Biblioteka
Mësimi 27: 2 Nefi 5


Mësimi 27

2 Nefi 5

Hyrje

Duke mbajtur vesh një paralajmërim të Zotit, Nefi dhe ndjekësit e tij u ndanë nga Lamani, Lemueli dhe bijtë e Ishmaelit. Ata jetuan në drejtësi dhe lumturi, ndërsa ndjekësit e Lamanit dhe Lemuelit e shkëputën veten nga Zoti.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 5:1–8

Zoti i ndan ndjekësit e Nefit nga ndjekësit e Lamanit dhe Lemuelit

Ftojini studentët të përsiaten rreth disa prej problemeve dhe vendimeve të vështira me të cilat përballen. Nxitini ata t’i mbajnë këto sfida personale në mendje ndërsa studiojnë se si iu përgjigj Nefi sfidave. Kujtojuni atyre se kur Lehi vdiq, Nefi u la të ishte drejtuesi shpirtëror i familjes. Vërini studentët të lexojnë qetësisht 2 Nefin 5:1–4 për të parë sfidën që përjetoi Nefi.

  • Sipas 2 Nefit 5:1, çfarë bëri Nefi për t’u ndihmuar të gjente zgjidhje për sfidën e tij?

  • Edhe pasi Nefi ishte lutur për ndihmë, çfarë u përpoqën të bënin Lamani dhe Lemueli?

Ndërsa studentët japin përgjigjet e tyre, ju mund të doni të theksoni se lutjet tona jo gjithmonë mundet të marrin përgjigje menjëherë ose në mënyrën që ne duam.

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 5:5–8. Vëreni klasën t’ju ndjekë së bashku, duke kërkuar atë çka bëri Zoti për të ndihmuar Nefin e ndjekësit e tij.

Kërkojuni studentëve të përmbledhin atë që kanë mësuar nga 2 Nefi 5:1–8. Një e vërtetë që mund të theksoni është se Zoti i drejton ata që besnikërisht e kërkojnë Atë në lutje. Në lidhje me këto vargje, bëni pyetjet vijuese:

  • Përse është e rëndësishme të vazhdojmë të jemi besnikë kur lutjet tona nuk marrin përgjigje menjëherë apo në mënyrën që ne dëshirojmë?

  • Në cilat mënyra mund Zoti të na japë paralajmërime?

Ndërsa studentët i përgjigjen kësaj pyetjeje, merrni parasysh të lexoni thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Ne nuk mund të fillojmë një kurs të gabuar pa kundërshtuar më parë një paralajmërim” (cituar në Kenneth Johnson, “Yielding to Enticings of the Holy Spirit”, Ensign, nëntor 2002, f. 90).

  • Në cilat mënyra mund të ndjekim shembullin e Nefit kur përballemi me sfida?

Si pjesë e diskutimit të studentëve të 2 Nefit 5:1–8, theksoni se ndarja e nefitëve nga lamanitët ishte rezultat i urrejtjes së Lamanit dhe Lemuelit për Nefin. Kjo ndarje vazhdoi për shekuj, me pasardhësit e Lamanit dhe Lemuelit që u mësonin fëmijëve të tyre të urrenin pasardhësit e Nefit (shih Mosia 10:12–17).

2 Nefi 5:9–18, 26–27

Nefitët jetojnë sipas mënyrës së lumturisë

Drejtojini studentët në leximin së bashku me zë të lartë të 2 Nefit 5:27. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shënojnë këtë varg. Shkruani fjalën lumturi në tabelë.

  • Çfarë mendoni se do të thotë të jetosh “sipas mënyrës së lumturisë”?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Marlin K. Xhensen, i Të Shtatëdhjetëve:

Pamja
Plaku Marlin K. Xhensen

“Disa parime dhe të vërteta të pandryshueshme sjellin lumturi në jetën tonë. Kjo temë ka qenë me interes për mua për shumë vite sepse edhe pse unë jam bekuar mjaft dhe kam çdo arsye të jem i lumtur, unë ndonjëherë luftoj dhe jo gjithmonë kam prirjen e natyrshme drejt lumturisë dhe një gjendje gazmendi që disa njerëz duket se e gëzojnë.

Për këtë arsye, disa vite përpara një fragment nga Libri i Mormonit më tërhoqi vëmendjen.… Nefi krijoi një shoqëri të bazuar në të vërteta të ungjillit; dhe për atë shoqëri ai thotë: ‘Dhe ndodhi që ne jetuam sipas mënyrës së lumturisë’ (2 Nefi 5:27). Fragmenti më la një përshtypje të thellë.… Unë pyetja veten.… cilët mund të jenë elementë të veçantë të një shoqërie dhe jete vërtet të lumtur, dhe unë fillova të shqyrtoj shkrimet e Nefit për të dhëna. Unë.… ju ftoj të kryeni shqyrtimin tuaj vetjak. Ai mund të jetë një kërkim për gjatë gjithë jetës dhe i vlefshëm. …

… Të njëjtat modele dhe elementë të jetës së përditshme që i mundësuan Nefit dhe popullit të tij të jetë i lumtur 560 vite përpara Krishtit funksionojnë po aq mirë sot” (“Living after the Manner of Happiness”, Ensign, dhjetor 2002, f. 56, 61).

