Biblioteka
Mësimi 26: 2 Nefi 4


Mësimi 26

2 Nefi 4

Hyrje

Pas vdekjes së Lehit, Lamani dhe Lemueli u zemëruan me Nefin “për shkak të qortimeve të Zotit” që Nefi u pati thënë atyre (shih 2 Nefi 4:13–14). I shqetësuar nga qëndrimet dhe veprimet e vëllezërve të tij dhe nga vetë dobësitë e mëkatet e tij, Nefi i shënoi ndjenjat e tij në një gjuhë shprehëse dhe poetike. Ai e përshkroi dashurinë e tij për shkrimet e shenjta dhe mirënjohjen e tij për bekimet dhe forcën që ai pati marrë nga Zoti (shih 2 Nefi 4:15–35).

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 4:1–11

Lehi këshillon dhe bekon familjen e tij

Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruani pyetjen vijuese në tabelë:

Nëse do të ishit një gjysh besnik dhe fëmijët tuaj nuk do të qenë duke jetuar sipas standardeve të ungjillit, çfarë këshille do t’u jepnit nipërve tuaj?

Fillojeni orën mësimore duke i ftuar studentët t’i përgjigjen pyetjes në tabelë. Pasi përgjigjen studentët, pyetni:

  • Çfarë përgjegjësish kanë prindërit dhe gjyshërit në mësimin dhe këshillimin e fëmijëve dhe nipërve e mbesave të tyre?

Si pjesë e këtij diskutimi, ju mund të doni të lexoni apo t’i kërkoni një studenti të lexojë thënien vijuese:

“Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi, për të plotësuar nevojat e tyre fizike dhe shpirtërore për t’i mësuar ata ta duan e t’i shërbejnë njëri-tjetrit, të zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe të jenë qytetarë që u binden ligjeve kudo që jetojnë. Bashkëshortët dhe bashkëshortet – nënat dhe etërit – do të mbahen përgjegjës përpara Perëndisë për plotësimin e këtyre detyrimeve.… Të afërm të tjerë duhet të ndihmojnë kur është e nevojshme” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign, nëntor 2010, f. 129).

Paraqitni 2 Nefin 4 duke shpjeguar se përpara se të vdiste Lehi i këshilloi pasardhësit e tij që të mbajnë urdhërimet. Ftojini studentët të lexojnë 2 Nefin 4:3–11, duke gjetur njerëzit të cilëve Lehi u dha mësim dhe këshillën që ai u dha atyre.

  • Cilit i dha mësim Lehi? (Shih 2 Nefi 4:3, 8, 10–11.)

  • Çfarë premtimi u dha Lehi fëmijëve të Lamanit dhe Lemuelit? (Shih 2 Nefi 4:7, 9.)

  • Bazuar te 2 Nefi 4:5, çfarë do të thoshit se është një përgjegjësi që Zoti ua ka dhënë prindërve? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, por sigurohuni që ata kuptojnë se prindërit kanë një përgjegjësi të dhënë nga Zoti për t’u mësuar fëmijëve të tyre ungjillin.)

  • Cilat janë disa të vërteta që keni mësuar nga prindërit apo gjyshërit tuaj?

Nxitini studentët të bëhen hallka të forta në zinxhirin e familjeve të tyre – të jetojnë ungjillin dhe të përgatiten të bëhen prindër të drejtë. Ju mund të doni ta paraqitni posterin me titull “Be a Strong Link” [“Ji një Hallkë e Fortë”] (shih http://lds.org/liahona/2003/09/poster?lang=eng).

2 Nefi 4:12–35

Nefi njeh dobësitë e tij dhe shpreh besimin e tij te Zoti

Në tabelë, shkruani Shpirti im kënaqet në …

Kërkojuni studentëve ta shkruajnë këtë frazë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e klasës dhe të përfundojnë thënien, duke renditur gjërat që janë të kënaqshme për shpirtin e tyre.

Kërkojuni studentëve të lexojnë me zë të lartë 2 Nefin 4:15–16 për të mësuar se si Nefi e plotësoi këtë frazë.

  • Cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë nëse shpirti ynë kënaqet në shkrimet e shenjta?

  • Çfarë do të thotë për ju të kënaqesh në gjërat e Zotit?

  • Nefi tha se zemra e tij meditoi mbi gjërat që ai pati parë dhe dëgjuar. Çfarë nënkupton kjo për ju?

Theksoni se Nefi përjetoi gëzim të madh në jetën e tij. Sidoqoftë, ai gjithashtu ndeshi vështirësi. Vërini studentët të lexojnë qetësisht 2 Nefin 4:12–13 për të parë disa nga sfidat që Nefi përjetoi në këtë kohë në jetën e tij. (Vdekja e Lehit dhe zemërimi i Lamanit, Lemuelit dhe i bijve të Ishmaelit.)

