Biblioteka
Mësimi 38: 2 Nefi 28


Mësimi 38

2 Nefi 28

Hyrje

Nefi profetizoi për disa nga kushtet sfiduese në ditët e mëvonshme, përfshirë mësimdhëniet e rreme dhe kryelartësinë e shumë kishave që do të ngriheshin. Ai dha mësim se si të njihen doktrinat e rreme dhe qëndrimet e kësaj bote, dhe paralajmëroi për mënyrat me të cilat Satani do të përpiqet të na largojë nga drejtësia.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 28:1–19

Nefi përshkruan kishat e rreme dhe idetë e rreme të kohës sonë

Në tabelë, vizatoni shenja paralajmëruese që janë të njohura në kulturën tuaj. Për shembull, ju mund të vizatoni një shenjë trafiku apo simbol që komunikon se një substancë e caktuar është e rrezikshme apo helmuese.

  • Cili është qëllimi i këtyre shenjave?

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

Shpjegoni se Libri i Mormonit mund të na ndihmojë të shohim shenjat paralajmëruese për ndikimet shpirtërisht të dëmshme. Presidenti Ezra Taft Benson shpjegoi se një nga qëllimet e Librit të Mormonit është të vëjë në dukje se si kundërshtari dhe armiq të tjerë të Kishës do të punojnë në ditët e mëvonshme. Ftojeni një student të lexojë deklaratën vijuese nga Presidenti Benson:

“Libri i Mormonit vë në dukje armiqtë e Krishtit. Ai hedh poshtë doktrinat e rreme.… Ai fortifikon ndjekësit e përulur të Krishtit kundër projekteve, strategjive dhe doktrinave të liga të djallit në kohën tonë. Tipi i braktisësve në Librin e Mormonit është i ngjashëm me tipin që kemi sot” (“The Book of Mormon Is the Word of God”, Ensign, janar 1988, f. 3).

  • Si i vë në dukje Libri i Mormonit armiqtë e Krishtit? (Ai përfshin rrëfime për njerëz që u përpoqën të largojnë të tjerët nga besimi në Krisht. Ai na lejon të shohim gabimet e tyre dhe idetë e rreme.)

  • Si na përforcon Libri i Mormonit sot ndaj kundërshtarit?

Dëshmoni se Libri i Mormonit vë në dukje idetë e rreme të djallit dhe na forcon kundër projekteve të tij të liga. Shpjegoni se studentët do të shohin një shembull të kësaj te 2 Nefi 28. Ky kapitull përmban një nga profecitë e Nefit rreth ditëve të mëvonshme. Në këtë profeci, Nefi paralajmëroi për mësimdhënie të rreme që do të mbizotërojnë në kohën tonë.

Ftojini studentët të shqyrtojnë qetësisht 2 Nefin 28:3–9, duke parë për paralajmërime të Nefit rreth mësimdhënieve të rreme. Vini në dukje se 2 Nefi 28:7–9 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund t’i nxitni studentët ta shënojnë këtë fragment në mënyrë të dukshme që ata të jenë në gjendje ta gjejnë lehtësisht. Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftë për ta studiuar fragmentin, ftoni disa studentë të vijnë në tabelë. Kërkojini secilit prej tyre të shkruajë një mësimdhënie apo ide të rreme nga ky fragment, përfshirë vargun ku gjendet. Pastaj pyetini studentët e tjerë nëse kanë vënë re mësimdhënie apo ide të tjera të rreme në fragment. Nëse po, ftojini t’i shtojnë te lista në tabelë.

Për t’i ndihmuar studentët të diskutojnë disa nga këto doktrina dhe ide të rreme, drejtoni pyetjet vijuese:

  • Cili është shembull i ditëve tona për një nga këto ide të rreme? (Siguroni që klasa të mos përmendë kisha konkrete kur u përgjigjen kësaj pyetjeje.)

  • Si i pengon njerëzit kjo ide e rreme nga ndjekja e planit të Atit tonë Qiellor?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 28:12–14. Ftojeni klasën të kërkojë paralajmërimin e Nefit rreth asaj që do t’u ndodhë shumë kishave dhe njerëzve në ditët e fundit për shkak të kryelartësisë dhe doktrinave të rreme.

  • Në cilat mënyra kryelartësia dhe mësimdhëniet e rreme ndikojnë te njerëzit?