Nxitini studentët të pranojnë ftesën e Plakut Xhensen. Kërkojuni atyre të lexojnë qetësisht 2 Nefin 5:6, 10–18, 26–27, duke kërkuar për “elementë të një shoqërie dhe jete vërtet të lumtur”. Ju mund të doni të sugjeroni që ata t’i shënojnë parimet që kontribuan në lumturinë e Nefit. Pas disa minutash, ftoni disa studentë të shkruajnë në tabelë gjetjet e tyre. (Përgjigjet mund të përfshijnë që Nefi dhe ndjekësit e tij shkuan me familjet e tyre [shih vargu 6]; iu bindën Zotit [shih vargun 10]; punuan shumë për të ndihmuar veten [shih vargjet 11, 15–17]; morën me vete shkrimet e shenjta [shih vargun 12]; ndërtuan një tempull [shih vargun 16] dhe ndoqën udhëheqësit e drejtë [shih vargjet 18, 26].)

Ftojini studentët të zgjedhin një apo dy nga parimet në tabelë dhe tregoni se si këto parime i kanë ndihmuar ata të “jet[ojnë] sipas mënyrës së lumturisë”.

Në vartësi të asaj që theksojnë studentët, ju mund të doni të vijoni me disa pyetje të tilla si më poshtë:

  • Sipas 2 Nefit 5:10–11, 16, çfarë bekimesh morën njerëzit ngaqë zbatuan urdhërimet e Zotit? Kur keni ndier se Zoti ka qenë me ju? Si ka ndihmuar ndikimi i Zotit në jetën tuaj për lumturinë tuaj?

  • Si mund t’i ketë ndihmuar tempulli njerëzit të “jet[ojnë] sipas mënyrës së lumturisë”? Si ju ka sjellë tempulli një lumturi më të madhe juve ose dikujt që ju e njihni?

  • Në çfarë mënyrash ndihmon puna e madhe për lumturinë?

Ftojini studentët të përmbledhin atë që kanë mësuar rreth mënyrës se si të rritin lumturinë e tyre. Edhe pse studentët mund të thonë parime të ndryshme, sigurohuni që ata e kuptojnë se ndërsa ungjilli i Jezu Krishtit bëhet mënyra jonë e jetës, ne rritemi në lumturi. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në tabelë.

Ftojini studentët të shqyrtojnë jetën e tyre dhe të përcaktojnë diçka që do të bënin për të jetuar më plotësisht “sipas mënyrës së lumturisë”. Nxitini ata që ta shkruajnë këtë veprim në ditarët e tyre të studimit të shkrimit të shenjtë ose në fletoret e klasës. Jepni dëshminë tuaj rreth parimeve dhe praktikave që kanë sjellë lumturi në jetën tuaj.

2 Nefi 5:19–25

Lamanitët janë mallkuar për shkak të mosbindjes së tyre

Ftojini studentët të lexojnë qetësisht 2 Nefin 5:19–24, duke kërkuar për ndryshime midis mënyrës që jetonin lamanitët dhe mënyrës që jetonin nefitët.

  • Sipas 2 Nefit 5:20, cila ishte pasoja e mosbindjes së lamanitëve?

  • Si ju ndihmon 2 Nefi 5:21 të kuptoni arsyen përse lamanitët u përjashtuan nga Zoti? (Ju mund të doni të shpjegoni se stralli është një gur i fortë. Duke thënë se lamanitët “ishin bërë si strall”, Nefi theksonte ngurtësimin e zemrave të lamanitëve.)

  • Çfarë paralajmërimi dha Zoti rreth nefitëve që martoheshin me lamanitë që nuk kishin pranuar ungjillin? (Shih 2 Nefi 5:23.)

  • Përse është e rëndësishme të shmangim takimet dhe martesat me ata që nuk e dëgjojnë me vëmendje Zotin? Si mendoni se do të ndikojnë njerëzit me të cilët dilni në takime dhe përfundimisht martoheni në përpjekjet tuaja për ta jetuar ungjillin? (Mund të jetë e dobishme t’u kujtoni studentëve se Presidenca e Parë ka këshilluar: “Zgjidhni të dilni në takime vetëm me ata që kanë standarde të larta morale dhe në shoqërimin e të cilëve ju mund të mbani standardet tuaja” [Për Forcën e Rinisë (broshurë, 2011), f. 4].)

