Biblioteka
Mësimi 6: Mateu 1–2


Mësimi 6

Mateu 1–2

Hyrje

Mateu dha gjenealogjinë e Jezu Krishtit dhe një engjëll i shpalli Jozefit atësinë hyjnore të Jezusit. Dijetarët nga Lindja udhëtuan për ta gjetur dhe adhuruar Jezusin e vogël. Jozefit iu tha në një ëndërr që ta çonte familjen e tij në Egjipt për të shmangur masakrën e fëmijëve në Bethlehem prej Herodit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 1:1–17

Gjenealogjia e Jezusit

Paraqitni një fotografi të prindërve tuaj dhe pyetini studentët nëse ata mund të pikasin ndonjë tipar që trashëguat prej tyre. Ju gjithashtu mund t’i ftoni disa studentë të sjellin fotografi të prindërve të tyre dhe ta vini klasën të gjejë se prindërit e kujt janë. Kërkojuni studentëve të diskutojnë me njëri-tjetrin ndonjë tipar që kanë trashëguar nga prindërit e tyre (të tilla si ngjyra e syve, ngjyra e flokëve ose gjatësia).

Ftojini studentët që teksa studiojnë Mateun 1–2, të kërkojnë të vërteta rreth prindërve të Shpëtimtarit dhe tipareve që Ai trashëgoi prej tyre. Kjo veprimtari duhet t’i përgatitë studentët të kuptojnë të vërtetën që Jezu Krishti është Biri hyjnor i Atit Qiellor dhe Maries dhe se Ai është i Vetëmlinduri i Atit në mish.

Shpjegoni se Mateu 1:1–17 rendit paraardhësit e Shpëtimtarit. Shpjegoni që vargu 1 përmend se Jezu Krishti ishte një pasardhës i Davidit dhe i Abrahamit.

Shpjegoni se profecitë e Dhiatës së Vjetër shpallnin që Mesia do të ishte pasardhës i Davidit (shih 2 Samuelit 7:12–13; Isaia 9:6–7; Jeremia 23:5–6) dhe se një pasardhës i Abrahamit do t’i bekonte “tërë kombet e tokës” (Zanafilla 22:18; shih edhe Abraham 2:11). Mateu donte që lexuesit ta dinin se Jezusi përmbushi profecitë e Dhiatës së Vjetër të lidhura me Mesian (shih Mateu 1:22–23; 2:5, 15, 23; 26:55–56). Gjenealogjia e dhënë te Mateu 1:1–17 tregon se Jezusi ishte Mesia i premtuar dhe trashëgimtari i ligjshëm i fronit të Davidit.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 1:16. Kërkojuni studentëve ta ndjekin e të kërkojnë një titull dhënë Jezusit dhe të raportojnë atë që gjejnë.

Shpjegoni se fjala Krisht është forma greke e fjalës aramaike Mesia, që do të thotë “i vajosuri”.

  • Në ekzistencën para lindjes, për çfarë u vajos ose çfarë u zgjodh Jezu Krishti që të bënte? (Ai u vajos nga Ati Qiellor për të qenë “Profeti …, Prift[i], Mbret[i] dhe Çlirimtar[i]” ynë [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mesia”, (f. 116), scriptures.lds.org; shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta “Vajosur(i) I”, (f. 202)].)

Mateu 1:18–25

Një engjëll i shpall Jozefit atësinë hyjnore të Jezusit

Shpjegoni se Mateu 1:16 përmend gjithashtu se Maria ishte gruaja e Jozefit. Sipas Mateut 1:18, Jozefi dhe Maria i qenë premtuar njëri-tjetrit. Kjo do të thotë që ata ishin të fejuar ose të bashkuar me vlesë dhe ligjërisht të lidhur me njëri-tjetrin, por që ende nuk jetonin së bashku si burrë e grua. Mirëpo, përpara dasmës, Jozefi mësoi se Maria ishte shtatzënë. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 1:19. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që kishte ndërmend të bënte Jozefi.

  • Çfarë kishte ndërmend të bënte Jozefi kur mësoi se Maria ishte shtatzënë? (Shpjegoni se “ta linte fshehtas” do të thotë se Jozefi planifikoi ta anulonte fejesën në fshehtësi, pa e detyruar Marien të përballej me poshtërimin publik apo ndëshkimin e mundshëm me goditje me gurë.)

  • Çfarë na mëson ky varg rreth karakterit të Jozefit?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 1:20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që i ndodhi Jozefit kur ai po merrte parasysh t’i jepte fund fejesës me Marien.

  • Përse i tha engjëlli Jozefit që të mos kishte frikë të vazhdonte ta bënte martesën e tij me Marien?

