Biblioteka
Mësimi 64: Mosia 23–24


Mësimi 64

Mosia 23–24

Hyrje

Pasi Alma dhe populli i tij ia mbathën nga ushtria e mbretit Noe, ata themeluan një qytet të drejtë. Edhe pse ishin kthyer në besim tek ungjilli, ata përjetuan pikëllime dhe sfida. Lamanitët i robëruan. Ndërsa Alma dhe populli i tij ushtruan besim dhe durim, Zoti i lehtësoi barrat e tyre dhe përfundimisht i çliroi nga robëria. (Vini re që Mosia 23–24 mbulon përafërsisht të njëjtën periudhë kohore si Mosia 19–22.)

Sugjerime për Mësimdhënien

Mosia 23:1–20

Zoti e ndihmon Almën dhe popullin e tij të arratisen nga ushtritë e mbretit Noe dhe të themelojnë një qytet të drejtë

Tregojuni studentëve figurën “Alma Pagëzon në Ujërat e Mormonit” (62332; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 76). Ftojeni një student t’i tregojë klasës atë që ai apo ajo di rreth njeriut që po pagëzon të tjerët në figurë. (Nëse studentët e kanë të vështirë të përgjigjen, ju mund të sugjeroni që të lexojnë përmbledhjen e kapitullit për Mosian 18 për t’u kujtuar rrëfimin e Almës dhe të popullit të tij tek Ujërat e Mormonit.)

Ndajini studentët dyshe-dyshe. Ftojeni secilën ortakëri që me radhë t’i lexojnë njëri-tjetrit nga Mosia 23:1–5, 19. Kërkojuni që të gjejnë fraza që tregojnë se si Zoti e bekoi Almën dhe popullin e tij kur u penduan dhe zgjodhën të jetojnë me drejtësi. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që t’i shenjojnë këto fraza.) Kërkojuni studentëve të tregojnë se çfarë kanë gjetur.

Ftojini studentët të shikojnë skicat e tyre që tregojnë përmbledhjen e udhëtimeve te Mosia 7–24. Udhëzojini që të vizatojnë tokën e Helamit në vendin e duhur në skicat e tyre. Gjithashtu vërini të vizatojnë një shigjetë nga Ujërat e Mormonit për në tokën e Helamit dhe ta emërtojnë këtë shigjetë “Alma dhe populli i tij largohen”. (Për skicën e plotë, shihni shtojcën në fund të këtij manuali.)

Pamja
Mosiah Map

Shpjegoni shkurtimisht se te Mosia 23:6–14 lexojmë që Alma e hedh poshtë kërkesën e popullit për t’u bërë mbreti i tyre. Ftojeni një student të lexojë me zë Mosian 23:9–10, 12. Kërkojini klasës të shikojë përshkrimin e Almës për ndikimin që mbreti Noe pati tek ai dhe populli i tij. Kërkojuni studentëve të tregojnë se çfarë kanë gjetur.

  • Çfarë na mësojnë rreth pasojave të mëkatit frazat “rashë në një kurth” dhe “u lidhët me rripat e paudhësisë”?

  • Përse është e dobishme për ne që të dallojmë ndikimet që na kanë bërë të mëkatojmë në të shkuarën?

  • Pasi të pendohemi, përse mund të jetë e rëndësishme të kujtojmë se sa i “rëndë” mund të jetë pendimi?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë Mosian 23:13. Vini në dukje këshillën e Almës që “të qëndroni të vendosur në këtë liri, me të cilën u bëtë të lirë”.

  • Si gjen zbatim kjo këshillë për procesin e pendimit? (Ndihmojini studentët të kuptojnë që kur Zoti na ka çliruar nga mëkati dhe ne përjetojmë lirinë e faljes, ne duhet të bëjmë zgjedhje të drejta për ta mbajtur atë liri.)

Ftojini studentët të shqyrtojnë në heshtje Mosian 23:14–18 duke kërkuar për disa nga gjërat që Alma i mësoi popullit që të bënin për të ruajtur lirinë e tyre. Kërkojuni disa studentëve që të tregojnë atë që gjejnë.

Ftojeni një student të lexojë me zë Mosian 23:19–20. Kërkojini klasës të përcaktojë frazën që tregon se Zoti e bekoi popullin kur ata zgjodhën të jetonin me drejtësi (“të përparojnë jashtëzakonisht”).

  • Si do ta përmblidhnit atë që keni mësuar nga përvoja e Almës dhe e popullit të tij? (Mes të vërtetave të tjera, studentët mund të thonë se kur pendohemi dhe zgjedhim të jetojmë me drejtësi, Zoti do të na bekojë dhe do të na çlirojë nga prangat e paudhësisë.)