  • Cilët janë disa parime që mund të mësojmë nga 2 Nefi 5:20–24? (Ndërsa studentët thonë parime, sigurohuni që ata kuptojnë se kur njerëzit ngurtësojnë zemrat e tyre ndaj Zotit, ata e ndajnë veten nga Ai.)

Theksoni se 2 Nefi 5 paraqet një kontrast të madh midis nefitëve dhe lamanitëve. Ne mund të zgjedhim se cilin shembull do të ndjekim. Nxitini studentët të kujtojnë atë që kanë përcaktuar se do të bëjnë për të jetuar më plotësisht “sipas mënyrës së lumturisë”. Shprehni besimin tuaj në vetvete se ata mund ta ndjekin shembullin e nefitëve dhe të jenë vërtet të lumtur.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Nefi 5:5–9. Ndajeni veten nga ligësia

Ka kohë kur është e nevojshme që fizikisht të largohemi me vrap nga e liga, siç bënë Nefi dhe ndjekësit e tij. Sidoqoftë, nuk mund të jemi gjithmonë në gjendje ta largojmë veten fizikisht nga ligësia. Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve shpjegoi se si mund ta mbrojmë veten në situata të tilla:

“Perëndia ka siguruar një mënyrë për të jetuar në këtë botë dhe të mos infektohesh nga presionet degraduese që vepruesit e ligj përhapin anembanë saj. Ju mund të jetoni një jetë të virtytshme, të frytshme, të drejtë duke ndjekur planin e mbrojtjes që është krijuar nga Ati juaj në Qiell: planin e Tij të lumturisë. Ai gjendet në shkrimet e shenjta dhe në shpalljet e frymëzuara të profetëve të Tij.

Shmangeni ligësinë e kësaj bote. Dijeni se Perëndia është në kontroll. Me kohë, Satani do të dështojë plotësisht dhe do të dënohet për ligësinë e tij të mbrapshtë. Perëndia ka një plan të veçantë për jetën tuaj. Ai do të zbulojë pjesë të atij plani për ju ndërsa kërkoni për të me besim dhe bindje të vazhdueshme. Biri i Tij ju ka bërë të lirë – jo nga pasojat e veprimeve tuaja, por të lirë të bëni zgjedhje. Qëllimi i përjetshëm i Perëndisë është që ju të jeni i suksesshëm në këtë jetë në vdekshmëri. Nuk ka rëndësi se sa e ligë bëhet bota, ju mund ta fitoni atë bekim. Kërkojeni e jini të vëmendshëm ndaj udhëheqjes personale që ju jepet përmes Shpirtit të Shenjtë. Vijoni të jini të denjë për ta marrë atë. Ndihmoni të tjerët që pengohen dhe janë të hutuar, të pasigurt se çfarë udhe të ndjekin” (“How to Live Well amind Increasing Evil”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 100, 102).

2 Nefi 5:11, 13. “Ne përparuam jashtëzakonisht”

Te 2 Nefi 5:11, 13, Nefi tregon për përparimin e popullit të tij dhe suksesit të tyre në rritjen e tufave, kopeve dhe të lashtave. Shpesh ne e lidhim përparimin me bekime të prekshme. Presidenti Hiber J. Grant na mësoi se përparimi i vërtetë përfshin më shumë se pasurinë apo gjërat materiale të botës:

“Kur unë them përparim nuk mendoj për të vetëm në termat e parave. … Por ajo që llogaris si përparim real, si e vetmja nga të gjitha të tjerat që është e një vlere të madhe për çdo burrë dhe grua të gjallë, është rritja në njohurinë e Perëndisë, dhe në dëshmi, dhe në fuqi për të jetuar ungjillin dhe për të frymëzuar familjet tona të bëjnë të njëjtën gjë. Ajo është begatia e llojit më të vërtetë” (Teachings of Presidents of the Church: Heber J. Grant [2002], f. 124).

2 Nefi 5:10 26-27. “Sipas mënyrës së lumturisë”

Profeti Jozef Smith shpjegoi se ka një udhë që të çon në lumturi: “Lumturia është qëllimi dhe plani i ekzistencës sonë; dhe do të jetë fundi i saj në qoftë se ndjekim rrugën që të çon tek ajo; dhe kjo rrugë është virtyti, drejtësia, besnikëria, shenjtëria dhe mbajtja e të gjitha urdhërimeve të Perëndisë” (History of the Church, 5:134–135).

Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim: “Lumturia vjen nga drejtësia. ‘Ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi.’(Alma 41:10.) Mëkati kurrë nuk ka qenë lumturi. Vetëdashja kurrë nuk ka qenë lumturi. Lakmia kurrë nuk ka qenë lumturi. Lumturia qëndron në të jetuarit e parimeve të ungjillit të Jezu Krishtit” (në “Fast-Paced Schedule for the Prophet”, Church News, 20 prill 1996, f. 3).

