Biblioteka
Hyrje te Letra e Parë e Palit drejtuar Timoteut


Hyrje te Letra e Parë e Palit drejtuar Timoteut

Përse të studiohet ky libër?

Te 1 Timoteut ne lexojmë se Pali e këshilloi Timoteun, një udhëheqës të Kishës në Efes, që të sigurohej nëse po jepej mësim doktrina e shëndoshë dhe të mos i lejonte gënjeshtrat e përhapura që t’i shpërqendronin nga mësimet e ungjillit. Ai e mësoi Timoteun për detyrat e peshkopit dhe dhjakut dhe trajtoi cilësimet e atyre që shërbejnë në këto pozicione. Pali e shprehu edhe njëherë mirënjohjen e tij të thellë për mëshirën që kishte marrë nga Jezu Krishti kur ishte kthyer në besim. Studimi i 1 Timoteut mund t’i ndihmojë studentët ta rritin ndërgjegjësimin e tyre për rëndësinë e mësimdhënies së doktrinës së shëndoshë në Kishë. Studentët gjithashtu mund ta thellojnë vlerësimin e tyre për mëshirën e Shpëtimtarit dhe për rolin e rëndësishëm të peshkopëve dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës.

Kush e shkroi këtë libër?

Pali shkroi 1 Timoteut (shih 1 Timoteut 1:1).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Letra e Parë e Palit drejtuar Timoteut ka të ngjarë të jetë shkruar diku mes viteve 64 e 65 ps.K., me gjasë ndërkohë që Pali ishte në Maqedoni (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta “Letra të Palit”, f. 101, scriptures.lds.org; 1 Timoteut 1:3). Përpara se ta shkruante këtë letër, Pali ishte liruar nga burgimi i tij dyvjeçar në Romë (arrest shtëpie) dhe kishte të ngjarë të ketë udhëtuar sa gjerë e gjatë, duke vizituar rajone ku më parë kishte krijuar degë të Kishës (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, f. 101).

Për kë u shkrua ai dhe përse?

Pali ia shkroi këtë letër Timoteut, i cili kishte shërbyer me Palin gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar (shih Veprat e Apostujve 16:3). Në vijim të misionit të tyre, Timoteu vazhdoi të ishte një misionar besnik dhe një udhëheqës i Kishës (shih Veprat e Apostujve 19:22; Filipianëve 2:19) dhe një nga shokët më të besuar të Palit (shih 1 Korintasve 4:17). Pali iu drejtua Timoteut si “biri … [i tij i] vërtetë në besim” (1 Timoteut 1:2). I ati i Timoteut ishte një grek johebre, por ai kishte një nënë dhe një gjyshe të drejtë judease, të cilat e kishin mësuar dhe e kishin ndihmuar atë që t’i mësonte shkrimet e shenjta (shih Veprat e Apostujve 16:1; 2 Timoteut 1:5; 3:15).

Në kohën që u shkrua kjo letër, Timoteu po shërbente si një udhëheqës i Kishës në Efes (shih 1 Timoteut 1:3). Pali la të kuptonte se disa anëtarë dyshuan tek aftësitë udhëheqëse të Timoteut ngaqë ishte i ri [në moshë] (shih 1 Timoteut 4:12). Pali synonte që ta vizitonte Timoteun personalisht, por ai nuk ishte i sigurt nëse do të ishte në gjendje ta bënte këtë (shih 1 Timoteut 3:14; 4:13). Pali ia shkroi letrën e tij Timoteut që ta ndihmonte udhëheqësin e ri të Kishës për t’i kuptuar më mirë detyrat e tij.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Letrat e Palit të njohura si 1 Timoteut, 2 Timoteut dhe Titit shpesh janë quajtur letra apostolike, ngaqë përmbajnë këshillat e Palit drejtuar pastorëve ose udhëheqësve të Kishës (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, f. 101). Pastor vjen nga fjala latine për “bari”.

Pali sugjeroi udhëzime për ta ndihmuar Timoteun të përcaktonte kandidatë të denjë për të shërbyer si peshkopë ose dhjakë (shih 1 Timoteut 3). Udhëzimet e Palit ndihmuan të vihej në dukje përgjegjësia e udhëheqësve të Kishës që të siguronin për nevojat materiale dhe shpirtërore të anëtarëve (shih 1 Timoteut 5). Pali trajtoi edhe idenë e gënjeshtërt tipike për ateizimin – bindjen se shpirtshmëri më e madhe mund të përftohet nëpërmjet vetëmohimit të rreptë. Për shembull, Pali paralajmëroi se disa anëtarë të Kishës do ta refuzonin martesën dhe do të nxitnin bindjen se ajo duhej të ndalohej (shih 1 Timoteut 4:1–3). Për ta kundërshtuar këtë dhe ndikime të tjera heretike, Pali i dha udhëzime Timoteut që të jepte mësim doktrinën e shëndoshë (shih 1 Timoteut 1:3–4, 10; 4:1–6, 13, 16).

Përmbledhje

1 Timoteut 1 Pali paralajmëron për mësimet e rreme. Ai e përlëvdon Zotin Jezu Krisht, i cili i shtriu mëshirë të madhe për ta shpëtuar atë. Pali i drejtohet vetes si “i pari” (1 Timoteut 1:15), ose më i keqi, ndër mëkatarët, duke përmendur kundërshtimin e tij ndaj të krishterëve përpara kthimit të tij në besim. Pali i siguron të tjerët se mëshira e Krishtit do t’i ndihmojë edhe ata.

1 Timoteut 2–3 Pali jep mësim rreth nevojës për t’u lutur dhe për të adhuruar siç duhet. Ai jep mësim se Jezu Krishti është shpërblesa për të gjithë dhe se është Ndërmjetësi ynë me Atin. Ai i udhëzon burrat dhe gratë se si të sillen gjatë adhurimit. Ai përvijon cilësimet për peshkopët dhe dhjakët. Ai shpjegon se misteri i perëndishmërisë është denjimi i Jezu Krishtit, jeta e Tij e përsosur në tokë dhe Ngritja e Tij [në Qiell] me lavdi.

1 Timoteut 4 Pali e paralajmëron Timoteun që disa njerëz do të mashtroheshin nga mësimet e rreme lidhur me martesën dhe praktikat dietike. Ai flet për rëndësinë e martesës dhe për ushqimet e krijuara nga Perëndia që të merren me falënderim. Pali e mëson Timoteun si t’i trajtojë mësimet e rreme në kohën e tij dhe ato që do të vinin së shpejti.

1 Timoteut 5–6 Pali i jep Timoteut udhëzime për ta ndihmuar atë t’i shërbejë nevojave të të moshuarve, të rinjve, të vejave, pleqve dhe skllevërve. Pali i jep Timoteut një përshkrim të mësuesve të rremë. Ai paralajmëron se “lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave” (1 Timoteut 6:10) dhe e udhëzon Timoteun lidhur me mënyrën se si shenjtorët mund ta marrin jetën e përjetshme.