Biblioteka
Mësimi 71: Alma 5:1–36


Mësimi 71

Alma 5:1–36

Hyrje

Kur Kisha u kërcënua nga grindja dhe ligësia e brendshme (shih Alma 4:9–11), Alma e dorëzoi fronin e gjykimit me qëllim që të mund t’i përqendronte përpjekjet e tij në forcimin e Kishës. Ai u nis në një mision për t’i rifituar njerëzit e Nefit duke u “[sjellë] atyre një dëshmi të kulluar kundër tyre” (Alma 4:19). Alma e filloi misionin e tij duke i kujtuar popullit të Zarahemlës se Zoti i kishte çliruar paraardhësit e tyre nga robëria fizike dhe shpirtërore. Ai i nxiti të përgatiteshin për ditën e fundit të gjykimit duke besuar në fjalën e Perëndisë dhe duke e vlerësuar gjendjen shpirtërore të zemrave të tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 5:1–14

Alma tregon kthimin në besim të atit të tij dhe të atyre që e ndoqën atë

Shkruani fjalën ndryshim në tabelë. U kërkoni studentëve të tregojnë shembuj për mënyrat se si njerëzit mund ta ndryshojnë pamjen e tyre të jashtme ose sjelljen e tyre. I ftoni ata të shpjegojnë se çfarë mund t’i sjellë ose t’i bëjë të ndodhin disa nga këto ndryshime te njerëzit.

I kujtoni studentët se Alma shqetësohej rreth ligësisë që kishte filluar të rritej mes nefitëve. Ju mund të shihni se, nëse nuk do të ndryshonin, ata do t’i humbisnin bekimet e premtuara të besëlidhjeve që kishin bërë. Ai hoqi dorë nga froni i gjykimit dhe ia përkushtoi veten shërbesës ndaj njerëzve dhe thirrjes së tyre drejt pendimit. Ai e filloi duke i dhënë mësim popullit të Zarahemlës.

Ftoni disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 5:3–6. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar ngjarje që Alma theksoi ndërsa filloi t’i mësonte njerëzit.

  • Si mund ta kishte ndihmuar popullin e Almës dëgjimi i rrëfimit të robërisë, çlirimit dhe kthimit në besim të atit të Almës dhe atyre që e ndoqën atë?

  • Shihni tek Alma 5:7. Sipas këtij vargu, çfarë lloj ndryshimi kishte ndodhur në jetën e atit të Almës dhe të popullit të tij?

Në tabelë, shtoni fjalët i zemrës pas fjalës ndryshim, që të lexohet si ndryshim i zemrës.

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë të përjetosh një “ndryshim të zemrës”? (Për t’i ndihmuar studentët t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund t’u thoni atyre se Plaku Xherald Land, i Të Shtatëdhjetëve, na mësoi se në shkrimet e shenjta fjala zemër shpesh nënkupton “personin e vërtetë, të brendshëm” [“Understanding Scriptural Symbols”, Ensign, tetor 1986, f. 25].)

  • Cili është dallimi midis një ndryshimi të zemrës dhe llojeve të ndryshimeve që diskutuam në fillim të mësimit?

Shpjegoni se tek Alma 5:7–9, 14, Alma përdori një llojshmëri frazash që përshkruajnë se me çfarë ngjan një ndryshim i zemrës. Shtoni në tabelë frazën që të lexohet si, Një ndryshim i zemrës ngjan me …

I vini studentët të lexojnë në heshtje Almën 5:7–9, 14, duke kërkuar përshkrimet e Almës me atë që ngjan një ndryshim i zemrës. I ftoni të raportojnë atë që kanë zbuluar. Ndërsa studentët raportojnë, shtoni fraza në tabelë. (Lista juaj mund të duket si ajo që vijon: Një ndryshim i zemrës ngjan me … zgjimin nga një gjumë i thellë; ndriçimin nga drita; çlirimin nga zinxhirët; ngritjen e shpirtrave; të kënduarit rreth dashurisë shëlbuese; lindjen nëpërmjet Perëndisë; marrjen e shëmbëlltyrës së Perëndisë në pamjen tuaj.)

  • Si është një ndryshim i zemrës i ngjashëm me përshkrimet e renditura në tabelë?

