Biblioteka
Mësimi 39: 2 Nefi 29–30


Mësimi 39

2 Nefi 29–30

Hyrje

Nefi profetizoi rreth Rivendosjes së ungjillit në ditët e mëvonshme, që Zoti tha se do të ishte “një punë [e] mrekullueshme” (2 Nefi 29:1). Nefi dëshmoi se në ditët e fundit, të gjitha shkrimet e shenjta do të funksiononin së bashku për të treguar se Perëndia i kujton fëmijët e Tij. Ai profetizoi se shumë do ta hedhin poshtë Librin e Mormonit por se ata që besojnë do të mblidhen në Kishë. Përveç kësaj, ai dha mësim se populli i besëlidhjes së Perëndisë janë ata që pendohen dhe besojnë te Biri i Perëndisë.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 29

Nefi profetizon se në ditët e fundit, shumë do ta hedhin poshtë Librin e Mormonit

Ftojini studentët të përfytyrojnë se një mik në shkollë pyet sinqerisht: “Përse mormonët kanë një Bibël tjetër?” Ju mund t’u kërkoni studentëve të ngrenë dorën nëse u është bërë një pyetje si kjo. Pastaj ftoni disa që të tregojnë se si i janë përgjigjur pyetjes.

Shpjegojuni se Nefi dha disa përgjigje për këtë pyetje duke regjistruar fjalët e Zotit rreth rolit të Librit të Mormonit në Rivendosjen e ditëve të mëvonshme të ungjillit, që Zoti e quajti “një punë [e] mrekullueshme”. Ftojini studentët të lexojnë qetësisht 2 Nefin 29:1–2 dhe të përcaktojnë çfarë do të bënin fjalët e Zotit në ditët e fundit. (Ato do të “dalin” te fara ose pasardhësit e Nefit dhe gjithashtu ato do të “ushtojnë në fundet e tokës”.) Presidenti Ezra Taft Benson shpjegoi se “ne, anëtarët e Kishës, dhe veçanërisht misionarët, duhet të jemi ‘ushtuesit’, apo treguesit dhe dëshmuesit e Librit të Mormonit në fundet e tokës” (“The Book of Mormon Is the Word of God”, Ensign, maj 1975, f. 65).

Shpjegoni se fjala flamur te 2 Nefi 29:2 i referohet një objekti që përdoret për të mbledhur dhe bashkuar njerëz. Flamujt shpesh janë quajtur standarde. (Shih shpjegimin e fjalës emblemë te mësimi 32.)

  • Sipas 2 Nefit 29:2, cili është “flamur[i]” që do të dalë “në fundet e tokës” për të mbledhur popullin e Zotit? (Libri i Mormonit – fjalët e farës apo pasardhësve të Nefit.)

  • Sipas 2 Nefit 29:1–2, cili është qëllimi i Zotit për të siguruar shkrime të shenjta shtesë, të tilla si Libri i Mormonit? (Ndihmojini studentëve të kuptojnë se Zoti i siguron shkrimet e shentja si një dëshmitar të dytë dhe për të mbledhur popullin te besëlidhja e Tij.)

Në tabelë, shkruani thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (nga Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 4.):

“Libri i Mormonit është deklarata themelore e besëlidhjes së Perëndisë dhe dashurisë së Tij për fëmijët e Tij këtu në tokë”. (Plaku Xhefri R. Holland)

Shpjegoni se te 2 Nefi 29, fjala johebrenj u referohet njerëzve që nuk janë të shtëpisë së Izraelit. Fjala judenj u referohet njerëzve që janë të shtëpisë së Izraelit, përfshirë familjen dhe pasardhësit e Lehit. Vërini studentët të lexojnë qetësisht 2 Nefin 29:3–6, duke kërkuar reagimin që disa johebrenj do të kishin ndaj shkrimeve të shenjta shtesë.

  • Si do të reagonin disa ndaj shkrimeve të shenjta shtesë?

  • Çfarë tha Zoti rreth njerëzve që reagojnë në këtë mënyrë?

Shpjegoni se Nefi ishte profetik në përshkrimin e tij për reagimin e njerëzve ndaj Librit të Mormonit. Njerëzit sot shpesh shprehin dyshime rreth Librit të Mormonit ngaqë kanë Biblën tashmë.

