Biblioteka
Mësimi 78: Alma 13


Mësimi 78

Alma 13

Hyrje

Kur Alma fillimisht i dha mësim popullit kryengritës të Amonihës, ata u grindën me të, duke i thënë, “Kush je ti?” dhe duke vënë në dyshim autoritetin e tij (shih Alma 9:1–6). Ata ishin në një gjendje braktisjeje, ngaqë ishin bashkuar me urdhrin e Nehorit – intrigat e priftërinjve, së bashku me qëllimin e tij për përfitim vetjak (shih Alma 1:2–15; 15:15; 16:11). Në ndryshim nga mësimet e Nehorit, Alma u mësoi atyre rreth “priftëri[së së] lartë të urdhrit të shenjtë të Perëndisë”, me synimin e saj për t’i ndihmuar të tjerët të pendohen dhe të hyjnë në prehjen e Zotit (shih Alma 13:6). Ai përmendi shembullin e Melkizedekut, i cili predikoi besim e pendim dhe i ndihmoi njerëzit e tij të jetonin në paqe. Alma gjithashtu i mësoi rreth ekzistencës para lindjes dhe parashugurimit. Ai e përfundoi predikimin e tij duke i ftuar njerëzit t’i bindeshin fjalëve të tij, kështu që të mund të përgatiteshin për të hyrë në prehjen e Zotit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 13:1–12

Alma i jep mësim popullit të Amonihës rreth thirrjes së priftërinjve të lartë

Shpjegoni se Alma 13 përmban mësimet e Almës rreth një grupi njerëzish që janë një përfitim i madh për Kishën. Në fakt, të gjithë anëtarët e Kishës janë bekuar nëpërmjet shërbimit të këtyre njerëzve.

U thoni studentëve se ata njohin njerëz që janë pjesë e këtij grupi. Pastaj u kërkoni studentëve të lexojnë në heshtje Almën 13:1 për të përcaktuar se cilët janë këta njerëz. Pasi të kenë pasur kohë për ta lexuar këtë varg, sugjeroni që të lexojnë edhe Almën 13:10, 14 dhe Doktrinën e Besëlidhjet 107:1–3. Ju mund të doni të sugjeroni që ata t’i shkruajnë këto referenca në anë të faqes pranë Almës 13:1.

Vini në dukje që Alma foli për priftërinjtë sipas urdhrit të Birit të Perëndisë, që është Priftëria Melkizedeke. Me fjalë të tjera, ai foli për burra që mbajtën detyrën e priftit të lartë në Priftërinë Melkizedeke. Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Brus Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Këta nefitë, që ishin besnikë dhe të vërtetë në zbatimin e ligjit të Moisiut, patën Priftërinë Melkizedeke, që do të thotë se ata gjithashtu patën plotësinë e ungjillit. … Një pjesë e informacionit më të mirë rreth Priftërisë Melkizedeke gjendet te Alma 13” (The Promised Messiah [1978], f. 421).

  • Çfarë bekimesh ju kanë ardhur në jetën tuaj nëpërmjet Priftërisë Melkizedeke? (Studentët mund të përmendin dhuratën e Frymës së Shenjtë, bekime patriarkale, bekime të tjera të priftërisë, udhëheqjen e Autoriteteve të Përgjithshme, udhëheqjen e drejtuesve vendorë si peshkopë ose presidentë degësh dhe bekime që marrin nëpërmjet besëlidhjeve që prindërit e tyre kanë bërë në tempull. Ata gjithashtu mund të përmendin pagëzimin dhe sakramentin, që kryhen me anë të autoritetit të Priftërisë Aarone, por nën drejtimin e udhëheqësve të Priftërisë Melkizedeke.)

Paraqitni pyetjet vijuese në tabelë ose i përfshini ato në një fletushkë. U jepni studentëve kohë të lexojnë Almën 13:2–10 dhe të gjejnë përgjigjet e pyetjeve.

Kur u thirrën dhe u përgatitën për herë të parë mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke? (Shih Alma 13:3–5.)

Çfarë detyre kryejnë të gjithë mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke? (Shih Alma 13:6.)

Çfarë frazash tek Alma 13:7 përshkruajnë Priftërinë Melkizedeke?

Cilat janë disa kualifikime për t’u shuguruar në Priftërinë Melkizedeke? (Shih Alma 13:10.)

