Biblioteka
Mësimi 66: Mosia 26


Mësimi 66

Mosia 26

Hyrje

Gjatë mbretërimit të Mosias, shumë nga brezi i ri – ata që kishin qenë fëmijë të vegjël në kohën e ligjëratës së fundit të mbretit Beniamin – nuk besonin në mësimet e Kishës dhe kundërshtonin t’i luteshin Zotit. Këta të rinj jobesimtarë ndikuan tek anëtarë të tjerë të Kishës që të bënin mëkate të rënda. Shumë nga këta shkelës u sollën përpara Almës, udhëheqësit të Kishës. Alma në fillim nuk dinte se çfarë të bënte, por përfundimisht i kërkoi Zotit udhëzim në lidhje me mënyrën si t’i gjykonte anëtarët e pabindur. Zoti zbuloi procesin që duhet të ndiqte Alma për t’i mbajtur anëtarët e Kishës përgjegjës për mëkatet e tyre. Alma gjithashtu mësoi për mëshirën dhe gatishmërinë e Perëndisë për t’i falur ata që pendohen. Alma ndoqi këshillën e Zotit dhe vuri rregull në Kishë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mosia 26:1–6

Shumë nga brezi i ri nuk besojnë në ungjill dhe i çojnë të tjerët në bërjen e mëkatit

Përpara fillimit të orës mësimore, shkruajini pyetjet në vijim në tabelë:

Si do ta përshkruanit dëshminë tuaj sot?

Në çfarë mënyrash do të donit që të rritej dëshmia juaj?

Kërkojuni studentëve që t’u përgjigjen këtyre pyetjeve në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e tyre të klasës. Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme, shpjegoni që Mosia 26 përmban rrëfimin e një grupi njerëzish që nuk bënë atë që duhej të bënin për të ushqyer dëshmitë e tyre. Si rrjedhim, besimi i tyre në Perëndi kurrë nuk u zhvillua dhe ata bënë që shumë anëtarë të Kishës të binin në mëkat dhe gabim. Sugjeroni që ndërsa studentët të studiojnë këtë rrëfim, të marrin parasysh se çfarë u mëson ai lidhur me zhvillimin dhe forcimin e dëshmive të tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë Mosian 26:1–3. Pastaj pyeteni klasën:

  • Çfarë zgjedhjeje bënë shumë nga brezi i ri? (Ata zgjodhën të mos besonin në traditat e etërve të tyre.)

  • Përse mendoni që mosbesimi që kanë njerëzit e pengon aftësinë e tyre për të “kupt[uar] fjalën e Perëndisë”? (Mosia 26:3).

Shpjegoni që të besuarit (ose madje pasja e një dëshire për të besuar) çon në veprime që i forcojnë dëshmitë tona. Nga ana tjetër, kur njerëzit zgjedhin të mos besojnë, ata gjithashtu zgjedhin të mos bëjnë disa gjëra që do t’i ndihmonin të zhvillonin dëshmi të forta. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mosian 26:3–4, 6. Kërkojini gjysmës së klasës të shikojë se çfarë nuk dëshironte brezi i ri që të bënte për shkak të mosbesimit të tyre. Kërkojini gjysmës tjetër të klasës të kërkojë pasojat e këtij mosbesimi.

  • Çfarë nuk pranoi të bënte brezi i ri për shkak të mosbesimit të tyre?

  • Cilat ishin pasojat e mosbesimit të tyre?

Pasi studentët të kenë diskutuar mbi këto pyetje, shkruani sa vijon në tabelë: Për ta zhvilluar dhe ruajtur dëshminë, ne duhet të …

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

Ftojeni një student të lexojë me zë thënien vijuese nga Presidenti Henri Ajring, i Presidencës së Parë. Kërkojini klasës të dëgjojë për të gjetur mënyra si të plotësojë fjalinë në tabelë.

