Biblioteka
Mësimi 117: 3 Nefi 2–5


Mësimi 117

3 Nefi 2–5

Hyrje

Pasi njerëzit i panë shenjat e lindjes së Jezu Krishtit, ata filluan të habiteshin më pak nga shenjat dhe i ngurtësuan zemrat e tyre. Shumë njerëz i mohuan shenjat dhe mrekullitë e mëtejshme dhe ligësia e tyre u shtua. Si rrjedhim, hajdutët e Gadiantonit u fuqizuan kaq shumë sa nefitët dhe lamanitët u detyruan të merrnin armët kundër tyre. Lamanitët e kthyer në besim u bashkuan me nefitët dhe u bënë të njohur si nefitë. Lakoneusi, kryegjykatësi i nefitëve, u bëri thirrje njerëzve të pendohen dhe i përgatiti ata për betejë. Për shkak të pendimit të tyre, besimit të tyre në Zotin dhe përgatitjeve të tyre të zellshme, nefitët triumfuan mbi hajdutët e Gadiantonit. Pas çlirimit të tyre, njerëzit e pranuan fuqinë e Perëndisë në ruajtjen e tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

3 Nefi 2

Lamanitët e kthyer në besim bashkohen me nefitët për t’u vetëmbrojtur prej hajdutëve të Gadiantonit

I ftoni studentët të përdorin pak minuta për të renditur në fletoret e shënimeve ose në ditaret e studimit të shkrimeve të shenjta disa përvoja shpirtërore që kanë pasur. I kujtoni ata se përvojat shpirtërore nuk kanë nevojë të jenë dramatike apo të pazakonta për të qenë domethënëse. Sugjeroni që ata të përsiaten për kohët kur e kanë ndier dashurinë e Atit të tyre Qiellor ose ndikimin e Frymës së Shenjtë. Për shembull, ata mund të shkruajnë rreth përvojave që kanë pasur kur kanë marrë përgjigje ndaj lutjes, kur kanë marrë bekime të priftërisë ose kur u kanë shërbyer të tjerëve. Kur të kenë mbaruar së shkruari, u kërkoni atyre përse mendojnë se mund të jetë e rëndësishme që t’i kujtojnë këto përvoja shpirtërore sot dhe 10 ose 20 vjet në të ardhmen.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 2:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar atë që ndodhi kur njerëzit filluan të harrojnë shenjat që lidheshin me lindjen e Shpëtimtarit.

  • Çfarë të vërtetash na mëson ky tregim rreth rrezikut të harrimit të përvojave shpirtërore?

Teksa studentët tregojnë për të vërtetat që kanë përcaktuar, theksoni parimin që vijon: Nëse i harrojmë përvojat e mëparshme shpirtërore, ne vërtet do të bëhemi më të cenueshëm nga tundimet dhe mashtrimet e Satanit. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë. Ju gjithashtu mund të doni t’i nxitni studentët ta shkruajnë atë nën listat e tyre të përvojave shpirtërore.

  • Si mendoni ju, përse harrimi i përvojave shpirtërore mund të na bëjë të cenueshëm nga Satani?

  • Çfarë mund të bëjmë për t’u siguruar që nuk i harrojmë përvojat shpirtërore që kemi pasur? (Përgjigjet mund të përfshijnë ndarjen e përvojave me të tjerët si të jetë e përshtatshme, të shkruarin në një ditar personal ose shënimin e përvojave nga veprimtaritë tek Detyra ndaj Perëndisë ose te Përparimi Personal).

Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese, në të cilën Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, shpjegon se si shënimi i përvojave shpirtërore në një ditar e ndihmoi atë. I kërkoni klasës të dëgjojë për bekimet që mund të vijnë nga mbajtja e një anali të tillë.

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

“Shkrova pak rreshta çdo ditë për vite me radhë. Nuk lashë asnjë ditë pa shkruar, pavarësisht sa i lodhur isha apo sa herët do të më duhej ta nisja ditën tjetër. Përpara se të shkruaja, do të përsiatja për këtë pyetje: ‘A e kam parë dorën e Perëndisë të afrohet për të na prekur ne apo fëmijët ose familjen tonë sot?’ Ndërsa vazhdova ta bëja atë, diçka filloi të ndodhë. Ndërkohë që do të mendoja për ditën, do të shihja provë të asaj që Perëndia kishte bërë për një nga [anëtarët e familjes sime], që nuk e kisha kuptuar gjatë çasteve të zhurmshme të ditës. Ndërsa kjo ndodhte, dhe ajo ndodhte shpesh, fillova të kuptoj se përpjekja për të kujtuar i kishte mundësar Perëndisë të më tregonte se çfarë Ai kishte bërë.

