Biblioteka
Mësimi 70: Alma 3–4


Mësimi 70

Alma 3–4

Hyrje

Pas bashkimit me një ushtri lamanite, amlicitët e dalluan vetveten nga nefitët duke vënë shenja të kuqe mbi ballin e tyre. Amlicitët dhe lamanitët luftuan kundër nefitëve dhe “mijëra dhe dhjetra mijëra” vdiqën në betejë (shih Alma 3:26). Pas kësaj beteje, shumë nefitë u përulën dhe “u zgjuan që ta kujtonin detyrën e tyre” (Alma 4:3). Rreth 3.500 u pagëzuan dhe u bashkuan me Kishën. Megjithatë, në vitin pasues, shumë anëtarë të Kishës u bënë kryelartë dhe filluan t’i përndiqnin të tjerët. I shqetësuar nga kjo ligësi, Alma hoqi dorë nga detyrat e tij si kryegjykatës dhe vazhdoi të shërbente si prifti i lartë mbi Kishën. Në këtë detyrë, ai planifikoi të udhëtonte nëpër krahinë, duke dhënë dëshmi të pastër dhe duke i thirrur njerëzit drejt pendimit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 3:1–19

Nefitët luftojnë me amlicitët dhe lamanitët

Ndajeni klasën në grupe të vogla. I jepni secilit grup një fletë letre me fjalët vijuese të shkruara në të: veshje, modele flokësh, vathë dhe bizhuteri, tatuazhe. U kërkoni grupeve të diskutojnë se çfarë mesazhesh mund të dërgojnë njerëzit, qoftë me qëllim ose pa qëllim, me këto artikuj.

I kujtoni studentët se amlicitët u shkëputën nga nefitët dhe u bashkuan me një ushtri lamanite (shih Alma 2). I ftoni studentët të lexojnë Almën 3:4 dhe të përcaktojnë se si amlicitët e ndryshuan pamjen e tyre të jashme.

  • Çfarë donin të bënin amlicitët që të “dalloheshin nga” [nefitët]?

  • Si mund ta dallojnë vetveten disa njerëz sot nga të drejtët nëpërmjet pamjes së tyre të jashtme? (Ndërsa studentët përgjigjen, sigurohuni që e bëni të qartë se disa njerëz me qëllim e ndryshojnë pamjen e tyre që ta shkëpusin vetveten nga të drejtët ose që të ngrenë krye kundër standardeve të Kishës. Të tjerë ndjekin prirje të botës pa e kuptuar se po dërgojnë mesazhe rreth vetes së tyre.)

Shpjegoni se kur amlicitët e shenjuan ballin e tyre për t’u dalluar nga nefitët, ata treguan se kishin sjellë mbi vete mallkimin e lamanitëve. I ftoni dy ose tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 3:14–19. E ndihmoni klasën t’i analizojë këto vargje duke u bërë disa nga pyetjet e mëposhtme ose të gjitha pyetjet:

  • Çfarë fraze tek Alma 3:18 i përshkruan veprimet dhe sjelljen e amlicitëve ndaj Perëndisë? (“Rebelim të hapur kundër Perëndisë.”)

  • Si e sollën amlicitët një mallkim “mbi vete”? (Alma 3:19).

  • Cilat janë disa të vërteta që mund të mësojmë nga këto vargje? (Përgjigjet mund të përfshijnë që, ata që dalin në rebelim të hapur ndaj Perëndisë, sjellin pasoja negative mbi veten e tyre dhe që nëse shkëputemi nga Perëndia, është ngaqë ne e kemi shkëputur veten tonë prej Tij.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë rëndësinë e dallimit të vetvetes në mënyra të drejta, u bëni pyetjen që vijon:

  • Cilat janë disa mënyra që mund të tregojmë nëpërmjet veshjes dhe pamjes sonë të jashme se jemi dishepuj të Jezu Krishtit? (Nëse studentët kanë vështirësi për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, ju mund t’i vini të lexojnë pjesën “Veshja dhe Pamja e Jashtme” te pamfleti Për Forcën e Rinisë [2011], faqet 6–8. Theksoni se dëshmia jonë e brendshme për ungjillin duhet të ndikojë mbi veshjen dhe pamjen tonë të jashtme.)