Kur studentët të kenë pasur kohë për t’i gjetur përgjigjet e pyetjeve, u kërkoni të raportojnë përgjigjet e tyre. Ju mund të dëshironi t’i shkruani përgjigjet e tyre në tabelë.

Për t’i ndihmuar studentët që të kuptojnë dhe diskutojnë më tej atë që kanë lexuar, merrni parasysh bërjen e pyetjeve që vijojnë:

  • Në çfarë mënyrash na ndihmon shërbimi i mbajtësve të priftërisë të dimë se si të shohim te Jezu Krishti për shëlbim? (Shih Alma 13:2, 8, 16. Nëpërmjet shembullit dhe mësimdhënies së tyre dhe nëpërmjet ordinancave që kryejnë, ata na tregojnë udhën drejt Shpëtimtarit.)

  • Çfarë donte të thoshte Alma kur tha se priftërinjtë e lartë janë “të thirrur dhe të përgatitur, që nga krijimi i botës”? (Alma 13:3). (Ai donte të thoshte se disa burra janë parashuguruar për të marrë detyra të caktuara në priftëri.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë parashugurimin dhe se si zbatohet në jetën e tyre, ju mund të doni t’i kërkoni një studenti për të lexuar thëniet vijuese.

Profeti Jozef Smith na mësoi: “Çdo njeri që ka një thirrje për t’u shërbyer banorëve të botës, u shugurua pikërisht për atë qëllim në Këshillin e Madh të qiellit përpara se të ishte kjo botë. Supozoj se unë u shugurova pikërisht për këtë detyrë në atë Këshill të Madh” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2007], f. 545).

Presidenti Spenser Kimball tha: “Përpara se të vinim këtu, grave besnike iu dhanë detyra të caktuara, ndërsa burra besnikë u parashuguruan në detyra të caktuara priftërie. Edhe pse tani nuk i kujtojmë hollësitë, kjo nuk e ndryshon realitetin e lavdishëm të asaj për të cilën ne dikur ramë dakord” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer Kimball [2006], f. 215–216).

  • Çfarë na mëson Alma 13:3 rreth asaj që kemi nevojë të bëjmë për t’i përmbushur misionet tona të parashuguruara?

  • Kur një burrë shugurohet në një detyrë në priftëri, çfarë domethënie duhet të ketë ai shugurim për të? (Shih Alma 13:8. Vini në dukje që kësaj pyetjeje mund t’i jepet përgjigje nga të rejat po ashtu edhe të rinjtë. Të rinjtë mund të përfitojnë nga dëgjimi i përgjigjeve të të rejave.)

I vini studentët të lexojnë në heshtje Almën 13:11–12, duke kërkuar mënyrat se si mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke që përmendi Alma, u ndryshuan nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

  • Çfarë mendoni se do të thotë që “rrobat [e dikujt] u lanë dhe u zbardhën nëpërmjet gjakut të Qengjit”?

  • Si mendoni ju, përse mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke kanë nevojë të ndryshohen nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit? Në çfarë mënyrash mund ta ndjekim shembullin e tyre?

I kujtoni studentët se Alma ia mësoi këto të vërteta popullit të Amonihës. Shumë prej këtyre njerëzve “ishin të besimit të Nehorit” (Alma 14:18; 15:15), domethënë që ata kishin përqafuar mësimet e Nehorit. Nehori ishte një burrë i cili kishte ngritur një urdhër të rremë, që Alma e kishte quajtur “intriga të priftërinjve” (shih Alma 1:12–15).

  • Si janë mbajtësit besnikë të Priftërisë Melkizedeke të ndryshëm nga ata që ndoqën mësimet e Nehorit? (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të rishikojnë Almën 1:2–6, duke kërkuar dallimet midis intrigave të priftërinjve të Nehorit dhe Priftërisë Melkizedeke.)

  • Populli i Amonihës ishte mësuar më parë rreth Priftërisë Melkizedeke dhe mori bekime nëpërmjet Priftërisë Melkizedeke (shih Alma 9:21; 13:1). Si mendoni ju, përse ishte e rëndësishme për popullin e Amonihës që të kujtohej për atë që ata kishin mësuar më parë rreth Priftërisë Melkizedeke?

