Biblioteka
Mësimi 83: Alma 19–20


Mësimi 83

Alma 19–20

Hyrje

Mbreti Lamoni përjetoi një ndryshim zemre, që çoi në kthimin në besim të bashkëshortes së tij dhe shumë prej njerëzve të tij. Amoni dhe mbreti Lamoni më pas udhëtuan drejt Midonit për të çliruar vëllezërit e burgosur të Amonit. Në rrugë e sipër, ata takuan atin e Lamonit, mbret mbi gjithë vendin. Mbreti u mahnit nga fjalët e Lamonit dhe Amonit, nga forca e Amonit dhe nga dashuria e Amonit për Lamonin. Zemra e tij u zbut dhe ai i siguroi se vëllezërit e Amonit do të liroheshin nga burgu. Ai shprehu dëshirë të mësonte rreth fjalëve që kishte dëgjuar nga biri i tij dhe Amoni.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 19

Mbreti Lamoni dhe shumë nga njerëzit e tij pendohen dhe pagëzohen

I pyetni studentët:

  • Kur hidhni një gur në një pellg uji, çfarë ndodh me ujin?

Ndërsa studentët përshkruajnë ndikimin e një guri të hedhur në ujë, vizatoni diagramën e mëposhtme në tabelë, duke mos i shkruar fjalët.

Pamja
gur në ujë

Shkruajeni sa vijon në tabelë:

Duke dhënë dëshmitë tona dhe duke dhënë shembujt tanë të drejtë, ne mund …

I ftoni studentët ta kujtojnë këtë thënie gjatë gjithë mësimit dhe të marrin parasysh se si mund ta plotësojnë atë.

  • Si mund të jenë veprimet e një njeriu si guri që u hodh në ujë? (I ndihmoni studentët të kuptojnë se, si dallgëzimet që zgjerohen nga përplasja e një guri, njerëz të tjerë mund të ndikohen nga veprimet tona).

Shkruani Amoni në rrethin e parë në diagram.

  • Kë mësoi Amoni fillimisht? (Nëse studentët kanë nevojë për ndihmë që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të dëshironi të sugjeroni që ata të rishkojnë përmbledhjen e kapitullit për Almën 18. Shkruani mbreti Lamoni në rrethin e dytë në diagram).

Përmblidhni Alma 18:40–43 dhe 19:1–5, duke shpjeguar se, kur mbreti Lamoni e dëgjoi Amonin, ai dalloi mëkatësinë e vet dhe nevojën e tij për Shpëtimtarin. Ai iu lut Zotit për mëshirë dhe më pas ra përdhe. Duke besuar se ai kishte vdekur, shërbëtorët e dërguan atë te bashkëshortja e tij dhe e vunë mbi një shtrat. Dy ditë dhe dy net më vonë, shërbëtorët ishin gati ta çonin trupin e tij në varr, kur mbretëresha tha se ajo donte të fliste me Amonin. Ajo nuk mendonte se Lamoni kishte vdekur dhe donte që Amoni të shkonte tek ai.

I vini studentët të lexojnë në heshtje Almën 19:6, duke kërkuar një frazë që ata mendojnë se përshkruan veçanërisht mirë përvojën e Lamonit. U kërkoni dy ose tre prej studentëve që të lexojnë frazat që kanë përzgjedhur. I pyetni ata përse i përzgjodhën ato fraza të caktuara.

Në diagram, shkruani mbretëresha në rrethin pasues. I bëni studentët të shqyrtojnë Almën 19:7–11 për të parë se si kjo përvojë ndikoi te mbretëresha.

  • Çfarë mund të mësojmë për mbretëreshën nga këto vargje? (Përgjigjet mund të përfshijnë se ajo e donte bashkëshortin e saj, se kishte besim tek Amoni dhe se kishte besim të madh).

I kërkoni një studenti të lexojë me zë të lartë Alma 19:12–14. I ftoni studentët e tjerë ta ndjekin atë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë shprehjes së besimit nga Lamoni.