  • Përse “pasuesit e përulur të Krishtit” nuk devijohen nga kryelartësia dhe ligësia? Si mund ta shmangim të qenit të mashtuar nga “parimet e njerëzve”? (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fraza “parimet e njerëzve” i referohet mësimdhënieve të njerëzve – në kontrast me mësimdhëniet e Zotit.)

Ftoni studentët të lexojnë qetësisht 2 Nefin 28:15–16, 19, duke kërkuar pasojat e mësimdhënieve të rreme.

  • Cilat fjalë apo fraza shihni në këto vargje që përshkruajnë rezultatet e kryelartësisë dhe të mësimdhënieve të rreme?

2 Nefi 28:20–32

Nefi paralajmëron rreth mënyrës se si Satani përpiqet të na mashtrojë

Ndani historinë vijuese me studentët:

Ndërsa ishte në një detyrë në Afrikë, Presidenti Bojd K. Paker shkoi të shihte kafshë në një rezervat gjahu. Ai vuri re se kafshët në një gropë të cekët me ujë ishin të acaruara. Kur pyeti shoqëruesin përse kafshët nuk pinin ujë, ai tha se ishte për shkak të krokodilëve. Presidenti Paker kujtonte:

“Unë e dija se ai duhej të ishte duke bërë shaka dhe e pyeta seriozisht: ‘Si është problemi?’ Përgjigjja përsëri: ‘Krokodilët’. …

Ai e vuri re se nuk e besova dhe vendosi, mendoj, të më vinte të mësoja vet. Ne lëvizëm me makinë te një vend tjetër, ku ajo qëndronte mbi një breg mbi gropën me baltë nga ku mund të shihnim poshtë. ‘Atje’, tha ai. ‘Shikoje vetë’.

Unë nuk mund të shihja gjë përveç baltës, pak ujë dhe kafshët e acaruara në largësi. Pastaj befas e pashë! – një krokodil i madh, i ngulur në baltë, duke pritur për ndonjë kafshë, jo dyshuese, që ta zinte etja aq sa të vinte për të pirë.

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

Papritmas e besova atë që shoqëruesi tha! Kur mundi të shihte se isha i gatshëm të mbaja vesh, ai vazhdoi me mësimin. ‘Ka krokodilë kudo në park’, tha, ‘jo vetëm në lumenjtë. Ne nuk kemi asnjë vend me ujë pa krokodil diku pranë tij dhe do bënit mirë ta mbanit parasysh këtë’. …

Në një udhëtim tjetër në Afrikë e diskutova këtë përvojë me një rojtar gjahu në një tjetër park. …

Atëherë ai më tregoi një vend ku pati ndodhur një tragjedi. Një i ri nga Anglia po punonte në hotel për sezonin. Me gjithë paralajmërimet e vazhdueshme dhe të përsëritura, ai shkoi përmes gardhit të kompleksit për të kontrolluar diçka nëpër një pellg të cekët uji, që nuk i mbulonte majat e këpucëve të tij të tenisit.

‘Ai nuk ishte futur as dy hapa brenda’, tha rojtari, ‘përpara se krokodili ta kapte dhe ne nuk mund të bënim gjë për ta shpëtuar’” (“Spiritual Crocodiles”, Ensign, maj 1976, f. 30–31).

  • Çfarë e bëri këtë të ri që të binte viktimë e krokodilit? Si mund ta kishte shmangur këtë tragjedi? (Duke iu bindur paralajmërimeve që i qenë dhënë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë këshillën vijuese nga Presidenti Paker:

“Ata që janë më të moshuar se ju kanë provuar diçka rreth gropave me ujë dhe ngrenë një zë paralamërues nga krokodilët. Jo pikërisht zvarranikët e mëdhenj gri që mund t’ju kafshojnë copash, por krokodilët shpirtërorë, pafundësisht më të rrezikshëm, dhe më mashtrues dhe më pak të dukshëm, madje, edhe se ata zvarranikë të mirëmaskuar të Afrikës.

Këta krokodilë shpirtërorë mund të vrasin apo gjymtojnë shpirtrat tuaj. Ata mund të shkatërrojnë lumturinë dhe mirëqenien tuaj dhe lumturinë e mirëqenien e atyre që ju duan. Janë ata kundër të cilëve duhet paralajmëruar dhe është e vështirë të gjendet tani një vend kudo në botë i pa infektuar me ta” (“Spiritual Crocodiles”, f. 31).

  • Në çfarë mënyrash janë të ngjashëm krokodilat në historinë e Presidentit Paker me tundimet dhe taktikat e Satanit? Çfarë paralajmërimesh marrim që na ndihmojnë të shmangim rrezikun shpirtëror?

