Biblioteka
Mësimi 94: Alma 37


Mësimi 94

Alma 37

Hyrje

Alma e vazhdoi këshillën e tij për birin e tij, Helamanin, dhe i dha atij përgjegjësi mbi analet e shenjta. Ai e kujtoi Helamanin se shkrimet e shenjta tashmë kishin qenë mjetet për të sjellë mijëra lamanitë te Zoti dhe ai profetizoi se Zoti pati qëllime të mëdha për analet në të ardhmen. Alma e udhëzoi birin e tij rreth asaj që duhej t’u mësonte njerëzve. Duke i krahasuar fjalët e Krishtit me Liahonën, ai ia theksoi Helamanit rëndësinë e të kërkuarit në to për udhëzim.

Shënim: Ky mësim siguron mundësi për tre studentë për t’i dhënë mësim klasës. Për t’i ndihmuar këta studentë që të përgatiten për mësimdhënie, i jepni secilit student një ose dy ditë përpara një kopje të pjesës që ai ose ajo do të japin mësim. Ose ju mund të zgjidhni t’ua mësoni vetë këto pjesë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 37

Alma ia beson Helamanit analet, e këshillon atë të zbatojë urdhërimet dhe e kujton atë që Liahona vepronte nëpërmjet besimit

Kopjoni skemën e mëposhtme në tabelë:

Pamja
Small and Simple

U kërkoni studentëve të renditin në tabelë disa gjëra të vogla dhe të thjeshta, të cilat kanë pasur një ndikim të madh për mirë në jetën e tyre. Ju mund të dëshironi t’u kërkoni atyre t’i shpjegojnë përgjigjet e tyre.

Shpjegoni se Alma 37 përmban këshillën e Almës për ta ndihmuar birin e tij, Helamanin, të përgatitet që të bëhet mbajtësi pasues i analeve të shenjta. Alma i mësoi atij rreth rolit të gjërave të vogla dhe të thjeshta në punën e Zotit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 37:6–7.

Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth vlerës së “gjërave të vogla dhe të thjeshta”? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të shprehin të vërtetën që Zoti vepron me anë të mjeteve të vogla dhe të thjeshta për t’i realizuar qëllimet e Tij të përjetshme.)

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 37:1–5, duke kërkuar një shembull të një gjëje të vogël dhe të thjeshtë që mund të ketë ndikim të madh në jetën e njerëzve (analet e shenjta ose shkrimet e shenjta). Pasi studentët të raportojnë atë që kanë gjetur, shkruani fjalët Shkrimet e shenjta në tabelë nën fjalët Gjëra të vogla dhe të thjeshta.

I bëni studentët të kërkojnë tek Alma 37:8–10 për mënyra se si shkrimet e shenjta ndikuan te njerëzit e Librit të Mormonit. Ndërsa studentët raportojnë për atë që gjejnë, ju mund të dëshironi t’i shkruani përgjigjet e tyre nën fjalët NDIKIM I MADH.

  • Në çfarë mënyrash shkrimet e shenjta kanë pasur ndikim në jetën tuaj?

Përmblidhni Almën 37:11–32 duke shpjeguar që Alma i mësoi Helamanit se Zoti do ta tregonte fuqinë e Tij në daljen në dritë të Librit të Mormonit. Ai i dha detyrë Helamanit të ndiqte urdhërimet e Zotit dhe t’i ruante analet me kujdes. Ai gjithashtu e udhëzoi Helamanin t’i përdorte analet për t’u dhënë mësim njerëzve dhe të shmangte zbulimin e të gjitha hollësive të ligësisë së jareditëve dhe të shkatërrimit që pasoi.

I ftoni studentët të kërkojnë në heshtje Almën 37:13–16, duke kërkuar parime që Alma ia mësoi Helamanit, ndërkohë që i dha përgjegjësinë për analet. (Studentët mund të japin një llojshmëri parimesh, por sigurohuni që përgjigjet e tyre vënë në dukje që, nëse u bindemi urdhërimeve të Zotit, Ai do të na ndihmojë t’i plotësojmë detyrat tona. Ju mund të dëshironi t’i pyetni se si ky parim lidhet me idenë që gjëra të vogla dhe të thjeshta mund të kenë ndikim të madh).