Më shumë sesa mirënjohje filloi të rritej në zemrën time. Dëshmia u rrit. U bëra gjithmonë e më i sigurt se Ati ynë Qiellor i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve tona. Ndjeva më shumë mirënjohje për zbutjen dhe pastrimin që erdhi për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit Jezu Krisht. Dhe unë u rrita më shumë në vetëbesim se Fryma e Shenjtë mund t’i sjellë të gjitha gjërat në kujtesën tonë – madje gjëra që nuk i vumë re ose nuk u dhamë rëndësi kur ato ndodhën” (“O Kujtoni, Kujtoni”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 67).

I ftoni studentët të tregojnë se si të kujtuarit e përvojave shpirtërore – qoftë nëpërmjet shkrimit në një ditar ose mënyrash të tjera – i ka ndihmuar ata të qëndrojnë besnikë, pavarësisht nga përpjekjet e Satanit për t’i tunduar apo mashtruar ata.

Përmblidhni 3 Nefi 2:4–19 duke shpjeguar se, ndërsa njerëzit vazhduan në ligësi, hajdutët e Gadiantonit u shtuan në numër dhe në forcë. Hajdutët e Gadiantonit u bënë agresivë në mënyrë më të dhunshme dhe lamanitët e kthyer në besim i bashkuan forcat me nefitët për të luftuar kundër tyre. Edhe pse patën njëfarë suksesi në dëbimin e hajdutëve të Gadiantonit nga tokat e tyre, nefitët (së bashku me lamanitët e kthyer në besim, të cilët u thirrën tani nefitë) ishin ende në rrethana të rrezikshme 15 vjet pas shenjës së lindjes së Jezu Krishtit.

3 Nefi 3:1–10

Udhëheqësi i hajdutëve të Gadiantonit kërkon që nefitët të dorëzohen

Shpjegoni se në 3 Nefi 3:1–10, ne shohim një shembull të mënyrës se si kundërshtari nganjëherë mund të veprojë nëpërmjet të tjerëve në përpjekje për ta dobësuar besimin tonë dhe për të na çuar në udhë të gabuar. Gidianhi, udhëheqësi i hajdutëve të Gadiantonit, i shkroi një letër Lakoneusit, kryegjykatësit të nefitëve, për ta nxitur atë t’u dorëzohej hajdutëve të Gadiantonit.

Shkruani Gidianhi tundon Lakoneusin në tabelë. I kërkoni gjysmës së klasës të lexojë në heshtje 3 Nefin 3:2–5 dhe gjysmës tjetër të klasës të lexojë në heshtje 3 Nefin 3:6–10. Ndërkohë që studentët lexojnë, i bëni ata të kërkojnë fjalë ose fraza që tregojnë taktikat e përdorura nga Gidianhi në përpjekje për ta dobësuar besimin e Lakoneusit dhe për ta çuar atë në udhë të gabuar. Pasi studentët ta kenë përfunduar leximin, u kërkoni atyre të raportojnë për atë që kanë gjetur. Ftojeni një student t’i shkruajë përgjigjet e tyre në tabelë.

Për t’i përmbledhur taktikat që përcaktuan studentët te 3 Nefi 3:2–10, shkruani të vërtetën që vijon në tabelë nën listën e studentëve: Satani dhe pasuesit e tij shpesh përdorin lajka, premtime të rreme dhe kërcënime për t’i udhëhequr njerëzit në udhë të gabuar. I ftoni studentët të zgjedhin një nga taktikat e Gidianhit të shkruara në tabelë dhe shpjegoni se si Satani dhe pasuesit e tij mund të përdorin një taktikë të ngjashme me rininë sot. Për t’i ndihmuar studentët të shqyrtojnë disa nga këto krahasime, ju mund të bëni pyetje të tilla si ato që vijojnë:

  • Cilët janë disa shembuj të mënyrës se si kundërshtari mund të përdorë lajka (lavdërim të pasinqertë ose të tepërt) mbi rininë sot? Cilat janë disa premtime të rreme ose kërcënime të zbrazëta që mund të përdorë kundërshtari? Si mendoni se rinia mund t’iu bëjë ballë këtyre taktikave?