  • Çfarë të vërtetash kishte mësuar Lamoni gjatë dy ditëve të mëparshme?

  • Lamoni, mbretëresha dhe Amoni u “mposht[ën] nga Shpirti” dhe u “mposht[ën] nga gëzimi”. Kur e keni ndier ndikimin e Shpirtit në një mënyrë të fuqishme? Kur keni ndier gëzim të madh?

Shkruani shërbëtorët e Lamonit në rrethin pasues në diagram. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 19:15–16. Vëreni klasën të kërkojë për prova se këta shërbëtorë po ktheheshin te Perëndia.

  • Cilat fjalë dhe fraza tregojnë se shërbëtorët po ktheheshin te Perëndia?

Shkruani Abishi në rrethin pasues. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 19:17. Ftojeni klasën të kërkojë se si Abishi u ndikua nga këto ngjarje.

  • Çfarë bëri Abishi? Çfarë shpresoi ajo se do të ndodhte për shkak të veprimeve të saj?

Merrni parasysh t’u jepni studentëve mundësinë për të përmbledhur Almën 19:18–28. U jepni atyre kohë për t’i lexuar këto vargje në heshtje. Më pas kërkoni një vullnetar që ta tregojë historinë me fjalët e veta. I lejoni studentët e tjerë të ndihmojnë. Sipas nevojës, i ndihmoni ata të përfshijnë informacionin e mëposhtëm: Pasi e dëgjuan lajmin e Abishit, njerëzit u mblodhën në shtëpinë e mbretit. Kur i panë pa ndjenja Amonin, mbretin, mbretëreshën dhe shërbëtorët, mes tyre filloi grindje e madhe. Një burrë u përpoq ta vriste Amonin, por ra i vdekur përtokë gjatë përpjekjes. Disa shpallën se Amoni ishte Shpirti i Madh dhe të tjerë thanë se ishte një përbindësh. Kur Abishi pa gjithë grindjen që kishte ndodhur ngaqë ajo i mblodhi njerëzit së bashku, u trishtua shumë.

I bëni studentët të marrin parasysh se çfarë mund të bëjnë në një situatë si e Abishit. Më pas i kërkoni një studenti të lexojë me zë të lartë Almën 19:29.

  • Si e tregoi veprimi i Abishit forcën e dëshmisë së saj? Si e tregoi mbretëresha se kishte marrë një dëshmi?

Lexoni me zë të lartë Almën 19:30–36. U kërkoni studentëve të ndjekin leximin dhe të marrin parasysh ndikimin që dëshmia dhe shembulli i Amonit patën mbi të tjerët.

Shkruani shumë lamanitë të tjerë në rrethin e fundit në diagram.

U kërkoni studentëve ta plotësojnë thënien që shkruat në tabelë në fillim të orës së mësimit. Një parim që mund të shprehin është që duke i dhënë dëshmitë tona dhe duke dhënë shembuj të drejtë, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të kthehen te Zoti.

  • Kur ka ndikuar te ju për mirë shembulli ose dëshmia e dikujt?

I ftoni studentët të përsiatin se si dëshmitë dhe shembujt e tyre mund të ndikojnë tek anëtarët e familjes, miqtë dhe komuniteti i tyre. U kërkoni atyre të shkruajnë një përgjigje për pyetjen vijuese në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta:

  • Çfarë mund të bëni sot që mund të ketë ndikim të mirë mbi njerëzit përreth jush?

I nxitni studentët t’i lejojnë dëshmitë dhe shembujt e tyre të drejtë për të ndikuar tek të tjerët, sikurse një gur bën dallgëzime në pellg. U thoni studentëve se në një mësim të ardhshëm (mësimi 85), ju mund t’u kërkoni të raportojnë rreth përpjekjeve të tyre.

Alma 20

Ati i mbretit Lamoni dëshiron të mësojë rreth ungjillit dhe fillon të përjetojë ndryshim të zemrës

I ftoni studentët të mendojnë për një kohë kur ata ndien se ishin trajtuar keq ose padrejtësisht.

