Biblioteka
Mësimi 25: 2 Nefi 3


Mësimi 25

2 Nefi 3

Hyrje

2 Nefi 3 përmban fjalët e Lehit për birin e tij më të vogël, Jozefin. Lehi rrëfeu profecinë nga Jozefi i Egjiptit lidhur me rolin e Profetit Jozef Smith, daljen në dritë të Librit të Mormonit dhe Rivendosjen e ungjillit.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 3:1–25

Lehi rrëfen përsëri profecinë e Jozefit të Egjiptit rreth Profetit Jozef Smith

Përpara se të fillojë ora mësimore, vizatoni diagramën vijuese në tabelë.

Pamja
4 Stick Figures

Për t’i përgatitur studentët të kuptojnë mësimet që jepen te 2 Nefi 3, informojini se ky kapitull përfshin informacion mbi katër burra me të njëjtin emër. Ftojini studentët të kërkojnë shpejt në shkrimet e shenjta referencën poshtë secilës figurë në tabelë për të përcaktuar cili paraqitet nga secila figurë. Kur një student gjen një përgjigje, vëreni ta shkruajë në tabelë. (Figura e parë paraqet birin e Lehit, Jozefin. E dyta paraqet profetin Jozef që qe shitur në Egjipt afërsisht 1.700 vite përpara lindjes së Jezu Krishtit. E treta paraqet Profetin Jozef Smith. E katërta paraqet Jozef Smithin Plakun.)

Paraqitni një figurë të Profetit Jozef Smith, të tillë si Vëllai Jozef (62161; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 87). Informojini studentët se shumë nga 2 Nefi 3 përqendrohet në profecinë e Jozefit të Egjiptit mbi Profetin Jozef Smith.

Pamja
Profeti Jozef Smith

Ftoni tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 2 Nefi 3:6–8. Kërkojini klasës që të gjejë fjalë dhe fraza që Jozefi i Egjiptit i përdori për të përshkruar Jozef Smithin dhe punën që ai do të përmbushte. (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se kur Jozefi i Egjiptit përdori frazën “frytit të ijeve të mia”, ai po i referohej pasardhësve të tij.) Në tabelë poshtë figurës që paraqet Jozef Smithin, renditni fjalët dhe frazat që gjejnë studentët. Ata duhet të gjejnë fraza të tilla si “një shikues i zgjedhur prej frytit të ijeve të mia”, “vlerësohet shumë”, “sjelljen e tyre në njohurinë e besëlidhjeve” dhe “do ta bëj atë të madh në sytë e mi”.

  • Ndërsa kemi studiuar 2 Nefin 3:6–8, çfarë keni mësuar rreth Profetit Jozef Smith? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se Zoti ngriti Profetin Jozef Smith që të ndihmojë të sillet Rivendosja e ungjillit.)

Ftojini studentët të lexojnë 2 Nefin 3:11–15 qetësisht. Kërkojuni të kërkojnë fraza të tjera rreth asaj që Perëndia do të përmbushte nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Kur ata të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’i studiuar këto vargje, pyetni se çfarë kanë gjetur. Shtojani përgjigjet listës në tabelë nën figurën që paraqet Profetin Jozef Smith. (Përgjigjet mund të përfshijnë “sjellë fjalën time”, “nga dobësia ai do të bëhet i fortë”, “ata që do të kërkojnë ta shkatërrojnë atë, do të ngatërrohen” dhe “emri i tij.… sikurse ai i atit të tij”.)

Për të ndihmuar studentët që të kuptojnë dhe përsiaten më tej mbi rolin e Profetit Jozef Smith në Rivendosjen e ungjillit, lexoni 2 Nefin 3:11 me zë, duke i vënë theks të veçantë frazës “fuqi që t’ia sjellë fjalën time”.