Pjesa e mbetur e këtij mësimi planifikohet për t’u dhënë nga tre studentë. Nëse klasa është e madhe, u kërkoni studentëve që japin mësim, të lëvizin drejt tre drejtimeve të ndryshme në dhomë. Ndajeni klasën në tri grupe. E ftoni secilin grup të marrë shkrimet e tyre të shenjta, fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta dhe stilolapsa ose lapsa dhe të grumbullohen rreth njërit nga studentët mësimdhënës. Pasi studentët mësimdhënës t’i kenë mbaruar mësimet e tyre, grupet do të rrotullohen. Nëse klasa është e vogël, studentët mësimdhënës mund t’i japin mësim me radhë të gjithë klasës. Pavarësisht nga rasti, studentët mësimdhënës duhet të përdorin rreth shtatë minuta për t’i paraqitur mësimet e tyre dhe për ta drejtuar diskutimin.

Studenti Mësimdhënës 1 – Alma 37:33–34

U kërkoni studentëve të klasës suaj të mendojnë për një udhëheqës vendor të Kishës ose një Autoritet të Përgjithshëm, i cili iu ka mësuar atyre diçka që ka sjellë ndryshim në jetën e tyre. I ftoni dy ose tre studentë të tregojnë se çfarë u mësoi ky udhëheqës dhe se si pati ndikim tek ata. Ju mund të dëshironi t’u tregoni një shembull nga jeta juaj.

I ftoni dy studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 37:33–34. E vini pjesën tjetër të studentëve t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Alma e këshilloi Helamanin t’u mësonte njerëzve. Ju mund të sugjeroni që ata të shenjojnë frazat “mësoju” dhe “predikoju atyre”, ndërkohë që lexojnë. Në tabelë ose në një copë letre, shkruani Mësime të udhëheqësve të Kishës. Kur studentët t’i kenë mbaruar së lexuari vargjet, u kërkoni të raportojnë për atë që gjetën. I shkruani përgjigjet e tyre nën Mësime të udhëheqësve të Kishës. Bëni pyetjet e mëposhtme:

  • Si mund të jenë këto mësime veçanërisht të dobishme për ne sot? Përse?

U kërkoni shokëve tuaj të klasës të shohin te fraza e fundit e Almës 37:34 për të parë se çfarë bekimi na vjen kur i ndjekim mësimet e udhëheqësve të Kishës. Shkruani në tabelë parimin vijues: Duke ndjekur mësimet e udhëheqësve të Kishës, ne mund t’u gjejmë pushim shpirtrave tanë. I pyetni se çfarë mendojnë ata do të thotë u “gjejnë pushim shpirtrave të tyre”. (Përgjigjet mund të përfshijnë qenien të çliruar nga pasojat e mëkatit, marrjen e paqes nga Shpirti dhe qenien të bekuar me forcë për t’i duruar dhe për t’i kapërcyer sfidat.)

Jepni dëshminë tuaj rreth mënyrës se si ky parim ka qenë i vërtetë në jetën tuaj. Nëse keni kohë shtesë, i ftoni të tjerët të japin dëshmitë e tyre rreth këtij parimi.