“Dëshmia kërkon ushqimin nëpërmjet lutjes me besim, urinë për fjalën e Perëndisë në shkrimet e shenjta dhe bindjen ndaj së vërtetës që kemi marrë. Ka rrezik në lënien pas dore të lutjes. Ka rrezik për dëshminë tonë te studimi dhe leximi vetëm rastësor i librave të shenjta. Ato janë ushqyes të domosdoshëm për dëshminë tonë. …

Të ushqyerit me bollëk me Fjalën e Perëndisë, lutja e ndier me zemër dhe bindja ndaj urdhërimeve të Zotit, duhet të zbatohen rregullisht dhe vazhdimisht që dëshmia juaj të rritet dhe të sjellë sukses” (“Një Dëshmi e Gjallë”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 127).

  • Çfarë zakonesh tha Presidenti Ajring do të na ndihmojnë të ushqejmë dëshmitë tona? (Ndërsa studentët i përcaktojnë këto zakone, përfshijini te fjalia në tabelë: Për ta zhvilluar dhe ruajtur dëshminë, ne duhet të ushqehemi me fjalën e Perëndisë, të lutemi me besim dhe t’u bindemi urdhërimeve të Zotit.)

  • Si kanë ndikuar këto zakone në dëshminë tuaj?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mosian 26:5–6, duke kërkuar mënyrën se si të rinjtë jobesimtarë ndikuan te disa anëtarë të Kishës.

  • Merrni parasysh thënien në vijim: “U bë e nevojshme që ata që bënë mëkat, që ishin në kishë, duhej të qortoheshin nga kisha” (Mosia 26:6). Çfarë mendoni se do të thotë kjo? (Qe e nevojshme që anëtarët e Kishës që kishin mëkatuar të gjykoheshin dhe të mbaheshin përgjegjës.)

Mosia 26:7–14

Alma i kërkon Zotit udhëzim në lidhje me mënyrën se si t’i gjykojë ata që bëjnë mëkat

Vërini studentët të përfytyrojnë se si do të qe po të ishin peshkopi i një lagjeje me anëtarë që kanë bërë mëkate të rënda dhe nuk janë penduar. Kërkojuni atyre të përsiaten në heshtje se çfarë do të bënin në këtë situatë. Si do ta përmbushnin përgjegjësinë e tyre për t’i mbajtur anëtarët përgjegjës për mëkatet e tyre dhe për t’i ndihmuar të pendoheshin? Shpjegoni që Alma, udhëheqësi i Kishës, hasi një sfidë të ngjashme.

Përmblidhni Mosian 26:7–12 duke shpjeguar se ata që kishin mëkatuar u sollën përpara Almës. Diçka si kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë në Kishë, dhe Alma nuk dinte se çfarë të bënte. Ai vendosi që t’i dërgonte shkelësit te mbreti Mosia për t’u gjykuar. Mbreti Mosia i ktheu te Alma, i cili mbante autoritetin nga Perëndia për të gjykuar anëtarët e Kishës që kishin mëkatuar.

Ftojeni një student të lexojë me zë Mosian 26:13–14. Vëreni klasën të kërkojë për atë se si u ndje Alma rreth përgjegjësisë së tij për t’i gjykuar ata që kishin mëkatuar.

  • Kur Alma u ndje i shqetësuar për detyrën e tij për t’i gjykuar shkelësit, çfarë bëri ai?

  • Përse është e rëndësishme të dimë që peshkopët dhe presidentët e degëve kërkojnë dhe marrin udhëzim nga Zoti kur ndihmojnë ata që kanë mëkatuar?

