Biblioteka
Mësimi 40: 2 Nefi 31


Mësimi 40

2 Nefi 31

Hyrje

Shumë vite përpara se të lindej Jezu Krishti, Nefi mori një zbulesë rreth pagëzimit të Shpëtimtarit. Pasi Nefi i tregoi popullit të tij për këtë zbulesë, ai dha mësim atë që e quajti “doktrin[a] e Krishtit” – që me qëllim që të marrim jetën e përjetshme, ne duhet të ushtrojmë besim në Jezu Krisht, të pendohemi për mëkatet tona, të pagëzohemi, të marrim Frymën e Shenjtë dhe të durojmë deri në fund.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 31:1–13

Nefi jep mësim se kur pagëzohemi, ne ndjekim shembullin e Shpëtimtarit

Fillojeni orën mësimore duke u drejtuar studentëve pyetjet vijuese:

  • Çfarë kujtoni rreth pagëzimit tuaj? Si ndiheshit kur qetë pagëzuar?

Shpjegoni se kur studentët qenë pagëzuar, ata ndiqnin një model që ka qenë gjithmonë pjesë e ungjillit të Jezu Krishtit. Nefi përdori një frazë të caktuar për t’iu referuar këtij modeli. Ftojini studentët të kërkojnë një frazë që gjendet te 2 Nefi 31:2 dhe 2 Nefi 31:21. Pasi ata e kanë gjetur frazën “doktrina e Krishtit”, pyetni:

  • Cilat fjalë apo fraza te 2 Nefi 31:2, 21 sugjerojnë për rëndësinë e “doktrin[ës së] Krishtit”? (Përgjigjet mund të përfshijnë “Duhet të them në lidhje me”, “s’ka udhë tjetër” dhe “e vetmja doktrinë e vërtetë”.)

Paraqitni figurën Gjon Pagëzori Pagëzon Jezusin (62133; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 35). Ftojini studentët të studiojnë qetësisht 2 Nefin 31:5–9, duke kërkuar fraza që përcaktojnë arsyen përse Jezu Krishti u pagëzua. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që ata t’i shënojnë këto fraza.) Pas disa minutash, kërkojuni studentëve të lexojnë frazat që kanë gjetur.

Pamja
Gjon Pagëzori Pagëzon Jezusin
  • Çfarë mendoni se do të thotë të “përmbush[ësh] të gjithë drejtësinë”? (Pasi studentët të jenë përgjigjur, ju mund të doni të shpjegoni që ajo do të thotë të mbash urdhërimet. Presidenti Jozef F. Smith tha se “të përmbush[ësh] të gjithë drejtësinë “ është “të përmbushësh ligjin” [në Conference Report, prill 1912, f. 9].)

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 31:10–12.

  • Si e shpjegojnë këto vargje rëndësinë e pagëzimit? (Nefi jep mësim se pagëzimi është një urdhërim nga Ati Qiellor, që kërkohet me qëllim që të merret dhurata e Frymës së Shenjtë, dhe ajo është e nevojshme në përpjekjet tona për të ndjekur Jezu Krishtin.)

Kërkojuni studentëve të përmbledhin doktrinat dhe parimet që kanë mësuar nga 2 Nefi 31:5–12. Ndërsa tregojnë idetë e tyre, sigurohuni që ata të kuptojnë parimet vijuese:

Jezu Krishti vendosi shembullin e përkryer të bindjes për t’u ndjekur nga ne.

Ne duhet ta ndjekim Jezu Krishtin, të pagëzohemi dhe të marrim Frymën e Shenjtë.

Jezu Krishti, edhe pse pa mëkat, u pagëzua për të përmbushur të gjithë drejtësinë.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 31:13. Drejtojeni vëmendjen e studentëve te frazat “me qëllim të plotë të zemrës”, “pa bërë hipokrizi dhe mashtrim para Perëndisë” dhe “me bindje të vërtetë”. Ju mund të dëshironi t’u sugjeroni që t’i shënojnë këto fraza.

