Biblioteka
Mësimi 29:2 Nefi 9:1–26


Mësimi 29

2 Nefi 9:1–26

Hyrje

Në një predikim drejtuar nefitëve, Jakobi filloi duke cituar disa nga profecitë e Isaias rreth Zotit që shëlben popullin e Tij të besëlidhjes. Kjo pjesë e predikimit të Jakobit gjendet te 2 Nefi 6–8 (shih gjithashtu mësimin 28 në këtë manual). Vazhdimi i këtij predikimi dyditor gjendet në 2 Nefi 9–10. Pas citimit të Isaias, Jakobi dha dëshminë e tij vetjake për Shlyerjen e Jezu Krishtit – për fuqinë e Shpëtimtarit për të na shpëtuar nga pasojat e Rënies dhe pasojat e mëkateve tona. Presidenti Jozef Filding Smith na mësoi se 2 Nefi 9 përmban “një nga ligjëratat më ndriçuese të mbajtur ndonjëherë në lidhje me shlyerjen”. Ai tha: “Ajo duhet të lexohet me kujdes nga çdo person që kërkon shpëtim” (Answers to Gospel Questions, përmb. Joseph Fielding Smith Jr., 5 volume [1957–1966], 4:57).

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 9:1–9

Jakobi shpjegon pasojat e Rënies

Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruani përbindësh [i] tmerrshëm në qendër të tabelës.

Fillojeni mësimin duke shpjeguar se 2 Nefi 9 përmban një vazhdim të predikimit që studentët filluan ta studionin në mësimin e mëparshëm. Kujtojuni studentëve se në pjesën e parë të predikimit, që gjendet te 2 Nefi 6–8, Jakobi citoi Isaian që jepte mësim rreth mëshirës së Shpëtimtarit dhe fuqisë së Tij për të çliruar popullin e Tij të besëlidhjes nga gjendja e humbur dhe e shpërndarë. Ndërsa vazhdonte predikimin, Jakobi dha mësim për atë se si Shpëtimtari na shëlben ne nga gjendja jonë e rënë dhe mëkatare.

Drejtojeni vëmendjen e studentëve te fraza që keni shkruar në tabelë.

  • Çfarë ju vjen në mendje kur mendoni për një përbindësh të tmerrshëm?

Në përgjigje të kësaj pyetjeje, studentët mund të përmendin krijesa imagjinare. Nëse e bëjnë këtë, shpjegoni se disa gjëra që janë të vërteta mund të jenë më frikësuese sesa krijesat imagjinare sepse ato janë në gjendje të sjellin një dëmtim të përhershëm. Informojini studentët se Jakobi përdori frazën “përbindësh [i] tmerrshëm” për të përshkruar një gjendje me të cilën përballemi të gjithë ne dhe dëmin e përjetshëm që mund të rezultojë prej tij. Kërkojuni studentëve të lexojnë qetësisht 2 Nefin 9:10, duke kërkuar për dy elementët e përbindëshit që përshkroi Jakobi. Kur studentët të tregojnë atë që kanë gjetur, shtojini përgjigjet tek tabela siç tregohet më poshtë:

Pamja
Awful Monster

Për t’i ndihmuar studentët të përdorin termat e Jakobit vdekja dhe ferr, shpjegoni se të dy termat nënkuptojnë një lloj ndarjeje. Kur Jakobi përdori fjalën vdekj[e] në këtë predikim, ai nënkuptoi“vdekj[en] [e] trupit”, që është ndarja e trupit fizik nga shpirti. Kur përdori fjalën ferr[i], ai nënkuptoi “vdekj[en] e shpirtit”, që është ndarja e një personi nga prania e Perëndisë. Në shkrimet e shenjta, kjo ndarje shpesh përmendet si “vdekje shpirtërore”.

Ftojini studentët të lexojnë qetësisht 2 Nefin 9:6. Vërini të kërkojnë arsyen e vdekjes fizike dhe vdekjes shpirtërore.

  • Cila ngjarje solli vdekje fizike dhe vdekje shpirtërore tek të gjithë ne? (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se si rezultat i Rënies, të gjithë njerëzit janë përjashtuar nga prania e Perëndisë dhe të gjithë njerëzit përfundimisht do të vdesin fizikisht.)