  • Cilat janë disa shembuj të fjalës së Perëndisë që Jozef Smithi solli? (Përgjigjet mund të përfshijnë Librin e Mormonit, Doktrina e Besëlidhjet, Perlën me Vlerë të Madhe, Përkthimin e Jozef Smithit dhe predikimet e vetë Profetit.)

Përgjatë këtij diskutimi, sigurohuni të nxirrni në pah se Jozefi i Egjiptit profetizoi se Profeti Jozef Smith do të nxirrte në dritë Librin e Mormonit. Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se 2 Nefi 3:12 përmend dy libra: libri i shkruar nga pasardhësit e Jozefit të Egjiptit ishte Libri i Mormonit; libri i shkruar nga pasardhësit e Judës ishte Bibla. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shënojnë këto shpjegime në librat e tyre të shkrimeve të shenjta.

Ftojini studentët të kërkojnë 2 Nefin 3:12 fraza që përshkruajnë ndikimin që Libri i Mormonit dhe Bibla do të kenë në botë ndërsa ato “rriten së bashku”. (Për shembull, studentët mund të gjejnë “ngatërrimin e doktrinave të rreme”, “dhënien fund të grindjeve” dhe “vendosjen e paqes”.)

Për t’i ndihmuar studentët të reflektojnë mbi atë se si Libri i Mormonit e ka ndikuar jetën e tyre pyetni:

  • Kur e keni përjetuar fuqinë e Librit të Mormonit në jetën tuaj apo parë ndikimin e tij në jetën e miqve apo anëtarëve të familjes?

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 3:15. Kërkojini klasës t’i japë vëmendje të veçantë frazës “ta sjellë popullin tim në shpëtim”.

  • Në çfarë mënyrash Libri i Mormonit ndihmon të sillet populli në shpëtim?

  • Çfarë ndryshimi ka bërë Libri i Mormonit në jetën tuaj?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë dhe vlerësojnë misionin e paracaktuar të Profetit Jozef Smith, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Brigam Jang:

Pamja
Brigam Jang

“Ishte dekretuar në këshillat e përjetësisë, shumë kohë më parë se të hidheshin themelet e tokës, se ai, Jozef Smithi, duhej të ishte njeriu, në periudhën e fundit ungjillore të kësaj bote, që do t’ia sillte fjalën e Perëndisë njerëzve dhe do të merrte plotësinë e çelësave dhe fuqisë së Priftërisë të Birit të Perëndisë. Zoti e kishte ruajtur atë dhe atin e tij, dhe atin e atit të tij, dhe paraardhësit e tyre të gjithë deri tek.… Adami. Ai e ka vëzhguar atë familje e atë gjak ndërsa ka qarkulluar që nga burimi i tij deri te lindja e atij njeriu. Ai qe paracaktuar në përjetësi të kryesonte në këtë periudhë të fundit ungjillore” (Discourses of Brigham Young, vepra të zgjedhura John A. Widtsoe [1954], f. 108).

Përmblidhni 2 Nefin 3:16–24 duke shpjeguar se Jozefi i Egjiptit e krahasoi Jozef Smithin me Moisiun. Vërini studentët të kërkojnë fjalë dhe fraza që përshkruajnë Profetin Jozef Smith te 2 Nefi 3:24. Ndërsa ata tregojnë fjalët dhe frazat që kanë gjetur, shtojini përgjigjet e tyre në listën e tabelës.

Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë të vërtetat e zbuluara nga Profeti Jozef Smith:

“Më lejoni të përmend disa nga shumë doktrina dhe praktika që na dallojnë ne nga të gjitha kishat e tjera, dhe të cilat kanë ardhur të gjitha nëpërmjet zbulesës te Profeti rinor [Jozef Smith]. …

Njohuria e Hyjnisë. …

Libri i Mormonit. …

… Priftëria e rivendosur. …

… Plani për jetë të përjetshme i familjes. …

Pafajësia e fëmijëve të vegjël. …

… Doktrina e madhe e shpëtimit për të vdekurit. …

Natyra e përjetshme e njeriut. …

… Parimi i zbulesës moderne. …

… Gjatë atyre pak 38 vite e gjysmë të jetës së tij, nëpërmjet tij erdhi një vërshim njohurish, dhuratash dhe doktrine të pakrahasueshme” (“The Great Things Which God Has Revealed”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 80–83).