  • Çfarë domethënie kanë këto fraza për ju? (Ju mund të keni nevojë të nxirrni në pah se të treja frazat i referohen nevojës për të qenë të sinqertë në përpjekjet tona për të ushtruar besim te Shpëtimtari, për t’u penduar për mëkatet tona dhe për të ndjekur shembullin e Shpëtimtarit.)

Për t’i ndihmuar studentët të thellojnë kuptimin e tyre mbi mënyrën se si ta ndjekin shembullin e Shpëtimtarit në situata të ndryshme, drejtoni pyetje të tilla si ato që vijojnë:

  • Si munden këto fraza të zbatohen për veprimtari të tilla si studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta dhe pjesëmarrja në Kishë?

  • Cili është ndryshimi midis “thënies së një lutjeje” dhe lutjes “me qëllim të plotë të zemrës”?

  • Cili është ndryshimi midis ngrënies së bukës së sakramentit dhe marrjes së bukës së sakramentit “me bindje të vërtetë”?

  • Cili është ndryshimi midis thënies se ju vjen keq rreth diçkaje që keni bërë dhe pendimit “me qëllim të plotë të zemrës”?

2 Nefi 31:14–21

Nefi jep mësim se pas pagëzimit, ne duhet të marrim Frymën e Shenjtë dhe të vazhdojmë të ndjekim shembullin e Shpëtimtarit

Shpjegoni se Nefi foli për një portë që hapet në një shteg. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 31:17–18. Kur studenti të ketë mbaruar leximin, vizatoni një ilustrim të thjeshtë si ai vijues në tabelë:

Pamja
portë dhe shteg
  • Bazuar te 2 Nefi 31:17, çfarë është porta? (Pendim dhe pagëzim. Shkruani Pendim dhe Pagëzim poshtë portës.) Si ngjajnë pendimi dhe pagëzimi me një portë?

  • Sipas 2 Nefit 31:18, për ku të çon shtegu? (Jetë e përjetshme. Shkuaj Jetë e Përjetshme në fund të shtegut. Mund t’ju duhet të shpjegoni se fraza “jetën e përjetshme” i referohet ekzaltimit në mbretërinë çelestiale.)

  • Nefi dha mësim se pas pagëzimit, ne marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë (shih 2 Nefi 31:13–14). Sipas 2 Nefit 31:17–18, çfarë bën Fryma e Shenjtë për ne? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se Fryma e Shenjtë dëshmon për Atin dhe Birin dhe sjell një heqje të mëkateve.)

  • Përse është thelbësore për ne të marrim një dëshmi për Atin dhe Birin nëpërmjet Frymës së Shenjtë?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë rolin e Frymës së Shenjtë në heqjen e mëkateve, ju mund t’ju duhet të shpjegoni frazën “pagëzimi [i] zjarrit dhe [i] Frymës së Shenjtë” (2 Nefi 31:13–14; shih edhe vargun 17). Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë se çfarë do të thotë të pagëzohesh me anë të zjarrit dhe me anë të Frymës së Shenjtë.

“[Porta] e pagëzimit të çon drejt shtegut të ngushtë dhe të ngushtuar. …

Ne urdhërohemi dhe udhëzohemi të jetojmë në një mënyrë të tillë që natyra jonë e rënë të ndryshojë me anë të fuqisë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë. Presidenti Marion G. Romni mësonte se pagëzimi nga zjarri me anë të Frymës së Shenjtë ‘[na] kthen nga natyra mishtore në atë shpirtërore. Ai e pastron, e shëron dhe e dëlir shpirtin.… Besimi te Zoti Jezu Krisht, pendimi dhe pagëzimi me ujë janë së bashku hapa paraprakë dhe parakushte për të, por [pagëzimi me zjarr] është përfundimi i kërkuar. Të marrësh [këtë pagëzim nga zjarri], do të thotë të të pastrohen rrobat në gjakun shlyes të Jezu Krishtit’ (Learning for the Eternities, përmb. George J. Romney [1977], f. 133; shih edhe 3 Nefi 27:19–20).