Studenti Mësimdhënës 2 – Alma 37:35–37

U shpjegoni shokëve tuaj të klasës që është e zakonshme për ata që mbjellin pemë ta lidhin një pemë të re te një kunj dhe më pas ta heqin mbështetjen kur pema të rritet. I pyetni ata përse mendojnë se bëhet kjo. Më pas lexoni tregimin vijues rreth një peme që Presidenti Gordon Hinkli mbolli në kopshtin e tij:

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

Presidenti Gordon Hinkli mbolli një pemë të re pranë shtëpisë së tij vetëm pak kohë pasi u martua. I kushtoi pak vëmendje asaj gjatë viteve që kaluan. Një ditë ai vuri re se pema ishte e shtrembër dhe e përkulur drejt perëndimit. Ai u përpoq ta shtynte drejt, por trungu ishte shumë i trashë. U përpoq të përdorte një litar dhe pulexha për ta drejtuar, por ajo nuk do të përkulej. Më së fundi, mori sharrën dhe e preu degën e rëndë në anën perëndimore, duke lënë një shenjë të shëmtuar. Ai më vonë tregoi për pemën:

“Kishte kaluar më shumë se gjysmë shekulli që kur e mbolla atë pemë. … Ditën që shkoi, i hodha një sy përsëri pemës. Është e madhe. Forma e saj është më e mirë. Është një gjë me vlerë për shtëpinë. Por sa e rëndë ishte trauma e rinisë së saj dhe sa i egër trajtimi që përdora për ta drejtuar atë.

Kur u mboll fillimisht, një copë spangoje do ta kishte mbajtur në vend kundrejt forcave të erës. Unë mund ta kisha vendosur dhe duhej ta kisha vendosur atë spango me shumë pak përpjekje. Por nuk e bëra dhe ajo u përkul ndaj forcave që erdhën kundër saj” (“Bring Up a Child in the Way He Should Go”, Ensign, nëntor 1993, f. 59).

I bëni studentët të lexojnë këshillën e Almës dhënë Helamanit tek Alma 37:35. U kërkoni atyre të mendojnë rreth mënyrës se si ky varg lidhet me përvojën e Presidentit Hinkli me pemën.

I ftoni studentët të përmbledhin me vetë fjalët e tyre Almën 37:35. (Përgjigjet e tyre duhet të shprehin se ne duhet të mësojmë në rini që t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë.) Gjithashtu i ftoni ata t’i shkruajnë përgjigjet e tyre për pyetjet vijuese. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani pyetjet në tabelë ose t’i lexoni ato me ngadalë, kështu që studentët të mund t’i shkruajnë ato).

  • Si mendoni ju, çfarë ndryshimi bën në jetën e një njeriu kur mëson t’i zbatojë urdhërimet e Perëndisë sa është ende i ri?

  • A mund të mendoni për njerëz që janë bekuar gjatë jetës së tyre, ngaqë mësuan t’u binden urdhërimeve në rininë e tyre? Shkruani rreth mënyrës se si u bekuan ata.

I ftoni dy ose tre studentë të tregojnë për atë që kanë shkruar. Pastaj ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 37:36–37. Vëreni pjesën tjetër të studentëve ta ndjekin atë, duke kërkuar për këshillë të veçantë që mund t’i ndihmojë ata t’i zbatojnë urdhërimet, ndërsa janë të rinj.

  • Si mund t’ju ndihmojë ndjekja e kësaj këshille çdo ditë që t’i zbatoni urdhërimet?

  • Në çfarë mënyrash përpiqeni ta vini Zotin të parin në mendimet, fjalët, veprimet dhe ndjenjat tuaja? (I nxitni studentët të marrin parasysh se si mund të përmirësohen).

Shprehni ndjenjat tuaja rreth mënyrës se si këshillimi me Zotin ju ka ndihmuar të zbatoni urdhërimet. I inkurajoni shokët tuaj studentë që të këshillohen me Zotin në gjithçka që bëjnë.

Studenti Mësimdhënës 3 – Alma 37:38–45

Pamja
Liahona

Paraqitni figurën Liahona (62041; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 68). I kujtoni shokët tuaj studentë për busullën që Zoti e përdori për ta ndihmuar familjen e Lehit të udhëtonte drejt tokës së premtuar. Tek Alma 37:38, ne mësojmë se busulla quhej Liahona. Shpjegoni se Alma foli për Liahonën me qëllim që t’i mësonte Helamanit një parim të rëndësishëm rreth mënyrës se si Zoti i udhëzon fëmijët e Tij.