Caktoni studentë të studiojnë në çifte 2 Nefin 29:7–11. Ftojini të gjejnë qëllimet e Zotit për të dhënë shkrime të shenjta përveç Biblës. Pas disa minutash, kërkojuni të tregojnë atë që kanë gjetur. Përgjigje të mundshme përfshijnë që: 1) Zoti i kujton të gjithë njerëzit dhe dërgon fjalën e Tij tek të gjithë kombet (shih vargu 7); 2) Zoti u thotë të njëjtin mesazh të gjithë kombeve, dhe Libri i Mormonit është një dëshmi e dytë për të vërtetat në Bibël (shih vargu 8); 3) Zoti është kurdoherë i njëjti, dhe Ai flet sipas dëshirës së Tij (shih vargu 9); 4) puna e Zotit nuk ka mbaruar, dhe Ai do të vazhdojë të flasë për të përmbushur punën e Tij (shih vargu 9); 5) njerëzit nuk duhet të mendojnë se Bibla i përmban të gjitha fjalët e Zotit apo se Zoti nuk ka bërë që më shumë fjalë të shkruhen (shih vargu 10); dhe 6) Zoti urdhëron njerëzit në të gjithë kombet që të hedhin në letër fjalët e Tij (shih vargu 11). Për t’i ndihmuar studentët që të përmbledhin dhe të zbatojnë atë që kanë mësuar nga kjo pjesë e mësimit, drejtoni disa ose të gjitha pyetjet vijuese:

  • Si mund të përdoret 2 Nefi 29 për të zgjidhur shqetësimet rreth Librit të Mormonit si një libër shtesë i shkrimeve të shenjta?

  • Si e kanë rritur këto vargje vlerësimin tuaj për Librin e Mormonit?

Ndajini studentët në çifte përsëri. Kërkojuni të praktikojnë t’i përgjigjen pyetjes: “Përse mormonët kanë një Bibël tjetër?” Ftojeni një person që të drejtojë pyetjen dhe një tjetër që t’i përgjigjet pyetjes. Pastaj kërkojuni të ndërrojnë rolet dhe të përsëritin diskutimin. Në fund të kësaj veprimtarie, ju mund të doni t’i nxitni studentët të mendojnë për njerëz që njohin, të cilët mund të përfitojnë nga një diskutim i këtyre parimeve dhe për të kërkuar drejtim nga Shpirti i Shenjtë mbi mënyrën se si të flasin me këta njerëz.

Ndërsa përfundoni këtë pjesë të mësimit, sigurohuni që studentët të kuptojnë se Zoti i kujton të gjithë njerëzit dhe do të dërgojë fjalët e Tij tek ata.

2 Nefi 30:1–8

Nefi profetizon rolin e Librit të Mormonit në ditët e fundit

Shpjegoni se pasi dha mësim që Perëndia do ta kujtonte shtëpinë e Izraelit, Nefi paralajmëroi popullin e tij që të mos mendonte se ishte më i drejtë sesa mund të ishin johebrenjtë. Ai gjithashtu u kujtoi atyre se të gjithë popujt mund të bëhen popuj të besëlidhjes së Perëndisë. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 30:2, dhe ftojeni klasën të kërkojë dy gjëra që duhet të bëjmë për t’u bërë pjesë e popullit të besëlidhjes së Perëndisë. Ftojini studentët të tregojnë atë çka gjejnë. Sigurohuni që ata të kuptojnë se ne bëhemi pjesë e popullit të besëlidhjes së Perëndisë kur pendohemi dhe besojmë në Jezu Krisht.

Shpjegoni se te 2 Nefi 30:3, Nefi përshkruan një mënyrë se si Zoti e mbledh popullin e Tij në besëlidhje në ditët e fundit. Ftojini studentët të lexojnë qetësisht 2 Nefin 30:3 dhe të gjejnë këtë proces. (Zoti dërgon Librin e Mormonit. Shumë besojnë në të dhe e ndajnë me të tjerët.) Ju mund të dëshironi të vini në pah se Nefi përmendi veçanërisht se fjalët e Librit të Mormonit do të çohen përpara te “mbetj[a e] farës sonë”, duke pasur parasysh pasardhësit e Lehit.

Nxitini studentët të lexojnë qetësisht 2 Nefin 30:4–8, duke kërkuar fraza që tregojnë se si njerëzit do të bekohen kur pranojnë Librin e Mormonit.

  • Në cilat mënyra do të bekohen pasardhësit e Lehit ndërsa mësojnë rreth paraardhësve të tyre?

  • Çfarë mësimi japin këto vargje për ndikimin që mund të ketë Libri i Mormonit te gjithë popujt?

Sigurohuni që studentët të kuptojnë se Libri i Mormonit mund t’i ndihmojë të gjithë popujt të arrijnë të njohin Jezu Krishtin dhe të jetojnë ungjillin e Tij. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë thënie në tabelë.

  • Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar të tjerët të njohin Jezu Krishtin nëpërmjet Librit të Mormonit?

  • Si ju ka ndihmuar Libri i Mormonit për të arritur të njihni Shpëtimtarin?

Ftojini studentët të tregojnë një përvojë që kanë pasur duke ndarë Librin e Mormonit. Nxitini studentët të luten për mundësira për të ndarë Librin e Mormonit me të tjerë.

2 Nefi 30:9–18

Nefi profetizon për kushtet në tokë gjatë Mijëvjeçarit

Shpjegoni se Nefi profetizoi gjithashtu lidhur me Mijëvjeçarin – 1.000 vitet që pasojnë Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

Përmblidhni 2 Nefin 30:9–10 duke shpjeguar se në Ardhjen e Dytë të Zotit, të ligjtë do të shkatërrohen. Kërkojuni studentëve të lexojnë qetësisht 2 Nefin 30:12–18, duke kërkuar përshkrime të jetës gjatë Mijëvjeçarit. Ftojini studentët të përfytyrojnë se po shkruajnë një artikull lajmesh gjatë Mijëvjeçarit, duke përshkruar një situatë që kanë gjetur. Kërkojuni të shkruajnë titujt për artikullin dhe të ndajnë titujt e tyre me njëri-tjetrin.

  • Nga kushtet e mijëvjeçarit që keni studiuar te 2 Nefi, cilin mezi e prisni më shumë? Përse?

Drejtojeni vëmendjen e studentëve te thënia vijuese te 2 Nefi 30:18: “Satani nuk do të ketë më fuqi në zemrat e fëmijëve të njerëzve për një kohë të gjatë”. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shënojnë këtë deklaratë në librat e tyre të shkrimeve të shenjta.

  • Përse është e dobishme të dish se drejtësia më në fund do të triumfojë mbi ligësinë?

Pasi studentët të përgjigjen, dëshmoni se Satani nuk do të ketë fuqi mbi zemrat e njerëzve gjatë Mijëvjeçarit, dhe drejtësia dhe paqja do të triumfojnë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë deklaratën vijuese nga Presidenti Xhorxh Q. Kenon, i Presidencës së Parë. Kërkojini klasës të mbajë vesh për arsyet përse Satani nuk do të ketë fuqi gjatë Mijëvjeçarit.

“Ne flasim rreth Satanit të jetë i lidhur. Satani do të jetë lidhur nga fuqia e Perëndisë; por Satani do të jetë lidhur gjithashtu nga vendosmëria e popullit të Perëndisë që të mos e dëgjojë atë, të mos qeveriset prej tij. Zoti nuk do ta lidhë Satanin dhe të heqë fuqinë e tij nga toka, ndërsa ka burra dhe gra të gatshëm të drejtohen te Satani. Ajo është në kundërshtim me planin e shpëtimit. T’u heqësh njerëzve lirinë e tyre të zgjedhjes është në kundërshtim me qëllimet e Perëndisë sonë. Kishte një kohë në këtë kontinent, për të cilën ne kemi një tregim, kur njerëzit ishin aq të drejtë saqë Satani nuk pati fuqi ndër ta. Thuajse katër breza kaluan në drejtësi. Ata jetonin në pastërti dhe vdisnin pa mëkat. Ajo ishte nëpërmjet kundërshtimit të tyre për t’iu dorëzuar Satanit. Nuk është shkruar që Satani të mos kishte fuqi në pjesë të tjera të tokës gjatë asaj periudhe. Sipas gjithë historisë që kemi në dispozicion, Satani pati të njëjtën fuqi mbi njerëzit që qenë të gatshëm të mbanin vesh atë. Por në këtë vend ai nuk pati fuqi, dhe ai ishte në kuptimin e plotë të fjalës i lidhur. Unë besoj se kështu do të jetë në mijëvjeçar; dhe unë e mendoj atë ashtu si atë gjendje të lumtur që përshkruhet në analin për të cilin po flas. Unë pres që përpara se Satani të jetë plotësisht i lidhur të ligjtë do të jenë shkatërruar” (në Conference Report, tetor 1897, f. 65).

  • Si do të lidhet Satani gjatë Mijëvjeçarit?

Nxitini studentët të jetojnë drejtësisht në mënyrë që kundërshtari të mos ketë fuqi mbi ta.