Prandaj, kur lindim rishtas dhe përpiqemi të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne, Fryma e Shenjtë e shenjtëron dhe e pastron shpirtin tonë si me zjarr (shih 2 Nefi 31:13–14, 17). Si përfundim, ne duhet të gjendemi të panjollë para Perëndisë” (“Duar të Pafajshme dhe Zemër të Pastër”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 81).

  • Çfarë thanë Plaku Bednar dhe Presidenti Romni se bën për ne “pagëzimi [i] zjarrit”?

  • Çfarë bekimesh shtesë mund të marrim me anë të ndikimit të Frymës së Shenjtë?

  • Si “përpiqe[n]i të ke[n]i gjithmonë Shpirtin e Tij” me ju?

  • Kur e keni ndier Frymën e Shenjtë të veprojë në jetën tuaj?

Shpjegoni se te 2 Nefi 31:18, fjala i ngushtë do të thotë i ngushtuar, i rreptë, i saktë dhe që nuk lejon asnjë shmangie. Nefi e përdori këtë fjalë për të përshkruar shtegun që ne duhet të ndjekim pas pagëzimit me qëllim që të marrim jetën e përjetshme. Kërkojuni studentëve që të përsiatin qetësisht pyetjen vijuese:

  • Çfarë duhet të bëjmë pas pagëzimit me qëllim që të qëndrojmë në shtegun e jetës së përjetshme?

Ndërsa studentët përsiaten mbi këtë pyetje, ftojini t’i kërkojnë përgjigjet te 2 Nefi 31:15–16, 19–21. Ju mund të sugjeroni që ata t’i shënojnë fjalët apo frazat që shpjegojnë se çfarë duhet të bëjmë për të marrë jetë të përjetshme. Pas një kohe të mjaftueshme, ftoni disa studentë të tregojnë çfarë kanë shënuar. Ndërsa ata përgjigjen, shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë. Ilustrimi juaj duhet të duket diçka si kjo:

Pamja
Eternal Life Steps

Sigurohuni që studentët të kuptojnë se nëse jetojmë sipas doktrinës së Krishtit, ne do të marrim jetë të përjetshme.

Për ta përfunduar mësimin, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 31:20. Nxirrni në pah se 2 Nefi 31:19–20 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund t’i nxitni studentët ta shënojnë këtë fragment në mënyrë të dukshme që ata të mund ta gjejnë lehtësisht. Ftojini studentët t’i përgjigjen njërës prej pyetjeve vijuese në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e tyre të klasës:

  • Bazuar në çka keni studiuar në këtë mësim, çfarë ju jep shpresë se ju mund të merrni jetë të përjetshme?

  • Si ka ndikuar besëlidhja që bëtë në pagëzim në jetën tuaj?

Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë –2 Nefi 31:19–20

Lexoni deklaratën në vijim nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Fuqi e madhe mund të vijë nga futja në kujtesë e shkrimeve të shenjta. Futja në kujtesë e shkrimeve të shenjta është si të krijosh miqësi të re. Ajo është si të zbulosh një individ të ri që mund të të ndihmojë në kohë nevoje, të japë frymëzim e ngushëllim dhe të jetë një burim nxitjeje për ndryshimin e nevojshëm” (“Fuqia e Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 6).