2 Nefi 5:16. “Unë, Nefi, ndërtova një tempull”

Plaku Marlin K. Xhensen, i Të Shtatëdhjetëve shpjegoi se si vajtja në tempull të çon në lumturi:

“Nefi shkruan: ‘Dhe unë, Nefi, ndërtova një tempull’ (2 Nefi 5:16). Tempulli i Nefit mund të ketë pasur ndryshime në disa gjëra nga tempujt tanë të ditëve të mëvonshme, por qëllimi i tij qendror ishte sipas gjithë gjasave i njëjti: të jepte mësim dhe të njihte fëmijët e Perëndisë lidhur me planin e Tij për lumturinë e tyre, dhe të siguronte ordinancat e besëlidhjet thelbësore për arritjen e asaj lumturie.

Pasi kam jetuar mbi këtë tokë të mirë për më shumë se pesë dekada, mund të them ndershmërisht se njerëzit më të pjekur shpirtërisht dhe të lumtur që njoh janë frekuentuesit e flaktë të tempullit. Ka një arsye të mirë për këtë. Është në tempull ku ajo gamë e plotë e programit të Perëndisë për ne tregohet dhe ritregohet, çdo tregim duke sjellë kuptim dhe zotim më të madh për ta jetuar jetën sipas mënyrës së Tij.

Një provë e dobishme e asaj se sa mirë po veprojmë në kërkimin tonë për të ardhur te Krishti mund të jetë ajo se si ndihemi rreth tempullit dhe përvojave tona atje. Tempulli mund të jetë sinonim me lumturinë dhe gëzimin. Kështu ishte për Nefin dhe popullin e tij” (“Living after the Manner of Happiness”, Ensign, dhjetor 2002, f. 60).

2 Nefi 5:20–25 Mallkimi mbi lamanitët

Te 2 Nefi 5:20–25, ne gjejmë përgjigje për të paktën katër pyetje rreth mallkimit që erdhi mbi lamanitët:

1. Cili ishte mallkimi?

Mallkimi është qartësisht i përkufizuar te 2 Nefi 5:20 si të qenit “përjasht[uar] nga prania e Zotit”. Lëkura e errët e lamanitëve nuk ishte mallkimi.

2. Çfarë e shkaktoi mallkimin?

Sipas 2 Nefit 5:21, mallkimi u erdhi lamanitëve “për shkak të paudhësisë së tyre” dhe sepse “ata i kishin ngurtësuar zemrat e tyre kundër [Zotit]”. Qysh nga Rënia e Adamit, ligësia gjithmonë kishte rezultuar në të qenit i përjashtuar nga prania e Zotit (shih 1 Nefi 2:21; 2 Nefi 4:4; 9:6; Alma 9:13; Ethëri 10:11).

3. Përse ishte vendosur shenja e lëkurës së errët mbi lamanitët?

Kjo ishte një tregues apo shenjë e posaçme për një grup të veçantë rrethanash. Nefi shpjegoi: “Zoti Perëndi bëri që të vijë mbi ta [lamanitët] një lëkurë e zezë, për të mos qenë më joshës për njerëzit e mi” (2 Nefi 5:21). Alma dha një shpjegim të ngjashëm: “Lëkurat e Lamanitëve ishin të errëta. … që kështu Zoti Perëndi të mund të ruante popullin e tij, që ata të mos përziheshin dhe të mos besonin në tradita të gabuara” (Alma 3:6, 8). Këto shpjegime janë në përputhje me paralajmërime të tjera në shkrimet e shenjta që njerëzit e Zotit nuk duhet të martohen me jobesimtarë sepse rezultati i një veprimi të tillë ishte shpesh që i drejti do të largohej nga Zoti (shih Ligji i Përtërirë 7:2–4; 1 Mbretërve 11:4; 2 Korintasve 6:14; DeB 74:5).

4. Cili ishte rezultati i mallkimit?

Si rezultat i mallkimit – të përjashtuar nga prania e Zotit – lamanitët “u bënë një popull përtac, plot djallëzi dhe dinakëri” (2 Nefi 5:24).

Ky mallkim zgjati vetëm për aq kohë sa njerëzit ishin të këqinj. Kur lamanitët u penduan dhe zgjodhën të jetonin ungjillin, “mallkimi i Perëndisë nuk i ndoqi më” (Alma 23:18). Libri i Mormonit përfshin shumë shembuj të lamanitëve që u penduan dhe morën udhëzim nga Shpirti i Zotit. Libri i Helamanit na tregon për një kohë kur lamanitët ishin më të drejtë se nefitët (shih Helamani 13:1).