I nxitni studentët të tregojnë se ata e ndjekin Zotin kur bëjnë zgjedhje të përditshme, duke përfshirë zgjedhjet rreth veshjes dhe pamjes së tyre të jashme. Theksoni që, nëpërmjet veshjes dhe pamjes sonë të jashtme, ne mund ta dallojmë veten tonë si dishepuj të Jezu Krishtit.

Alma 3:20–27

Mijëra vriten në betejë ndërmjet nefitëve dhe lamanitëve e amlicitëve

Përmblidhni Almën 3:20–25 duke thënë se nefitët i dëbuan lamanitët, por që të dy palët patën mijëra të vdekur. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 3:26–27. I kërkoni klasës të dëgjojë për një mësim që Mormoni donte që ne ta kuptojmë.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë shpërblimi u vjen atyre që i binden Zotit?

  • Çfarë pasoje u vjen atyre që nuk e ndjekin Zotin?

Si përmbledhje, ju mund të dëshironi ta shkruani parimin vijues në tabelë: Ne marrim lumturi ose mjerim në varësi të atij që zgjedhim për t’iu bindur.

I ftoni studentët të mendojnë rreth bekimeve që vijnë nga zgjedhja për të ndjekur Zotin.

  • Çfarë bekimesh keni marrë nga Zoti ndërkohë që keni zgjedhur ta ndiqni Atë?

Alma 4:1–14

Pas një periudhe rritjeje në Kishë, anëtarë të Kishës bëhen krenarë dhe grinden me njëri-tjetrin

Shkruani i përulur dhe krenar në tabelë.

  • Çfarë do të thotë të jesh i përulur? (Të jemi të përulur është të jemi të mësueshëm dhe ta njohim me mirënjohje varësinë tonë nga Zoti – për të kuptuar se ne kemi nevojë të vazhdueshme për mbështetjen e Tij.)

Ftoni dy ose tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 4:1–5. Vëreni klasën të kërkojë prova që nefitët u bënë të përulur. Ndërsa studentët shpjegojnë atë që kanë gjetur, mund të jetë e dobishme për të vënë në dukje se ne nuk kemi nevojë të durojmë një tragjedi që të bëhemi të përulur – ne mund të zgjedhim të jemi të përulur.

Vini në dukje që përshkrimi i nefitëve tek Alma 4:6 është shumë i ndryshëm nga përshkrimi tek Alma 4:3–5. Tregoni në tabelë drejt fjalës krenar.

  • Çfarë do të thotë të jesh krenar? (Krenaria është e kundërta e përulësisë. Njerëzit që janë krenarë, e vendosin vetveten në kundërshtim me të tjerët dhe me Perëndinë. Ata e vendosin vetveten mbi ata që janë përreth tyre dhe ndjekin vetë dëshirat e tyre më tepër sesa vullnetin e Perëndisë.)

E ftoni gjysmën e klasës të lexojë në heshtje Almën 4:6–8 dhe gjysmën tjetër të klasës të lexojë në heshtje Almën 4:9–12. U kërkoni të dy grupeve të përcaktojnë veprimet krenare të disa nefitëve dhe se si ato veprime ndikuan tek të tjerët. Pas një kohe të mjaftueshme, i bëni të dy grupet të tregojnë atë që kanë gjetur.

  • Çfarë na mësojnë këto vargje lidhur me mënyrën se si krenaria e ndikon mënyrën se si i trajtojmë të tjerët?

  • Çfarë paralajmërimi shihni tek Alma 4:10? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë se, nëse japim një shembull të padrejtë, veprimet tona mund t’i pengojnë të tjerët që ta pranojnë ungjillin.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 4:13–14. Vëreni klasën të kërkojë shembuj të asaj se si disa nefitë ishin të përulur edhe kur të tjerë ishin krenarë.

  • Çfarë na mësojnë këto vargje lidhur me mënyrën se si përulësia ndikon në mënyrën se si i trajtojmë të tjerët?

Theksoni se vendimet tona për qenë të përulur ose krenarë na ndikojnë ne dhe të tjerët. Nëse e lejon koha, i ftoni studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta rreth përvojave që kanë pasur, të cilat treguan për vërtetësinë e kësaj thënieje.