3 Nefi 3:11–5:7

Njerëzit e Lakoneusit përgatiten për ta mbrojtur vetveten dhe i mundin hajdutët e Gadiantonit

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 3:11–12. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar mënyrën se si Lakoneusi iu përgjigj letrës kërcënuese të Gidianhit.

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga mënyra se si Lakoneusi iu përgjigj Gidianhit? (Një e vërtetë që studentët mund të përcaktojnë, është se burrat dhe gratë e drejta nuk kanë pse të druhen nga të ligjtë dhe nuk duhet t’i dorëzohen kërcënimit të tyre.)

Ndajeni klasën në katër grupe. I jepni secilit grup një fletë të madhe letre. I bëni grupet t’i ndajnë letrat e tyre në dy kolona, një të quajtur Përgatitjet e Lakoneusit dhe tjetrën të quajtur Paralele të Kohës Sonë. Shkruajini pjesët vijuese të shkrimeve të shenjta në tabelë dhe caktojini nga një pjesë secilit grup: 3 Nefi 3:12–15; 3 Nefi 3:16–21; 3 Nefi 3:22–26; 3 Nefi 4:1–4. I ftoni studentët të lexojnë vargjet që u caktohen, duke kërkuar mënyra se si Lakoneusi e përgatiti popullin e tij shpirtërisht dhe fizikisht për t’i bërë ballë sulmit të hajdutëve të Gadiantonit. Nën titullin Përgatitjet e Lakoneusit, bëni një student nga secili grup të shkruajë atë që njerëzit bënë për t’u përgatitur. (Shënim: Ndërkohë që studentët i studiojnë këto vargje, sigurohuni që ata bëjnë dallimin midis Gidianhit, udhëheqësit të hajdutëve të Gadiantonit, dhe Gidgidonit, profetit të madh dhe kryekapitenit mes nefitëve).

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’i plotësuar listat e tyre nën titullin Përgatitjet e Lakoneusit, i ftoni ata të renditin nën titullin Paralele të Kohës Sonë përgatitje shpirtërore dhe fizike që na kanë këshilluar t’i bëjmë në ditët e mëvonshme. Kur studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për ta plotësuar këtë detyrë, ftojeni një student nga secili grup për t’i treguar klasës atë që mësoi grupi i tij ose i saj. Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë se si mund ta vënë në zbatim atë që kanë mësuar, bëni pyetje si ato që vijojnë, gjatë ose pas paraqitjeve të tyre:

  • Si mund t’i forcojmë shtëpitë tona ndaj sulmeve të kundërshtarit?

  • Përse përgatitjet materiale – të tilla si marrja e një arsimimi dhe ruajtja e ushqimeve në shtëpi – janë të rëndësishme në ditët e fundit?

  • Si siguron mbrojtje për ne mbledhja në familje dhe në lagje ose degë?

  • Kur ju ka ndihmuar lutja për të fituar forcë shpirtërore?

  • Si mund të na përgatitë pendimi për të ardhmen?

  • Çfarë bekimesh mund të na vijnë kur ndjekim profetët dhe apostujt e gjallë?

  • Si mund ta ftojmë shpirtin e zbulesës në jetën tonë?

Ftoni dy ose tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 3 Nefi 4:7–12. Vëreni klasën t’i ndjekë ata, duke kërkuar mënyra se si njerëzit u bekuan për shkak të përgatitjeve të tyre shpirtërore dhe fizike.

  • Çfarë të vërtetash keni mësuar nga ky tregim? (Ndërsa studentët japin përgjigjet e tyre, theksoni parimin që vijon: Kur e përgatitim vetveten shpirtërisht dhe materialisht, Zoti do të na forcojë për t’i kapërcyer sfidat.)

Përmblidhni 3 Nefi 4:13–29 duke shpjeguar se Lakoneusi dhe populli i tij i mundën hajdutët e Gadiantonit dhe i ekzekutuan udhëheqësit e tyre. Lexoni me zë të lartë 3 Nefin 4:30–33. I ftoni studentët t’ju ndjekin, duke kërkuar mënyrën se si njerëzit iu përgjigjën kësaj fitoreje.