Ftoni një student ta shtojë listën e Presidentit Hinkli te lista në tabelë.

Vëreni një student të lexojë me zë të lartë Doktrina e Besëlidhje 135:3. Shpjegoni se Plaku Xhon Tejlor, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, që më vonë u bë Presidenti i tretë i Kishës, shkroi këto fjalë pak pas vdekjes së Profetit Jozef Smith. Vërini studentët të kërkojnë gjëra në këtë varg që ata mund t’i shtojnë te lista në tabelë. Shtoni përgjigjet e tyre në listë.

Jepuni studentëve kohë për ta rishqyrtuar listën në tabelë. Ftojini ata të përsiaten mbi atë që kanë mësuar rreth rolit të Profetit Jozef Smith. Ftojini ata të reflektojnë mbi atë që dinë dhe ndiejnë rreth Profetit duke shkruar një përgjigje për një nga pyetjet vijuese në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoren e klasës:

  • Çfarë keni mësuar apo ndier sot që ka forcuar dëshminë tuaj për Profetin Jozef Smith?

  • Çfarë bëri, dha mësim apo rivendosi Jozef Smithi, që ju ndieni se është “me vlerë të madhe” (2 Nefi 3:7) për ju?

I ndani studentët në çifte. Nxitini të ndajnë me njëri-tjetrin dëshmitë e tyre mbi Profetin Jozef Smith. Nëse keni kohë, ju mund të nxitni disa studentë t’i ndajnë me gjithë klasën. Jepni dëshminë tuaj që Perëndia ngriti Jozef Smithin për të sjellë Rivendosjen. Ftojini studentët tuaj që plot lutje të kërkojnë mënyra për të ndarë dëshmitë e tyre mbi Profetin Jozef Smith dhe Librin e Mormonit me të tjerët, veçanërisht me miqtë dhe me familjen e tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Nefi 3:12. Si Libri i Mormonit dhe Bibla do të “rriten së bashku”

Pak pas botimit të SHDM-së të Variantit të Mbretit Jakob të Biblës, me Udhëzuesin e tij Tematik dhe shënimet në fund të faqes që u referohen të gjitha veprave standarde, Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve shpjegoi: “Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re dhe … Libri i Mormonit … tani janë thurur së bashku në mënyrë të tillë që, ndërsa ju studioni me zell njërin, tërhiqeni tek tjetri; ndërsa mësoni nga njëri, ndriçoheni nga tjetri. Ata janë vërtet një në duart tona” (“Scriptures”, Ensign, nëntor 1982, f. 53).

2 Nefi 3:18. Kush është zëdhënësi?

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve komentoi mbi identitetin e njerëzve për të cilët flitet te 2 Nefi 3:18. Fjalët në kllapa janë shtojca të Plakut Mek-Konki. Ai tha: “Vini re këto fjalë të Zotit: ‘Dhe unë, vër re, do t’i jap atij [Mormonit] që të shkruajë fjalët e frytit të ijeve të tua [nefitët], te fryti i ijeve të tua [lamanitët], dhe zëdhënësi i ijeve të tua [Jozef Smithi] do ta shpallë atë.’ Që do të thotë, Mormoni shkroi Librin e Mormonit, por ajo që ai shkroi ishte marrë nga shkrimet e profetëve nefitë; dhe këto shkrime, të mbledhura në një libër, qenë përkthyer nga Jozef Smithi dhe u dërguan prej tij te lamanitët” (A New Witness for the Articles of Faith [1985], f. 426).