Alma 4:15–20

Alma heq dorë si kryegjykatës me qëllim që të mund t’ia përkushtojë kohën e tij thirrjes së njerëzve në pendim

I ftoni studentët të përfytyrojnë se ata janë në vendin e Almës. Ata janë kryegjykatësi dhe shumë njerëz janë bërë krenarë dhe po i përndjekin ata që mbeten të përulur.

  • Çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar njerëzit që të ndryshojnë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 4:15–19. Vëreni klasën të kërkojë atë që Alma zgjodhi të bënte.

  • Çfarë vendosi të bënte Alma? (Ai vendosi ta linte pozitën e tij si kryegjykatës me qëllim që të mund t’ia përkushtonte kohën e tij mësimdhënies ndaj njerëzve.)

  • Çfarë sugjeron fraza “t’u sillte … dëshmi të kulluar” (Alma 4:19) rreth mënyrës se si do t’u jepte mësim Alma?

  • Kur i keni dëgjuar njerëzit të japin “dëshmi të kulluar”? Si kanë ndikuar këto përvoja te ju?

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga shembulli i Almës tek Alma 4:19?

Përgjigjet e studentëve për këtë pyetje mund të përfshijnë sa vijon:

Përmbushja e detyrave tona shpirtërore mund të kërkojë sakrificë.

Dhënia e një dëshmie të kulluar i ndihmon të tjerët të tërhiqen më pranë Perëndisë.

I nxitni studentët të kërkojnë dëshminë e kulluar të Almës ndërsa lexojnë Almën 5–16 në studimin e tyre vetjak dhe ndërsa i diskutojnë këta kapituj në mësimet e ardhshme. Gjithashtu i nxitni t’i kushtojnë vëmendje ndikimit që pati dëshmia e Almës mbi njerëzit.

Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Paraqitni për studentët disa fragmente të reja të zotërimit të shkrimit të shenjtë, ose rishikoni disa pjesë që ata tashmë i dinë. Përgatitni pyetje që do t’i ndihmojnë ata të zbulojnë parimet te fragmentet. I ftoni të shkruajnë një synim në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta rreth asaj që do të bëjnë për ta jetuar më mirë një nga këto parime. U jepni një kohë të caktuar për t’i plotësuar synimet e tyre dhe u kërkoni të përgatiten për t’i raportuar një anëtari të klasës ose të gjithë klasës kur t’i kenë plotësuar ato.

Shënim: Nëse nuk keni kohë për ta përdorur këtë aktivitet si pjesë të këtij mësimi, përdoreni në një ditë tjetër. Për veprimari të tjera përsëritjeje, shih shtojcën në fund të këtij manuali.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 3:4. Tatuazhet dhe shpuarjet e trupit

Amlicitët i shenjuan tr upat e tyre që të mund të “dalloheshin nga nefitët” (Alma 3:4). Në kohën tonë, profetët i kanë këshilluar të rinjtë dhe të rejat që t’i mbajnë trupat e tyre të shenjtë duke mos e shenjuar vetveten me tatuazhe ose shpuarje të trupit. Presidenti Gordon B. Hinkli tha:

“Unë nuk mund ta kuptoj përse ndonjë i ri – ose e re, për të njëjtin rast – do të donte të ndërmerrte procesin e dhembshëm të shëmtimit të lëkurës me paraqitje të ndryshme shumëngjyrëshe të njerëzve, kafshëve dhe simboleve të ndryshme. Me tatuazhet, procesi është i përhershëm, veç në ndërmerret një orvatje tjetër e dhembshme dhe e kushtueshme për ta hequr atë. Etër, paralajmërojini bijtë tuaj kundër bërjes së trupave të tyre me tatuazhe. Ata mund ta kundërshtojnë bisedimin me ju tani, por do të vijë koha kur do t’ju falënderojnë. Një tatuazh është një vizatim [grafit] në tempullin e trupit. Po ashtu është shpuarja e trupit për unaza të shumta në veshë, në hundë, madje edhe në gjuhë.

A ka mundësi që ata të mendojnë se është e bukur? … Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve kanë shpallur se ne nuk i inkurajojmë tatuazhet dhe gjithashtu ‘shpuarjen e trupit për qëllime që nuk janë mjekësore’. Megjithatë, ne nuk mbajmë ndonjë qëndrim kundër ‘shpuarjes minimale të veshëve nga gratë për një palë vathë’ – një palë” (“Great Shall Be the Peace of Thy Children”, Ensign, nëntor 2000, f. 52).

