Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Jakob 2 –1 Pjetër 5 (Njësia 29)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Jakob 21 Pjetër 5 (Njësia 29)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhja e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve që studentët i mësuan ndërsa studiuan Jakobin 21 Pjetrin 5 (njësia 29), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Jakob 2–3)

Nga mësimet e Jakobit në këta kapituj, studentët mësuan se dishepujt besnikë të Jezu Krishtit i duan të gjithë njerëzit pavarësisht nga rrethanat e tyre dhe nëse kryejmë qoftë edhe një mëkat, ne bëhemi fajtorë përpara Perëndisë. Ata mësuan gjithashtu se besimi i vërtetë në Jezu Krisht tregohet me anë të veprave tona të drejta. Ndërsa ata studiuan mësimet e Jakobit rreth kontrollimit të fjalëve tona, studentët zbuluan se të mësuarit për të kontrolluar atë që ne themi mund të ketë një ndikim të madh në jetën tonë dhe se pasuesit e Perëndisë përpiqen ta përdorin gjuhën e tyre për qëllime të drejta, jo për të përhapur të liga.

Dita 2 (Jakob 4–5)

Kur studentët i studiuan këta kapituj te Jakobi, ata mësuan të vërtetën vijuese: Kur afrohemi më pranë Perëndisë, Ai do të afrohet me ne. Nëse dimë të bëjmë mirë, por zgjedhim të mos e bëjmë atë, ne kryejmë mëkat. Nëpërmjet lutjes me besim dhe fuqisë së priftërisë, të sëmurët mund të shërohen.

Dita 3 (1 Pjetër 1–2)

Gjatë studimit të tyre të mësimeve të Pjetrit, studentët mësuan të vërtetat vijuese: Ndonëse përjetojmë prova, ne mund të gëzohemi në Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe në bekimet e ardhshme që Perëndia ka premtuar të na japë. Besimi ynë në Jezu Krisht sprovohet dhe përmirësohet ndërsa i durojmë provat me besnikëri. Ne shëlbohemi nëpërmjet gjakut të çmuar të Jezu Krishtit. Për shkak se Jezu Krishti jetoi një jetë të pamëkatë, Ai mund ta jepte Veten si një flijim i përsosur për ne. Jezu Krishti u parashugurua që të ishte Shëlbuesi ynë. Perëndia i thërret shenjtorët e Tij të jenë të veçuar dhe të ndryshëm nga bota, në mënyrë që të tjerët të mund ta shohin shembullin e tyre dhe ta lëvdojnë Atë. Ne mund ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke i përballuar provat me durim.

Dita 4 (1 Pjetër 3–5)

Nga nxitja e Pjetrit për shenjtorët e kohës së tij, studentët mësuan se si pasues të Jezu Krishtit, ne duhet të përpiqemi të jemi gjithnjë gati për t’i treguar dhe mbrojtur bindjet tona me butësi e nderim. Studentët mësuan gjithashtu se ungjilli u predikohet atyre njerëzve që kanë vdekur, në mënyrë që ata të mund të kenë të njëjtat mundësi si njerëzit që e dëgjojnë ungjillin në vdekshmëri. Pjetri dha mësim se udhëheqësit e Kishës kanë përgjegjësinë që të kujdesen dhe ta ruajnë tufën e Perëndisë me dashuri dhe me anë të shembullit.

Hyrje

Apostulli Jakob qartësoi disa keqkuptime midis shenjtorëve rreth asaj çka është besimi i vërtetë. Ai dha mësim edhe për marrëdhënien midis besimit dhe veprave.

Sugjerime për Mësimdhënien

Jakob 2:14–26

Jakobi jep mësim rreth rolit të besimit dhe veprave në shpëtimin tonë

Ftojini studentët të hamendësojnë sikur një i ri e ka pranuar se ka mëkatuar. Ai beson në Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe në aftësinë e Shpëtimtarit për ta shpëtuar atë. Ai thotë se gjithçka që duhet të bëjë është të besojë dhe Zoti do ta falë atë, pa bërë asnjë përpjekje nga ana e tij.

Kërkojuni studentëve të marrin në shqyrtim nëse vetëm bindja e këtij të riu është e mjaftueshme që ai të falet për mëkatet e tij.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin 2:14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar pyetjen që Jakobi u bëri shenjtorëve rreth besimit.

  • Çfarë pyetjeje u bëri Jakobi shenjtorëve rreth besimit?

  • Si mendoni ju, ç’lloj veprave po u referohej Jakobi?

Kujtojuni studentëve që kur studiuan mësimin mbi Jakobin 2, ata mësuan se Apostulli Jakob po korrigjonte një ide të rreme për besimin. Disa njerëz e kishin keqkuptuar besimin sikur të ishte thjesht një shprehje gojore e bindjes. Në kontekstin e Jakobit 2:14, Jakobi e përdori termin vepra ndryshe nga sa e kishte përdorur Apostulli Pal. Kur Pali e përdori fjalën vepra, ai iu referua veprave të ligjit të Moisiut. Kur Jakobi e përdori fjalën vepra, ai iu referua veprimeve të përkushtimit apo veprave të drejtësisë.