  • Çfarë keni mësuar rreth priftërisë deri tani në këtë mësim? (Ndërkohë që studentët mund të sugjerojnë një numër të vërtetash, përgjigjet e tyre duhet të shprehin se ordinancat e priftërisë dhe shërbimi i mbajtësve të priftërisë na ndihmojnë të dimë se si të shohim te Jezu Krishti për shëlbim.)

Ju mund të doni të sugjeroni që studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta këtë parim dhe parime të tjera që kanë gjetur. Nëse e lejon koha, u kërkoni atyre të shkruajnë rreth mënyrës se si këto parime mund ta ndikojnë mënyrën se si ata i shohin fuqinë dhe bekimet e priftërisë.

Alma 13:13–20

Alma jep mësim rreth Melkizedekut, një prift i lartë, i madhërishëm, i cili vendosi paqe mes popullit të tij

Shkruajini fjalët dhe frazat vijuese në tabelë: prift i lartë, mbret, ushtroi besim të fuqishëm, predikoi pendim, vendosi paqe, princ i paqes, mbretëroi nën atin e tij. Pushoni pasi të shkruani secilën fjalë ose frazë për t’i lejuar studentët të hamendësojnë, pa parë në shkrimet e tyre të shenjta, se cilin përshkroi Alma me këto fjalë dhe fraza. (Ai përshkroi Melkizedekun.) Nëse studentët nuk kanë hamendësuar siç duhet, kur t’i keni shkruar të gjitha fjalët dhe frazat në tabelë, i vini të lexojnë Almën 13:14.

Nëse disa studentë hamendësuan që Alma po fliste rreth Jezu Krishtit, i pyetni përse përshkrimi i një prifti të lartë, të drejtë do t’u kujtonte atyre Shpëtimtarin. I ndihmoni të kuptojnë se mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke janë “sipas urdhrit të Birit, të Vetëmlindurit të Atit” (Alma 13:9; shih edhe DeB 107:2–4). Vini në dukje që mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke duhet të përpiqen për ta ndjekur shembullin e Jezu Krishtit në shërbimin e tyre dhe në mësimdhëniet e tyre. Gjithashtu i kujtoni studentët që ordinancat e kryera nga autoriteti i Priftërisë Melkizedeke na ndihmojnë të afrohemi më pranë Shpëtimtarit.

I kërkoni një studenti të lexojë me zë të lartë Almën 13:14–19. Nxiteni klasën të mendojë rreth mënyrës se si njerëzit e ligj të Amonihës mund të kishin përfituar nga të mësuarit rreth Melkizedekut.

  • Tek Alma 13:17, cilat fjalë përshkruajnë popullin e Melkizedekut? Si ishin këta njerëz të ngjashëm me popullin e Amonihës? (Shih Alma 8:9; 9:8.)

  • Çfarë bëri Melkizedeku si udhëheqësi i popullit të tij? Si e ndikoi popullin udhëheqja e tij? Si ishte ky ndikim i ndryshëm nga ndikimi i atyre në Amoniha, të cilët ndoqën mësimet e Nehorit? (Shih Alma 8:17; 10:27, 32.)

I ftoni studentët të përmbledhin Almën 13:16–18, duke shprehur të vërteta që na mësojnë këto vargje rreth përgjegjësive të udhëheqësve të priftërisë. Ndërsa ata sugjerojnë përmbledhje, sigurohuni që ata shprehin se udhëheqësit e priftërisë na ndihmojnë të shohim te Jezu Krishti, të pendohemi dhe të jetojmë në paqe. (Ju mund të doni t’i nxitni studentët t’i shkruajnë përmbledhjet e tyre në shkrimet e tyre të shenjta pranë Almës 13:16–18.) Vini në dukje se udhëheqës të tjerë të Kishës, të tillë si udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës dhe të Të Rejave, janë pjesëmarrës thelbësorë në këtë përpjekje. Duke shërbyer me udhëheqës të priftërisë, ato ndihmojnë për t’i udhëzuar individët dhe familjet për të ardhur te Krishti.

  • Si jeni bekuar nëpërmjet shërbimit të udhëheqësve të Kishës?