Në një afishe (apo në një copë letër), shkruani Unë kam futur në kujtesë 2 Nefin 31:19–20. Vendoseni afishen në një vend ku do ta shohin studentët. Ftojini studentët ta futin në kujtesë këtë fragment ata vetë ose me familjet e tyre. Ftojini të shkruajnë emrin në afishe në ditët e ardhshme kur ta kenë futur në kujtesë fragmentin. Nëse ata punojnë me familjet e tyre për ta futur në kujtesë atë, ata mund të shkruajnë gjithashtu në afishe emrat e anëtarëve të familjes. Kujtohuni ta përshtatni këtë sfidë sipas aftësive dhe rrethanave të individëve në mënyrë që secili student të mund të jetë i suksesshëm.

Jepni dëshminë tuaj rreth vlerës së futjes në kujtesë të shkrimeve të shenjta, të tilla si 2 Nefi 31:19–20, që përmbajnë fjalë shprese.

Shënim: Për shkak të natyrës dhe kohëzgjatjes së mësimit të sotëm, ju mund të dëshironi ta përdorni këtë veprimtari në një ditë tjetër, kur të keni më shumë kohë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Nefi 31:2, 21. “Doktrina e Krishtit”

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

“‘Doktrina e Krishtit’ siç jepet mësim nga Nefi në fjalën e tij të madhe përmbledhëse përqendrohet te besimi në Zotin Jezu Krisht, pendimi, pagëzimi me anë të zhytjes, marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimi deri në fund. Në këtë deklaratë, nuk provohet të shtrohet i gjithë plani i shpëtimit, të gjitha virtytet e një jete të krishterë, apo shpërblimet që na presin në shkallë të ndryshme të lavdisë qiellore. Në këtë deklaratë, nuk trajtohen detyrat e priftërisë, ordinancat e tempullit apo shumë doktrina të tjera të vërteta. Të gjitha këto janë të rëndësishme, por siç përdoret në Librin e Mormonit, ‘doktrina e Krishtit’ është e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë. Ajo përqendrohet vetëm në parimet e para të ungjillit, duke përfshirë një shprehje të nxitjes për të duruar, për të këmbëngulur, për të vazhduar. Njëmend, ndikimi i ‘doktrin[ës së] Krishtit’ gjendet te qartësia dhe thjeshtësia e saj. Nefi e dinte që do të ishte kështu. Ai shkroi: ‘unë do t’ju flas qartë, sipas qartësisë së profecive që bëj’ [2 Nefi 31:2]” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 49–50).

2 Nefi 31:13. “Pa bërë hipokrizi”

Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli lidhur me të vepruarit pa hipokrizi:

“A e jetojmë njëmend ungjillin, apo thjesht e përshfaqim dukjen e drejtësisë në mënyrë që ata përreth nesh ta marrin me mend se jemi besnikë kur, në realitet, zemrat dhe veprimet tona të padukshme nuk janë të vërteta ndaj mësimeve të Zotit?

A marrim vetëm ‘formë[n e] shenjtëri[së]’ ndërsa mohojmë ‘fuqinë e saj’?[Joseph Smith – Historia 1:19.]

A jemi të drejtë në fakt, apo shfaqim bindje vetëm kur mendojmë se të tjerët po na këqyrin?

Zoti e ka bërë të qartë se Ai nuk do të gënjehet nga dukjet, dhe Ai na ka paralajmëruar të mos jemi të rremë ndaj Tij apo të tjerëve. Ai na ka paralajmëruar të jemi syçelët ndaj atyre që paraqitin një pamje të rreme, që japin një shkëlqim të shtirur që mbulon një realitet të errët” (“True to the Truth”, Ensign, maj 1997, f. 15–16).

