Biblioteka
Mësimi 77: Alma 12


Mësimi 77

Alma 12

Hyrje

Pasi fjalët e Amulekut e bënë Zizromin “të dridhej në vetëdije të fajit të tij” (Alma 12:1), Alma u ngrit që të sqaronte atë që u kishte mësuar Amuleku. Alma u përqendrua në të vërteta që do ta ndihmonin popullin e Amonihës të pendohej për ngurtësinë e zemrave të tyre dhe për mëkate të tjera. Ai theksoi kurthet dinake të Satanit, gjykimet që bien mbi të ligjtë, dhe planin e shëlbimit, i cili bën të mundur për ata që pendohen që të falen për mëkatet e tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 12:1–7

Alma ia zbulon planin e Zizromit – dhe planin e kundërshtarit – popullit të Amonihës

Ndiqni ilustrimin shoqërues për të lidhur një lak rrëshqitës, ose kurth, me një copë litari ose kordoni. Demonstroni se si vepron kurthi duke e mbajtur lakun përpara një karameleje apo ushqimi mbi një tavolinë apo banak. I kërkoni një studenti ta futë dorën përmes kurthit për të marrë ushqimin. Kur ai ose ajo e bën këtë, shtrëngojeni lakun. (Jini të kujdesshëm që të mos e lëndoni studentin.)

Pamja
kurthi

Ftojeni një student që të rishikojë për klasën mënyrën se si Zizromi u përpoq ta kapte në kurth Amulekun (shih Alma 11:21–25). Shpjegoni se, pasi Amuleku e kuptoi qëllimin e Zizromit dhe iu përgjigj atij, Alma gjithashtu u ngrit për t’iu drejtuar Zizromit dhe njerëzve që po dëgjonin (shih Alma 12:1–2). I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 12:3–6, duke kërkuar fjalë dhe fraza që Alma i përdori për të përshkruar taktikat e Zizromit. (Ju mund të doni t’i nxitni studentët t’i shenjojnë këto fjalë dhe fraza.) I vini të raportojnë për atë që gjejnë.

  • Planin e kujt po ndiqte Zizromi?

  • Çfarë tha Alma se ishin synimet e djallit?

  • Çfarë e bëri Almën të aftë për ta vënë në jetë këtë plan?

I ftoni studentët të thonë parime që përmbledhin atë që kanë mësuar nga Alma 12:3 rreth mënyrës se si mund t’i dallojnë mashtrimet e kundërshtarit. Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë t’i dallojmë mashtrimet e kundërshtarit. Ju mund të doni t’i kujtoni studentët që në mësimin e mëparshëm, ata mësuan se, kur mbështetemi te Fryma e Shenjtë, ne mund ta kapërcejmë tundimin. Shpjegoni se, për ta mposhtur një tundim ose mashtrim, ne duhet fillimisht ta njohim atë dhe dëmin që mund të na shkaktojë. Më pas ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi për ta shmangur.

  • Kur ju ka ndihmuar Fryma e Shenjtë që të dalloni dhe shmangni tundimin? (Pasi studentët të jenë përgjigjur, ju gjithashtu mund të doni të tregoni një përvojë nga vetja juaj.)

U jepni studentëve pak minuta për të shkruar në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta rreth mënyrës se si mund ta rritin ndjeshmërinë e tyre ndaj nxitjeve të Frymës së Shenjtë, që të mund t’i dallojnë dhe t’i shmangin kurthet e kundërshtarit.

Alma 12:8–18

Alma jep mësim rreth gjykimit përfundimtar të gjithë njerëzimit

U kërkoni studentëve të mendojnë rreth karrierave që janë të interesuar t’i ndjekin. I ftoni dy ose tre prej tyre të flasin rreth karrierës që ju intereson. U kërkoni atyre të vlerësojnë se sa shumë mund të paguajnë për shkollimin në një kolegj, universitet ose shkollë profesionale për të fituar dijen dhe aftësitë e kërkuara për t’u bërë të suksesshëm në atë karrierë. Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Dejvid Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: I kërkoni klasës të dëgjojnë për “pagesën e shkollimit” që Plaku Bednar tha se ne duhet të paguajmë për të marrë dije shpirtërore.