Alma 13:21–31

Alma i fton njerëzit t’i binden zërit të Zotit dhe të hyjnë në prehjen e Tij

I ftoni studentët të kërkojnë një ide që përsëritet tek Alma 13:12, 13, 16, 29. Ata duhet të gjejnë fjalën prehje dhe frazën “prehje e Zotit”. Ju mund të doni t’i nxitni ata ta shenjojnë këtë ide në secilin varg. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë çfarë do të thotë të hysh në prehjen e Zotit në këtë jetë dhe pasi të vdesim, lexoni thëniet që vijojnë:

“Profetët e lashtë flasin për ‘hyrje në prehjen e Perëndisë’ [shih Alma 12:34; DeB 84:23–24]; çfarë do të thotë kjo? Sipas meje, kjo do të thotë të futesh në dijen dhe dashurinë e Perëndisë, duke pasur besim në qëllimin e Tij dhe në planin e Tij, në një masë të tillë që e dimë se jemi korrekt, dhe që nuk po kërkojmë për diçka tjetër” (Joseph Smith, Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith [1998], f. 56).

“Shenjtorët e vërtetë hyjnë në prehjen e Zotit ndërkohë që janë në këtë jetë dhe, duke u mbështetur tek e vërteta, ata vazhdojnë në atë gjendje të bekuar derisa të prehen me Zotin në qiell. … Prehja e Zotit, në përjetësi, është të trashëgosh jetë të përjetshme, të fitosh plotësinë e lavdisë së Zotit” (Bruce McConkie, Mormon Doctrine, botimi i 2-të [1966], f. 633).

Shpjegoni se Alma e paralajmëroi popullin e Amonihës për t’u penduar dhe përgatitur për ardhjen e Krishtit (shih Alma 13:21–26). Më pas ai ndau parime që ata kishin nevojë t’i ndiqnin për të hyrë në prehjen e Zotit.

U kërkoni studentëve të lexojnë në heshtje Almën 13:27.

  • Çfarë fjalësh tek Alma 13:27 tregojnë se si u ndje Alma rreth njerëzve dhe rreth mesazhit të tij?

Ftoni dy ose tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 13:27–29. Vëreni klasën të kërkojë parimet që Alma shpresoi se njerëzit do t’i ndiqnin. Më pas u kërkoni studentëve të renditin parimet që kanë gjetur. Për shembull, ata mund të thonë se ndërsa i përgjigjemi me përulësi ftesës për t’u penduar, Shpirti do të na drejtojë te prehja e Zotit.

I ftoni studentët të shkruajnë synime lidhur me mënyrën se si do ta ndjekin këshillën tek Alma 13:27–29. Dëshmoni se ne mund të hyjmë në prehjen e Zotit në këtë jetë dhe në jetën pas saj, kur i ndjekim parimet që na mësoi Alma.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 13:1. “Do të desha që ta çoja mendjen tuaj”

Studentët mund të pyesin veten përse Alma tha “do të desha që ta çoja mendjen tuaj” dhe më pas foli për ngjarjet që tashmë kishin kaluar (shih Alma 13:1). Është e dobishme të kujtojmë që Alma 13 është vazhdim i një diskutimi që është edhe tek Alma 11 dhe 12. Fundi i Almës 12 përmban fjalët e Almës rreth Rënies së Adamit dhe të Evës (shih Alma 12:22–23, 30–32). Në fillimin e Almës 13, Alma e vazhdon rrëfimin e tij, duke u kërkuar njerëzve ta “çoj[në] mendjen e tyre” në një kohë pas Rënies, kur Zoti shuguroi priftërinj për t’u mësuar njerëzve urdhërimet e Tij.

Alma 13:3. Liria e zgjedhjes në botën para lindjes

Duke folur rreth mbajtësve të priftërisë dhe parashugurimit të tyre para lindjes, Alma na mësoi se “pikësëpari [ata u lanë] të lirë të zgjedhin të mirën ose të keqen” (Alma 13:3). Presidenti Jozef Filding Smith e shtjelloi më me hollësi këtë të vërtetë:

“Perëndia u dha fëmijëve të tij lirinë e tyre të zgjedhjes madje edhe në botën e shpirtrave [para lindjes], përmes së cilës shpirtrat individualë kishin privilegjin, siç e kanë njerëzit këtu, që të zgjidhnin të mirën dhe të refuzonin të ligën, apo të merrnin të ligën për të vuajtur pasojat e mëkateve të tyre. Për shkak të kësaj, disa edhe atje qenë më besnikë sesa të tjerët në zbatimin e urdhërimeve të Zotit.