Alma 3:5. Ndjekja e prirjeve të modës

Amlicitët e ndryshuan pamjen e tyre të jashtme për t’u dukur më shumë si lamanitët. Shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme sot ndihen të shtyrë për t’i ndjekur prirjet e modës, me qëllim që ata të duken më shumë si njerëzit që janë të njohur në botë. Por disa prirje mode i bëjnë njerëzit “të mos i binden profetit dhe, në vend të tij, të ndjekin trillet e botës” (“Questions and Answers”, New Era, mars 2006, f. 14; shih edhe Për Forcën e Rinisë [2011], f. 6–8).

Plaku M. Rasëll Ballard u mësoi të rinjve që mbajnë priftërinë, se disa prirje mode e zvogëlojnë aftësinë e tyre për ta mbrojtur të vërtetën:

“Ka një kulturë të tërë që i thur lavde bandave bashkëkohore dhe sjelljes së tyre kriminale me muzikë, stile veshjeje, gjuhë, qëndrime dhe sjellje. Shumë prej jush keni parë kur miq që e ndjekin modën, e kanë përqafuar stilin si diçka që ishte ‘moderne’ dhe ‘e paparë’, vetëm për t’u tërhequr më pas në atë nënkulturë. …

… Nuk besoj se ju mund ta mbroni të vërtetën dhe të drejtën, ndërsa vishni diçka që nuk ju bën një njeri që e mban priftërinë e Perëndisë” (“Standing for Truth and Right”, Ensign, nëntor 1997, f. 38–39).

Alma 3:6-17. Shenja dhe mallkimi

Ndërsa studentët e studiojnë Almën 3, ata mund të kenë pyetje rreth shenjës dhe mallkimit të vendosur mbi lamanitët. Ju mund të doni të shpjegoni se ka ndryshim midis shenjës dhe mallkimit. Shenja e vendosur mbi lamanitët ishte lëkura e errët (shih Alma 3:6). Qëllimi i kësaj shenje ishte t’i dallonte dhe t’i veçonte lamanitët nga nefitët (shih Alma 3:8). Mallkimi, i cili ishte më i rëndë, ishte gjendja e të qenit “të përjasht[uar] nga prania e Zotit” (2 Nefi 5:20). Lamanitët dhe amlicitët e sollën këtë mallkim mbi vete për shkak të ngritjes krye kundër Perëndisë (shih 2 Nefi 5:20; Alma 3:18–19). Edhe pse lëkura e errët u përdor në këtë rast si shenjë për mallkimin e vendosur mbi lamanitët, Libri i Mormonit na mëson se Zoti “nuk … mohon ask[ënd] që shkon tek ai, të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra; … të gjithë janë njësoj para Perëndisë” (2 Nefi 26:33). Ungjilli i Jezu Krishtit është për këdo. Kisha e kundërshton racizmin pa asnjë mëdyshje, përfshirë cilindo dhe të gjitha paragjykimet e kaluara racore nga individë si jashtë, edhe brenda Kishës. Presidenti Gordon B. Hinkli shpalli:

Asnjë njeri që bën vërejtje diskriminuese lidhur me ata të racave të tjera, nuk mund ta konsiderojë veten e tij një dishepull të vërtetë të Krishtit. As nuk mund ta konsiderojë veten të jetë në harmoni me mësimet e Kishës.

Le ta pranojmë të gjithë se secili prej nesh është një bir ose bijë e Atit tonë në Qiell, i cili i do të gjithë fëmijët e Tij” (“Nevoja për më Shumë Mirësi”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 58; Konferenca e Përgjithshme, prill 2006, f. 93). Për ndihmë shtesë mbi këtë çështje, shih mësimin 27.

Alma 4:9-12. “Një pengesë e madhe”

Teksa disa nga anëtarët nefitë të Kishës u bënë krenarë, shembujt e tyre negativë u bënë një pengesë e madhe për ata që nuk i përkisnin Kishës (shih Alma 4:9–12; shih edhe Alma 39:11). Presidenti Gordon B. Hinkli tregoi historinë që vijon, e cila i ilustron pasojat e shembujve të këqinj dhe të shembujve të mirë:

“Ai nuk ishte anëtar i Kishës. Ai dhe prindërit e tij ishin aktivë në një besim tjetër fetar.