  • Kur e keni parë të përmbushet ky parim në jetën tuaj ose në jetën e një shoku apo anëtari të familjes? (Kujtojuni studentëve që nuk nevojitet të tregojnë përvoja që janë tepër personale apo të brendshme.)

Pamja
Alma Baptizes in the Waters of Mormon

Mosia 23:21–29

Një ushtri lamanitësh dhe priftërinjtë e ligj të Noeut e sjellin Almën dhe popullin e tij në robëri

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se ata që janë të drejtë, ende duhet të përjetojnë sfida, kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast në jetën e tyre kur thënia në vijim nga Plaku Riçard Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, gjente zbatim për ta:

Pamja
Plaku Riçard G. Skot

“Vënia në provë … është e nevojshme edhe kur jetoni një jetë të denjë e të drejtë dhe jeni i bindur ndaj urdhërimeve [të Perëndisë]. Pikërisht kur gjithçka duket se po shkon siç duhet, sfidat shpesh vijnë në doza të shumëfishta që zbatohen njëherësh” (“Trust in the Lord”, Ensign, nëntor 1995, f. 16).

Kërkojuni studentëve të shqyrtojnë Mosian 23:21–22 për të zbuluar përse Zoti lejon që ata të cilët zgjedhin të jetojnë me drejtësi të përjetojnë sfida dhe vështirësi. Ndërsa studentët tregojnë atë që kanë gjetur, ndihmojini të kuptojnë se Zoti do ta vërë në provë durimin e besimin tonë për të na ndihmuar që të rritim mirëbesimin tonë tek Ai.

Ftojini studentët të shkruajnë pyetjet vijuese në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e tyre të klasës. Kërkojuni që t’i përsiatin këto pyetje ndërsa studiojnë pjesën e mbetur të Mosias 23. Ata nuk duhet t’i shkruajnë përgjigjet e tyre derisa t’i nxitni që ta bëjnë këtë më vonë në mësim.

  • Çfarë sfidash po përjetoni tani?

  • Si mund të ushtroni besim dhe mirëbesim në Perëndi gjatë periudhave tuaja të sfidës?

Kërkojuni studentëve të lexojnë Mosian 23:23–29. Ftojini që të kërkojnë mënyrat si u vu në provë Alma dhe populli i tij dhe se çfarë bënë ata për të treguar mirëbesimin e tyre te Perëndia.

  • Si mund të na ndihmojë lutja dhe ndjekja e këshillës së një profeti gjatë një sfide? (Ato mund të na ndihmojnë të rritemi në durim dhe besim. Ato gjithashtu mund të na ndihmojnë të marrim forcë, zbulesë personale, paqe dhe vetëbesim në mënyrë që të mund t’i durojmë sfidat tona ose të gjejmë çlirim prej tyre.)

Mosia 23:30–24:25

Alma dhe populli i tij përndiqen, por Zoti ua lehtëson barrat dhe i çliron në mënyrë të mrekullueshme

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë marrëdhënien e Amulonit me lamanitët dhe mbretin e tyre, përmblidhni Mosian 23:30–39 dhe 24:1–7. Shpjegoni që Amuloni qe udhëheqësi i priftërinjve të ligj të mbretit Noe, i cili e kishte dëbuar Almën ngaqë mbështeti Abinadin. Amuloni, bashkë me priftërinjtë e tjerë të ligj dhe gratë e tyre lamanite ishin bashkuar me lamanitët. Amuloni fitoi përkrahje në sytë e mbretit lamanit, i cili më pas e caktoi të sundonte mbi të gjithë nefitët në tokën e Helamit, përfshirë popullin e Almës.

Ftojeni një student të vijë përpara dhomës dhe kërkojini atij ose asaj të mbajë në shpinë një çantë shpine boshe. (Studentit do t’i duhen shkrimet e tij apo të saj të shenjta.) Pyeteni studentin se sa e lehtë [apo e vështirë] do të ishte ta mbante çantën bosh për pjesën tjetër të ditës. Ftojeni këtë student të lexojë me zë Mosian 24:8–11. Sa herë që studenti lexon rreth diçkaje që do të kishte qenë sfidë për Almën dhe popullin e tij, vendosni një gur ose një objekt tjetër të rëndë brenda çantës së shpinës. Pasi studenti të ketë përfunduar së lexuari, pyeteni atë se sa e lehtë [apo e vështirë] do të ishte ta mbante çantën e shpinës të mbushur për pjesën tjetër të ditës. (Studenti duhet të qëndrojë përpara klasës dhe ta mbajë çantën e rëndë të shpinës derisa të udhëzohet që të ulet.) Pyeteni klasën:

  • Çfarë mund të përfaqësojnë gurët apo objektet e rënda në çantën e shpinës, në jetën tonë?

