Biblioteka
Mësimi 89: Alma 31


Mësimi 89

Alma 31

Hyrje

Alma mësoi se një grup të shkëputurish nga nefitët, të quajtur zoramitë, ishin larguar nga e vërteta e ungjillit dhe ishin dhënë pas praktikave të rreme. Të trishtuar nga këto njoftime të ligësisë, Alma shkoi me një grup misionarësh për t’u mësuar zoramitëve fjalën e Perëndisë. Alma dhe shokët e tij të misionit vëzhguan adhurimin braktisës, dhënien pas gjërave materiale dhe krenarinë e zoramitëve. Alma u lut me zell që Zoti do ta ngushëllonte atë dhe shokët e tij të misionit, ndërsa përballeshin me këtë sfidë dhe që ata do të kishin sukses për t’i kthyer zoramitët te Zoti.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 31:1–7

Alma dhe shokët e tij të misionit largohen nga Zarahemla për të predikuar fjalën e Perëndisë te zoramitët braktisës

U kërkoni studentëve të mendojnë rreth asaj që ata do të bënin, në qoftë se një mik ose anëtar i familjes do të fillonte të largohej nga të jetuarit e ungjillit.

  • Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar këtë njeri të kthehet në Kishë? Si mund të zgjonit te një njeri dëshirë për t’i zbatuar urdhërimet? Te kush mund të ktheheni për ndihmë, ndërsa punoni me anëtarin tuaj të familjes ose mikun tuaj?

U thoni studentëve se mësimi i sotëm vë në dukje se si Alma dhe disa të tjerë u përpoqën ta ndihmonin një grup njerëzish, të cilët ishin larguar nga ungjilli. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 31:1–4. Vëreni klasën të kërkojë për shqetësimet që Alma dhe të tjerët patën rreth zoramitëve.

  • Cilat ishin ndjenjat e Almës kur dëgjoi rreth paudhësisë së zoramitëve?

  • Përse filluan nefitët të kishin frikë për shkak të zoramitëve?

U kërkoni studentëve të përfytyrojnë se kanë mundësinë ta këshillojnë Almën për mënyrën se si t’i zgjidhë shqetësimet e tij rreth zoramitëve. U kërkoni studentëve se çfarë do të sugjeronin që ai të bëjë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 31:5. Vëreni klasën të kërkojë atë që Alma e dinte se do të ishte mënyra më e frytshme për t’i ndihmuar zoramitët.

  • Çfarë vendosi Alma të bënte për t’i ndihmuar zoramitët?

  • Në përpjekjen për t’i ndihmuar njerëzit të ndryshojnë, përse mendoni se fjala e Perëndisë është më e fuqishme sesa forca apo teknika të tjera?

Bazuar në Almën 31:5, çfarë mund të mësojmë rreth fuqisë së fjalës së Perëndisë në jetën tonë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të dallojnë të vërtetën vijuese: Kur e studiojmë fjalën e Perëndisë, ajo do të na udhëheqë për të bërë atë që është e drejtë. Ju mund të dëshironi ta shkruani në tabelë këtë të vërtetë).

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë fuqinë e fjalës së Perëndisë, e cila na ndihmon të bëjmë atë që është e drejtë, ndani thënien e mëposhtme nga Presidenti Bojd Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. (Ju mund të doni ta shkruani këtë thënie në tabelë ose ta përgatitni atë si një fletushkë).

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Doktrina e vërtetë, kur kuptohet, ndryshon qëndrimet dhe sjelljen.

Studimi i doktrinave të ungjillit do ta përmirësojë sjelljen më shpejt sesa një studim i sjelljes do ta përmirësojë sjelljen. … Kjo është arsyeja përse ne ia vëmë theksin kaq shumë studimit të doktrinave të ungjillit” (“Little Children”, Ensign, nëntor 1986, f. 17).

I ftoni studentët të tregojnë rreth një kohe kur ata ose dikush që njohin, fituan një dëshirë më të madhe për të bërë atë që është e drejtë, për shkak të shkrimeve të shenjta ose të mësimeve të udhëheqësve të Kishës.

Përmblidhni Almën 31:6–7 duke u treguar studentëve se si rezultat i mirëbesimit të Almës në fuqinë e fjalës së Perëndisë, ai dhe shtatë të tjerë shkuan t’u predikonin zoramitëve.

Alma 31:8–23

Zoramitët luten dhe adhurojnë në një mënyrë të rreme

U thoni studentëve se, kur Alma dhe shokët e tij të misionit shkuan mes zoramitëve, ata vëzhguan njerëzit duke adhuruar Perëndinë në një mënyrë të çuditshme.

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 31:8–11, duke përcaktuar fjalët dhe frazat që përshkruajnë adhurimin e zoramitëve. Vini në dukje se shënimi 10a në fund të faqes sugjeron që fraza “ceremonitë e kishës” lidhet me ordinancat, si edhe me “lutje[t] dhe përgjërime[t] ndaj Perëndisë çdo ditë”.

  • Sipas vargut 10, çfarë po bënin zoramitët që i bënë ata të dobët ndaj tundimit?