Shpjegoni se Jakobi përdori një analogji për të ilustruar përgjigjen për pyetjen e tij në vargun 14.

Ftojini dy studentë të dalin përpara klasës. Kërkojini njërit prej studentëve që të hiqet si një lypës i cili përgjërohet për ushqimin, veshjen dhe strehimin që atij apo asaj i nevojitet për të mbijetuar. Ftojeni studentin tjetër të veprojë si dikush që mund ta ndihmojë lypësin. Ftojeni një student të tretë që të lexojë me zë të lartë Jakobin 2:15–16, ndërkohë që dy studentët e tjerë interpretojnë me role atë që përshkruhet në këto vargje.

  • Çfarë ka të gabuar me përgjigjen që iu dha studentit lypës?

  • A do të ishte e mjaftueshme përgjigjja e studentit tjetër për ta ndihmuar një lypës?

Ftojeni klasën të lexojnë me zë të lartë ose të thonë përmendsh së bashku Jakobin 2:17–18, duke kërkuar atë që dha mësim Jakobi rreth besimit. Kujtojuni atyre se Jakobi 2:17–18 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë.

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë “besimi; në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete” (vargu 17)?

  • Si na ndihmon analogjia e Jakobit për lypësin që të kuptojmë domethënien e kësaj fraze?

  • Sipas vargut 17, çfarë të vërtete dha mësim Jakobi për besimin e vërtetë në Jezu Krisht? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Besimi i vërtetë në Jezu Krisht tregohet me anë të veprave tona të drejta. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin 2:19–20. Shpjegoni se Përkthimi prej Joseph Smith-it i Jakobit 2:19 thotë: “Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen; ti e ke bërë veten të ngjashëm me ta, duke mos qenë i shfajësuar”. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar shembullin që përdori Jakobi për të treguar se të kesh një bindje për Perëndinë nuk përfshin domosdoshmërisht të kesh besim në Perëndi.

  • Çfarë shembulli përdori Jakobi për të treguar se të kesh një bindje për Perëndinë nuk përfshin domosdoshmërisht të kesh besim në Perëndi?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Besimi i vërtetë përqendrohet në dhe te Zoti Jezu Krisht dhe gjithnjë të çon në veprim të drejtë. … Vetëm veprimi nuk është besim te Shpëtimtari, por veprimi në përputhje me parimet e drejta është një element kryesor i besimit. Kështu, ‘besimi pa vepra është i vdekur’ (Jakobi [Bibël] 2:20)” (“Kërkoni me Besim”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 95).

  • Sipas Plakut Bednar, cili është “një element kryesor i besimit”?

  • Pse është e rëndësishme të kuptojmë se besimi në Jezu Krisht nënkupton si të besuarit në Të edhe të vepruarit sipas parimeve të drejta?

Kujtojuni studentëve të riun në skenarin [që u tregua] në fillim të mësimit.

  • Si mund ta ndihmojë dikë që kërkon falje për mëkatet e tij ose të saj, të kuptuarit se besimi përfshin si bindje dhe veprim?

Përmblidheni Jakobin 2:21–26, duke shpjeguar se Jakobi iu referua Abrahamit dhe Rahabit si dy shembuj të njerëzve, besimi i të cilëve në Jezu Krishtin u tregua me anë të veprave të tyre. (Rrëfimi i gruas së guximshme, Rahabit, gjendet te Jozueu 2:1–22.)

Ftojini studentët të përdorin fletoret e klasës apo ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta për të shkruar rreth një rasti kur ata treguan besim në Jezu Krishtin nëpërmjet veprave të tyre dhe mbi mënyrën se si u bekuan që e bënë këtë. Nxitini studentët të përfshijnë dëshminë e tyre për Shpëtimtarin dhe mënyrën se si do ta tregojnë atë bindje nëpërmjet veprimeve të tyre. Kërkojuni disa studentëve që t’i tregojnë klasës atë që shkruan.

Ftojini studentët të marrin parasysh plot lutje mënyrën se si mund të ushtrojnë më shumë besim në Jezu Krisht duke iu bindur Atij. Nxitini ata të ndjekin çfarëdo mbrese që marrin.

Njësia Tjetër (2 PjetërJudë 1)

Pyetini studentët se përse ata mendojnë që njerëzit zgjedhin të mëkatojnë, edhe kur e dinë se është e gabuar. Ftojini ata që ndërsa studiojnë 2 Pjetrin deri te Juda gjatë javës së ardhshme, të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë për t’iu përgjigjur pyetjeve vijuese: Si mund ta shmangim të qenët të mashtruar nga doktrina e rreme? Çfarë tha Gjoni se do ta nxirrte jashtë frikën? Si duhet ta shprehim dashurinë tonë për Perëndinë? Çfarë cilësish të perëndishme duhet të zhvillojmë që të trashëgojmë jetë të përjetshme? Çfarë paralajmërimi u dha për ata me të cilët ne zgjedhim të shoqërohemi?