Mosia 26:15–32

Zoti i zbulon Almës mënyrën se si t’i mbajë anëtarët e Kishës përgjegjës për mëkatet e tyre dhe vendos kushtet e pendimit

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë kontekstin e Mosias 26:15–32, vini në dukje se këto vargje përmbajnë përgjigjen e Zotit ndaj pyetjes së Almës lidhur me atë që duhet të bënte me shkelësit. Ndërsa studentët studiojnë përgjigjen e Zotit, nxitini që të kërkojnë parimet dhe doktrinat që i ndihmojnë të kuptojnë më mirë rolin e gjykatësve priftërorë, të tillë si peshkopët dhe presidentët e degëve (dhe, për mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke, presidentët e kunjeve, të distrikteve dhe të misioneve). Gjithashtu vërini që të kërkojnë parime dhe doktrina rreth kërkimit të faljes.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mosian 26:17–28, duke vënë re çdo herë që Zoti përdor fjalën tim, [ime, e mi, e mia, të mitë] ose unë. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto fjalë sa herë që shfaqen. Pastaj pyeteni klasën:

  • Te Mosia 26:17–28, çfarë sugjerojnë fjalët unë dhe tim rreth rolit të Zotit në procesin e pendimit? (Ju mund të dëshironi t’i ftoni studentët të thonë fraza ose vargje të veçanta në mbështetje të përgjigjeve të tyre.)

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga Mosia 26:20–21 rreth rolit të shërbëtorëve të Zotit në procesin e pendimit? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se udhëheqësit e priftërisë përfaqësojnë Zotin dhe se në rastet e mëkatit të rëndë, peshkopët dhe presidentët e degëve mund të na ndihmojnë që të pendohemi dhe të marrim falje.)

  • Në çfarë mënyrash peshkopi apo presidenti i degës mund t’i ndihmojë ata që luftojnë me mëkatin dhe tundimet?

Shpjegoni që Zoti e mësoi Almën se çfarë duhet të bëjnë ata që kërkojnë falje në mënyrë që të pendohen. Ftojini studentët ta shqyrtojnë në dyshe Mosian 26:29–32 dhe të përcaktojnë parimet që i ndihmojnë të kuptojnë se çfarë kërkon Zoti prej nesh kur pendohemi.

Pasi studentët të kenë pasur kohë për t’i studiuar këto vargje, ftoni disa prej tyre të shkruajnë në tabelë parimet që kanë zbuluar, duke përdorur fjalë nga vetja. Përgjigjet e tyre mund të përfshijnë sa vijon:

Rrëfimi i mëkateve çon te falja.

Zoti do t’i falë ata që pendohen me çiltërsinë e zemrës së tyre.

Ne duhet t’i falim të tjerët që të marrim faljen e Zotit.

Për t’i ndihmuar studentët që t’i kuptojnë më mirë këto parime, bëni disa prej pyetjet vijuese ose të gjitha:

  • Te Mosia 26:29, cili është kuptimi i frazës “i rrëfen mëkatet e tij para teje dhe meje”? (Mund t’ju duhet të vini në dukje që në këtë varg, fjala teje i referohet Almës.)

  • Kur një person ka bërë një mëkat të rëndë, përse mendoni që personit i kërkohet që t’ia rrëfejë Zotit dhe udhëheqësit të duhur të Kishës? (Shkeljet e rënda, të tilla si thyerja e ligjit të dëlirësisë, mund të vënë në rrezik anëtarësinë e personit në Kishë. Si rrjedhim, në raste të tilla personi duhet t’ia rrëfejë mëkatin si Zotit edhe përfaqësuesit të Tij në Kishë. Peshkopët dhe presidentët e degëve mbajnë çelësat e priftërisë për t’i ndihmuar ata që kanë mëkatuar të përpiqen të marrin falje. Ndërkohë që vetëm Zoti mund t’i falë mëkatet, udhëheqësit e priftërisë luajnë një rol mbështetës duke i ndihmuar njerëzit ta marrin atë falje. Ata ruajnë fshehtësinë e të gjitha rrëfimeve dhe i ndihmojnë ata që rrëfehen gjatë procesit të pendimit.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë që dikush është penduar “me çiltërsinë e zemrës së tij [apo të saj]”? (Mosia 26:29.)

  • Përse mendoni që Zoti na kërkon që t’i falim të tjerët? Si lidhet pendimi me faljen e të tjerëve? (Shih 3 i 13:14–15; DeB 64:8–11.)

