Biblioteka
Mësimi 80: Alma 15–16


Mësimi 80

Alma 15–16

Hyrje

Pasi Zoti i çliroi Almën dhe Amulekun nga burgu, ata shkuan për t’u predikuar njerëzve në qytetin e Sidomit. Atje ata gjetën besimtarë që ishin dëbuar nga Amoniha, duke përfshirë Zizromin, i cili po vuante fizikisht dhe shpirtërisht për shkak të mëkateve të tij. Kur Zizromi e shpalli besimin e tij në Jezu Krishtin, Alma e shëroi atë dhe e pagëzoi atë. Alma krijoi Kishën në Sidom dhe më pas u kthye me Amulekun në Zarahemla. Në përmbushjen e profecisë së Almës, lamanitët e shkatërruan qytetin e Amonihës në një ditë. Përveç kësaj, lamanitët kapën robër disa nefitë nëpër vendet përreth. Pasi zgjodhën të ndiqnin udhëzimin profetik të Almës, ushtritë nefite i çliruan të burgosurit dhe i dëbuan lamanitët nga vendi. Gjatë një periudhe paqeje, Alma, Amuleku dhe shumë të tjerë e forcuan Kishën nëpër të gjithë vendin e nefitëve.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 15

Alma shëron Zizromin, krijon Kishën në Sidom dhe kthehet me Amulekun në Zarahemla

Për t’i ndihmuar studentët t’i kujtojnë njerëzit dhe ngjarjet kryesore të treguara tek Alma 11–14, shkruani fjalët e mëposhtme në tabelë:

Zizromi

Onti

Zjarr

Alma

Amuleku

Amoniha

U jepni studentëve një minutë për t’u përpjekur që t’i përdorin të gjithë emrat dhe fjalët në tabelë për të përmbledhur ngjarjet e treguara te Alma 11–14. (Ju mund të sugjeroni që ata t’iu drejtohen përmbledhjeve të kapitujve për ndihmë.) Pasi dy ose tre studentë të jenë përgjigjur, i fshini të gjitha fjalët përveç fjalës Zizromi.

Shpjegoni se pasi u larguan nga Amoniha, Alma dhe Amuleku arritën në Sidom, ku gjetën besimtarët që ishin dëbuar nga Amoniha, përfshirë Zizromin. I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 15:3–5, duke kërkuar fjalë dhe fraza që përshkruajnë gjendjen e Zizromit. Ndërsa studentët raportojnë atë që gjejnë, i shkruani përgjigjet e tyre në tabelë nën emrin e Zizromit.

  • Si mendoni ju, përse faji i Zizromit e çoi atë drejt vuajtjes si shpirtërore ashtu dhe fizike? Çfarë kanë nevojë të bëjnë njerëzit në këtë gjendje me qëllim që të ndryshohet gjendja e tyre?

  • Ndihmën e kujt kërkoi Zizromi? (Shih Alma 15:4.) Si mendoni ju, përse i dërgoi ai fjalë Almës dhe Amulekut? (Përgjigjet mund të përfshijnë se ai kishte besim tek ata dhe se ai e dinte se ishin burra të Perëndisë dhe kishin autoritet priftëror.)

Ftoni dy ose tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 15:6–10. Vëreni klasën të kërkojë fjalët që tha Alma për ta ndihmuar Zizromin që të ushtronte besim në Jezu Krishtin dhe në Shlyerjen e Tij.

  • Si mendoni ju, përse Zizromi kishte nevojë që të ushtronte besim në Jezu Krishtin dhe në Shlyerjen e Tij përpara se të mund të shërohej?

U kërkoni studentëve të lexojnë në heshtje Almën 15:11–12 për të gjetur se çfarë i ndodhi Zizromit. Kur ata të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të lexuar, i fshini të gjitha fjalët dhe frazat në tabelë nën emrin e Zizromit.

  • Çfarë prove shihni që Zizromi u pendua dhe mori mëshirën e Zotit? (Ai u shërua nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin, u pagëzua dhe filloi të predikonte ungjillin.)

Shkruani parimin vijues në tabelë: Nëpërmjet besimit tonë në Jezu Krishtin, ne mund të shërohemi dhe forcohemi.