Shpjegojuni se te 2 Nefi 9:7–9, Jakobi jep mësim se çfarë do të na ndodhte neve nëse nuk do të kishte Shlyerje dhe pasojat e Rënies do të mbeteshin përgjithmonë. Për t’i përgatitur studentët të shqyrtojnë këto vargje, ju mund të doni të shpjegoni disa terma në vargun 7: Kur Jakobi foli për “gjykimi[n e] parë që erdhi mbi njeriun”, ai e kishte fjalën për pasojat e Rënies së Adamit dhe të Evës. Kur ai foli për “korrupsion”, ai nënkuptoi trupat tanë të vdekshëm, që do të vdesin. Kur foli për “pakorrupsion”, ai nënkuptoi trupat tanë të ringjallur, që do të jetojnë përgjithmonë.

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 9:7–9. Ftojeni klasën të kërkojë fraza që përshkruajnë atë që do t’u ndodhte trupave dhe shpirtrave tanë nëse vdekja fizike dhe shpirtërore do të qëndronte përgjithmonë.

  • Nëse nuk do të kishte Shlyerje, çfarë do t’u ndodhte trupave tanë?

  • Nëse nuk do të kishte Shlyerje, çfarë do t’u ndodhte shpirtrave tanë?

Për të theksuar cili do të ishte fati ynë pa Shlyerjen e Jezu Krishtit, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Nëse ndarja jonë nga Perëndia dhe vdekja jonë fizike do të ishin të përhershme, liria e zgjedhjes morale do të ishte pa kuptim. Po, ne do të ishim të lirë të bënim zgjedhje, por cili do të ishte qëllimi? Rezultati i fundit do të ishte gjithmonë i njëjti, pavarësisht nga veprimet tona: vdekje pa shpresë ringjalljeje dhe pa shpresë qielli. Të mirë apo të këqinj që mund të zgjedhim të jemi, të gjithë ne do të përfundonim në ‘engjëj të një djalli’. [2 Nefi 9:9. ]” (“Moral Agency”, Ensign, qershor 2009, f. 50).

2 Nefi 9:10–26

Jakobi na mëson se nëpërmjet Shlyerjes, Shpëtimtari na çliron nga pasojat e Rënies dhe na ofron falje të mëkateve tona

Kërkojuni studentëve të lexojnë përsëri 2 Nefin 9:10.

  • Sipas këtij vargu, çfarë ka përgatitur Perëndia për ne?

Theksoni se mesazhi kryesor i Jakobit në këtë predikim është se Perëndia ka përgatitur “një udhë për udhëdaljen tonë nga kapja [prej].… vdekj[es] dhe ferri[t]”. Kjo udhëdalje – nga vdekja fizike dhe shpirtërore e sjellë nga Rënia – është siguruar për shkak të sakrificës shlyese të Jezu Krishtit.

Ndajeni klasën në dy grupe. Ftojeni grupin e parë të lexojë qetësisht 2 Nefin 9:5, 19–21, duke parë për përshkrime të sakrificës së Shpëtimtarit për ne. Ftojeni grupin e dytë të lexojë qetësisht 2 Nefin 9:11–12, 15, 22, duke parë për fraza rreth Jezu Krishtit që na shpëton nga vdekja fizike. (Mund të jetë e dobishme t’i shkruani këto referenca në tabelë.)

Pasi studentët të kenë pasur kohë për të lexuar, drejtojini grupit të parë pyetjet vijuese:

  • Çfarë ishte i gatshëm të vuante Shpëtimtari në mënyrë që të mund të na çlironte ne nga vdekja fizike dhe shpirtërore? Çfarë përshkrimesh gjetët që janë domethënëse për ju?

  • Jakobi theksoi se Jezu Krishti vuajti dhembjet e të gjithë njerëzve. Çfarë do të thotë kjo për ju? Si ndikon kjo njohuri në ndjenjat tuaja rreth Shpëtimtarit? (Për t’i ndihmuar studentët të përsiatin pafundësinë e sakrificës së Shpëtimtarit, ju mund të doni të ndërprisni diskutimin dhe të theksoni që Shpëtimtari vuajti dhembjet e të gjithëve që kanë jetuar dhe që do të jetojnë në tokë. Për t’i ndihmuar studentët të përsiatin natyrën vetjake të sakrificës së Shpëtimtarit, merrni parasysh t’i ftoni ata të shkruajnë emrat e tyre anash 2 Nefit 9:21, si një kujtesë që Shpëtimtari vuajti dhembjet e tyre.)

Drejtojini grupit të dytë pyetjet vijuese:

  • Cilat fraza gjetët rreth Jezu Krishtit që na shpëtojnë nga vdekja fizike?

  • Sipas 2 Nefit 9:22, kush do të ringjallet dhe kthehet përsëri në praninë e Perëndisë?