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Kuptueshmëria shpirtërore … thjesht nuk mund [të na jepet neve]. Pagesa për shkollim, e zellit dhe e mësimit me anë të studimit e me anë të besimit, duhet të paguhet për të siguruar dhe “zotëruar” personalisht dije të tillë. Vetëm në këtë mënyrë mundet ajo që njihet në mendje gjithashtu të ndihet në zemër” (“Duke Ndenjur Zgjuar … me Çdo Ngulmim”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 43).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 12:7–8. Vëreni klasën ta ndjekin, duke kërkuar prova që Zizromi po fillonte të paguante “pagesën e shkollimit” shpirtëror që nevojitej për të fituar dije shpirtërore. I ftoni studentët të shpjegojnë atë që shohin në këto vargje, që tregon se zemra e Zizromit po fillonte të ndryshonte.

Vini në dukje që Zizromi i bëri Almës një pyetje rreth ringjalljes. Në vend që t’i përgjigjej asaj pyetjeje menjëherë, Alma i mësoi atij rreth fitimit të dijes shpirtërore. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 12:9–11. Vëreni klasën të kërkojë atë që Alma i mësoi Zizromit rreth fitimit të dijes shpirtërore. Shpjegoni se “misteret e Perëndisë janë të vërteta shpirtërore të njohura vetëm nëpërmjet zbulesës … [nga ata] që janë të bindur ndaj ungjillit” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mistere të Perëndisë”, scriptures.lds.org). (Ju mund të doni ta shkruani këtë thënie në tabelë. Ju mund të sugjeroni gjithashtu që studentët ta shkruajnë atë në shkrimet e tyre të shenjta pranë Almës 12:9.)

U kërkoni studentëve të shprehin me vetë fjalët e tyre atë që Alma 12:9 na mëson rreth asaj që duhet të bëjmë për të marrë të vërtetë shpirtërore. (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por përgjigjet e tyre duhet të shprehin se Zoti na zbulon të vërteta shpirtërore në përputhje me bindjen dhe zellin që u kushtojmë fjalëve të Tij. Ju mund të doni t’i nxitni studentët ta shkruajnë këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta pranë Almës 12:9.)

  • Cila është lidhja midis gjendjes së zemrave tona dhe aftësisë për të marrë të vërtetë shpirtërore?

Tek Alma 12:10–11, vini në dukje pasojat e kundërta për ata që nuk i ngurtësojnë zemrat e tyre ndaj së vërtetës dhe për ata që i ngurtësojnë.

  • Si e ndikon njohja e këtyre pasojave dëshirën tuaj për të marrë dije më të madhe shpirtërore?

Shpjegoni se, pasi Alma na mësoi se si të arrijmë ta njohim të vërtetën shpirtërore, ai iu përgjigj pyetjes që Zizromi kishte bërë më përpara. U kërkoni studentëve të rithonë me fjalët e tyre pyetjen e Zizromit tek Alma 12:8. I ftoni të lexojnë në heshtje Almën 12:12–15, duke kërkuar atë që Alma i mësoi Zizromit rreth ringjalljes dhe gjykimit. Ndërsa studentët lexojnë, shkruani sa vijon në tabelë: Ne vërtet do të mbahemi përgjegjës përpara Perëndisë për … … … tona.

Kur studentët të kenë mbaruar së lexuari, u kërkoni të plotësojnë fjalinë të tabelë: Ne vërtet do të mbahemi përgjegjës përpara Perëndisë për mendimet, fjalët dhe veprimet tona.