Vini në dukje se Alma, si udhëheqës i priftërisë, nuk tërhoqi vëmendje ndaj vetes. Qëllimi i tij në këtë bashkëbisedim me Zizromin ishte ta ndihmonte Zizromin për të ushtruar besim në Jezu Krishtin dhe për të marrë mëshirë nëpërmjet Shlyerjes. Për të ilustruar një mënyrë se si udhëheqësit tanë të priftërisë na ndihmojnë që t’i marrim bekimet e Shlyerjes, lexoni përvojën e mëposhtme të treguar nga Plaku Xhej Xhensen, i Të Shtatëdhjetëve:

“Ndërsa shërbeja si peshkop, kam qenë dëshmitar i bekimeve të Shlyerjes në jetën e anëtarëve të Kishës që kryen shkelje serioze. …

Një i ri beqar në moshë madhore në lagjen tonë po dilte në takime njohjeje me një vajzë të re. Ai dhe shoqja e tij i lejuan ndjenjat t’u dilnin jashtë kontrollit. Ai m’u drejtua mua për këshillë dhe ndihmë. Bazuar në atë që u rrëfye dhe në përshtypjet që pata nga Shpirti, midis gjërave të tjera, ai nuk u lejua të merrte sakramentin për një farë kohe. Ne u takuam rregullisht për të siguruar që u bë pendimi dhe, pas një kohe të duhur, unë e autorizova që ta merrte sërish sakramentin.

Ndërsa qëndroja në panel në atë mbledhje sakramenti, sytë e mi shkuan drejt tij ndërsa tani e merrte sakramentin denjësisht. Unë isha dëshmitar i krahëve të mëshirës, të dashurisë dhe të sigurisë që e rrethonin atë, ndërkohë që shërimi i Shlyerjes ia ngrohu shpirtin dhe ia hoqi barrën e tij, duke dhënë si rezultat faljen, paqen dhe lumturinë e premtuar” (“Krahët e Sigurisë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 49).

Dëshmoni se peshkopët dhe udhëheqës të tjerë të priftërisë mund të na ndihmojnë të marrim mëshirën dhe forcën që kemi nevojë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se udhëheqësit e Kishës u shërbejnë grupeve të njerëzve dhe individëve, i vini të studiojnë Almën 15:13–18. I caktoni të punojnë në dyshe. Vëreni një student në secilën dyshe që të hetojë tek Alma 15:13–15, 17, duke kërkuar mënyra se si njerëzit e Sidomit u bekuan nëpërmjet shërbesës së Almës. Vëreni studentin tjetër në secilën dyshe që të hetojë tek Alma 15:16, 18, duke kërkuar mënyra se si Amuleku u bekua nëpërmjet shërbesës së Almës. Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme, i ftoni ata t’i shpjegojnë njëri-tjetrit atë që kanë gjetur.

I ftoni dyshet që të mendojnë për tri deri në pesë mënyra se si udhëheqësit e Kishës sot mund të ndihmojnë grupe dhe individë. I nxitni studentët të mendojnë për vetë përgjegjësitë e tyre si udhëheqës në kuorumet e tyre të priftërisë dhe në klasat e Të Rejave. I kërkoni secilës dyshe që t’i tregojnë klasës për një nga idetë e tyre.

Alma 16:1–12

Lamanitët shkatërrojnë Amonihën, por nuk janë në gjendje t’i mposhtin nefitët që ndjekin këshillën e Almës

U kërkoni studentëve të mendojnë për një kohë kur ata u ndien të zënë në befasi apo papritur të frikësuar. Ju mund të doni t’u kërkoni një ose dy studentëve të tregojnë për përvojat e tyre. I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 16:1–3, duke kërkuar mënyrën se si nefitët në Amoniha u zunë në befasi dhe përse disa prej tyre ndoshta u frikësuan. U kërkoni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë. (Nëse është e nevojshme, i ndihmoni ata të kuptojnë që lamanitët papritur e sulmuan qytetin e Amonihës dhe i shkatërruan banorët e tij, përpara se nefitët të mund të mblidhnin një ushtri për të shkuar kundër tyre.)

E ftoni një student të lexojë me zë të lartë Almën 16:4–6 dhe i kërkoni klasës të përcaktojnë se ku kërkuan udhëzim nefitët e drejtë. I kërkoni një studenti tjetër të lexojë me zë të lartë Almën 16:7–8, ndërkohë që pjesa tjetër e klasës kërkojnë rezultatin e ndihmës që ata morën.

  • Si i ndihmoi nefitët udhëzimi profetik i Almës?

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga ky tregim? (Studentët mund të gjejnë një llojshmëri parimesh. Sigurohuni që ata kuptojnë se, ndërsa kërkojmë dhe ndjekim udhëzim nga profetët e Zotit, Zoti na forcon dhe na mbron. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Si bekohet rinia kur ndjekin udhëzim profetik? (Për t’i ndihmuar studentët t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, merrni parasysh që t’i bëni ata të kthehen te dy ose tre pjesë te broshura Për Forcën e Rinisë. I ftoni t’i përgjigjen kësaj pyetjeje për secilën pjesë që zgjidhni.)

