Biblioteka
Mësimi 105: Alma 59–63


Mësimi 105

Alma 59–63

Hyrje

Kapiten Moroni gëzohet për suksesin e Helamanit në rifitimin e disa qyteteve nefite që i kishin humbur kundrejt lamanitëve. Megjithatë, kur mësoi se qyteti i Nefihës ishte pushtuar nga lamanitët, ai u zemërua me qeverinë që e la pas dore dërgimin e përforcimeve. Në një letër drejtuar Pahoranit, kryegjykatësit, ai vajtoi vuajtjen e të drejtëve dhe qortoi Pahoranin për mosmbështetjen e çështjes së lirisë. Pa dijeninë e Moronit, Pahorani ishte larguar në tokën e Gideonit për shkak të rebelimit të njerëzve nefitë të mbretit. Pahorani nuk u ofendua nga qortimi i rëndë i Moronit; përkundrazi, u gëzua për dashurinë e Moronit për lirinë. Zoti i forcoi nefitët dhe së bashku, Moroni, Pahorani dhe njerëzit e tyre, i mposhtën njerëzit e mbretit dhe lamanitët. Pas disa vitesh lufte, nefitët sërish përjetuan paqe dhe Helamani e ngriti Kishën përsëri.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 59

Nefitët humbasin një fortesë dhe kapiten Moroni vreroset për shkak të ligësisë së popullit

Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruani në tabelë thënien e mëposhtme nga Presidenti Ezra Taft Benson (nga The Teachings of Ezra Taft Benson [1988], f. 285):

“Është më mirë të përgatitesh dhe të parandalosh sesa të ndreqësh dhe të pendohesh” (Presidenti Ezra Taft Benson).

Ju mund ta keni cituar këtë thënie si pjesë të mësimit tek Alma 49–51. Nëse e keni cituar, merrni parasysh të lini hapësira bosh në vend të disa fjalëve kur ta shkruani në tabelë. Kërkojuni studentëve t’i plotësojnë vendet bosh.

Ftojini studentët të tregojnë rreth rasteve në jetën e tyre ose në jetën e dikujt që njohin, kur përgatitja i ka ndihmuar të parandalojnë zhgënjimin ose hidhërimin.

Kujtojini studentët se në mësimet e fundit ata kanë studiuar kapituj për luftërat midis nefitëve dhe lamanitëve. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 59:5–11, duke menduar se si thënia në tabelë lidhet me situatën e përshkruar në këto vargje.

  • Çfarë duket se u dha mundësi lamanitëve që ta mposhtin qytetin e Nefihës? (Ligësia e popullit të Nefihës.)

  • Çfarë gjetët në këto vargje që lidhet me thënien e shkruar në tabelë?

Nëse studentët nuk e përmendin thënien në vijim tek Alma 59:9, u vini në dukje: “Ishte më e lehtë të mbahej qyteti që të mos binte në duart e lamanitëve, sesa të merrej rishtas prej tyre”. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shënojnë këtë thënie në shkrimet e tyre të shenjta. Për t’i ndihmuar studentët të mendojnë se si zbatohet kjo e vërtetë në jetën e tyre, kërkojuni t’i krahasojnë qytetet në këtë rrëfim me veten e tyre dhe luftërat shpirtërore që hasin. Pastaj bëni një ose më shumë nga pyetjet e mëposhtme:

  • Si lidhet kjo e vërtetë me ne? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se është më e lehtë dhe më e mirë që të qëndrosh besnik sesa të kthehesh në besim pas daljes nga udha e drejtë.)

  • Përse është më e lehtë të qëndrosh besnik në Kishë sesa të kthehesh sërish në Kishë pas një periudhe të qenit pak aktiv?

  • Përse është më e lehtë ta ruash dëshminë sesa të rifitosh një dëshmi pas braktisjes?

Ftojini studentët të përsiatin për mënyrat se si kundërshtari dhe pasuesit e tij mund t’i sulmojnë ata. Nxitini të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta rreth asaj që do të bëjnë për t’u përgatitur për luftërat shpirtërore.