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë frazën “nga Frymën e Shenjtë” / “vepër e Frymës së Shenjtë” (Mateu 1:18, 20), ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

“Ashtu si Jezusi është me të vërtetë Biri i Maries, po kështu është Ai pasardhësi vetjak dhe i drejtpërdrejtë i Perëndisë, Atit të Amshuar. … Thënia e Mateut, ‘mbeti shtatzënë nga Frymën e Shenjtë’, e përkthyer si duhet do të ishte, ‘mbeti shtatzënë nga fuqia e Frymës së Shenjtë’. (Mateu 1:18.) … Alma e përshkruan përsosmërish ngjizjen dhe lindjen e Zotit tonë duke profetizuar: Krishti ‘do të lindet nga Maria, … ajo duke qenë virgjëreshë, një enë e çmueshme dhe e zgjedhur, që do të jetë e mbuluar nga hija dhe do të mbetet shtatzënë nga fuqia e Frymës së Shenjtë dhe do të lindë një djalë, po, madje Birin e Perëndisë’. (Alma 7:10.)” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:82.)

  • Çfarë mësojmë rreth prindërve të Jezusit nga këto mësime? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Jezu Krishti është Biri hyjnor i Atit Qiellor dhe i Maries. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë doktrinë në anë të faqes të shkrimeve të tyre të shenjta pranë Mateut 1:18–25.)

Referojuni fotografisë së prindërve tuaj dhe përsëritni disa nga tiparet që keni trashëguar prej tyre. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhejms E. Talmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojuni studentëve të mbajnë vesh për arsyen përse është e rëndësishme të kuptojmë që Jezusi është Biri hyjnor i Atit Qiellor dhe i Maries.

Pamja
Plaku Xhejms E. Talmixh

“Ai Fëmijë që do të lindej nga Maria ishte pasardhësi i Elohimit, Atit të Amshuar. … Në karakterin e Tij do të ndërthureshin fuqitë e Perëndishmërisë me zotësinë dhe aftësitë e vdekshmërisë. … Fëmija Jezus do të trashëgonte tiparet, prirjet dhe fuqitë fizike, mendore dhe shpirtërore që i karakterizonin prindërit e Tij – njëri i pavdekshëm dhe i lavdishëm – Perëndia, tjetri njerëzor – gruaja” (Jesus the Christ, bot. i 3-të [1916], f. 81).

  • Çfarë tiparesh trashëgoi Jezusi nga Ati i Tij? Çfarë tiparesh trashëgoi Ai nga nëna e Tij?

Shpjegoni se ngaqë Jezusi ishte Biri i një Ati të pavdekshëm dhe i një nëne të vdekshme, Ai kishte aftësinë për të jetuar përjetësisht nëse Ai e vendoste atë, si edhe aftësinë për të vdekur. Kjo natyrë hyjnore e cilësoi Atë, dhe vetëm Atë, të ishte në gjendje të vuante për mëkatet tona, të vdiste në kryq dhe të ringjallej.

Mateu 2:1-12

Dijetarët drejtohen për te Jezusi

Pamja
3 kuti të mbështjella

Paraqitni tri dhurata të mbështjella para klasës ose vizatoni një figurë të tri dhuratave në tabelë.

  • Kush i solli dhurata Shpëtimtarit pasi Ai lindi?

Shpjegoni se Ungjilli i Mateut është i vetmi Ungjill që përfshin një rrëfim për Dijetarët. Shpërndajeni provimin në vijim si një fletushkë ose shkruajini pyetjet në tabelë përpara fillimit të orës mësimore. Jepuni studentëve disa minuta kohë që të lexojnë pyetjet dhe të shkruajnë përgjigjet e tyre.

Pamja
fletushkë, Dijetarët

Sa njohuri keni për Dijetarët?

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 6

  1. Nga e dinin Dijetarët që Mesia kishte lindur?

  2. Përse dëshironin Dijetarët që ta gjenin Mesian?

  3. Nga e dinin krerët e priftërinjve dhe skribët se ku do të lindte Mesia?

  4. Çfarë dëshironte Herodi që të bënin dijetarët pasi ta gjenin Jezusin?

  5. Çfarë bënë Dijetarët në vend të kësaj?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Mateun 2:1–12, duke kërkuar përgjigjet e pyetjeve të provimit.

Ftojini disa studentë të tregojnë ndonjë gjë të re që mësuan për Dijetarët. Hollësi te vargu 11 dhe 16 sugjerojnë se mund të kishte kaluar një periudhë prej dy vitesh nga lindja e Jezusit, kur Dijetarët u drejtuan për te familja e shenjtë (Dijetarët e gjetën Jezusin në një shtëpi, jo në grazhd dhe Ai ishte “fëmijë”, jo foshnjë). Gjithashtu shpjegoni se arsyeja përse Herodi donte nga Dijetarët që t’i raportonin se në ç’vend do ta gjenin Mesian ishte që të mund ta vriste Atë (shih Mateu 2:13).

