vërtetë Atit Qiellor dëshirën time për shoqërimin e Frymës së Shenjtë me anë të …

3 Nefi 19:15–36

Shpëtimtari shfaqet dhe lutet për njerëzit që të pastrohen nëpërmjet besimit të tyre

I kërkoni një studenti të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 19:15–16. Vini në dukje se, ndërsa njerëzit u gjunjëzuan, ata dëshmuan që Jezu Krishti bëri tri lutje të dallueshme për dishepujt e Tij dhe për turmën. (Shpjegoni se më vonë në mësim, klasa do të studiojë lutjen e tretë të Shpëtimtarit.)

Shkruajini në tabelë referencat dhe pyetjet vijuese të shkrimeve të shenjta përpara orës mësimore (ose përgatitini ato në një fletushkë për secilin student):

3 Nefi 19:17–18, 24–26, 30

3 Nefi 19:19–23

3 Nefi 19:27–29

Çfarë mund të mësoni rreth lutjes nga ky fragment?

Si mund të vini në jetë atë që keni mësuar në këto vargje për lutjet tuaja vetjake?

Ndajeni klasën në grupe me tre studentë secili. (Nëse klasa është e vogël, mund t’ju duhet ta ndani klasën në grupe më të vogla.) Caktoni një student në secilin grup për të lexuar një nga fragmentet e shkrimeve të shenjta të shkruara në tabelë. I njoftoni studentët se ata të gjithë duhet të përgatiten për t’iu përgjigjur në grupet e tyre pyetjeve në tabelë.

Pas një kohe të mjaftueshme, u kërkoni studentëve t’ua tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjet anëtarëve të tjerë të grupeve të tyre. Jini i përgatitur për t’u përgjigjur nëse studentët pyetin përse iu lutën dishepujt Shpëtimtarit (shih 3 Nefin 19:18). Vini në dukje se, në këtë gjendje të veçantë, dishepujt iu lutën Jezu Krishtit ngaqë Ai vetë ishte me ta si përfaqësues i Atit (shih 3 Nefin 19:22).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 19:31–34. I kërkoni klasës ta ndjekë atë dhe të marrë parasysh përse lutja e Shpëtimtarit i ndikoi kaq thellë njerëzit. Ftoni dy ose tre studentë të raportojnë atë që gjejnë. Ndërsa studentët mund të mësojnë shumë të vërteta nga njëri-tjetri teksa tregojnë, veprimtaria që vijon do të theksojë dy parime që mund t’i zbulojnë në studimin e tyre.

Shkruani sa vijon në tabelë: Kur ushtrojmë besim te Jezu Krishti, …

I vini studentët të shqyrtojnë në heshtje 3 Nefin 19:28, duke kërkuar mënyra për ta plotësuar thënien e shkruar në tabelë. (Ftoni studentët t’i shkruajnë përgjigjet e tyre. Sa vijon është një mënyrë se si studentët mund ta plotësojnë thënien: Kur ushtrojmë besim te Jezu Krishti, ne mund të pastrohemi.)

  • Çfarë do të thotë të pastrohesh? Si na ndihmon të jemi të pastër ushtrimi i besimit te Jezu Krishti?

  • Në çfarë mënyrash ushtruan dishepujt besim gjatë ngjarjeve të shënuara tek 3 Nefi 19?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se ne pastrohemi nëpërmjet Frymës së Shenjtë, i kujtoni ata se dishepujt e kishin marrë Frymën e Shenjtë dhe u “mbushën … me zjarr” (3 Nefi 19:13). Shpjegoni se fraza “mbushur … me zjarr” është simbolike, duke iu referuar bekimit të qenies i pastruar nga ndikimi i Frymës së Shenjtë.

I vini studentët të rilexojnë në heshtje 3 Nefin 19:23, 29, duke kërkuar një bekim tjetër që u vjen atyre që e kanë Shpirtin e Zotit me ta. (Pasi studentët lexojnë, ju mund të doni t’u sugjeroni që ata ta shenjojnë në të dy vargjet frazën “që ne të mund të jemi një”.)

  • Si janë një Jezu Krishti dhe Ati? (Ata janë qenie të veçanta, të prekshme, por janë një në qëllim dhe doktrinë. Të bashkuar në mënyrë të përsosur, ata sjellin në dritë planin hyjnor të Atit Qiellor për shpëtimin.)

  • Çfarë do të thotë për ne të bëhemi një me Perëndinë, Atin, dhe Birin?