Shpirtrat e njerëzve patën lirinë e tyre për të zgjedhur. Shpitrat e njerëzve nuk ishin të njëjtë. Ata mund të kenë pasur një fillim të barabartë, dhe ne e dimë se ata të gjithë qenë të pafajshëm në fillim; por e drejta e lirisë së zgjedhjes që iu dha atyre, u krijoi mundësinë disave për t’ia kaluar të tjerëve dhe, në këtë mënyrë, përmes përjetësive të ekzistencës së pavdekshme, të bëhen më inteligjentë, më besnikë, sepse qenë të lirë të vepronin për veten e tyre, të mendonin për veten e tyre dhe të merrnin të vërtetën ose të rebeloheshin kundër saj” (Doctrines of Salvation, përmbl. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–56], 1:58–59).

Alma 13:3-5. Jeta para lindjes dhe parashugurimi

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve na mësoi:

“Asnjë e vërtetë më e rëndësishme nuk na është përçuar në rivendosjen sesa dija për ekzistencën tonë para lindjes. Asnjë kishë tjetër nuk e njeh ose jep mësim këtë të vërtetë. Doktrina jepet vetëm në formë të skicuar, por faktet e dukshme përsëriten mjaft shpesh në zbulesat për të na siguruar të vërteta të caktuara themelore.

… Faktet e pakta thelbësore që i njohim rreth gjendjes sonë në jetën para lindjes, janë këto: ‘Njeriu ishte gjithashtu në fillim me Perëndinë’.(DeB 93:29.) Ne jetuam në praninë e Perëndisë, Atit tonë të Përjetshëm; ne jemi pasardhësit e Tij. Inteligjenca, ose shpirti, u organizua si trupa shpirtërorë përpara se të ishte bota. (Shih Abraham 3:22.) Secilit prej nesh iu dhurua liria e zgjedhjes. Autoritet u dha dhe udhëheqës u zgjodhën.Alma 13:1–4.)”(Our Father’s Plan [1984], f. 14–15).

Të Vërtetë ndaj Besimit përfshin shpjegimin vijues për parashugurimin:

“Në botën e shpirtrave para lindjes, Perëndia emëroi shpirtra të caktuar, me qëllim që të përmbushnin misione të veçanta gjatë jetës së tyre të vdekshme. Kjo quhet parashugurim.

Parashugurimi nuk është garanci që individët do të marrin thirrje ose përgjegjësi të caktuara. Mundësi të tilla vijnë në këtë jetë si rezultat i ushtrimit të drejtë të lirisë së zgjedhjes, pikërisht ashtu siç erdhi parashugurimi si një rezultat i drejtësisë në ekzistencën para lindjes.

Doktrina e parashugurimit zbatohet te të gjithë anëtarët e Kishës, jo vetëm te Shpëtimtari dhe profetët e Tij. Përpara krijimit të tokës, grave besnike iu dhanë përgjegjësi të caktuara dhe burrat besnikë u shuguruan në detyra të caktuara priftërie. Edhe pse nuk e kujtoni atë kohë, sigurisht që ju pranuat të plotësoni detyra të rëndësishme në shërbim të Atit tuaj. Kur jepni prova që jeni i denjë, juve do t’ju jepen mundësi për t’i përmbushur funksionet që morët atëherë” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 113–114).

Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve na mësoi:

“Jeta para lindjes nuk është një doktrinë rehatuese. Për secilin prej nesh, ka zgjedhje për t’u bërë, detyra të pareshtura dhe të vështira për t’u kryer, ironi dhe vështirësi për t’u përjetuar, kohë për t’u harxhuar mirë, talente dhe dhunti për t’u përdorur mirë. Thjesht ngaqë ne u zgjodhëm ‘atje dhe atëherë’, sigurisht nuk do të thotë se ne mund të jemi mospërfillës ‘këtu dhe tani’. Qoftë parashugurim për meshkujt apo paracaktim për gratë, ata që thirren dhe përgatiten, duhet edhe të vërtetojnë se janë ‘të zgjedhur dhe besnikë’. (Shih Zbulesa 17:14; DeB 121:34–36.)” (“Premortality, a Glorious Reality”, Ensign, nëntor 1985, f. 17).