Lexoni me zë të lartë 2 Nefin 28:19 ndërsa studentët ju ndjekin së bashku. Pastaj shkruani në tabelë Satani kërkon të na kapë në fuqinë e tij nëpërmjet …

Shpjegoni se ndërsa Nefi vazhdonte profecinë e tij, ai foli për taktikat që Satani do të përdorte kundër nesh në ditët e mëvonshme. Ndajini studentët në çifte. Ftojeni secilin çift të lexojë 2 Nefin 28:20–29, duke kërkuar mënyrat për të plotësuar fjalinë në tabelë.

Pas disa minutash, ftoni partnerët të raportojnë se si e kanë plotësuar thënien në tabelë. Si pjesë e këtij diskutimi, siguroni që studentët të kuptojnë se Satani përdor shumë taktika në përpjekje për të na mposhtur, të tilla si duke na nxitur në zemërim, duke na paqësuar e përkundur, dhe duke na lajkatuar.

  • Cilët janë disa shembuj të Satanit që përpiqet të “nxitë [njerëz] në zemërim kundër asaj që është e mirë”? Si i ngatërron zemërimi njerëzit rreth asaj që është e mirë dhe asaj që është e ligë?

  • Pse mendoni se është e rrezikshme për njerëzit të jenë të “shkujdesur në Sion”, duke menduar se nuk nevojitet asnjë përmirësim? Përse mendoni se Satani është në gjendje t’i çojë njerëz të tillë “me kujdes poshtë në ferr”?

  • Çfarë do të thotë ta lajkatosh dikë? (T’i bësh lavdërime dhe komplimente të pasinqerta.) Përse mendoni se lajkatimi mund t’i largojë disa njerëz nga Zoti?

  • Përse Satani do të përpiqej t’i bindte njerëzit se ai nuk ekziston?

  • Cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë për t’u ruajtur nga zemërimi? Si mund të ruhemi nga ndjenja se gjithçka është mirë? Si mund të ruhemi nga lajkat?

Për ta përfunduar mësimin, informojini studentët se fundi i 2 Nefit 28 përmban një paralajmërim të fundit dhe një sigurim nga Zoti. Ftojini studentët të lexojnë qetësisht 2 Nefin 28:30–32.

  • Zoti nderon lirinë tonë të zgjedhjes dhe përpjekjet tona që të mësojmë prej Tij. Sipas 2 Nefit 28:30, Ai na jep mësim “rresht pas rreshti, parim pas parimi”. Çfarë do të thotë kjo për juve? Sipas këtij vargu, çfarë u ndodh atyre që thonë: “Ne kemi mjaft”?

  • Te 2 Nefi 28:32, Zoti u flet njerëzve që e kanë mohuar Atë. Në këtë varg, çfarë mendoni se do të thotë Ai me: “Unë do të zgjat krahun drejt tyre nga dita në ditë”? (Në këtë varg, Zoti tregon për mëshirën e Tij dhe dëshirën e Tij për të na ndihmuar çdo ditë kur përpiqemi të ndjekim vullnetin e Tij, madje edhe nëse nuk e kemi pranuar Atë në të kaluarën. Ndihmojini studentët të kuptojnë se Zoti do të jetë i mëshirshëm ndaj të gjithë njerëzve që pendohen dhe vijnë tek Ai.)

Shkruani sa vijon në tabelë: Për shkak të asaj që kam mësuar sot, unë do të …Ftoni studentët ta përfundojnë këtë fjali në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta ose fletoret e tyre të klasës duke përshkruar çka do të bëjnë si rezultat i studimit të profecisë së Nefit te 2 Nefi 28. Ju mund të doni të ftoni disa studentë të ndajnë me klasën atë që kanë shkruar. Sidoqoftë, sigurohuni që ata ta kuptojnë se nuk duhet të ndihen të detyruar të tregojnë mendime ose përvoja që janë tepër personale apo të brendshme.

Dëshmoni se me drejtimin dhe fuqinë nga Zoti, ne mund ta mposhtim tundimin. Madje edhe kur mëkatojmë, Zoti do të jetë i mëshirshëm me ne nëse pendohemi sinqerisht.

Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – 2 Nefi 28:7–9

Shpjegoni se njerëzit ndonjëherë e arsyetojnë mëkatin duke thënë me vete se secili po e bën atë ose se ata mund të pendohen më vonë. Ndajeni klasën në dy grupe të vogla. Ftoni grupet të lexojnë së bashku 2 Nefin 28:7–9, duke kërkuar fjalë dhe fraza që lidhen me këto ide të rreme. Ftojini studentët të diskutojnë pyetjet vijuese në grupet e tyre (ju mund të doni të shkruani pyetjet në tabelë përpara se të fillojë ora mësimore):

  • Cili është rreziku i kryerjes së një “mëkati të vogël”?

  • A do ta justifikojë Perëndia kryerjen nga ne të mëkateve të vogla apo jo të shpeshta? (Kërkojuni studentëve të lexojnë Doktrina e Besëlidhjeve 1:31 për një pikëpamje shtesë.)

  • Si mundet një person të “përfito[jë] nga ndonjë për shkak të fjalëve të tij”? Si mundet që ndonjëherë t’i “hap[im] gropën fqinjit [tonë]”?

Ftojeni secilin grup të shkruajë përsëri vargjet në një gjuhë që njerëzit mund t’i përdorin sot për të bindur të rinjtë të ndjekin këto doktrina të marra.

Kërkojuni studentëve të mendojnë për kohëra kur kanë mbajtur forcën e tyre shpirtërore pavarësisht ideve të rreme në shkollë, në media apo nga miqtë. Ftojini të shkruajnë rreth këtyre përvojave në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e tyre të klasës. Merrni parasysh t’u kërkoni disa studentëve të tregojnë atë që kanë shkruar.

Shënim: Ju mund ta përdorni këtë ide gjatë mësimit ndërsa paraqitni fragmentin për zotërimin e shkrimit të shenjtë, ose mund ta përdorni atë në fund të mësimit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Nefi 28:7–9. Rreziqet e bërjes së mëkatit

Nefi vuri në dukje disa nga “doktrina[t e] rreme dhe të kota dhe të marra” (2 Nefi 28:9) që Satani i ushtron dhe do të vazhdojë t’i përdorë. Secila nga frazat që gjendet te 2 Nefi 28:7–9 përcjell një filozofi shpirtërisht të rrezikshme. Profetët e ditëve të mëvonshme gjithashtu kanë përcaktuar këto falsitete dhe kanë folur kundër tyre.

“Hani, pini dhe dëfrehuni, pasi nesër ne vdesim” (2 Nefi 28:7). Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve paralajmëroi kundër këtij qëndrimi:

“Filozofia e shkapërdarjes është ‘hani, pini dhe dëfrehuni; … [dhe] Perëndia do të na qëllojë pak me kamxhik.’ Kjo është një pikëpamje cinike dhe e cektë për Perëndinë, për veten dhe për jetën. Perëndia kurrë nuk mund të na justifikojë ‘në bërjen e një mëkati të vogël’.(2 Nefi 28:8.) Ai është Perëndia i universit, jo ndonjë gjykatës i një gjykate që punon natën me të cilin mund të bëjmë pazar dhe të kërkojmë shfajësim!

Sigurisht, Perëndia është falës! Por Ai i njeh qëllimet e zemrës sonë. Ai gjithashtu e di çfarë të mire mund të kemi bërë ndërsa jemi larguar pa leje. Në çfarëdo rasti, ajo që bëjnë të tjerët nuk është justifikim për dishepullin nga i cili kërkohet shumë. (Shih Alma 39:4.) Përveç kësaj, në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar, thjesht nuk i biem dot shkurt. (Shih DeB 82:3.)” (“Answer Me”, Ensign, nëntor 1988, f. 33).

“Perëndia. … do të na justifikojë në bërjen e një mëkati të vogël” (2 Nefi 28:8). Doktrina e Besëlidhje është e qartë:

“Sepse unë, Zoti nuk mund ta shoh mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit; Megjithatë, ai që pendohet dhe i bën urdhërimet e Zotit, do të falet” (DeB 1:31–32).

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve komentoi mbi marrëzinë e mendimit se ne jemi më të mirë pasi kemi mëkatuar për shkak të asaj që kemi mësuar nga përvoja:

“Ideja se dikush është më mirë pasi ka mëkatuar dhe është penduar është një gënjeshtër djallëzore e kundërshtarit. A mendon ndonjë këtu se është më mirë ta mësosh duke e pësuar se një goditje do të thyejë një eshtër apo një përzierje kimikatesh do të shpërthejë dhe djegë lëkurën tonë? A jemi më mirë pasi t’i kemi kaluar dhe pastaj shëruar plagë të tilla? Unë besoj se ne të gjithë mund të shohim se është më mirë të mbajmë vesh paralajmërimet e personave të urtë që i dinë ndikimet te trupat tanë” (“Sin and Suffering”, [bisedë në një mbledhje rreth vatrës në Universitetin “Brigam Jang”, 5 gusht 1990], f. 6, speeches.byu.edu).