Drejtojuni përsëri frazës “përbindësh [i] tmerrshëm” në tabelë. Ftojini studentët të thonë, me fjalët e tyre, çfarë dha mësim Jakobi rreth mënyrës se si mund të shpëtohemi nga ky “përbindësh”. Sigurohuni që studentët të kuptojnë se nëpërmjet Shlyerjes, Jezu Krishti çliron të gjithë njerëzimin nga vdekja fizike dhe shpirtërore e sjellë nga Rënia. Ftojeni një student ta shkruajë në tabelë këtë të vërtetë.

Kujtojuni studentëve se përveç çlirimit të të gjithë njerëzimit nga vdekja fizike dhe shpirtërore shkaktuar nga Rënia, Jezu Krishti mund të na çlirojë nga vdekja shpirtërore që shkaktohet nga vetë mëkatet tona.

Shpjegojuni se Jakobi përshkroi gjendjen e njerëzve që paraqiten përpara Perëndisë me mëkatet e tyre. Ftojini studentët t’i kërkojnë këto përshkrime ndërsa një student lexon me zë të lartë 2 Nefin 9:15–16, 27.

  • Si e përshkroi Jakobi gjendjen e njerëzve që paraqiten përpara Perëndisë me mëkatet e tyre?

Shpjegoni se Jakobi përshkroi gjithashtu gjendjen e njerëzve që paraqiten përpara Perëndisë në pastërti. Ftojini studentët t’i kërkojnë këto përshkrime ndërsa një student lexon me zë të lartë 2 Nefin 9:14, 18.

  • Si e përshkroi Jakobi gjendjen e njerëzve që paraqiten përpara Perëndisë në pastërti?

Vini në dukje se ndërsa çlirimi nga Rënia është dhuratë për gjithë njerëzimin, çlirimi ynë nga pasojat e mëkateve tona varet pjesërisht nga vetë dëshirat dhe veprimet tona. Shkruajini sa vijon në tabelë: Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të kapërcejmë pasojat e mëkateve tona ndërsa ne …

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 9:21, 23–24. Vëreni klasën të kërkojë për fraza që plotësojnë fjalinë në tabelë.

  • Sipas këtyre vargjeve, si do ta plotësonit ju këtë fjali? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë plotësimin vijues të fjalisë: Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të kapërcejmë pasojat e mëkateve tona ndërsa ne kemi besim në Jezu Krisht, pendohemi, pagëzohemi dhe durojmë deri në fund. Ndërsa ata japin përgjigjet e tyre, plotësoni thënien në tabelë.)

Përfundojeni këtë mësim duke zgjedhur një nga veprimtaritë vijuese. Të dyja veprimtaritë synojnë t’i ndihmojnë studentët të mendojnë mbi domethënien e Shlyerjes së Shpëtimtarit për ta dhe të tregojnë ndjenjat e tyre rreth Tij.

  1. Kërkojuni studentëve të lexojnë me shpejtësi 2 Nefin 9:1–22 dhe të gjejnë të gjitha vargjet që fillojnë me fjalën O. Ftojini studentët të lexojnë me zë të lartë fjalitë e para të atyre vargjeve.

    Ftojini studentët të shkruajnë thënie të ngjashme në ditaret e studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e tyre të klasës, duke përshkruar ndjenjat e tyre vetjake të mirënjohjes për Shpëtimtarin dhe sakrificën e Tij për ta. Kërkojuni atyre të ndjekin shembullin e Jakobit, duke e filluar çdo thënie me fjalën O dhe duke e përfunduar me një pikëçuditje. Kërkojuni disa studentëve të tregojnë thëniet e tyre si të jetë e përshtatshme. Sigurohuni që ata ta kuptojnë se nuk nevojitet të ndihen të detyruar të tregojnë ndjenja apo përvoja që janë tepër personale apo të brendshme.

  2. Si klasë, këndoni apo lexoni fjalët “Qëndroj Plot Habi” (Himne dhe Këngë të Fëmijëve, nr. 22) ose një himn tjetër rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ftoni studentë të zgjedhin vargje nga himni që pasqyrojnë ndjenjat e tyre rreth Shpëtimtarit dhe sakrificës së Tij shlyese. Lejojini që t’i tregojnë klasës rreth rreshtave që kanë zgjedhur dhe të shpjegojnë arsyet përse i vlerësojnë ato strofa.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Nefi 9:7. Çfarë është “shlyerj[a e] pafund”?