  • Si e ditën Dijetarët ku ta gjenin Mesian?

  • Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Dijetarëve që e kërkuan Shpëtimtarin? (Përgjigjet e studentëve mund të ndryshojnë, por ndihmojini ata të përcaktojnë parimin vijues: Nëse e kërkojmë me sinqeritet dhe zell Shpëtimtarin, ne do të udhëhiqemi për tek Ai.)

  • Si mund ta kërkojmë me zell Shpëtimtarin?

  • Çfarë bënë Dijetarët pasi e gjetën Shpëtimtarin? Përse? (Një qëllim i dhënies së dhuratave Shpëtimtarit ishte për ta adhuruar Atë.)

  • Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Dijetarëve që i dhanë dhurata Shpëtimtarit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ne mund ta adhurojmë Zotin duke i dhënë dhurata domethënëse Atij.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si ne mund t’i japim dhurata domethënëse Shpëtimtarit, kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Në kohët e lashta, kur njerëzit dëshironin të adhuronin Zotin dhe të kërkonin bekimet e Tij, ata shpesh sillnin një dhuratë. …

A ka diçka brenda jush ose në jetën tuaj që është e papastër ose e padenjë? Kur hiqni dorë prej saj, ajo është një dhuratë për Shpëtimtarin. A ka ndonjë zakon apo cilësi të mirë që po mungon në jetën tuaj? Kur e merrni atë dhe e bëni pjesë të karakterit tuaj, ju po i jepni një dhuratë Zotit. Ndonjëherë kjo është e vështirë për t’u bërë, por a do të ishin dhuratat tuaja të pendimit dhe bindjes dhurata të denja nëse nuk do t’ju kushtonin asgjë?” (“When Thou Art Converted”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 12).

  • Çfarë mund t’i japim ne Shpëtimtarit si dhurata domethënëse?

Ftojini studentët të përsiatin thënien e Plakut Kristoferson dhe të marrin parasysh dhuratat që ata ndiejnë se duhet t’i japin Shpëtimtarit. Jepuni atyre fletë të vogla letre që të shkruajnë idetë e tyre. Ftojini që të planifikojnë mënyrën se si do t’ia japin këto dhurata Jezu Krishtit.

Mateu 2:13–23

Jozefi, Maria dhe Jezusi ikin për në Egjipt

Shpjegoni se sipas Mateut 2:13–23, Herodi u zemërua pasi Dijetarët “u kthyen në vendin e tyre” (Mateu 2:12) pa i treguar atij se ku ishte Mesia. Duke shpresuar që ta vriste Mesian, ai urdhëroi që të vriteshin të gjithë fëmijët nga dy vjeç e poshtë në Bethlehem dhe në rajonin përreth.

Lexojeni me zë të lartë Mateun 2:13–14. Vërini studentët t’ju ndjekin, duke kërkuar mënyrën se si Jozefi diti se çfarë të bënte që ta mbronte familjen e tij. Ftojini studentët të raportojnë ato që gjejnë.

  • Ku e mori Jozefi Marien dhe Jezusin?

Përmblidheni Mateun 2:15–23 duke shpjeguar se Jozefi, Maria dhe Jezusi qëndruan në Egjipt derisa Herodi vdiq. Perëndia e udhëzoi Jozefin nëpërmjet ëndrrave ta kthente familjen përsëri në Izrael dhe ata u vendosën në qytetin e Nazaretit.

  • Si e bekoi jetën e të tjerëve ndjeshmëria e Jozefit ndaj gjërave shpirtërore?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga Jozefi? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse jemi të ndjeshëm ndaj Shpirtit, ne mund të marrim zbulesë dhe udhërrëfim.)

Ftojini studentët të përsiatin atë që mund të bëjnë për të qenë më të ndjeshëm ndaj Shpirtit. Nxitini ata që të vënë një qëllim për të vepruar sipas çdo mbrese që marrin.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mateu 1:1–17. Gjenealogjia e Jezusit

“Jezusi nuk ishte biri i Jozefit, por gjenealogjia e Jozefit është në thelb gjenealogjia e Maries, pasi ata qenë kushërinj; Jezusi trashëgoi nga nëna e Tij, Maria, gjakun e Davidit dhe rrjedhimisht të drejtën për fronin e Davidit. Jezusi lindi në një linjë mbretërore dhe ashtu siç ka shpjeguar Plaku Xhejms E. Talmixh: ‘Nëse Juda do të kishte qenë një komb i lirë dhe i pavarur, i sunduar nga sovrani i saj me të drejtë, Jozef marangozi do të kishte qenë mbreti i saj i kurorëzuar; dhe pasuesi i tij i ligjshëm në fron do të kishte qenë Jezusi i Nazaretit, Mbreti i Judenjve’ [Jesus the Christ, bot. i 3-të (1916), f. 87; shih edhe Jesus the Christ, f. 83–86, 89–90; Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. (1965–1973), 1:94–95]” (Jeta dhe Mësimet e Jezusit dhe të Apostujve të Tij, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 1979], f. 19).