  • Çfarë mund të mësojmë nga dështimi i zoramitëve që të “vazhdonin çdo ditë në lutje dhe përgjërime ndaj Perëndisë”? (Përgjigjet e studentëve mund të ndryshojnë, por ata duhet të shprehin që përpjekjet tona të përditshme për t’u lutur dhe për t’i mbajtur urdhërimet na forcojnë ndaj tundimit. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë. Ju mund të sugjeroni gjithashtu që studentët ta shkruajnë atë në shkrimet e tyre të shenjta pranë Almës 31:9–11.)

  • Kur e keni parë se lutja çdo ditë mund të na ndihmojë t’i bëjmë ballë tundimit?

Si pjesë e diskutimit të studentëve për këtë pyetje, lexoni deklaratën e mëposhtme nga Plaku Rulon Krejvën, i Të Shtatëdhjetëve:

“Gjatë viteve të mëparshme, herë pas here më është kërkuar nga Vëllezërit që të takohem me anëtarë të penduar të Kishës dhe t’i intervistoj ata për rivendosjen e bekimeve të tyre të tempullit. Kjo gjithmonë ka qenë një përvojë nxitëse shpirtërore për të rivendosur bekimet e atyre njerëzve të mrekullueshëm që janë penduar. Ua kam bërë disave prej tyre pyetjen: ‘Çfarë ndodhi në jetën tuaj që ju shkaktoi të humbisni përkohësisht anëtarësinë tuaj në Kishë?’ Me sy të mbushur me lot, ata u përgjigjën: ‘Nuk iu binda parimeve bazë të ungjillit: lutjes, ndjekjes rregullisht të kishës, shërbimit në kishë dhe studimit të ungjillit. Më pas iu dorëzova tundimeve dhe e humba udhëzimin e Shpirtit të Shenjtë’” (“Temptation”, Ensign, maj 1996, f. 76).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 31:12–14. Më pas ftojeni një student tjetër të lexojë me zë të lartë Almën 31:15–18. Përpara se të lexojnë studentët e dytë, i kërkoni klasës të mendojë rreth mënyrës se si do të përgjigjeshin, në qoftë se dëgjuan dikë të lutet në këtë mënyrë.

  • Çfarë shqetësimesh do të keni nëse dëgjoni dikë të lutet në këtë mënyrë?

  • Cilat janë disa doktrina të rreme që zoramitët paraqitën në lutjen e tyre?

  • Cili ishte qëndrimi i zoramitëve ndaj njerëzve të tjerë? (Ju mund të dëshironi ta drejtoni vëmendjen e studentëve ndaj shpeshtësisë me të cilën fjalët ne dhe nesh shfaqen në lutjen e zoramitëve).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 31:19–23. Vëreni klasën ta ndjekë atë dhe të kërkojë për probleme shtesë në modelin e adhurimit të zoramitëve. U kërkoni studentëve të raportojnë mbi atë çka gjejnë.

  • Çfarë ndryshimesh mendoni se do të kishin nevojë të bënin zoramitët me qëllim që adhurimi i tyre të ishte nderues dhe i kënaqshëm për Zotin?

Shpjegoni se ne e adhurojmë Perëndinë duke i dhënë Atij dashurinë, nderimin dhe përkushtimin tonë. (Ju mund të doni t’i renditni këto elemente të adhurimit në tabelë). Ne duhet të jemi plot adhurim, jo vetëm në qëndrimin dhe veprimet tona kur lutemi, agjërojmë dhe shkojmë në Kishë, por në qëndrimin dhe veprimet tona gjatë çdo dite. I nxitni studentët të vlerësojnë përqendrimin dhe sinqeritetin e vetë adhurimit të tyre.

U kërkoni studentëve të përcaktojnë mënyra të ndryshme se si ne mund ta adhurojmë siç duhet Perëndinë. Lejoni kohë të mjaftueshme për ta për t’i dhënë idetë. Ju mund të dëshironi ta bëni një student t’i shkruajë këto në tabelë.

  • Çfarë qëndrimi duhet të kemi kur adhurojmë? Si mund ta mbajmë atë qëndrim gjatë çdo dite?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si qëndrimi ynë e ndikon adhurimin tonë, ftojeni një student të lexojë thënien e mëposhtme nga Plaku Dallin Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Adhurimi shpesh përfshin veprime, por adhurimi i vërtetë gjithmonë përfshin një gjendje qëndrimi të veçantë të mendjes.

Qëndrimi i adhurimit zgjon ndjenjat më të thella të besnikërisë, dashurisë dhe mahnitjes. Adhurimi ndërthur dashurinë dhe nderimin në një gjendje përkushtimi që i afron shpirtrat tanë më pranë Perëndisë” (Pure in Heart [1988], f. 125).