  • Si u përgjigjën njerëzit pasi Zoti i çliroi ata prej armiqve të tyre?

  • Cilat i pranuan njerëzit si shkaqet e çlirimit të tyre nga hajdutët e Gadiantonit? (Pendimin dhe përulësinë e tyre dhe mirësinë e Perëndisë. Ju mund të doni të vini në dukje se, kur pendohemi dhe e përulim vetveten, Perëndia do të na mbështetë përmes sprovave tona dhe do të na çlirojë prej tyre.)

Ju mund të doni të tregoni për një përvojë në të cilën ju u mbështetët te Perëndia dhe Ai ju ndihmoi që të duroni një sprovë ose ta kapërceni atë. Ju gjithashtu mund të ftoni një ose dy prej studentëve tuaj për të treguar ndonjë përvojë të tillë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 5:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar atë që bënë nefitët si rezultat i ndihmës dhe bekimeve që morën në betejën e tyre kundër hajdutëve të Gadiantonit. Ndërkohë që studentët e tregojnë atë që zbulojnë, theksoni se një nga mënyrat se si njerëzit u përgjigjën, ishte t’u predikonin ungjillin të tjerëve.

3 Nefi 5:8–26

Paqja rivendoset mes popullit; Mormoni shpjegon përmbledhjen e tij për analet

U thoni studentëve se pjesa e mbetur e 3 Nefit 5 përmban shpjegimin e Mormonit lidhur me arsyen përse ai po e përmblidhte këtë anal. I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 5:12–15, duke kërkuar atë që tha Mormoni rreth përgjegjësisë së tij për të shkruar një përmbledhje të analeve nefite.

  • Çfarë të vërtete keni mësuar nga këto vargje, e cila përshkruan përgjegjësinë tonë si dishepuj të Jezu Krishtit? (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne kemi përgjegjësi për t’u mësuar të tjerëve udhën drejt jetës së përjetshme. Ju mund të doni ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë).

Vini në dukje se një nga mënyrat më të rëndësishme si mund t’i tregojmë mirënjohjen tonë Zotit për bekimet që Ai na jep, është duke i ndihmuar të tjerët të vijnë tek Ai dhe të marrin po të njëjtat bekime. U kërkoni studentëve të sugjerojnë pak mënyra përmes të cilave ata, si dishepuj të Jezu Krishtit, mund t’u mësojnë të tjerëve udhën drejt jetës së përjetshme. I nxitni studentët të zgjedhin një ose dy prej këtyre sugjerimeve për ndarjen e ungjillit dhe me lutje të kërkojnë ndihmën e Zotit për të vënë në jetë atë që zgjodhën të bëjnë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

3 Nefi 2:15. “Mallkimi që ishte mbi ta u hoq”

Për ndihmë që të kuptoni mallkimin që ishte vendosur mbi lamanitët, shiheni thënien nga Presidenti Jozef Filding Smith në mësimin 27, nën idenë mësimdhënëse për 2 Nefi 5:19–25. Gjithashtu shihni pjesën komente dhe informacion për rrethanat për Alma 3:6–17 në fund të mësimit 70.

3 Nefi 2:5-8. Kalendarët nefitë

Gjatë gjithë historisë së tyre, nefitët përdorën tri pika të ndryshme referimi për matjen e kohës me kalendarët e tyre: 1) kohën kur Lehi u largua nga Jerusalemi; 2) kohën kur qeverisja ndryshoi nga mbretërit te gjykatësit; dhe 3) kohën kur u dha shenja e lindjes së Jezu Krishtit. Nuk dihet saktësisht se kur nefitët filluan ta llogaritin kalendarin e tyre nga koha e lindjes së Jezu Krishtit, por Mormoni e pranon këtë ndryshim te 3 Nefi 2:7–8.

Pika e Referimit

Përafërsisht Kur u Përdor

Blloku i Shkrimeve të Shenjta

Nga koha kur Lehi u largua nga Jerusalemi

600–92 pr. K.

1 Nefi 1Mosia 29

Nga koha kur qeverisja u ndryshua nga mbretërit te gjykatësit

92 pr. K. – 1 ps. K.

Mosia 293 Nefi 1

Nga koha që u dha shenja e lindjes së Jezu Krishtit

1–421 ps. K.

3 Nefi 1Moroni 10