Komente dhe Informacion p ër Rrethanat

2 Nefi 30:9–10. “Perëndi[a] do të shkaktojë një ndarje të madhe”

Te 2 Nefi 30:9–10, Nefi profetizon një kohë kur “Zoti Perëndi do të shkaktojë një ndarje të madhe mes njerëzve dhe të ligjtë do t’i shkatërrojë; dhe ai do t’i kursejë njerëzit e tij”. Ndihmojini studentët të kuptojnë se me qëllim që të numërohemi midis popullit të Zotit në atë ditë, ne duhet ta ndajmë tani veten nga mënyrat e kësaj bote. Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve tha:

“Largësia midis Kishës dhe botës së vendosur në një drejtim që ne nuk mund ta ndjekim, do të rritet qëndrueshëm” (“The Father and the Family”, Ensign, maj 1994, f. 21).

Plaku Robert D. Hejls, nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve na mësoi:

“Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme ne nuk kemi nevojë të dukemi si bota. Ne nuk kemi nevojë të argëtohemi si bota. Zakonet tona vetjake duhet të jenë të ndryshme. Argëtimi ynë duhet të jetë i ndryshëm” (“Gifts of the Spirit”, Ensign, shkurt 2002, f. 17).

Plaku Leri W. Gibons, i Të Shtatëdhjetëve tha:

“Në këtë kohë relativizmi moral ne duhet të jemi të përgatitur të marrim një qëndrim dhe të themi: ‘Kjo është e drejtë dhe kjo është e gabuar’. Ne nuk mund të shkojmë pas turmës! Tani, unë nuk po sugjeroj, sigurisht, që të shkojmë në shkretëtirë dhe t’i kyçim dyert tona. Ne mund të jemi në botë, të shkojmë në shkollë, të shkojmë në punë, të bashkohemi me organizata komunitare që ia vlejnë e kështu me radhë. Por ne duhet t’i mbajmë standardet e Zotit. …

Vëllezër dhe motra, qëndroni në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar. Jo, qëndroni në mes të shtegut të ngushtë dhe të ngushtuar. Mos u endni; mos u sorollatni; mos bubërroni; jini të kujdesshëm.

Kujtoni, mos flirtoni me të ligën. Qëndroni jashtë territorit të djallit. Mos i jepni Satanit epërsi që të luajë në fushën e vet. Të jetuarit e urdhërimeve do t’ju sjellë lumturinë, të cilën shumë njerëz e kërkojnë në vende të tjera” (“Wherefore, Settle This in Your Hears”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 103–104).

2 Nefi 30:9–18. Çfarë është Mijëvjeçari?

“Një mijëvjeçar është një periudhë prej 1.000 vitesh. Kur ne flasim për ‘Mijëvjeçarin’, ne u referohemi 1.000 viteve që pasojnë Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit (shih Zbulesa 20:4; DeB 29:11). Gjatë Mijëvjeçarit, ‘Krishti do të mbretërojë personalisht mbi tokë’ (Nenet e Besimit 1:10).

Mijëvjeçari do të jetë një kohë drejtësie dhe paqeje në tokë. Zoti zbuloi se ‘në atë ditë armiqësia e njeriut dhe armiqësia e bishave, po, armiqësia e gjithë mishit, do të largohet’ (DeB 101:26; shih edhe Isaia 11:6–9). Satani do të ‘lidhet që ai të mos ketë vend në zemrat e fëmijëve të njerëzve’ (DeB 45:55; shih edhe Zbulesa 20:1–3).

Gjatë Mijëvjeçarit, të gjithë njerëzit në tokë do të jenë të mirë dhe të drejtë, por shumë nuk do ta kenë marrë plotësinë e ungjillit. Prandaj, anëtarë të Kishës do të marrin pjesë në punën misionare.

Anëtarë të Kishës gjithashtu do të marrin pjesë në punën në tempull gjatë Mijëvjeçarit. Shenjtorët do të vazhdojnë të ndërtojnë tempuj dhe të marrin ordinanca në emër të të afërmve të tyre të vdekur. Të drejtuar nga zbulesa, ata do të përgatitin dokumente të paraardhësve të tyre deri tek Adami dhe Eva.

“Drejtësia dhe paqja e plotë do të vazhdojnë deri në fund të 1000 vjetëve, kohë kur Satani ‘do të zgjidhet për një stinë të vogël, që ai të mund të mbledhë së bashku ushtritë e tij’. Ushtritë e Satanit do të luftojnë kundër armatave të qiellit, të cilat do të udhëhiqen nga Mikaeli ose Adami. Satani dhe ndjekësit e tij do të munden dhe do të dëbohen përgjithmonë. (Shih DeB 88:111–115.)”(Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 99.)