Shpjegoni se Amoni dhe Lamoni përjetuan një situatë në të cilën ata u trajtuan keq. Vini në dukje se ne mund të mësojmë mësime të rëndësishme nga përgjigjet e tyre ndaj mënyrës se si u trajtuan.

Për t’i ndihmuar studentët të familjarizohen me tregimin tek Alma 20, përmblidhni Alma 20:1–7 si vijon: Lamoni donte ta çonte Amonin të takohej me atin e tij, i cili ishte mbreti mbi të gjithë vendin. Zoti i zbuloi Amonit se Amoni nuk duhej të shkonte, sepse ati i Lamonit do të përpiqej ta vriste atë. Zoti gjithashtu zbuloi se vëllai i Amonit, Aaroni, dhe dy shokët e tij të misionit ishin në burg në tokën e Midonit. Amoni donte t’i çlironte vëllezërit e tij. Duke dëgjuar se Amoni i kishte mësuar këto gjëra me anë të zbulesës, Lamoni shkoi ta ndihmonte Amonin që t’i çlironte vëllezërit e tij.

Përpara orës së mësimit, kopjoni skicën e mëposhtme në tabelë ose në një fletushkë për secilin student:

1. Alma 20:8–13

Çfarë ndjenjash do të kishit, në qoftë se ju do të ishit në vendin e Amonit dhe dikush ju akuzonte se ishit gënjeshtar dhe vjedhës?

2. Alma 20:14–16

Çfarë mësimesh mund të mësojmë nga përgjigjja e Lamonit dhënë atit të tij?

3. Alma 20:17–25

Kur babai i Lamonit pa se Amoni mund ta vriste atë, çfarë i ofroi ai Amonit? Çfarë kërkoi Amoni në vend të saj?

4. Alma 20:26–27

Si ndikoi tek ati i Lamonit dashuria e Amonit për Lamonin? Në çfarë mënyrash ndikuan tek ati i Lamonit fjalët e Amonit dhe të Lamonit?

I caktoni studentët që të punojnë në dyshe. Në këto bashkëpunime, i bëni ata të lexojnë vargjet e renditura në rreshtat 1–2 dhe diskutoni përgjigjet ndaj pyetjeve shoqëruese. I nxitni ata të përgatiten për t’i ndarë përgjigjet e tyre me tërë klasën.

Pasi studentët të kenë diskutuar rreshtat 1–2 në dyshe, u kërkoni disave të raportojnë mbi atë që kanë mësuar. Më pas pyetni:

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga këto vargje? (Studentët mund të japin disa përgjigje, por i ndihmoni ata të përcaktojnë parimin vijues: Ne mund t’i japim dëshmitë tona me anë të fjalës dhe të shembullit, edhe kur të tjerët përpiqen të na mbushin mendjen të bëjmë atë që është e gabuar. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që ata ta shkruajnë këtë parim pranë Almës 20:15.)

I ftoni dyshet të studiojnë vargjet e renditura në rreshtat 3–4 dhe diskutoni mbi përgjigjet shoqëruese. U kërkoni atyre të raportojnë për çfarë kanë zbuluar. Më pas pyetni:

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga këto vargje? (Edhe pse studentët mund të ndajnë një llojshmëri parimesh, sigurohuni që parimi vijues është i qartë: Ndërsa tregojmë dashuri dhe japim mësim për të vërtetën, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët t’i zbutin zemrat e tyre dhe të bëhen marrës të ungjillit. Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët ta shkruajnë këtë parim pranë Almës 20:26–27).

I ftoni studentët të tregojnë për përvoja që kanë pasur, të cilat tregojnë të vërtetën e një prej parimeve që ata kanë përcaktuar tek Alma 20. Ju gjithashtu mund të dëshironi të tregoni për një përvojë nga vetja juaj.

Përfundojeni duke i nxitur studentët të kërkojnë udhëzimin e Shpirtit rreth mënyrës se si mund t’i zbatojnë këto dy parime në jetën e tyre.