U shpjegoni shokëve tuaj studentë që ju do t’ju bëni atyre pyetje dhe më pas i bëni ata që të lexojnë me radhë me zë të lartë disa vargje, ndërkohë që çdokush kërkon për përgjigjet. I bëni t’i japin përgjigje secilës pyetjeje pasi është lexuar fragmenti i shkrimit të shenjtë që lidhet me të.

Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se në këto vargje, fjalët simbolikë dhe figurë simbolike nënkuptojnë “një njeri, ngjarje ose rit që ka ngjashmëri me një njeri, ngjarje ose rit tjetër të një rëndësie më të madhe, që do të pasojë. … Tipet e vërtetë do të kenë pika të dukshme ngjashmërie, do të tregojnë provë të caktimit hyjnor dhe do të jenë profetikë për ngjarjet e së ardhmes” (Joseph Fielding McConkie, Gospel Symbolism [1985], f. 274). Zgjedhja për t’i ndjekur ose për të mos i ndjekur udhëzimet e Liahonës është sikurse zgjedhja jonë rreth mënyrës se si t’i përgjigjemi udhëzimit që vjen nëpërmjet fjalëve të Krishtit.

  • Ku mund t’i gjejmë fjalët e Krishtit? (Përgjigjet mund të përfshijnë shkrimet e shenjta, fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme, bekimet patriarkale dhe nxitjet e Shpirtit).

I ftoni shokët tuaj studentët t’i përmbledhin fjalët e Almës tek Alma 37:38–45, veçanërisht në vargjet 44–45. Ky diskutim duhet të përfshijë të vërtetën vijuese: Nëse i ndjekim fjalët e Jezu Krishtit, ato do të na drejtojnë për të marrë jetë të përjetshme.

Tregoni se si fjalët e Krishtit kanë ndikuar tek ju shpirtërisht dhe se si ju ndihmojnë ato të përparoni drejt jetës së përjetshme. Ju mund të sugjeroni që studentët të konsiderojnë marrjen e një bekimi patriarkal ose, nëse ata e kanë marrë një tashmë, leximin e tij rregullisht dhe plot lutje.

Shënim për mësuesin: Pasi studentët të mbarojnë mësimdhënien e pjesëve të tyre të mësimit, i falënderoni ata dhe, nëse e lejon koha, ftoni dy ose tre studentë të dëshmojnë për një prej parimeve që kanë mësuar sot. Ju gjithashtu mund të dëshironi të jepni dëshminë tuaj për këto parime. Përfundoni duke e ftuar klasën t’ju ndjekë ndërkohë që lexoni me zë të lartë Almën 37:46–47.

Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Alma 37:35

Shënim: Aktiviteti vijues për t’u kryer në shtëpi do t’i përgatitë studentët për fillimin e mësimit pasues (Alma 38). Planifikoni për kohë në orën e mësimit për t’iu shpjeguar detyrën e caktuar studentëve dhe i informoni ata lidhur me planin tuaj për ta ndjekur ecurinë e përvojave të tyre kur të takoheni herën e ardhshme.

Vini në dukje se Alma 37:35 është fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund t’i nxitni studentët ta shenjojnë atë në mënyrë të dukshme, me qëllim që ata të mund ta gjejnë me lehtësi. I ftoni ata ta mësojnë përmendsh këtë pjesë në shtëpi sonte dhe t’ia përsëritin përmendsh një prindi ose një të rrituri tjetër të besuar. (Ose ata mund ta lexojnë vargun së bashku me një të rritur). I inkurajoni ata t’ia bëjnë të rriturit pyetjet e mëposhtme. (Ju mund të doni t’i bëni studentët t’i shkruajnë këto pyetje në një copë letër për t’i marrë me vete në shtëpi).

Si ju ka ndihmuar bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë?

Çfarë këshille keni për mua, që mund të më ndihmojë të kem më shumë urtësi në rininë time?