  • Si mund të shihet një ndryshim i zemrës në veprimet e një njeriu? Si është nganjëherë një ndryshim i zemrës i dukshëm në pamjen e jashtme të një njeriu? (Ju mund të doni t’u kërkoni studentëve të përshkruajnë pamjen e jashtme ose qëndrimin e dikujt që e njohin, për të cilin mendojnë se ka “marrë shëmbëlltyrën e [Zotit] në pamjen [e tij ose të saj]”.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 5:10 dhe i kërkoni klasës të përcaktojë tri pyetjet që iu bëri Alma njerëzve. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto pyetje.) Leximi i këtyre pyetjeve do t’i ndihmojë studentët të përcaktojnë në vargjet pasuese faktorët që e bënë Almën dhe popullin e tij të përjetonin një ndryshim të madh të zemrës.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 5:11–13 dhe i kërkoni klasës të përcaktojnë çfarë e bëri të ndodhte ndryshimin e madh të zemrës tek ati i Almës dhe pasuesit e tij. (Të besuarit e tyre në fjalën e Perëndisë dhe, si rrjedhim, besimi dhe mirëbesimi i tyre te Perëndia. Ju gjithashtu mund të dëshironi të vini në dukje ndikimin e fjalës së Perëndisë të përmendur tek Alma 5:5, 7.)

  • Çfarë lidhje shihni midis të besuarit në fjalën e Perëndisë dhe të përjetuarit të një ndryshimi të zemrës? (I ndihmoni studentët të përcaktojnë parimin vijues: Kur besojmë në fjalën e Perëndisë dhe ushtrojmë besim në Jezu Krishtin, ne mund të përjetojmë një ndryshim të madh të zemrës. Theksoni se fjala e Perëndisë, siç u predikua nga Abinadi dhe Alma, u përqendrua te shëlbimi që vjen nëpërmjet Jezu Krishtit [shih Mosia 16:4–9; 18:1–2].)

Shpjegoni se një mënyrë tjetër për ta shprehur që dikush ka pasur një ndryshim të madh të zemrës, është të thuhet që ata janë lindur përsëri. I ndihmoni studentët të kuptojnë se të qenit i “lindur nëpërmjet Perëndisë” ose i “lindur përsëri” nënkupton ndryshimin që një njeri përjeton kur pranon Jezu Krishtin dhe fillon një jetë të re si dishepulli i Tij. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se përjetimi i një ndryshimi të madh të zemrës, ose të qenit i lindur përsëri, është shumë më shpesh një proces i ngadalshëm, lexoni thënien vijuese nga Plaku D. Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Ju mund të pyetni: ‘Përse ky ndryshim i madh nuk më ndodh mua më shpejt?’ … Për shumicën prej nesh, ndryshimet janë më graduale dhe ndodhin me kalimin e kohës. Të qenit i lindur përsëri … është më shumë një proces sesa një ngjarje. Dhe përfshirja në atë proces është qëllimi thelbësor i vdekshmërisë” (“I Lindur Përsëri”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 78).

  • Kur keni ndier një ndryshim në zemrën tuaj, ndërkohë që jeni përpjekur për të jetuar në përputhje me fjalën e Perëndisë?

  • Si do t’i përshkruanit ndjenjat dhe veprimet që shoqërojnë një ndryshim të zemrës?

  • Si ka ndryshuar zemra juaj ndërsa keni studiuar Librin e Mormonit në seminar këtë vit?

Lejoni pak minuta që studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta rreth një ose dy gjërave që ata do të bëjnë për të jetuar në mënyrë më të zellshme në përputhje me fjalën e Perëndisë.

Alma 5:15–36

Alma na mëson se kërkohet një ndryshim i madh i zemrës për t’u futur në mbretërinë e qiellit

I jepni çdo studenti një fletushkë që përmban tabelën e mëposhtme, ose paraqiteni tabelën në dërrasë që studentët ta kopjojnë.

Pamja
Cardiogram

Shpjegoni se një kardiogramë është një tabelë që doktorët nganjëherë e përdorin për të vlerësuar ose kontrolluar funksionimin e zemrës tonë fizike. Ajo i ndihmon ata të përcaktojnë probleme ose gjendje që kanë nevojë për kurim.

U thoni studentëve se, pasi Alma dha mësim se fjala e Perëndisë e kishte bërë atin e tij dhe të tjerët të përjetonin një ndryshim të madh të zemrës, ai u bëri njerëzve pyetje që do t’i ndihmonin ta vlerësonin gjendjen e vetë zemrës së tyre. I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 5:14, duke kërkuar tri pyetjet që Alma u bëri njerëzve. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto pyetje.)