  • Si mendoni se kjo e vërtetë mund ta ketë ndikuar Zizromin? (I vini studentët të kthehen tek Alma 14:6 dhe 15:3 për ta gjetur përgjigjen.) Si mendoni, përse kjo e vërtetë pati një ndikim kaq të fuqishëm mbi Zizromin? (Ju mund të dëshironi të vini në dukje se Zizromi nuk shqetësohej vetëm për veten e tij. Ai shqetësohej për njerëzit që i kishte çuar në udhë të shtrembër.)

  • Me çfarë lloj mendimesh, fjalësh dhe veprimesh përpiqen njerëzit, që mund t’i mallkojnë ata nëse nuk pendohen? (Për t’i ndihmuar studentët të përsiatin dhe të diskutojnë se si zgjedhjet e tyre të argëtimit dhe medias mund t’i ndikojnë mendimet, fjalët dhe veprimet e tyre, ju mund të doni t’i drejtoheni këshillës mbi argëtimin dhe median te broshura Për Forcën e Rinisë.)

  • Çfarë ndryshimi do të sjellë ajo në zgjedhjet tuaja të përditshme nëse e kujtoni të vërtetën e shkruar në tabelë?

Vini në dukje referencën e kombinuar me Mosian 4:30 tek Alma 12:14, shënimi 14a në fund të faqes dhe ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mosian 4:30. (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë referencë të kombinuar.) Nëse ka kohë të mjaftueshme, i vini studentët t’i drejtohen përsëri asaj që shkruan rreth rritjes së ndjeshmërisë së tyre ndaj nxitjeve të Frymës së Shenjtë. I ftoni të shtojnë disa mendime rreth mënyrës se si të kuptuarit e përgjigjësisë së tyre vetjake para Perëndisë e ndikon dëshirën e tyre për ta dalluar dhe shmangur tundimin.

Alma 12:19–37

Alma shpjegon se si plani i shëlbimit na ndihmon të mposhtim efektet e Rënies

Pamja
Adami dhe Eva të Gjunjëzuar te një Altar

U tregoni studentëve fotografinë e Adamit dhe Evës të Gjunjëzuar te një Altar (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 4). Shpjegoni se një burrë i quajtur Antionah, i cili ishte një nga kryesundimtarët në Amoniha, bëri pyetje lidhur me atë që Alma dhe Amuleku kishin dhënë mësim rreth ringjalljes. Ai erdhi ta pyeste Almën se si njerëzimi ndoshta mund të bëhej i pavdekshëm. (Shih Alma 12:20–21.)

U kërkoni studentëve se sa besim kanë te vetja për t’i shpjeguar dikujt që nuk është anëtar i Kishës, se si ne mund të shëlbehemi nga Rënia. Për t’i ndihmuar ata të përgatiten që t’ia mësojnë këtë të vërtetë dikujt tjetër, i vini të kërkojnë vargjet në tabelën vijuese dhe shkruajeni në kolonat e duhura atë që ata mësojnë. (Ju mund të dëshironi ta kopjoni këtë tabelë në dërrasë para se të fillojë ora mësimore. I ftoni studentët ta kopjojnë atë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta.)

Efektet e Rënies (Alma 12:22, 24)

Çfarë ka bërë Perëndia për të sjellë shëlbimin tonë (Alma 12:24–25, 28–33)

Çfarë duhet të bëjmë ne që të shëlbehemi (Alma 12:24, 30, 34, 37)

Ndërsa studentët e plotësojnë tabelën, disa prej tyre mund të kenë nevojë për ndihmën tuaj. (Një mënyrë për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë shkrimet e shenjta, është t’iu tregoni shënimet në fund të faqes. Për shembull, referencat e shkrimeve të shenjta të dhëna në shënimin 22c në fund të faqes, mund t’i ndihmojnë studentët të kuptojnë se çfarë do të thotë për gjithë njerëzimin që të humbasin dhe të bien.) Kur studentët ta kenë plotësuar tabelën, bëni pyetjet vijuese. (Ju mund të doni t’i shkruani këto pyetje në tabelë përpara orës së mësimit në mënyrë që studentët të mund të shqyrtojnë përgjigjet e tyre ndërsa e plotësojnë tabelën.)