Informojini studentët që ju do t’iu kërkoni atyre të raportojnë lidhur me përvojën e tyre gjatë orës së ardhshme të mësimit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 37:6–7. Gjëra të vogla dhe të thjeshta

Për ta ilustruar parimin që gjërat e vogla dhe të thjeshta mund të sjellin një ndryshim të madh, Presidenti Gordon B. Hinkli tregoi sa vijon:

“Shumë vite më parë, unë punoja për një hekurudhë në zyrat qendrore në Denver. Isha përgjegjës për atë që quhet trafiku shpërndarës i bagazheve. Kjo ishte në kohën kur pothuajse të gjithë njerëzit përdornin trena pasagjerësh. Një mëngjes, pata një telefonatë nga bashkëpunëtori im në Njuark, Nju-Xhërsi. Ai tha: ‘Treni numër kaq-e-aq ka arritur, por nuk e ka vagonin e bagazheve. Diku, 300 pasagjerë i kanë humbur bagazhet e tyre dhe ata janë të inatosur.’

Iu futa menjëherë punës për të gjetur se ku mund të kishte shkuar ai [vagon]. Gjeta se ishte ngarkuar siç duhej dhe ishte lidhur te treni i duhur në Okland, Kaliforni. Kishte lëvizur me anë të hekurudhës sonë në Solt-Lejk-Siti, ishte transportuar deri në Denver, poshtë deri në Pueblo, ishte lidhur me një linjë tjetër dhe kishte lëvizur drejt Seint-Luisit. Atje duhej të përdorej nga një hekurudhë tjetër, e cila do ta çonte atë drejt Njuarkut të Nju-Xhërsit. Por njëfarë manovruesi i pakujdesshëm binarësh në vendin e ruajtjes së vagonëve në Seint-Luis lëvizi një pjesë të vogël çeliku vetëm tetë centimetra, një nyje ndërrimi, pastaj e hoqi levën që lidhte vagonin. Ne zbuluam që një vagon bagazhesh i cili duhej të ishte në Njuark, Nju-Xhërsi, ishte në të vërtetë në Nju-Orlins, Luiziana – 2.400 km larg vendmbërritjes së tij. Thjesht një lëvizje tetë centimetra e nyjes së ndërrimit në vendin e ruajtjes në Seint-Luis prej një punonjësi të pakujdesshëm, e kishte nisur atë në binarin e gabuar dhe largësia nga vendmbërritja e tij e vërtetë u shtua në mënyrë dramatike. Kjo është mënyra se si ndodh me jetën tonë. Në vend që të ndjekim një kurs të qëndrueshëm, ne tërhiqemi nga disa ide të gabuara në ndonjë drejtim tjetër. Largimi nga vendmbërritja jonë fillestare mund të jetë gjithmonë shumë i vogël, por, nëse vazhdohet, ajo lëvizje shumë e vogël bëhet një hendek i madh dhe ne e gjejmë vetveten shumë më larg nga ku kishim ndërmend të shkonim.

A keni parë ndonjëherë një nga këto portat e fermave pesë metra të gjata? Kur hapet, ajo rrotullohet shumë gjerësisht. Cepi i menteshave lëviz gjithmonë kaq pak, ndërkohë që në perimetër lëvizja është e madhe. Janë gjërat e vogla që sjell jeta, të cilat bëjnë ndryshim të madh në jetën tonë, miqtë e mi të dashur, të rinj” (“A Prophet’s Counsel and Prayer for Youth”, Ensign, janar 2001, f. 5–7).

Alma 37:35. “Mëso në rininë tënde të zbatosh urdhërimet e Perëndisë”

Plaku L. Tom Peri, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi historinë e Krid Hejmëndit, një burri që kishte mësuar në rininë e tij t’i zbatonte urdhërimet e Perëndisë:

“Krid Hejmëndi [ishte] një djalë mormon, i cili bërë kërkesë dhe u pranua në Universitetin e Pensilvanisë. Ai ishte një atlet i njohur për shpejtësinë e tij dhe për shkak të mënyrës se si vepronte dhe merrte pjesë, ai u zgjodh të ishte kapiteni i skuadrës së vrapimit.