Shpjegoni se Alma bëri disa pyetje shtesë për ta ndihmuar popullin e tij të merrte në shqyrtim gjendjen e zemrave të tyre. I ftoni studentët të harxhojnë pak minuta duke studiuar dhe përsiatur për fragmentet e shkrimeve të shenjta të renditura në krye të kardiogramës shpirtërore. I nxitni të shenjojnë kutitë në tabelë që përshkruajnë më mirë se si mendojnë ata se po veprojnë në lidhje me pyetjet në secilin fragment. (Vini në dukje që disa vargje kanë më shumë se një pyetje.) Për shkak të natyrës personale të këtij aktiviteti, studentëve nuk duhet t’u kërkohet t’ia tregojnë klasës përgjigjet e tyre.

Kur studentët t’i kenë plotësuar kardiogramat e tyre, i ftoni të lexojnë në heshtje Almën 5:29–31, duke kërkuar disa pyetje të tjera që bëri Alma për t’i ndihmuar njerëzit e tij që t’i vlerësonin zemrat e tyre. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i ndryshojnë paksa pyetjet për t’i zbatuar ato për veten e tyre: “A kam hequr dorë nga zilia?” “A tallem me të tjerët?” “A i përndjek të tjerët?”)

Ftoni dy ose tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 5:17–18, 20–25. Vëreni klasën të kërkojë për arsye se përse zemra jonë duhet të ndryshohet që të përgatitet për ditën e gjykimit. Bëni pyetjet vijuese për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se duke përjetuar një ndryshim të zemrës, ne e përgatitim veten tonë për të marrë një vend në mbretërinë e qiellit:

  • Çfarë fjalësh dhe frazash përdori Alma, të cilat përshkruajnë gjendjen në të cilën do të donit të ishit kur të qëndroni përpara Perëndisë për t’u gjykuar? (Ndërsa studentët i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të doni ta drejtoni vëmendjen e tyre tek Alma 5:16, 19.)

  • Si do t’ju ndihmojë të përjetuarit e një ndryshimi të zemrës tani, që të përgatiteni për të marrë një vend në mbretërinë e qiellit?

Shkruajini pyetjet vijuese në tabelë. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani ato në tabelë përpara se të fillojë ora mësimore.)

Çfarë po na fton Zoti të bëjmë?

Cilat janë pasojat e pranimit ose të mospranimit të kësaj ftese?

Çfarë mësimi japin këto vargje rreth Shpëtimtarit?

I kërkoni një studenti të lexojë me zë të lartë Almën 5:33–36, ndërkohë që pjesa tjetër e klasës kërkon përgjigje për pyetjet në tabelë. I ftoni studentët të japin përgjigjet që kanë gjetur.

Përfundoni duke u dhënë studentëve pak minuta për të shkruar. U kërkoni të zgjedhin një varg ose një frazë nga Alma 5:1–36. I ftoni të shkruajnë rreth asaj që ai varg ose ajo frazë do të thotë për ta dhe se si mund të bëjnë atë që sugjerohet, kur kërkojnë t’i kenë zemrat e tyre të ndryshuara nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Dëshmoni që, në qoftë se përjetojmë në mënyrë të vazhdueshme një ndryshim të zemrës dhe sjellim në dritë vepra drejtësie, ne vërtet do të përgatitemi për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 5:14,26. “A e keni provuar këtë ndryshim të madh në zemrat tuaja?”

Presidenti Ezra Taft Benson shpjegoi se përjetimi i “një ndryshimi të madh të zemrës” është më shpesh një proces në rritje:

“Bërja si Krishti është një kërkim që zgjat tërë jetën dhe shumë shpesh përfshin rritje dhe ndryshim që është i ngadalshëm, thuajse i pakuptueshëm. Shkrimet e shenjta shënojnë rrëfime të mrekullueshme për njerëz jeta e të cilëve ndryshoi rrënjësisht, në çast, siç ndodhi me: Almën të Riun, Palin në rrugën për Damask, Enosin duke u lutur deri natën vonë, mbretin Lamoni. Shembuj të tillë të mahnitshëm të fuqisë për t’i ndryshuar edhe ata që ishin zhytur në mëkat, japin besim se Shlyerja mund të arrijë edhe ata që janë në dëshpërimin më të thellë.