  • Si na lejon Shlyerja e Jezu Krishtit të dalim fitimtarë mbi efektet e Rënies? (Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne vërtet do të dalim fitimtarë ndaj vdekjes fizike nëpërmjet ringjalljes. Dhe nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit dhe pendimit tonë, ne mund të kthehemi te Perëndia nga gjendja jonë “e humbur dhe e rënë”.)

  • Sipas Almës 12:24, çfarë na mësoi Alma se është qëllimi i jetës? (Ai tha se kjo jetë është një kohë për ne për t’u përgatitur që të takojmë Perëndinë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë tek Alma 12:24 frazën që na e mëson këtë të vërtetë.)

Për t’i ndihmuar studentët të zbatojnë atë që kanë mësuar, bëni pyetje si ato që vijojnë:

  • Si ju ka ndihmuar për t’ju drejtuar ju njohja e qëllimit të jetës?

  • Si ju ka ndihmuar besimi juaj në Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin për t’u përgatitur që t’i takoni Ata?

Përfundoni me dëshminë tuaj se tani është koha për t’u përgatitur që të takojmë Perëndinë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 12:24. “Gjendje prove”

Në të gjitha shkrimet e shenjta, termi “gjendje prove” ose “kohë prove” shfaqet vetëm në librin e Almës (shih Alma 12:24; 42:4, 10, 13). Plaku L. Tom Peri, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përshkroi këtë kohë prove:

“Qëllimi kryesor i jetës në tokë është që t’i lejojë shpirtrat tanë, të cilët ekzistonin përpara se të ishte bota, të bashkohen me trupat tanë për një kohë mundësie të madhe në vdekshmëri. Shoqërimi i të dyve së bashku na ka dhënë privilegjin e rritjes, zhvillimit dhe pjekurisë që mund ta kemi vetëm me shpirtin dhe trupin të bashkuar. Me trupat tanë, ne kalojmë përmes një sasie të caktuar sprove në atë që përkufizohet si gjendje prove e ekzistencës sonë. Kjo është një kohë mësimi dhe testimi për ta provuar vetveten të denjë për mundësi të përjetshme. Është e gjitha pjesë e një plani hyjnor që Ati ynë ka për fëmijët e tij” (“Proclaim My Gospel from Land to Land”, Ensign, maj 1989, f. 14).

Alma 12:32. Pranimi i urdhërimeve pas marrjes së një diturie për planin

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi se dija për planin e Perëndisë na ndihmon të kuptojmë përse ne duhet t’i zbatojmë urdhërimet. Duke u folur mësuesve të rinisë, ai tha:

“Të rinjtë pyesin ‘përse’ – Përse urdhërohemi të bëjmë disa gjëra dhe përse urdhërohemi të mos i bëjmë gjëra të tjera? Një dije e planit të lumturisë, qoftë edhe në formë përvijimi, mund t’u japë mendjeve të reja një ‘përse’. …

Shumica e pyetjeve të vështira që hasim në Kishë pikërisht tani, dhe ne mund t’i renditim ato – aborti dhe të gjitha të tjerat, të gjitha sfidat e atyre që mbajnë priftërinë dhe të atyre që nuk e mbajnë atë – nuk mund të marrin përgjigje pa disa njohuri mbi planin si sfond.

Alma e tha këtë dhe ky, mendoj këto kohë, është shkrimi im i shenjtë i preferuar, edhe pse herë pas here unë ndryshoj: ‘Perëndia u dha atyre urdhërime, pasi u bëri të ditur planin e shëlbimit’ (Alma 12:32; theksimi i shtuar). …

… Nëse jeni përpjekur t’u jepni [studentëve] një ‘përse’, ndiqeni atë model: ‘Perëndia u dha atyre urdhërime, pasi u bëri të ditur planin e shëlbimit” (“The Great Plan of Happiness” [fjalim drejtuar mësuesve fetarë të SAK-ut, 10 gusht 1993], si.lds.org).