Në thëniet vijuese, Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve shpjegon natyrën e përjetshme të Shlyerjes dhe të aftësisë unike të Shpëtimtarit për të kryer Shlyerjen:

“Shlyerja e Tij është e pafundme – pa mbarim. [Shih 2 Nefi 9:7; 25:16; Alma 34:10, 12, 14.] Ishte gjithashtu e pafund në atë që i gjithë njerëzimi do të shpëtohej nga një vdekje pafund. Ajo ishte e pafund në kuptimin e vuajtjeve të Tij të pamasa. Ishte e pafund në kohë, duke i dhënë fund modelit të mëparshëm të flijimit të një kafshe. Ishte e pafund në shtrirje – duhej të bëhej njëherë për të gjithë. [Shih Hebrenjve 10:10.] Dhe mëshira e Shlyerjes shtrihet jo vetëm te një numër i pafund njerëzish, por gjithashtu te një numër i pafund botësh të krijuara prej Tij. [Shih DeB 76:24; Moisiu 1:33.] Ishte e pafund përtej çfarëdo shkalle njerëzore matjeje apo kuptimi tokësor.

Jezusi ishte i vetmi që mund të mund ta ofronte një shlyerje të tillë, të pafundme, ngaqë Ai u lind prej një nëne të vdekshme dhe një Ati të pavdekshëm. Për shkak të asaj parëbirënie të pashoqe, Jezusi ishte një Qenie e pafundme” (“The Atonement”, Ensign, nëntor 1996, f. 35).

“Në përputhje me ligjin e përjetshëm, ajo shlyerje kërkoi një flijim vetjak nga një qenie e pavdekshme që nuk i nënshtrohej vdekjes. Prapë Ai duhet të vdesë dhe ta marrë vetë trupin e Tij përsëri. Shpëtimtari ishte i vetmi që mund ta plotësonte këtë. Nga nëna e Tij, Ai trashëgoi fuqi për të vdekur. Nga Ati i Tij, Ai trashëgoi fuqi mbi vdekjen” (“Constancy amid Change”, Ensign, nëntor 1993, f. 34).

2 Nefi 9:7. Cilat do të ishin ndikimet e Rënies pa Shlyerjen?

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve shpjegoi se si do të ishte fati ynë pa Shlyerjen e Jezu Krishtit:

“Ashtu si do të na dënonte vdekja dhe do ta bënte lirinë tonë të zgjedhjes të pakuptimtë pa shëlbimin e Krishtit, po ashtu pa hirin e Tij, mëkatet dhe zgjedhjet tona të këqija do të na linin përgjithmonë të humbur. Nuk do të kishte mënyrë për shërim të plotë nga gabimet tona dhe të qenit të papastër, ne nuk do të jetonim kurrë përsëri në praninë e [Perëndisë].

… Ne kemi nevojë për një Shpëtimtar, një Ndërmjetës që mund të kapërcejë pasojat e mëkateve dhe të gabimeve tona, në mënyrë që ato të mos jenë domosdoshmërisht shkatërrimtare. Është për shkak të Shlyerjes së Krishtit që ne mund ta marrim veten nga zgjedhjet e këqija dhe të përligjemi sipas ligjit si të mos kishim mëkatuar” (“Moral Agency”, Ensign, qershor 2009, f. 50).

2 Nefi 9:10. “O sa e madhe mirësia e Perëndisë sonë”

Presidenti Gordon B. Hinkli shprehu mirënjohje për rolin e Shpëtimtarit në përmbushjen e Shlyerjes:

“Falë i qoftë Perëndisë për mrekullinë dhe madhështinë e planit të Tij të përjetshëm. Falënderim dhe përlëvdim Birit të Tij të Dashur, i cili, me vuajtjen e tij të papërshkrueshme, dha jetën e Tij në kryqin e Kalvarit për të paguar borxhin e mëkatit të vdekshëm. Ishe Ai që, nëpërmjet sakrificës së Tij shlyese, theu zinxhirët e vdekjes dhe me fuqi hyjnore u ngrit triumfues nga varri. Ai është Shëlbuesi ynë, Shëlbuesi i të gjithë njerëzimit. Ai është Shpëtimtari i botës. Ai është Biri i Perëndisë, Autori i shpëtimit tonë” (“The Victory over Death”, Ensign, maj 1985, f. 51).

2 Nefi 9:22. “Që të gjithë të mund të qëndrojnë para tij”

Të gjithë njerëzit u larguan nga prania e Perëndisë si rezultat i Rënies së Adamit dhe Evës. Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit do të kthehen në praninë e Perëndisë për t’u gjykuar. Për më shumë mbi këtë temë, shih fragmentet vijuese: 2 Nepfi 2:9–10; 9:15, 22, 38; Alma 11:43–44; 12:12–15, 24; 42:23; Helamani 14:15–17; 3 Nefi 26:4; Mormoni 9:12–13.