Alma 60–62

Moroni gabimisht e akuzon Pahoranin, i cili i përgjigjet me dashuri dhe respekt

Lexoni me zë të lartë Almën 59:13. Sigurohuni që studentët ta kuptojnë se Moroni u zemërua, sepse mendoi se qeveria ishte mospërfillëse, ose e painteresuar, për lirinë e popullit. Në zemërim e sipër, ai i shkroi një letër Pahoranit, kryegjykatësit në Zarahemla. Ftoni disa studentë të lexojnë me zë të lartë sipas radhës nga Alma 60:6–11.

  • Për çfarë e akuzoi kapiten Moroni Pahoranin?

  • Çfarë emocionesh kuptoni në akuzat e Moronit?

Shkruajeni referencën vijuese të shkrimit të shenjtë në tabelë: Alma 60:17–20, 23–24. Ftoni studentët t’i lexojnë këto vargje në heshtje. Inkurajojini të përfytyrojnë se si do të ndiheshin po të ishin në vend të Pahoranit.

  • Në ç’mënyra mund të kishin qenë lënduese akuzat e kapiten Moronit drejtuar Pahoranit?

Ftoni disa studentë të lexojnë me zë të lartë sipas radhës nga Alma 60:33–36. Kërkojini klasën t’i ndjekë, duke parë për atë që kapiten Moroni u përgatit të bënte, në qoftë se Pahorani nuk do t’u përgjigjej favorshëm kërkesave të tij. Pasi t’i lejoni studentët të raportojnë mbi atë që kanë zbuluar, kërkojuni të përcaktojnë fjalë ose fraza në këto vargje që tregojnë përgjigjet apo arsyet e Moronit për bërjen e kërkesave të tij.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 61:1–5 për të zbuluar arsyen përse Moroni nuk kishte marrë përforcime.

  • Çfarë informacioni ndau Pahorani me Moronin?

  • Cilat janë disa mënyra se si njerëzit përgjigjen kur akuzohen në mënyrë të gabuar për diçka?

  • A jeni akuzuar ndonjëherë në mënyrë të gabuar për diçka? Si u ndiet rreth akuzave dhe akuzuesit?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 61:9–10, 15–18, duke kërkuar çdo gjë që nxjerr në pah madhështinë e karakterit të Pahoranit. Pas një kohe të mjaftueshme, drejtojuni dy ose tre studentëve që të tregojnë për atë që kanë gjetur.

  • Çfarë mësimesh mund të marrim nga mënyra se si Pahorani iu përgjigj akuzimeve të Moronit? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin e mëposhtëm: Ne mund të zgjedhim të mos ofendohemi nga fjalët dhe veprimet e të tjerëve. Të vërteta të tjera që studentët mund të gjejnë, përfshijnë se ne duhet të shmangim bërjen e gjykimeve të ashpra për të tjerët dhe se, kur bashkohemi në drejtësi me të tjerët, jemi më të fortë në luftërat tona kundër të keqes. Ju mund të dëshironi t’i shkruani këto të vërteta në tabelë.)

  • Si mund të zgjedhim që të mos ofendohemi?

Merrni parasysh t’i pyetni studentët nëse janë të gatshëm të tregojnë ndonjë përvojë që kanë pasur ku zgjodhën të mos ofendohen kur njerëzit kanë thënë gjëra të ashpra ose të pavërteta për ta. Mund të merrni parasysh edhe t’u tregoni rreth një përvoje vetjake. Dëshmoni për rëndësinë e faljes së të tjerëve për fjalët ose veprimet e tyre kundër nesh. Nxitini studentët të ndjekin shembullin e Pahoranit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 62:1. Kërkojini klasës të gjejë se si u ndje Moroni kur mori përgjigjen e Pahoranit.