Mateu 1:18. “Maria … i ishte premtuar Jozefit”

Në Izraelin e lashtë, martesa midis një të riu dhe një të reje rregullohej dhe ujdisej nga krerët e familjeve përkatëse – zakonisht etërit. Sapo një grua e mundshme përcaktohej nga i ati i dhëndrit ose kryefamiljari, fillonin bisedimet. Ato përqendroheshin, por nuk kufizoheshin, te madhësia e ‘çmimit të nuses’, një lloj prike që i paguhej si këmbim familjes së nuses nga i ati i dhëndrit ose kreu i familjes. Pasi bihej dakord për martesën, martesa përbëhej nga dy faza: fejesa (e quajtur edhe premtimi ndaj njëri-tjetrit; shih Mateu 1:18) dhe një ceremoni martese.

Fejesa nga ana ligjore dhe fetare ishte më domethënëse sesa ceremonia martesore pasuese, pas të cilës çifti fillonte të jetonte së bashku. Fejesa konsiderohej si pjesa përfundimtare e një besëlidhjeje solemne. Ajo mbarte forcën e një besëlidhjeje që duhej respektuar ndërmjet palëve që i druheshin Perëndisë (shih Zanafilla 2:24; Ezekiel 16:8; Efesianëve 5:21–33). Ndonëse çiftet e fejuara shiheshin nga ana ligjore si burrë e grua (shih Ligji i Përtërirë 22:23–24), ndërmjet kohës së fejesës dhe ceremonisë së martesës, imponohej një kod i rreptë dëlirësie (shih Mateu 1:18, 25).

Mateu 1:18–25. Ndjeshmëria shpirtërore e Jozefit

“Kur Maria u pa se mbarte një fëmijë, Jozefi, duke e ditur se nuk ishte i ati, kishte disa mundësi. Së pari, ai mund ta kishte nënshtruar Marien ndaj një ndarjeje publike dhe ndoshta edhe ekzekutimi, pasi njerëzit do të kishin menduar se Maria ishte fajtore për kurorëshkelje – një krim që dënohej me vdekje sipas ligjit të Moisiut (shih Levitiku 20:10; Gjoni 8:5). Së dyti, Jozefi mund të kishte bërë që fejesa e tij me Marien të anulohej në fshehtësi para dy dëshmitarëve. Një mundësi e tretë ishte që të vijonte me martesën. Jozefi kishte prirje të tregonte mëshirë ndaj Maries duke e anuluar pa zhurmë marrëveshjen e fejesës (shih Mateu 1:19). Sidoqoftë, kur u sigurua nga një engjëll se fëmija i Maries ishte Biri i Perëndisë, Jozefi zgjodhi që të martohej me të, ndonëse bërja e kësaj mund të kishte sjellë turp dhe tallje publike ndaj tij (shih Mateu 1:20–25; Lluka 3:23; Gjoni 8:41).

Gerald N. Land, i cili më vonë u bë anëtar i Të Shtatëdhjetëve, diskutoi mbi vegimet dhe ndjeshmërinë shpirtërore të Jozefit: ‘Mateu na tregon se [Jozefi] ishte me prejardhje nga Mbreti David, se ai ishte një njeri i drejtë dhe i kujdesshëm, që në ëndërr një engjëll i tha se cili do të ishte Jezusi, që Jozefi qe i bindur dhe se i vuri emrin Jezusit, që do të thotë shpëtimtar. (Shih Mateu 1.) Ne e dimë se ai e mori Marien në Bethlehem, ku u lind Jezusi. (Shih Lluka 2:4–6.) Në më pak se dy vjet më vonë, Jozefi e mori familjen e tij në Egjipt për t’i shpëtuar Herodit, pasi u paralajmërua në një ëndërr. Në Egjipt, përsëri në një ëndërr iu tha se në ç’kohë të kthehej dhe në një ëndërr tjetër iu tha të shkonte në Galile. (Shih Mateu 2:13–15, 19–22.) Katër ëndrra nga Perëndia! Jozefi duhet të ketë qenë një njeri jashtëzakonisht vegimtar dhe i ndjeshëm shpirtërisht’ (Jesus Christ, Key to the Plan of Salvation [1991], f. 51–52)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 13–14).