  • Si ndikojnë këto lloje barrash te ne?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë Mosian 24:10–12. Ftojeni klasën që të kërkojë se çfarë bëri populli i Almës për të marrë ndihmë për barrat e tyre. Ftojini studentët të shpjegojnë atë që gjejnë.

  • Si mund të na ndihmojë lutja kur kemi barra të vështira?

  • Kur provojmë sfida, përse mund të jetë ngushëlluese të dimë që Perëndia i njeh “mendimet e zemrave [tona]”?

Ftojini studentët të lexojnë Mosian 24:13–15 për të gjetur se çfarë i ndodhi popullit të Almës ndërsa vazhduan të luteshin për ndihmë.

  • Çfarë premtoi Zoti se do të bënte për popullin e Almës? (Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund t’i kërkoni një apo dy studentëve të tjerë që ta ngrenë çantën e shpinës nga fundi për të lehtësuar barrën për studentin që po e mban atë – për të treguar në mënyrë simbolike se si Zoti mund të na i lehtësojë barrat.) Si lidhej ky premtim me besëlidhjen që kishin bërë tek Ujërat e Mormonit? (Shih Mosia 18:8–10.)

  • Përse është e dobishme të dini që Zoti nuk i heq gjithmonë menjëherë barrat tona apo i largon sfidat tona?

  • Çfarë mund të mësojmë nga mënyra se si iu përgjigjën Alma dhe populli i tij sfidave të tyre?

  • Kur keni ndier që Zoti ju ka dhënë forcë për të duruar një sfidë apo për të mbajtur një barrë?

Ftojini studentët që të lexojnë në heshtje Mosian 24:16–17, 21. Kërkojuni që të gjejnë fjalë dhe fraza që përshkruajnë më tej se si njerëzit iu përgjigjën sfidave të tyre dhe se si Zoti i ndihmoi ata. Ftoni një apo dy studentë që të shpjegojnë me vetë fjalët e tyre ndonjë lidhje që shohin midis veprimeve të popullit dhe veprimeve të Zotit. Shkruani parimin në vijim në tabelë: Kur i nënshtrohemi me durim vullnetit të Zotit, Ai do të na forcojë dhe do të na çlirojë nga sfidat tona në kohën e Tij.

Ftojeni studentin përpara klasës që të heqë çantën e shpinës. Kërkojini atij apo asaj që të përshkruajë ndjenjën e të qenit i lirë nga barra. Ftoni po të njëjtin student që të lexojë Mosian 24:21–22. Ju mund t’i kërkoni studentit që të tregojë se si ai apo ajo mund ta lidhë [përvojën e vet] me atë që bëri populli në këto vargje.

Përmblidhni Mosian 24:18–25 duke shpjeguar që Alma dhe populli i tij qenë në gjendje të shpëtonin pasi Zoti bëri që mbi lamanitët të vinte një gjumë i rëndë. Pastaj Zoti e udhëhoqi Almën dhe popullin e tij për në Zarahemla, ku mbreti Mosia i mirëpriti me gëzim. Alma dhe populli i tij “i derdhën falënderimet e tyre Perëndisë”, duke e ditur që “askush nuk mund t’i çlironte veçse në ishte Zoti, Perëndia i tyre” (Mosia 24:21; shih edhe Mosia 25:16).

Në skicat e tyre ku është vizatuar përmbledhja e udhëtimeve te Mosia 7–24, vërini studentët të vizatojnë një shigjetë nga toka e Helamit për në tokën e Zarahemlës. Udhëzojini që ta emërtojnë këtë udhëtim “Populli i Almës arratiset”.

Pamja
udhëtimet te Mosia 7–24

Për ta përmbyllur, ftojini studentët të shkruajnë përgjigjet ndaj dy pyetjeve që shkruan më përpara në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta gjatë mësimit. Kërkojini që të përsiaten mbi sfidat e tyre dhe se si mund të ushtrojnë besim dhe mirëbesim te Perëndia për t’i ndihmuar që të durojnë. Jepni dëshminë tuaj që, nëse i nënshtrohemi me durim vullnetit të Zotit, Ai do të na forcojë dhe do të na çlirojë nga sfidat tona në kohën e Tij. Ju gjithashtu mund të dëshironi t’i ftoni studentët të tregojnë shembuj se si Zoti i ka forcuar në sfidat e tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mosia 21–24. Dallimi mes robërisë së popullit të Limhit dhe robërisë së popullit të Almës

Populli i Limhit

Populli i Almës

Ata u sollën në robëri mbas shumë gjakderdhjeje (shih Mosia 21:5–13).