Shumë nga sprovat e Nefit erdhën për shkak të veprimeve dhe qëndrimeve të vëllezërve të tij më të mëdhenj. Por Nefi gjithashtu u brengos për shkak të vetë dobësive të tij. Shkruani në tabelë Zemra ime brengoset për shkak të …

Ftojini studentët të lexojnë 2 Nefin 4:17–18 dhe gjeni shkaqet që Nefi u brengos.

Pasi studentët të kenë pasur kohë për t’i lexuar këto vargje, i pyetni se çfarë kanë gjetur. Drejtojeni vëmendjen e tyre te fjalët i mjerë, mishit, dhe ngacmojnë në këto vargje. Shpjegojuni se fjala i mjerë do të thotë fatkeq ose i një cilësie të ulët. Në shkrimet e shenjta, fjala mishit shpesh nënkupton dobësinë që kemi ngaqë jetojmë në gjendje të rënë. Fjala ngacmojnë do të thotë të rrethosh ose të ushtrosh presion nga të gjitha anët.

  • Cilat janë disa shembuj të vështirësive që mund të na ngacmojnë ne? (Përgjigjet mund të përfshijnë shqetësimet në shtëpi, presionin nga bashkëmoshatarët, punë të vështirë shkolle dhe tundime.)

Vëreni një student të lexojë 2 Nefi 4:19. Ju mund të doni t‘i nxitni studentët të nënvizojnë thënien “Megjithatë, unë e di në cilin kam besuar”. Theksoni se te 2 Nefi 4:19, fjalët e Nefit ndryshojnë nga gjendje dëshpërimi në gjendje shprese.

  • Çfarë mendoni se kuptonte Nefi kur tha: “Unë e di në cilin kam besuar”?

  • Si mundet të kujtuarit e Zotit dhe të mirësisë së Tij të na ndihmojë gjatë kohëve të shkurajimit?

Lexoni me zë të lartë 2 Nefin 4:20–25. Kërkojuni studentëve t’ju ndjekin së bashku në shkrimet e tyre të shenjta. Ftojini ata të kërkojnë fjalë dhe fraza që ilustrojnë se Perëndia mbështet ata që vënë besimin e tyre në Të.

  • Cilat fjalë apo fraza te 2 Nefi 4:20–25 i gjeni kuptimplote? Përse?

  • Mendoni për një kohë kur Zoti ju mbështeti apo ju ndihmoi në kohë vështirësie. Si ju ndihmoi Ai? Si ka ndikuar ajo përvojë tek ju?

Mund të jetë e dobishme t’u jepni studentëve kohë të mendojnë rreth përvojave të tilla dhe t’i shënojnë ato në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Studentët gjithashtu mund të përfitojnë nëse u tregoni rreth një kohe kur Perëndia ju ndihmoi apo mbështeti.

Ndihmojini studentët të kuptojnë se aftësia e Nefit për të kujtuar dhe vlerësuar atë që Zoti pati bërë për të në të kaluarën i dha atij shpresë dhe e nxiti atë të bëhej më i mirë. Ftojini studentët të lexojnë qetësisht 2 Nefin 4:26–30, duke kërkuar mënyrën se si përvojat e Nefit ndikuan në dëshirën e tij për të qenë i drejtë. Kërkojuni disa studentëve të tregojnë atë që zbulojnë.

Kërkojuni disa studentëve të lexojnë me radhë nga 2 Nefi 4:30–35. Si klasë, gjeni zotimet që Nefi i bëri Zotit dhe bekimet që ai kërkoi.

  • Çfarë mund të mësojmë nga kjo lutje që mund të na ndihmojë në lutjet tona vetjake? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, por siguroni që ata e kuptojnë se lutja e sinqertë mund të forcojë zotimin tonë për të kapërcyer mëkatin dhe shkurajimin.)

Ftojini studentët të mendojnë rreth një kohe kur lutja i ndihmoi të kapërcejnë mëkatin apo shkurajimin. Ju mund të doni të sugjeroni që ata të tregojnë përvojat e tyre apo t’i shënojnë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

Jepuni studentëve një çast për të kërkuar për një fragment te 2 Nefi 4 që pasqyron një dëshirë që ata kanë. Pas një kohe të mjaftueshme, lexoni thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve mbi atë se si lutja mund të nxitë rritje shpirtërore:

“Në karakterin tonë, në sjelljen tonë apo lidhur me rritjen tonë shpirtërore mund të ketë gjëra për të cilat ne kemi nevojë të këshillohemi me Atin Qiellor në lutjen e mëngjesit. Mbas shprehjes së falënderimeve të duhura për bekimet e marra, ne lutemi për aftësinë që të kuptojmë, për drejtim dhe për ndihmë për të bërë gjërat që vetë nuk mundemi vetëm me forcën tonë. Për shembull, kur lutemi, ne mund të:

• Mendojmë për ato raste kur u kemi folur ashpërsisht ose në mënyrë të papërshtatshme atyre që i duam më shumë.