  • Cilat fraza në këto vargje mund t’i japin kurajë apo mbështetje dikujt që dëshiron të pendohet por nuk ndien se ai apo ajo mund të falet?

Mosia 26:33–39

Alma i bindet këshillës së Zotit, duke gjykuar ata që kanë mëkatuar dhe duke vënë rregull në Kishë

Shpjegoni që Mosia 26:33–37 rrëfen se si i ndoqi Alma udhëzimet e Zotit, se si gjykoi anëtarët e Kishës që kishin mëkatuar dhe vuri rregull në Kishë. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mosian 26:34–37, duke kërkuar pasojat e përpjekjeve të Almës për të ndjekur këshillën e Zotit. Jepni dëshminë tuaj se kur pendohemi dhe jetojmë me drejtësi, ne mund të kemi paqe në zemrën tonë dhe të përparojmë shpirtërisht.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mosia 26:29–30. Elementet thelbësore të pendimit

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth elementeve thelbësore të pendimit:

“Spenser Kimball [dha] një udhëzim madhështor për faljen përmes pendimit. Ai i ka ndihmuar shumë njerëz të gjejnë rrugën e kthimit. Ai [përcaktoi] pesë elementet thelbësore të pendimit.

Keqardhja për mëkatin. Studioni dhe përsiatuni për të përcaktuar se sa të rëndë e quan Zoti shkeljen tuaj. Kjo do të sjellë pikëllim shërues dhe brejtje të ndërgjegjes. Gjithashtu do të sjellë një dëshirë të sinqertë për ndryshim dhe një gatishmëri për t’iu nënshtruar çdo kërkese për falje. …

Braktisja e mëkatit. Kjo përbën një vendosmëri të paepur [dhe] të qëndrueshme për të mos e përsëritur shkeljen. Duke e mbajtur këtë zotim, shija e hidhur që mbetet nga ai mëkat, nuk ka nevojë të përjetohet sërish. …

Rrëfimi i mëkatit. Ju gjithmonë duhet t’ia rrëfeni mëkatet tuaja Zotit. Nëse janë shkelje të rënda, të tilla si pamoralshmëria, ato duhet t’i rrëfehen peshkopit apo presidentit të kunjit. Ju lutemi kuptojeni që rrëfimi nuk përbën pendim. Është një hap thelbësor, por vetë ai nuk është i mjaftueshëm. Rrëfimi i pjesshëm duke përmendur gabime më të vogla nuk do t’ju ndihmojë të zgjidhni një shkelje më të rëndë, [të mbajtur] të fshehtë. Për faljen është thelbësore gatishmëria që t’ia zbuloni në mënyrë të plotë gjithçka që keni bërë Zotit dhe, kur është e nevojshme, gjykatësit të Tij priftëror. …

Dëmshpërblimi për mëkatin. Ju duhet të ktheni aq sa është e mundur, gjithçka që është vjedhur, dëmtuar apo përdhosur. Dëmshpërblimi me gatishmëri është provë konkrete për Zotin që ju jeni të zotuar të bëni gjithçka mundeni për t’u penduar.

Bindja ndaj të gjitha urdhërimeve. Bindja e plotë sjell fuqinë e plotë të ungjillit në jetën tuaj me forcën për t’u përqendruar në braktisjen e mëkateve të veçanta. Ajo përfshin gjëra që ju në fillim mund të mos i quani pjesë të pendimit, të tilla si marrja pjesë në mbledhjet, pagimi i së dhjetës, dhënia e shërbimit dhe falja e të tjerëve. …

Dëshiroj të shtoj një hap të gjashtë: Pranimi i Shpëtimtarit. Nga të gjitha hapat e nevojshëm për pendimin, dëshmoj se me rëndësi më vendimtare është që ju të keni një bindje se falja vjen për shkak të Shëlbuesit. Është thelbësore të dini se ju mund të faleni vetëm sipas kushteve të Tij” (“Finding Forgiveness”, Ensign, maj 1995, f. 76).