Ata u sollën në robëri pa gjakderdhjeje (shih Mosia 23:35–38).

Zoti qe i ngadaltë të dëgjonte lutjet e tyre për shkak të paudhësive të tyre (shih Mosia 21:15).

Zoti iu përgjigj me shpejtësi lutjeve të tyre (shih Mosia 23:10–13).

Barrët e tyre u lehtësuan për shkak se Zoti ua zbuti zemrën lamanitëve (shih Mosia 21:15).

Zoti i forcoi ata në mënyrë që të mund t’i mbanin barrët e tyre me lehtësi (shih Mosia 24:14–15).

Gideoni krijoi një plan shpëtimi (shih Mosia 21:36; 22:1–9).

Zoti u tha atyre: “Ngushëllohuni, pasi nesër unë do t’ju shpëtoj nga robëria” (Mosia 24:16).

Ata dehën rojat (shih Mosia 22:10).

Zoti bëri që rojat të flinin (shih Mosian 24:19).

Mosiah 23:21. Si mund të jenë sfidat tona për të mirën tonë?

Megjithëse populli që ndoqi Almën ishte penduar dhe kishte qenë besnik, Zoti lejoi që të mbaheshin përkohësisht nën zgjedhë nga lamanitët, si sfidë për durimin dhe besimin e tyre.

Plaku Orson F. Uitni, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se çdo gjë që përjetojmë na jep mësime me vlerë:

“Asnjë dhembje që vuajmë, asnjë sfidë që përjetojmë nuk shkon dëm. Ajo i shërben edukimit tonë, zhvillimit të cilësive të tilla si durimi, besimi, qëndresa dhe përulësia. Gjithçka që vuajmë dhe gjithçka që durojmë, veçanërisht kur e përballojmë atë me durim, forcon karakterin tonë, pastron zemrat tona, ngre shpirtrat tanë dhe na bën më të butë dhe të dashur, më të denjë që të quhemi fëmijët e Perëndisë … dhe është përmes dhembjes dhe vuajtjes, rraskapitjes dhe fatkeqësisë, që fitojmë edukimin të cilin erdhëm që ta marrim këtu dhe i cili do të na bëjë më shumë si Ati dhe Nëna jonë në qiell” (në Spencer W. Kimball, Faith Precedes the Miracle [1972], f. 98).

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e shpjegoi më tej vlerën dhe qëllimin e sfidave:

“Kur ato sfida nuk janë pasojat e mosbindjes suaj, ato janë provë që Zoti ndien se jeni gati të rriteni më shumë (shih Fjalët e Urta 3:11–12). Prandaj Ai ju jep përvoja që nxitin rritjen, kuptimin dhe dhembshurinë, të cilat ju përmirësojnë për përfitimin tuaj të përjetshëm. Për t’ju çuar nga ku jeni aty ku Ai dëshiron që të jeni, kërkon shumë ndryshim dhe kjo përgjithësisht përfshin shqetësim e dhembje” (“Trust in the Lord”, Ensign, nëntor 1995, f. 16–17).

Mosia 24:15–16. Si mund të ndikojë qëndrimi ynë në rritjen tonë vetjake përmes sfidave?

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na nxiti që të mbështetemi te Zoti kur hasim sfida:

“Zoti është i përqendruar te rritja dhe zhvillimi juaj vetjak. Ai përparim përshpejtohet kur ju me dëshirë e lejoni Atë që t’ju udhëheqë përgjatë çdo përvoje rritjeje që hasni, qoftë nëse në fillim është në parapëlqimin tuaj vetjak apo jo. Kur keni besim te Zoti, kur jeni të gatshëm ta lini zemrën tuaj dhe mendjen tuaj të përqendrohen te vullneti i Tij, kur i kërkoni që t’ju udhëheqë përmes Shpirtit për të bërë vullnetin e Tij, juve ju sigurohet lumturia më e madhe përgjatë udhës dhe arritja më përmbushëse nga kjo përvojë e vdekshme. Nëse vini në dyshim çdo gjë që ju kërkohet të bëni ose i viheni kundër me forcë çdo sfide të pakëndshme, ju e bëni më të vështirë për Zotin që t’ju bekojë” (“Finding Joy in Life”, Ensign, maj 1996, f. 25).