Shpjegoni se, edhe pse kapiten Moroni gaboi në akuzimet e tij ndaj Pahoranit, ai na mësoi parime të vërteta që mund t’i zbatojmë në jetën tonë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 60:23. Vini në dukje se fjalët e Moronit rreth pastrimit të “brendësi[së së] enës” mund të zbatohen për çdokënd që ka nevojë të pendohet. Shpjegoni se një enë është një mbajtëse, si p.sh. një gotë ose vazo. Vendosni dhè ose baltë brenda dhe jashtë një gote (nëse është e mundur, një gotë e tejdukshme funksionon më mirë). Pyetini studentët nëse do t’u pëlqente të pinin nga gota. Pastrojeni pjesën e jashtme të gotës dhe pyetni nëse studentët tani do të ndiheshin rehat të pinin prej saj.

  • Nëse e konsiderojmë veten si enë, çfarë mund të thotë të pastrosh brendësinë e enëve ose anën e brendshme të tyre?

Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson:

“Ne duhet të pastrojmë brendësinë e enës (shih Almën 60:23), duke filluar së pari me veten, më pas me familjet tona dhe në fund me Kishën” (“Cleansing the Inner Vessel”, Ensign, maj 1986, f. 4).

  • Përse është e rëndësishme që të jemi të pastër nga brenda (atë që njerëzit nuk mund ta shohin), si edhe nga jashtë (atë që njerëzit mund ta shohin)?

  • Përse është e rëndësishme të pastrojmë brendësinë e enës së jetës sonë përpara se të mund të jemi plotësisht të efektshëm në mbretërinë e Zotit?

Përmblidhni Almën 62:1–38 duke shpjeguar se kapiten Moroni e solli një pjesë të ushtrisë së tij për ta ndihmuar Pahoranin të rrëzonte nga pushteti njerëzit e mbretit në Zarahemla. Më pas, me ushtrinë e tyre të bashkuar dhe ndihmën e forcave të tjera nefite, Moroni dhe Pahorani rimorën qytetet e mbetura që i kishin humbur kundrejt lamanitëve. Ata i nxorën lamanitët nga vendi dhe vendosën paqe mes popullit.

  • Cilat janë disa sfida me të cilat individët dhe familjet mund të përballen pas një kohe lufte?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 62:39–41 për të kuptuar se si nefitët u prekën nga sprovat e luftës.

Ndërkohë që studentët diskutojnë mbi këtë pyetje, ata mund të japin përgjigje të tilla si këto:

Lutjet tona të drejta mund të kenë një ndikim pozitiv në komunitetet tona.

Në kohë vështirësie, shumë njerëz e përulin veten përpara Perëndisë, ndërkohë që njerëz të tjerë ngurtësohen.

  • Përse mendoni se disa njerëz afrohen më pranë Zotit kur përballen me sprova? Përse disa njerëz largohen prej Zotit kur përballen me sprova? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se në kohë fatkeqësie, zgjedhjet tona përcaktojnë nëse vërtet do t’i afrohemi më pranë Zotit.)

  • Ndërsa i keni lexuar kapitujt e Librit të Mormonit mbi luftën, çfarë ju kanë mësuar ato rreth të qenit një dishepull i Jezu Krishtit në kohë lufte ose grindjeje?

Alma 63

Shumë nefitë udhëtojnë drejt tokave në veri

Përmblidhni fjalët e Mormonit në këtë kapitull duke shpjeguar se shumë nefitë filluan të shpërnguleshin drejt veriut, nëpërmjet tokës dhe nëpërmjet detit. Shibloni ia dorëzoi analet e shenjta Helamanit. Kapiten Moroni vdiq dhe i biri i tij, Moroniha, udhëhoqi një ushtri e cila e dëboi një sulm tjetër të lamanitëve.

Ju mund të dëshironi ta mbyllni këtë mësim duke treguar rreth dikujt që ka përjetuar vështirësi e vuajtje dhe ka zgjedhur të ketë një zemër të butë dhe mirëbesim të rritur te Perëndia. Merrni parasysh të ndani një përvojë vetjake.