“Gënjeni pak” (2 Nefi 28:8). Presidenti Gordon B. Hinkli na paralajmëroi t’i bëjmë ballë tundimit për të gënjyer pak:

“Nefi ashtu si përshkruan njerëzit e kohës së tij, përshkruan gjithashtu aq shumë nga të kohës sonë. Sa e lehtë është për ne të themi: ‘Ne besojmë në qenien të ndershëm, të vërtetë, të dëlirë, mirëdashës’.(Nenet e Besimit 1:13.) Por sa e vështirë është për aq shumë njerëz t’i bëjnë ballë tundimit për të gënjyer pak, për të bërë pak hile, për të vjedhur pak, për të bërë dëshmi të rreme me çuçuritje për të tjerët. Ngrihuni mbi këtë. … Jini të fortë në virtytin e thjeshtë të ndershmërisë” (“Building Your Tabernacle”, Ensign, nëntor 1992, f. 52).

“Perëndia do të na qëllojë pak me kamxhik dhe në fund ne do të shpëtohemi” (2 Nefi 28:8). Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë foli kundër kësaj pavërtetësie:

“[Një mashtrim] është ajo që disa gabimisht e quajnë ‘pendim i paramenduar’. Nuk ka një doktrinë të tillë në këtë Kishë. Kjo mund të tingëllojë si një thirrje delikate, por në fakt është një koncept i rrezikshëm dhe i rremë. Objektivi i tij është që të na bindë se mundemi me vetëdije dhe me qëllim të bëjmë shkelje me paramendimin që një pendim i shpejtë do të na lejojë të gëzojmë bekimet e plota të ungjillit, të tilla si bekimet e tempullit apo një mision. Pendimi i vërtetë mund të jetë një proces i gjatë e i dhembshëm. Doktrina e pamend qe parashikuar nga Nefi:

‘Dhe do të ketë gjithashtu shumë që do të thonë: Hani, pini dhe dëfrehuni; megjithatë, kini frikë Perëndinë – ai do të na justifikojë në bërjen e një mëkati të vogël; … nuk ka gjë të keqe në këtë; dhe bëjini të gjitha këto gjëra, pas i nesër ne vdesim dhe në qoftë se jemi fajtorë, Perëndia do të na qëllojë pak me kamxhik dhe në fund ne do të shpëtohemi në mbretërinë e Perëndisë’ [2 Nefi 28:8].

… Të gjitha besëlidhjet tona duhet jo vetëm të merren nëpërmjet ordinancave, por që të jenë të përjetshme duhet gjithashtu të jenë vulosur nga Shpirti i Shenjtë i Premtimit. Kjo vulë hyjnore e miratimit vendoset mbi ordinancat dhe besëlidhjet tona vetëm nëpërmjet besnikërisë. Ideja e rreme e të ashtuquajturit pendim i paramenduar përfshin një element mashtrimi, por Shpirti i Shenjtë i Premtimit nuk mund të mashtrohet” (“The Enemy Within”, Ensign, nëntor 2000, f. 46).

2 Nefi 28:21-22. “Të tjerë ai do t’i paqësojë. Të tjerët ai i lajkaton”

Peshkopi Riçard C. Exhli, këshilltar në Peshkopatën Kryesuese, foli për rreziqet e të qenit i paqësuar dhe i lajkatuar:

“Çdo veprim, i mirë apo i keq, ka një pasojë. Çdo veprim i mirë përmirëson aftësinë tonë për të bërë mirë dhe për të qëndruar më me vendosmëri kundër mëkatit apo dështimit. Çdo shkelje, pavarësisht sa e vogël, na bën më të prekshëm ndaj ndikimit të Satanit dhe herën tjetër ai na tundon ne. Satani na merr nga pak çdo herë, duke na mashtruar lidhur me pasojat e të ashtuquajturave mëkate të vogla gjersa na kap në shkelje të mëdha. Nefi e përshkruan këtë teknikë si një që na paqëton, përkund, lajkaton gjersa Satani ‘[na] kap. … me zinxhirët e tij të tmerrshëm, prej të cilëve nuk ka çlirim’ (2 Nefi 28:22; shih edhe v. 21)” (“That Thy Confidence Wax Strong”, Ensign, nëntor 1994, f. 40).