Duke i këshilluar anëtarët që të veprojnë me qëllim të vërtetë dhe jo thjesht të vazhdojnë të lëvizin, Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:

“Pas këtyre mësimeve më themelore, na hapet një madhështi lidhjesh me Krishtin në shumë mënyra të ndryshme: lutje dhe agjërim dhe meditim mbi qëllimet e Tij, përjetim i shkrimeve të shenjta, dhënie shërbimi ndaj të tjerëve, ‘ndihm[ë] të dobtit, ngri[tje] duar[sh] që varen poshtë,. … forc[im] gjunjë[sh të] këputur’.DeB 81:5.] Mbi gjithçka tjetër, dhënie dashurie me ‘dashuri[në] e pastër [të] Krishtit’, atë dhuratë që ‘nuk dështon kurrë’, atë dhuratë që ‘mban të gjitha gjërat, beson të gjitha gjërat, [dhe] duron të gjitha gjërat’. [Shih Moroni 7:45–47.] Shpejt, me atë lloj dashurie, ne kuptojmë se ditët tona ka shumë mënyra të ndryshme që të çojnë te Mësuesi dhe që çdo herë që ne ndihmojmë, pavarësisht se sa pak, për Atë, ne zbulojmë se Ai ka qenë duke u përpjekur i shqetësuar të na ndihmojë.

Dëshira ime sot është që të gjithë ne … të kemi një përvojë më të drejtpërdrejtë me shembullin e Shpëtimtarit. Ndonjëherë ne e kërkojmë qiellin duke i rënë shumë anash [në mënyrë jo të drejtpërdrejtë], duke u përqendruar te programet ose historitë apo përvoja e të të tjerëve. Ato janë të rëndësishme por jo aq të rëndësishme sa përvoja vetjake, të qenit dishepuj të vërtetë dhe forca që vjen nga përjetimi vetjak i madhështisë së prekjes së Tij” (“Broken Things to Mend”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 70).

2 Nefi 31:13, 17–18. “Merrni Frymën e Shenjtë”

Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim:

“Ordinanca e konfirmimit të një anëtari të ri të Kishës dhe dhënia e dhuratës së Frymës së Shenjtë është edhe e thjeshtë edhe e thellë. Mbajtës të denjë të Priftërisë Melkizedeke i vendosin duart mbi kokën e një individi dhe e thërrasin atë me emër. Pastaj, me autoritetin e priftërisë së shenjtë dhe në emrin e Shpëtimtarit, individi konfirmohet anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe shqiptohet kjo frazë e rëndësishme: ‘Merre Frymën e Shenjtë’.

Thjeshtësia e kësaj ordinance mund të bëjë që të mos e vëmë re domethënien e saj. Këto katër fjalë – ‘Merre Frymën e Shenjtë’ – nuk janë një shqiptim pasiv; përkundrazi, ato përbëjnë një urdhër priftërie – një këshillim autoritar për të vepruar dhe jo thjesht që të detyrohemi të veprojmë (shih 2 Nefi 2:26). Fryma e Shenjtë nuk bëhet vepruese në jetën tonë thjesht sepse janë vendosur mbi kokë duart dhe janë shqiptuar ato katër fjalë të rëndësishme. Kur e marrim këtë ordinancë, secili prej nesh pranon një përgjegjësi të shenjtë e të vazhdueshme për të dëshiruar, kërkuar, punuar dhe jetuar në mënyrë të tillë që ne vërtet ‘ta marrim Frymën e Shenjtë’ dhe dhuratat e tij shpirtërore shoqëruese. …

Lutja, studimi, mbledhja, adhurimi, shërbimi dhe bindja nuk janë pika të veçuara e të pavarura në një listë të gjatë të ungjillit të gjërave për t’u bërë. Përkundrazi, secila prej këtyre praktikave të drejta është një element i rëndësishëm në një kërkim shpirtëror kryesor për të përmbushur urdhrin për të marrë Frymën e Shenjtë. Urdhërimet nga Perëndia që u bindemi, dhe këshilla e frymëzuar nga udhëheqësit e Kishës që e ndjekim, përqendrohen kryesisht mbi sigurimin e shoqërimit të Shpirtit. Në thelb, të gjitha mësimet dhe aktivitetet e ungjillit qendërzohen në vajtjen te Krishti duke marrë Frymën e Shenjtë në jetën tonë” (“Merrni Frymën e Shenjtë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 95, 97).