I ftoni studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta një vlerësim të shkurtër të modelit të tyre të tanishëm vetjak të adhurimit dhe të qëndrimit të tyre ndaj adhurimit në kategoritë e mëposhtme: lutja e përditshme vetjake, studimi i përditshëm vetjak i shkrimeve të shenjta, bindja ndaj urdhërimeve, vajtja në kishë dhe marrja e sakramentit çdo javë. U kërkoni studentëve të caktojnë një synim për ta përmirësuar adhurimin e tyre të përditshëm vetjak.

Alma 31:24–38

Alma lutet për fuqi dhe sukses për t’i kthyer zoramitët përsëri te Zoti

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 31:24–25, duke kërkuar për qëndrime dhe sjellje që e shoqëruan braktisjen e zoramitëve. U kërkoni studentëve të raportojnë mbi atë që gjejnë.

Shpjegoni se kur Alma pa ligësinë e zoramitëve, ai u lut. U kërkoni studentëve të ndahen në dyshe. I bëni dyshet të studiojnë Almën 31:26–35 dhe të diskutojnë mbi pyetjet vijuese. (Ju mund të dëshironi t’ua jepni këto pyetje në një fletushkë ose t’i shkruani ato në tabelë, përpara se të fillojë ora e mësimit).

  • Cila ishte qendra e vëmendjes e lutjes së zoramitëve? (Ata u përqendruan te vetja).

  • Cila ishte qendra e vëmendjes e lutjes së Almës? (Ai u përqendrua te ndihma për të tjerët. Edhe kur u lut për veten dhe shokët e tij të misionit, ai kërkoi fuqi që t’u shërbenin zoramitëve).

  • Cilët elementë të lutjes së Almës do t’ju pëlqente t’i përfshinit në lutjet tuaja vetjake?

Shkruani sa vijon në tabelë:

Nëse lutemi dhe veprojmë me besim, …

Shpjegoni se pasi Alma u lut për ndihmë që t’u afroheshin zoramitëve, ai dhe shokët e tij të misionit filluan të shërbejnë, “pa u bërë merak për veten e tyre” (Alma 31:37). I vini studentët të lexojnë në heshtje Almën 31:36–38, duke kërkuar për bekimet që i erdhën Almës dhe shokëve të tij të misionit kur ata morën bekime të priftërisë dhe predikuan ungjillin. (Ju mund të shpjegoni se tek Alma 31:36, fraza “i vuri duart e tij mbi ata” i drejtnënkupton ordinancën e vënies së duarve. Shih shënimin 36b në fund të faqes.)

  • Çfarë bekimesh i erdhën Almës dhe shokëve të tij të misionit për shkak të lutjeve dhe veprimeve të tyre?

Bazuar në atë që keni mësuar nga shembulli i Almës dhe i shokëve të tij të misionit, si do ta plotësonit thënien në tabelë? (Studentët mund të japin disa përgjigje të ndryshme, që janë të vërteta. I përmblidhni përgjigjet e tyre duke plotësuar thënien në tabelë: Nëse lutemi dhe veprojmë me besim, Zoti do të na forcojë në sprovat tona.

Shpjegoni se pas lutjes së tij, Alma dhe shokët e tij të misionit e treguan besimin e tyre duke shkuar të punonin dhe duke i besuar Zotit që të siguronte për ta, ndërkohë që i shërbenin Atij. I ftoni studentët të ndjekin shembullin e Almës duke u lutur me besim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 31:22. “Të njëjtën lutje”

Plaku Xhozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, diskutoi mbi rëndësinë e lutjes me çiltërsi:

“A duken ose ndihen lutjet tuaja nganjëherë si të njëjtat? A e keni thënë ndonjëherë një lutje në mënyrë mekanike, duke rrjedhur fjalët si të ishin prerë nga një makineri? A e mërzisni veten tuaj ndonjëherë kur luteni?

A do të meritonin lutjet që nuk ju kërkojnë të mendoni shumë, vëmendje të madhe nga Ati ynë Qiellor? Kur e gjeni veten duke hyrë në një rutinë me lutjet tuaja, bëni një hap pas dhe mendoni. Meditoni për pak kohë mbi gjërat për të cilat ju me të vërtetë jeni mirënjohës. I kërkoni ato. Nuk duhet të jenë të madhërishme ose të lavdishme. Nganjëherë ne duhet ta shprehim mirënjohjen tonë për gjëra të vogla dhe të thjeshta si aroma e shiut, shija e ushqimit tuaj të preferuar ose zëri i një njeriu të dashur” (“Improving Our Prayers”, Ensign, mars 2004, f. 26).

Alma 31:26-35. Lutja për të tjerët

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi për bekimet që vijnë kur lutemi për të tjerët:

“T’i bësh kërkesë Atit Qiellor për bekimet që dëshirojmë në jetën tonë vetjake, është gjë e mirë dhe me vend. Sidoqoftë, të lutesh me zell për të tjerët, si ata që duam, ashtu edhe ata që na keqtrajtojnë, është gjithashtu një element i rëndësishëm i lutjes kuptimplote. … Lutja me gjithë energjinë e shpirtit tonë për të tjerët, na shton aftësinë për të dëgjuar e për t’i vënë vesh zërit të Zotit” (“Lutuni Kurdoherë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 43).