Konkurrimi vjetor i Shoqatës Ndëruniversitare të Atletëve Amatorë të Amerikës u zhvillua në stadiumin Harvard në fund të majit të 1919-ës. Në Kembrixh erdhën atletët më të shquar të kolegjeve – 1.700 vetë. Në eliminatore, Peni [Universiteti i Pensilvanisë] pati 17 meshkuj që u kualifikuan. Korneli, kundërshtari i tyre më i frikshëm atë vit, pati vetëm 10 veta që u kualifikuan. Skuadra e Penit ishte në gjendje të kurorëzohej si kampione. Rezultatet përbëheshin nga pesë vendet e para – pesë për vendin e parë, katër për vendin e dytë, tre për të tretin, dy për të katërtin dhe një për të pestin. Në mënyrë të natyrshme, skuadra që kishte më shumë meshkuj të kualifikuar, kishte mundësinë më të madhe për të fituar takimin sportiv.

Trajneri i Penit ishte gjithë entuziazëm natën përpara takimit sportiv. Ai shkoi tek të gjithë anëtarët e skuadrës së tij përpara se të shkonte të flinte. Hyri në dhomën e Kridit dhe tha: ‘Krid, nëse bëjmë gjithçka mundemi nesër, ne vërtet do të fitojmë me lehtësi’.

Trajneri ngurroi. ‘Krid, unë do t’i bëj djemtë të pinë pak verë sonte. Dua që ti të pish ca, vetëm pak sigurisht.’

‘Nuk do ta pi, trajner.’

‘Por, Krid, nuk do të të bëj të dehesh. E di se çfarë besoni ju ‘mormonët’. Po jua jap këtë si bar përtëritës, thjesht për t’jua bërë nervat çelik.’

‘Nuk do të ketë asnjë dobi për mua, trajner; nuk mund ta bëj atë.’

Trajneri u përgjigj: ‘Mbaj mend, Krid, ti je kapiteni i skuadrës dhe pikëshënuesi ynë më i mirë. Katërmbëdhjetë mijë studentë i kanë sytë tek ti personalisht për ta fituar këtë konkurrim. Nëse t’i na lë në baltë, ne do të humbasim. Unë e di më mirë se çfarë është e mirë për ty.’

Kridi e dinte se trajnerët e tjerë mendonin se pak verë ishte e dobishme kur meshkujt i kishin ushtruar muskujt dhe nervat pothuajse deri në pikën e copëtimit. Ai e dinte gjithashtu se ajo që po i kërkonte trajneri të bënte, ishte kundër gjithçkaje që kishte mësuar që nga fëmijëria e tij e hershme. Ai e pa trajnerin drejt në sy dhe i tha: ‘Nuk do ta pi’.

Trajneri u përgjigj: ‘Ti je djalë i çuditshëm, Krid. Ti nuk do të pish çaj as gjatë stërvitjes. Ke idetë e tua. Pra, do të lë të bësh si të të pëlqejë.’

Trajneri atëherë e la kapitenin e skuadrës në një gjendje ankthi të jashtëzakonshëm. Po sikur ai të mos dilte mirë të nesërmen. Çfarë mund t’i thoshte trajnerit të tij? Ai do të konkurronte me meshkujt më të shpejtë në botë. Duhej të bënte patjetër më të mirën që mundej. Kokëfortësia e tij mund t’i sillte Penit humbjen e konkurrimit. Shokëve të skuadrës u ishte thënë se çfarë të bënin dhe ata e kishin bërë. Ata i besonin trajnerit të tyre. Çfarë të drejte kishte ai që të mos bindej? Kishte vetëm një arsye. Atij i ishte mësuar gjatë gjithë jetës t’i bindej Fjalës së Urtësisë.