  • Çfarë mësojmë nga 3 Nefi 19:23, 29 rreth mënyrës se si mund të bëhemi një me Ta? (Nëpërmjet besimit, ne mund të pastrohemi dhe bëhemi një me Jezu Krishtin, sikurse Ai është një me Atin.)

Ftojeni një student të lexojë thënien që vijon nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. I kërkoni klasës të dëgjojnë për mënyrën se si ne mund të jemi një me Atin dhe Birin:

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Jezusi arriti bashkësi të përsosur me Atin duke ia nënshtruar Vetveten, si mishin dhe shpirtin, vullnetit të Atit. Shërbesa e Tij gjithmonë ishte qartësisht e përqendruar, sepse nuk kishte asnjë mëdyshje dobësuese apo hutuese brenda Tij. Duke iu drejtuar Atit të Tij, Jezusi tha: ‘Bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë [atij]’ (Gjoni 8:29). …

Sigurisht ne nuk do të jemi një me Perëndinë dhe Krishtin derisa t’i bëjmë vullnetin dhe interesin e Tyre dëshirën tonë më të madhe. Një nënshtrim i tillë nuk arrihet brenda një dite, por nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, Zoti do të na mësojë nëse jemi të gatshëm derisa, në procesin e kohës, mund të thuhet me saktësi se Ai është në ne sikurse Ati është në Të” (“That They May Be One in Us”, Ensign, nëntor 2002, f. 72, 73).

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 19:35–36 dhe të përsiatin mbi forcën e vetë lutjeve të tyre. U premtoni studentëve se edhe ne mund të kemi përvoja më të mëdha shpirtërore dhe të rritemi drejt bërjes një me Atin dhe Birin, në qoftë se e rrisim besimin tonë dhe lutemi me zell për shoqërimin e Shpirtit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

3 Nefi 19:10–13. U pagëzuan sërish

Presidenti Jozef Filding Smith shpjegoi përse nefitët kishin nevojë të pagëzoheshin përsëri:

“Nuk ka asgjë të çuditshme në faktin që kur Zoti erdhi te nefitët, Nefi u pagëzua dhe po ashtu u pagëzua gjithkush tjetër, edhe pse ata ishin pagëzuar më përpara.

Kisha mes nefitëve përpara ardhjes së Krishtit nuk ishte në plotësinë e saj dhe ishte nën ligjin e Moisiut. Shpëtimtari rivendosi plotësinë dhe u dha atyre të gjitha ordinancat dhe bekimet e ungjillit. Si rrjedhim, në të vërtetë ajo u bë një organizatë e re dhe nëpërmjet pagëzimit ata hynë në të.

Ne kemi një gjendje të ngjashme në këtë periudhë ungjillore. Profeti Jozef Smith dhe Oliver Kaudëri u pagëzuan nëpërmjet urdhrit të Engjëllit, Gjon Pagëzorit. Mjaft të tjerë u pagëzuan përpara organizimit të Kishës. Megjithatë, në ditën që kisha u organizua, të gjithë ata që ishin pagëzuar më parë, u pagëzuan përsëri, jo për heqjen e mëkateve, por për hyrjen në Kishë. Në secilin rast, aryeja ishte e njëjtë” (Answers to Gospel Questions,përmb. Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëll. [1957–66], 3:205–6).

3 Nefi 19:18, 22. “Ata iu lutën Jezusit”

Nga shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme, ne e dimë se duhet të adhurojmë Perëndinë, Atin, dhe t’i lutemi vetëm Atij. Ne nuk duhet t’i lutemi Jezu Krishtit. Për shembull, Shpëtimtari i mësoi nefitët: “Ju duhet t’i luteni gjithmonë Atit në emrin tim” (3 Nefi 18:19). Megjithatë, pak kohë pasi Shpëtimtari ua mësoi këtë, dishepujt e Tij nefitë iu lutën Atij drejpërsëdrejti (shih 3 Nefin 19:18). Ata e bënë këtë, tha Ai, sepse Ai ishte me ta (shih 3 Nefin 19:22). Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se ky ishte një përjashtim – një situatë e veçantë:

“Kishte një arsye të veçantë përse kjo u bë në këtë rast dhe vetëm në një herë. Jezusi i kishte mësuar tashmë t’i luteshin Atit në emrin e tij, të cilën gjë ata e bënë fillimisht. Jezusi ishte i pranishëm përpara tyre si simboli i Atit. Kur e shihnin Atë, ishte sikur të shihnin Atin; kur i luteshin Atij, ishte sikur t’i luteshin Atit. Ishte një situatë e veçantë dhe e pashoqe” (The Promised Messiah [1978], f. 560, 561).