Por ne duhet të jemi të kujdesshëm kur i diskutojmë këta shembuj të shquar. Edhe pse janë të vërtetë dhe të fuqishëm, ata janë përjashtimi më tepër sesa rregulli. Për çdo Pal, për çdo Enos dhe për çdo mbret Lamoni, ka qindra e mijëra njerëz të cilëve procesi i pendimit u duket shumë më delikat, shumë më i pakuptueshëm. Ditë pas dite ata i afrohen më shumë Zotit, duke mos e kuptuar se po ndërtojnë një jetë të perëndishme. Ata jetojnë jetë të heshtura mirësie, shërbimi dhe angazhimi. Ata janë si lamanitët, për të cilët Zoti tha se ‘u pagëzuan me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë dhe ata nuk e dinin’ (3 Nefi 9:20; shkrimi kursiv i shtuar)” (“A Mighty Change of Heart”, Ensign, tetor 1989, f. 5).

Alma 5:21–24, 27. “Asnjë njeri nuk mund të shpëtohet në qoftë se rrobat e tij nuk janë larë dhe bërë të bardha”

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi se si arriti ai të kuptonte rëndësinë e të qenit i pastër shpirtërisht:

“Më shumë se 50 vjet më parë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, pata një përvojë. Ekuipazhi ynë bombardues ishte trajnuar në Fushën Lengli në Virxhinia për të përdorur shpikjen më të fundit – radarin. U urdhëruam të shkonim në bregun perëndimor dhe më pas drejt Paqësorit.

U transportuam me një tren mallrash me vagonë të mbushur me krevate të ngushtë, që natën mund të uleshin poshtë. Nuk kishte vagonë ngrënieje. Në vend të tyre, kuzhina kampi u vendosën në vagonët me dysheme të ndotura.

Ne ishim të veshur me uniforma verore me ngjyra të çelura. Vagoni i bagazheve u largua në një drejtim tjetër, kështu që nuk kishim veshje për t’u ndërruar gjatë udhëtimit gjashtëditor. Ishte shumë nxehtë kur kaluam përmes Teksasit dhe Arizonës. Tymi dhe hiri i lokomotivës e bënë kalimin shumë të parehatshëm. Nuk kishte asnjë mënyrë se si të laheshim vetë apo të lanim uniformat tona. Mbërritëm në Los-Anxheles një mëngjes – një repart që dukej i palarë – dhe na u tha të ktheheshim në tren atë mbrëmje.

Ne menduam fillimisht për ushqim. 10 prej nesh në ekuipazhin tonë i mblodhëm paratë së bashku dhe u nisëm drejt restorantit më të mirë që mund të gjenim.

Ishte plot me njerëz dhe kështu u bashkuam me radhën e gjatë të pritjes për t’u ulur. Unë isha i pari, pikërisht mbrapa disa grave të veshura mirë. Edhe pa u kthyer për të parë, gruaja hijerëndë përpara meje shpejt u bë e vetëdijshme që ne ishim atje.

Ajo u kthye dhe na vështroi. Pastaj ajo u kthye dhe ma hodhi vështrimin nga koka te këmbët. Isha atje në këmbë me atë uniformë të djersitur, të papastër, të nxirë, të rrudhosur. Ajo tha me një ton neverie: ‘Ua, ç’burra shkatarraqë!’ Të gjithë sytë u kthyen drejt nesh.

Pa dyshim ajo dëshironte që ne të mos ishim atje; unë kisha të njëjtën dëshirë me të. Ndihesha aq i pistë sa ç’isha, në siklet dhe i turpëruar.

Më vonë, kur fillova një studim serioz të shkrimeve të shenjta, pashë referenca për të qenit të pastër shpirtërisht. Një varg thotë: ‘Do të ishit më të mjeruar po të banonit me një Perëndi të shenjtë dhe të drejtë, duke qenë të vetëdijshëm për fëlliqësinë tuaj para tij, sesa po të banonit me shpirtrat e mallkuar në ferr’.[Mormoni 9:4.]

Unë munda ta kuptoja atë. Më kujtohej se si u ndjeva atë ditë në Los-Anxheles. Arsyetova që të qenit të papastër shpirtërisht do të sillte turp dhe poshtërim pa fund më të madh sesa ndjeva unë atëherë. Gjeta referenca – këtu jepen të paktën tetë prej tyre – të cilat thonë se asgjë e papastër nuk mund të hyjë në praninë e Perëndisë [shih 1 Nefi 10:21; 15:34; Alma 7:21; 11:37; 40:26; 3 Nefi 27:19; DeB 94:9; Moisiu 6:57]. Kur e kuptova se këto referenca nuk kishin të bënin shumë me veshje të ndotura ose duar të papastra, vendosa se doja të mbetesha i pastër shpirtërisht” (“Washed Clean”, Ensign, maj 1997, f. 9).