Ky ishte një çast kritik në jetën e këtij djali të ri. Me të gjitha forcat shpirtërore të natyrës së tij që po e shtrëngonin me ngulm, ai ra në gjunjë dhe me zell i kërkoi Zotit t’i jepte dëshmi lidhur me burimin e kësaj zbulese në të cilën ai kishte besuar dhe së cilës i bindej. Më pas ai shkoi në shtrat dhe bëri një gjumë të thellë si kërcu.

Të nesërmen në mëngjes trajneri erdhi në dhomën e tij dhe pyeti: ‘Si ndihesh, Krid?’

‘Mirë’, u përgjigj kapiteni me gjallëri.

‘Të gjithë djemtë e tjerë janë të sëmurë. Nuk di se çfarë problemi kanë’, tha trajneri me seriozitet.

‘Ndoshta është bari përtëritës që ju dhatë atyre, trajner.’

‘Ndoshta po’, u përgjigj trajneri.

Në orën 14:00, 20.000 spektatorë ishin të ulur në stadium duke pritur të fillonte konkurrimi. Ndërsa garat filluan, ishte e qartë që diçka nuk po shkonte mirë me skuadrën e mrekullueshme të Penit. Garë pas gare, skuadra e Penit po arrinte rezultate shumë më të ulëta nga ajo që pritej prej tyre. Disa anëtarë ishin madje shumë të sëmurë për të marrë pjesë.

Garat e shpejta të 100 dhe 200 metrave ishin garat e Kridit. Skuadra e Penit kishte nevojë të dëshpëruar që ai të fitonte për ta. Ai do të konkurronte kundër pesë meshkujve më të shpejtë në kolegjet amerikane. Ndërsa djemtë zunë vendet e tyre për garën e 100 metrave dhe u dëgjua pistoleta e nisjes, secili djalë brofi më këmbë dhe u sul me vrap duke e prekur tokën me vështirësi – domethënë, të gjithë përveç njërit – Krid Hejmëndit. Vrapuesi që e kishte përdorur korsinë e dytë gjatë garave eliminatore – korsinë në të cilën po vraponte Kridi në këtë garë të caktuar – kishte hapur një gropë për gishtin e këmbës së tij tre ose pesë centimetra nga vendi që Hejmënd kishte zgjedhur për të vënë këmbën e tij. Ata nuk përdornin blloqe për nisjen në atë kohë. Me shtytjen e jashtëzakoshme që i dha vetes Kridi, e çara e vogël e dheut u prish dhe gjuri i ra përtokë pas vijës së nisjes.

Ai u ngrit dhe u përpoq të shlyente për fillimin jo të mirë. Kur arriti te 60 metrat, ai ishte i fundit në garë. Më pas u duk sikur ai fluturoi pranë djalit të pestë, më pas të katërtit, pastaj të tretit, pastaj të dytit. Pranë shiritit, me zemrën që po i shpërthente nga sforcimi, ai u përfshi në atë pikë kulmore me shpejtësinë e një vorbulle ere dhe vrapoi pranë djalit të fundit drejt fitores.

Për shkak të një farë gabimi në planet e bëra, gjysmëfinalet e garës së 200 metrave nuk u përfunduan deri afër mbarimit të konkurrimit. Së bashku me të gjitha shanset e këqija që e kishin ndjekur gjithë ditën skuadrën e Penit, Krid Hejmënd ishte vendosur në grupin e fundit kualifikues për garën e 200 metrave. Më pas, pesë minuta pasi e kishte fituar atë, atij iu desh të fillonte finalen e 200 metrave, garën e fundit të ditës. Një nga djemtë e tjerë që kishte vrapuar në një grup më të hershëm, vrapoi tek ai. ‘I thuaj gjyqtarit që ti kërkon të kesh një pushim përpara se të vraposh përsëri. Të takon sipas rregullave. Mezi po marr frymë vetë tashmë dhe unë vrapova në grupin përpara teje.’