U kërkoni studentëve të mendojnë për përvoja kur udhëzimi profetik i ka ndihmuar të bëjnë zgjedhje të duhura në situata të vështira. Ftoni dy ose tre studentë t’i tregojnë klasës për përvojat e tyre. (Sigurohuni që ata ta kuptojnë se nuk kanë nevojë të ndihen të detyruar për të treguar përvoja që janë tepër personale apo e brendshme.) Ju mund të dëshironi të ndani një përvojë nga vetja juaj. Për ta përforcuar të vërtetën se fjalët e profetëve gjithmonë përmbushen, ju mund të vini në dukje se Alma 16:9–11 tregon përmbushjen e profecisë së Almës rreth popullit të Amonihës (shih Alma 9:12).

Alma 16:13–21

Alma, Amuleku dhe të tjerë ngrenë Kishën mes nefitëve

Ndërsa studentët përfundojnë së studiuari Almën 16, i nxitni të kërkojnë shembuj të dy parimeve që keni shkruar në tabelë. Përmblidhni Almën 16:13–15 duke shpjeguar se Alma dhe Amuleku vazhduan të predikonin fjalën e Perëndisë nëpër të gjithë vendin, me ndihmën e të tjerëve “që ishin zgjedhur për punën” (Alma 16:15). I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 16:16–21, duke kërkuar rezultatet e këtyre përpjekjeve. Pas një kohe të mjaftueshme, u kërkoni studentëve të tregojnë rreth asaj që kanë gjetur. I pyetni se si këto shembuj ilustrojnë një ose të dy parimet e shkruara në tabelë.

Përfundojeni mësimin duke i nxitur studentët të kopjojnë një nga këto parime në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. I ftoni ata të shkruajnë një përmbledhje të asaj që kanë mësuar sot rreth atij parimi. Gjithashtu u kërkoni të shkruajnë rreth mënyrës se si ata planifikojnë ta zbatojnë atë që kanë mësuar.

Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Ky mësim shënon pikën e mesit të këtij kursi. Për t’i ndihmuar studentët ta përforcojnë njohurinë e tyre për fragmentet e zotërimit të shkrimeve të shenjta, merrni parasysh t’u bëni një test ose provim për të përcaktuar se sa i njohin pjesët e zotërimit të shkrimeve të shenjta që keni zhvilluar në klasë. Ju mund të përgatitni një test të thjeshtë gojor ose me shkrim, të tillë si dhënien e një të dhëne nga një fragment i shënuar i seminarit dhe lejimin e studentëve që të shkruajnë referencën e duhur, ose mund të merrni parasysh të kryeni një rishikim të disa pjesëve që studentët i kanë mësuar përmendsh. Ju mund të doni t’u tregoni studentëve rreth provimit të shpejtë ose testit që më parë, që ata mund të përgatiten për të.

Shënim: Nëse nuk keni kohë për ta përdorur këtë aktivitet si pjesë të këtij mësimi, ju mund ta përdorni një ditë tjetër. Për veprimtari të tjera përsëritjeje, shih shtojcën në fund të këtij manuali.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 15:3-5. Vuajtja fizike e shkaktuar nga çrregullime shpirtërore

Ndërsa Zizromi po pendohej, mëkatet e tij “ia brenë mendjen, derisa vuajtja iu bë jashtëzakonisht e rëndë” (Alma 15:3). Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli për realitetin e vuajtjes fizike që mund të shkaktohet nga çrregullime shpirtërore:

“[Njëherë] unë pyeta një doktor të mjekësisë familjare se sa shumë nga koha e tij i kushtohej tërësisht korrigjimit të çrregullimeve fizike. Ai ka një praktikë të zgjeruar dhe, pasi e shqyrtoi vëmendshëm, u përgjigj: ‘Jo më shumë se 20 përqind. Pjesën tjetër të kohës më duket se po punoj për probleme që e ndikojnë së tepërmi mirëqenien fizike të pacientëve të mi, por nuk e kanë pikënisjen nga trupi.’

‘Këto çrregullime fizike’, përfundoi doktori, ‘janë thjesht simptoma të ndonjë tjetër lloj shqetësimi’.

Në brezat e kohëve të fundit, njëra pas tjetrës, sëmundjet kryesore i janë ‘dorëzuar’ kontrollit apo shërimit. Disa sëmundje shumë kryesore ende mbeten, por tani duket se ne jemi të aftë të bëjmë diçka për shumicën prej tyre.

Është një pjesë tjetër në ne, jo aq e prekshme, por po aq reale sa trupi ynë fizik. Kjo pjesë e paprekshme e jona përshkruhet si mendje, emocion, intelekt, temperament dhe shumë gjëra të tjera. Shumë rrallë përshkruhet ajo si shpirtërore.

Por ka një shpirt brenda njeriut; ta shpërfillim atë është të shpërfillim realitetin. Ka çrregullime shpirtërore, gjithashtu, dhe sëmundje shpirtërore që mund të na shkaktojnë vuajtje të fuqishme.

Trupi dhe shpirti i njeriut janë të lidhur së bashku” (“The Balm of Gilead”, Ensign, nëntor 1977, f. 59).