• Pranojmë se dimë të veprojmë edhe më mirë, por që jo gjithmonë veprojmë në përputhje me atë që dimë.

• Shprehim keqardhje për dobësitë tona dhe që nuk zhveshim më seriozisht njeriun tonë të natyrshëm.

• Vendosim t’i japim formë jetës sonë më plotësisht sipas Shpëtimtarit.

• Përgjërohemi për fuqi më të madhe dhe për të vepruar e për t’u bërë më të mirë” (“Lutuni Kurdoherë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 41).

Përfundoni duke iu drejtuar frazave që keni shkruar në tabelë më herët në mësim (“Shpirti im kënaqet në …” dhe “Zemra ime brengoset për shkak të …”). Shprehni besim në vetvete se edhe kur përballemi me situata të vështira, ne mund të përjetojmë lumturi dhe paqe teksa kërkojmë ndihmën e Zotit.

Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Shënim: Kohëzgjatja e këtij mësimi mund t’i lejojë kohë veprimtarisë së mëposhtme të përsëritjes për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund ta kryeni veprimtarinë në fillim të orës mësimore, si një pushim midis pjesëve të mësimit ose në fund të orës mësimore. Sigurohuni të mos e zgjatni atë që të lioni kohë për mësimin. Për veprimtari të tjera përsëritjeje, shihni shtojcën në fund të këtij manuali.

Lojërat me pyetje-përgjigje mund t’i ndihmojnë studentët të kujtojnë çka kanë mësuar dhe të masin mësimin e tyre. Zgjidhni disa fragmente të reja për zotërimin e shkrimit të shenjtë dhe ftojini studentët t’i lexojnë dhe shënojnë ato në librat e tyre të shkrimeve të shenjta. Pastaj jepuni atyre një lojë me pyetje-përgjigje me gojë mbi ato fragmente dhe fragmente të tjera për zotërimin e shkrimit të shenjtë që ata kanë mësuar tashmë. Për çdo fragment, lexoni një fjalë apo frazë kyçe nga letra shënuese e seminarit. Pastaj kërkojuni studentëve të gjejnë fragmentin e saktë në librat e tyre të shkrimeve të shenjta.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Nefi 4:16–35. Kapërcimi i mëkateve dhe dobësive tona

Ndërsa e studiojmë lutjen e ndier të Nefit që Zoti ta ndihmojë atë të kapërcejë mëkatet dhe dobësitë e tij, shohim se mund të shkojmë te Zoti për të njëjtën ndihmë. Fjalëve të Nefit u bëhet jehonë në fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme.

Profeti Jozef Smith na mësoi:

“Sa më pranë t’i afrohet njeriu përsosjes, aq më të qarta janë pikëpamjet e tij dhe aq më të mëdha gëzimet e tij, derisa ai të ketë kapërcyer të ligat e jetës së tij dhe të ketë humbur çdo dëshirë për mëkat” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2007], f. 221).

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dëshmoi për bekimet që marrim kur ne pendohemi:

“Përse Ati ynë dhe Biri i Tij na kanë urdhëruar të pendohemi? Sepse ata na duan. Ata e dinë se të gjithë ne do të shkelim ligje të amëshuara. Qofshin [mëkate] të vogla apo të mëdha, drejtësia kërkon që çdo ligj i thyer të zbatohet për të mbajtur premtimin e gëzimit në këtë jetë dhe privilegjin e kthimit tek Ati në Qiell. Nëse nuk plotësohet, në Ditën e Gjykimit drejtësia do të bëjë që ne të dëbohemi nga prania e Perëndisë për të qenë nën kontrollin e Satanit [shih 2 Nefi 9:8–10; 2 Nefi 2:5].

Është Mësuesi ynë dhe akti i Tij shëlbues që e bëjnë të mundur për ne që ta shmangim një dënim të tillë. Kjo bëhet me besim në Jezu Krisht, bindje ndaj urdhërimeve të Tij dhe duke duruar në drejtësi deri në fund.

A po përfitoni plotësisht nga fuqia shëlbuese e pendimit në jetën tuaj në mënyrë që të mund të keni paqe dhe gëzim më të madh? Ndjenjat e shqetësimit dhe dëshpërimit shpesh sinjalizojnë nevojën për pendim. Gjithashtu mungesa e drejtimit shpirtëror që kërkoni në jetën tuaj mund të vijë nga ligjet e thyera. Nëse nevojitet, pendimi i plotë do ta mbledhë jetën tuaj. Ai do të zgjidhë të gjithë kompleksin e dhembjeve shpirtërore që vijnë nga shkelja. Por në këtë jetë nuk mund të ndreqë disa nga pasojat fizike që mund të vijnë prej një mëkati të rëndë. Jini të urtë dhe jetoni vazhdimisht plotësisht brenda kufijve të drejtësisë të përcaktuara nga Zoti” (“The Path to Peace and Joy”, Ensign, nëntor 2000, f. 25).