Thënia vijuese radhit disa nga bekimet që mund të marrim kur jemi të denjë për shoqërimin e Frymës së Shenjtë:

“[Fryma e Shenjtë] mund t’ju udhëzojë në vendime dhe t’ju mbrojë nga rreziku fizik e shpirtëror. …

Ai është Ngushëlluesi (Gjoni 14:26). … Pëshpëritjet e Shpirtit mund t’ju qetësojnë frikën, të urtësojnë shqetësimet ngacmuese të jetës dhe t’ju lehtësojnë brengosjen. Fryma e Shenjtë mund t’ju mbushë ‘me shpresë dhe dashuri të pastër’ e t’ju ‘mësojë gjërat paqësore të mbretërisë’ (Moroni 8:26; DeB 36:2). …

Shijimi i plotë i dhuratës së Frymës së Shenjtë përmbledh marrjen e zbulesës dhe të ngushëllimit, shërbimin e bekimin e të tjerëve përmes dhuratave shpirtërore, shenjtërimin me largim nga mëkati dhe të bëhesh i përshtatshëm për ekzaltim në mbretërinë çelestiale” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 56–58).

2 Nefi 31:15–16. “Duron[i] deri në fund”

Fraza “duron[i] deri në fund” është përdorur shpesh për të sugjeruar nevojën për t’iu nënshtruar me durim vështirësive gjatë gjithë jetës sonë. Plaku Jozef B. Uirthlin shpjegoi se të durosh deri në fund do të thotë gjithashtu të vazhdosh me besnikëri në Krisht:

“Durimi deri në fund është doktrina e vazhdimit në shtegun që të çon në jetë të përjetshme pasi një person futet në shteg nëpërmjet besimit, pendimit, pagëzimit dhe marrjes së Frymës së Shenjtë. Durimi deri në fund kërkon gjithë zemrën tonë apo, siç na mëson profeti Amaleki i Librit të Mormonit, ne duhet të ‘[vijmë] tek ai dhe [të] dhuro[jmë] tërë shpirtrat [tanë] si një dhuratë ndaj tij dhe [të] vazhdo[jmë] në agjërim dhe lutje dhe [të] duro[jmë] deri në fund; dhe ashtu si Zoti jeton, [ne] do të shpëtohe[m]i’.[Omni 1:26.]

Durimi deri në fund do të thotë se ne e kemi bazuar fort jetën tonë te doktrinat e ungjillit, duke qëndruar në rrjedhën e Kishës, duke u shërbyer përulësisht bashkënjerëzve tanë, duke jetuar jetë si të Krishtit dhe duke i mbajtur besëlidhjet tona. Ata që durojnë janë të drejtpeshuar, të qëndrueshëm, të përulur, vazhdimisht në përmirësim dhe pa mashtrim. Dëshmia e tyre nuk bazohet në arsye të kësaj bote – ajo bazohet tek e vërteta, njohuria, përvoja dhe Shpirti” (“Press On”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 101).

2 Nefi 31–33. Fryma e Shenjtë

Mësimet e fundit të Nefit në Librin e Mormonit përfshijnë shumë të vërteta rreth Frymës së Shenjtë. Për shembull:

  1. Fryma e Shenjtë ju mundëson të flisni me “gjuhën e engjëjve” (shih 2 Nefi 31:13).

  2. Heqja e mëkateve vjen nga fuqia e Frymës së Shenjtë (shih 2 Nefi 31:17).

  3. Fryma e Shenjtë dëshmon për Atin dhe Birin (shih 2 Nefi 31:18).

  4. Fryma e Shenjtë do t’ju tregojë të gjitha gjërat që duhet të bëni (shih 2 Nefi 32:5).

  5. Fryma e Shenjtë u mëson njerëzve të luten (shih 2 Nefi 32:8).

  6. Kur një person flet me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, Ai e përcjell mesazhin te zemrat e të tjerëve (shih 2 Nefi 33:1).