Përsëritja e Librit të Almës

Kaloni pak kohë për t’i ndihmuar studentët të përsëritin librin e Almës. Kërkojuni të mendojnë rreth asaj që kanë mësuar nga ky libër, si në seminar edhe në studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta. Nëse është e nevojshme, ftojini të përsëritin disa prej përmbledhjeve të kapitujve te libri i Almës për t’i ndihmuar të kujtojnë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftoni disa studentë të shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth diçkaje në libër që u ka lënë mbresa.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 61. Përgjigjja ndaj atyre që na fyejnë ose lëndojnë

Presidenti Xhejms Faust, i Presidencës së Parë, tregoi një rrëfim që ilustron rëndësinë që ka mosushqimi i ndjenjave të këqija kundrejt atyre që mund të përpiqen të na fyejnë apo lëndojnë:

“Në kodrat e bukura të Pensilvanisë një grup i devotshëm njerëzish të krishterë jetojnë një jetë të thjeshtë pa automobila, elektricitet ose makineri moderne. Ata punojnë fort dhe bëjnë jetë të qeta e të paqta, të veçuar nga bota. Shumica e ushqimit të tyre vjen nga vetë fermat e tyre. Gratë qepin, thurin dhe endin veshjet e tyre, të cilat janë modeste dhe të thjeshta. Ata njihen si populli àmish.

Një shofer 32-vjeçar i një kamioni qumështi jetonte me familjen e tij në komunitetin e tyre të Minierave të Nikelit. Ai nuk ishte àmish, por linja e tij e ngarkimit të qumështit, e çonte në shumë baxho të popullit àmish, ku e quanin ‘grumbulluesi i heshtur i qumështit’. Tetorin e shkuar ai papritur humbi çdo lloj arsyeje dhe kontrolli. Në mendjen e tij të torturuar ai fajësoi Perëndinë për vdekjen e fëmijës së tij të parë dhe për disa kujtime të parëndësishme. Ai hyri me vrull në shkollën àmishe pa asnjë provokim, i nxori jashtë djemtë e të rriturit dhe i lidhi të dhjetë vajzat. Ai i qëlloi vajzat duke vrarë pesë dhe duke plagosur pesë të tjerat. Pastaj ai vrau dhe veten.

Kjo dhunë shokuese shkaktoi dhembje të mëdha ndër popullin àmish, por jo zemërim. Kishte dhembje por jo urrejtje. Falja e tyre ishte e menjëhershme. Kolektivisht ata filluan t’i gjendeshin pranë familjes së grumbulluesit të qumështit që po vuante. Ndërsa familja e grumbulluesit të qumështit u mblodh në shtëpinë e saj ditën pas masakrës, një fqinj àmish erdhi, i hodhi krahët babait të vrasësit që kishte vdekur, dhe tha: ‘Ne do t’ju falim’. [Në Joan Kern, “A Community Cries”, Lancaster New Era, 4 tetor 2006, f. A8.] Udhëheqësit àmishë vizituan gruan dhe fëmijët e grumbulluesit të qumështit për t’u shprehur keqardhjen, faljen, ndihmën dhe dashurinë e tyre. Rreth gjysma e njerëzve në varrimin e grumbulluesit të qumështit, ishin àmishë. Nga ana tjetër, populli àmish e ftoi familjen e grumbulluesit të qumështit për të marrë pjesë në shërbimet e varrimit të vajzave që ishin vrarë. Një paqe mbresëlënëse ra mbi popullin àmish ndërsa besimi i tyre i mbështeti ata gjatë kësaj krize.

Një banor vendas, me shumë elokuencë përmblodhi pasojat e kësaj tragjedie kur tha: ‘Të gjithë po flisnim të njëjtën gjuhë dhe jo vetëm anglisht por një gjuhë përkujdesjeje, një gjuhë komuniteti dhe një gjuhë shërbimi. Dhe, po, një gjuhë faljeje.’ [Në Helen Colwell Adams, “After That Tragic Day, a Deeper Respect among English, Amish?” Sunday News, 15 tetor 2006, f. A1.] Ishte një derdhje e mahnitshme e të gjithë besimit të tyre në mësimet e Zotit në Predikimin në Mal: ‘U bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë’.[Mateu 5:44.]