Kridi shkoi te gjyqtari dhe iu lut për t’i dhënë më shumë kohë. Gjyqtari tha se do t’i jepte atij 10 minuta. Por turma po bërtiste plot zhurmë që të fillonte gara finale. Plot keqardhje, gjyqtari i thirri djemtë të vendoseshin te shenjat. Në kushte të zakonshme, Kridi nuk do të kishte pasur frikë për këtë garë. Ai ndoshta ishte djali më i shpejtë në botë për atë largësi, por tashmë ai kishte vrapuar tri gara atë pasdite – njëra, gara e 100 metrave, që e bënte zemrën të pushonte.

Gjyqtari i urdhëroi djemtë e pafrymë të vendoseshin te shenjat e tyre, ngriti pistoletën e tij dhe, me një shtëllungë tymi, filloi gara. Këtë herë kapiteni i Penit me të vërtetë fluturoi nga shenja e tij. Shpejt Kridi u shkëput nga turma dhe doli në krye. Ai vrapoi me shpejtësi gjithë rrugën e fushës dhe, me një shpërthim shpejtësie dhe tetë metra përpara djalit që i ndodhej më pranë, ai e theu shiritin, duke fituar garën e dytë – vrapimin e 200 metrave.

Skuadra e Penit e humbi konkurrimin, por kapiteni i tyre i kishte mahnitur tifozët me vrapimet e tij të shkëlqyera.

Në fund të asaj dite të çuditshme, ndërsa Krid Hejmëndi po shkonte të flinte, papritur i erdhi në kujtesë pyetja e tij natën e mëparshme lidhur me hyjninë e Fjalës së Urtësisë. Ecuria e asaj serie të veçantë ngjarjesh më pas i kaloi përpara syve – shokët e skuadrës së tij kishin pirë verë dhe kishin dështuar; ngaqë ai nuk kishte pirë, ai kishte arritur fitore që e kishin mahnitur edhe atë vetë. Siguria e ëmbël, e thjeshtë e Shpirtit erdhi tek ai: Fjala e Urtësisë është prej Perëndisë (përshtatur nga Joseph J. Cannon, “Speed and the Spirit”, Improvement Era, tetor 1928, f. 1001–1007)” (“Run and Not Be Weary”, Ensign, nëntor 1996, f. 37–38).

Alma 37:38–46. Fryma e Shenjtë është si Liahona

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e krahasoi Liahonën me Frymën e Shenjtë:

“Ndërsa ne secili shtyhemi përpara përgjatë shtegut të jetës, ne marrim udhërrëfim nga Fryma e Shenjtë, po ashtu sikurse Lehi u drejtua nëpërmjet Liahonës.

Fryma e Shenjtë vepron në jetën tonë pikërisht si Liahona e drejtoi Lehin dhe familjen e tij, në përputhje me besimin, zellin dhe vëmendjen tonë.

Dhe Fryma e Shenjtë na siguron sot mjetet me anë të të cilave mund të marrim, ‘nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta’ (Alma 37:6), kuptueshmëri në rritje lidhur me udhët e Zotit. …

Shpirti i Zotit mund të jetë udhërrëfyesi ynë dhe do të na bekojë me drejtim, udhëzim dhe mbrojtje shpirtërore gjatë udhëtimit tonë në vdekshmëri. Ne e ftojmë Frymën e Shenjtë në jetën tonë nëpërmjet lutjes kuptimplote vetjake dhe familjare, ushqyerjes me bollëk me fjalët e Krishtit, bindjes me zell dhe saktësi, besnikërisë e nderimit të besëlidhjeve dhe nëpërmjet virtytit, përulësisë dhe shërbimit. Dhe në mënyrë të palëkundur ne duhet t’u shmangemi gjërave që nuk janë modeste, që janë të ashpra, mizore, mëkatare ose të liga, që na bëjnë ta largojmë veten nga Fryma e Shenjtë.

Ne gjithashtu e ftojmë shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë, kur marrim me denjësi sakramentin çdo ditë Shabati” (“That We May Always Have His Spirit to Be with Us”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 30–31).