Ai tregon se kur po rritej, disa nga shokët e tij SHDM e nënçmuan, e bënë të ndihej i padëshiruar dhe u tallën me të.

Ai vërtet zhvilloi urrejtje për këtë Kishë dhe njerëzit e saj. Ai nuk pa asnjë të mirë te ndonjëri prej tyre.

Më pas babai i tij e humbi punën dhe iu desh të shpërnguleshin. Në vendin e ri, në moshën 17-vjeçare, ai ishte në gjendje të regjistrohej në kolegj. Atje, për herë të parë në jetën e tij, ai ndjeu ngrohtësinë e miqve, një prej të cilëve, i quajtur Riçard, i kërkoi të bashkohej me një klub ku ai ishte president. Ai shkruan: ‘Për herë të parë në jetën time dikush më donte pranë. Nuk dija se si të veproja, por me mirënjohje u bashkova. Ishte një ndjenjë që e desha, ndjenja e të paturit një mik. Isha lutur për një mik tërë jetën time. Dhe tani, pas 17 vitesh pritjeje, Perëndia iu përgjigj asaj lutjeje.’

Në moshën 19-vjeçare ai e gjeti veten si shok tende me Riçardin gjatë punësimit të tyre veror. Ai vuri re që Riçardi lexonte një libër çdo natë. E pyeti se çfarë po lexonte. Ai i tha se po lexonte Librin e Mormonit. Ai shton: ‘Me të shpejtë e ndryshova temën dhe shkova të flija. Në fund të fundit, ai është libri që shkatërroi fëmijërinë time. U përpoqa ta harroja, por kaloi një javë dhe nuk mund të flija. Përse po e lexonte atë libër çdo natë? Shpejt nuk mund t’i duroja pyetjet pa përgjigje në mendjen time. Kështu që një natë e pyeta atë se çfarë ishte kaq e rëndësishme në atë libër. Ç’kishte në të? Ai filloi të lexonte atje ku kishte ndaluar së lexuari. Ai lexoi rreth Jezusit dhe rreth një shfaqjeje të tij në kontinentin amerikan. U befasova. Nuk besoja se mormonët besonin te Jezusi.’

Në një rast tjetër, ky i ri dhe shoku i tij po udhëtonin. Riçardi i dha një Libër të Mormonit dhe i kërkoi që ta lexonte me zë të lartë. Ai e bëri këtë dhe papritur frymëzimi i Shpirtit të Shenjtë e preku.

Koha kaloi dhe besimi i tij u rrit. Ai ra dakord të pagëzohej.

Ky është fundi i historisë, por ka nënkuptime të rëndësishme në atë histori. Njëra është mënyra e turpshme me të cilën miqtë e tij të rinj mormonë e trajtuan atë.

Tjetra është mënyra në të cilën shoku i tij i gjetur rishtazi, Riçard, e trajtoi atë. Ishte tërësisht e kundërt nga përvoja e tij e mëparshme. Ajo çoi te kthimi i tij në besim dhe në pagëzim përballë mundësive të pamundura” (“Nevoja për më Shumë Mirësi”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 59–60; Konferenca e Përgjithshme, prill 2006, f. 94, 96).

(Alma 4:19.) “Dëshmia e kulluar”

Kur Alma pa se kishte nevojë t’i rifitonte njerëzit duke u “[sjellë] atyre një dëshmi të kulluar kundër tyre” (Alma 4:19), ai u bëri thirrje njerëzve të pendoheshin. Megjithatë, në mbledhjet tona të agjërimit dhe dëshmive, dëshmitë tona duhet të jenë deklarime të thjeshta të besimit tonë, jo këshilla. Presidenti Spenser W. Kimball tha:

“Mos u thoni të tjerëve se si të jetojnë. Thjesht thuajuni se si ndiheni brenda vetes. Ajo është dëshmia. Në çastin që ju filloni t’u predikoni të tjerëve, dëshmia juaj mbaroi” (The Teachings of Spencer W. Kimball, redakt. Edward L. Kimball [1982], f. 138).