Familja e grumbulluesit të qumështit, i cili vrau pesë vajzat, bëri deklaratën e mëposhtme për publikun:

‘Miqve tanë àmishë, fqinjëve dhe komunitetit vendor:

Familja jonë dëshiron që secili nga ju të dijë që ne jemi tronditur nga falja, hiri dhe mëshira që na keni treguar. Dashuria juaj për familjen tonë na ka ndihmuar të sigurojmë shërimin për të cilin kemi nevojë aq shumë. Lutjet, lulet, kartolinat dhe dhuratat që na keni dhënë, i kanë prekur zemrat tona në një mënyrë që fjalët nuk mund ta përshkruajnë. Dhembshuria juaj është shtrirë matanë familjes sonë, matanë komunitetit tonë dhe po e ndryshon botën tonë, dhe për këtë ju falënderojmë sinqerisht.

Duam që të dini se zemrat tona janë lënduar nga ajo që ka ndodhur. Ne jemi mbushur me hidhërim për të gjithë fqinjët tanë àmishë të cilët i kemi dashur dhe vazhdojmë t’i duam. E dimë se do të ketë shumë ditë të vështira për të gjitha familjet të cilat humbën njerëzit e dashur, dhe kështu do të vazhdojmë ta vendosim shpresën dhe besimin tonë tek Perëndia për të gjithë ngushëllimin, ndërsa ne të gjithë përpiqemi të rindërtojmë jetët tona.’ [“Amish Shooting Victims”, www.800padutch.com/amishvictims.shtml. ]

Si mund të tregonte i gjithë komuniteti àmish një shprehje të tillë faljeje? Ishte për shkak të besimit të tyre tek Perëndia dhe vënies së besimit në fjalën e Tij, e cila është pjesë e qenieve të tyre të brendshme. Ata e shohin veten si dishepuj të Krishtit dhe dëshirojnë të ndjekin shembullin e Tij.

Pasi dëgjuan për këtë tragjedi, shumë njerëz i dërguan para popullit àmish për të paguar për kujdesin shëndetësor të pesë vajzave të mbijetuara dhe për shpenzimet e varrosjes për pesë vajzat që u vranë. Si një shfaqje e mëtejshme të të qenit dishepull, populli àmish vendosi të ndante disa nga paratë me të venë e grumbulluesit të qumështit dhe tre fëmijët e saj për shkak se ata gjithashtu ishin viktima të kësaj tragjedie të tmerrshme” (“The Healing Power of Forgiveness”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 67–68; “Fuqia Shëruese e Faljes”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2007 [nr. i artikullit 02368 101], f. 78-79).

Alma 62:41. Reagimi ndaj vështirësisë

Duke iu referuar Almës 62:39–41, Presidenti Bojd Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:

“E njëjta provë në kohë të trazuara mund të ketë tërësisht efekte të kundërta tek individët.

Me siguri ju njihni disa njerëz, jeta e të cilëve është mbushur me fatkeqësi, të cilët janë pjekur, forcuar dhe përpunuar nga ajo, ndërsa njerëz të tjerë kanë dalë nga po ajo provë të hidhëruar, të lënduar dhe të palumtur” (“The Mystery of Life”, Ensign, nëntor 1983, f. 18).

Plaku Dallin Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se ne zgjedhim se si do të reagojmë ndaj fatkeqësisë:

“Me siguri, këto fatkeqësi të mëdha nuk janë pa disa qëllime ose pasoja të përjetshme. Ato mund t’i kthejnë zemrat tona te Perëndia. Sikurse fatkeqësitë shkaktojnë vuajtje në vdekshmëri, ato gjithashtu mund të jenë mjete të çuarjes së burrave dhe të grave drejt bekimesh të përjetshme.

Fatkeqësi të një shkalle të tillë, të gjerë, si katastrofat natyrore dhe luftërat, duken të jenë të pandashme nga përvoja në vdekshmëri. Ne nuk mund t’i parandalojmë plotësisht ato, por mund të vendosim se si do të reagojmë vërtet ndaj tyre. Për shembull, fatkeqësitë e luftës dhe të shërbimit ushtarak, të cilat kanë qenë shkatërrimi shpirtëror për disa njerëz, kanë qenë për të tjerë zgjimi shpirtëror. Libri i Mormonit e përshkruan dallimin:

‘Por vini re, për shkak të luftës jashtëzakonisht të gjatë mes Nefitëve dhe Lamanitëve, shumë u ashpërsuan për shkak të kohëzgjatjes së madhe të luftës; dhe shumë të tjerë u zbutën për shkak të vuajtjeve të tyre, aq sa u përulën para Perëndisë, madje në thellësinë e përulësisë’ (Alma 62:41).

Lexova për një dallim të ngjashëm pas uraganit shkatërrues që rrënoi mijëra shtëpi në Florida disa vite më parë. Një raport nga lajmet përmendi dy persona të ndryshëm që kishin vuajtur të njëjtën tragjedi dhe kishin marrë të njëjtin bekim: secila prej shtëpive të tyre qe shkatërruar plotësisht, por secili prej pjesëtarëve të familjes të tyre i kishte shpëtuar vdekjes ose lëndimit. Njëri tha se kjo tragjedi e kishte shkatërruar besimin e tij; si, pyeti ai, mundet Perëndia ta lejojë këtë të ndodhë? Tjetri tha se përvoja e kishte forcuar besimin e tij. Perëndia kishte qenë i mirë me të, tha ai. Ndonëse shtëpia dhe zotërimet e familjes ishin humbur, jeta e tyre u shpëtua dhe ata mund ta ndërtonin sërish shtëpinë. Për njërin, gota ishte gjysmë bosh. Për tjetrin, gota ishte gjysmë plot. Dhurata e lirisë së zgjedhjes morale e fuqizon çdonjërin prej nesh të zgjedhë se si do të veprojmë vërtet, kur të vuajmë fatkeqësi” (“Adversity”, Ensign, korrik 1998, f. 7–8).

Alma 63:4–10. Hagothi dhe pasardhësit e tij

Profetët e ditëve të mëvonshme kanë thënë se populli i Hagothit u vendos në ishujt që tani njihen si Zelanda e Re.

Për shenjtorët në Zelandën e Re, Presidenti Jozef Smith tha: “Ju, vëllezër dhe motra nga Zelanda e Re, unë dëshiroj të dini se ju jeni nga populli i Hagothit” (cituar nga Spencer Kimball në Joseph Fielding McConkie dhe Robert Millet, Doctrinal Commentary on the Book of Mormon, vëll. 3 [1991], f. 329).

Në lutjen përkushtuese për Tempullin e Hamiltonit në Zelandën e Re, Presidenti Dejvid Mek-Kei tha: “Ne shprehim mirënjohje që drejt këtyre ishujve pjellorë Ti drejtove pasardhësit e Atit Lehi dhe u ke mundësuar atyre që të përparojnë” (“Dedicatory Prayer Delivered by Pres. McKay at New Zealand Temple”, Church News, 10 maj 1958, f. 2).

Presidenti Spenser Kimball tha: “Është e arsyeshme të arrihet në përfundimin se Hagothi dhe shokët e tij ishin për gati nëntëmbëdhjetë shekuj në ishujt, përafërsisht nga viti 55 Pr. K. deri në vitin 1854, përpara se ungjilli filloi të arrinte tek ata. Ata i kishin humbur të gjitha gjërat e qarta dhe të çmueshme që Shpëtimtari solli në tokë, sepse ka të ngjarë që ata ishin në ishujt kur Shpëtimtari u lind në Jerusalem” (Temple View Area Conference Report [Raport i Konferencës së Zonës mbi Vështrimin e Tempullit], shkurt 1976, f. 3; cituar në Joseph Fielding McConkie dhe Robert Millet, Doctrinal Commentary on the Book of Mormon, vëll. 3, f. 329).