Biblioteka
Mësimi 128: 1 Thesalonikasve 3–5


Mësimi 128

1 Thesalonikasve 3–5

Hyrje

Apostulli Pal dëshironte që ta forconte besimin e anëtarëve thesalonikas të Kishës. Ai u mësoi atyre gjithashtu për Ringjalljen e të vdekurve në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit dhe u dha mësim për mënyrën se si të përgatiteshin për Ardhjen e Dytë.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Thesalonikasve 3–4:12

Pali dëshiron që ta forcojë besimin e anëtarëve thesalonikas të Kishës

Jepuni studentëve një kopje të pyetjeve me alternativa e vërtetë – e rremë sa më poshtë, lidhur me Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit dhe kërkojuni atyre të përzgjedhin përgjigjen e vërtetë ose e rremë pranë secilës pyetje:

Pamja
fletushkë

1 Thesalonikasve 3–5

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 128

  • V / Rr 1. Shenjtorët besnikë që vdesin përpara Ardhjes së Dytë nuk do të ringjallen deri në fund të Mijëvjeçarit.

  • V / Rr 2. Shenjtorët besnikë që janë gjallë në Ardhjen e Dytë do të rrëmbehen për ta takuar Krishtin kur Ai të vijë.

  • V / Rr 3. Ardhja e Dytë do ta befasojë çdokënd si një vjedhës natën.

Shpjegoni se ju nuk do t’ua jepni përgjigjet për pyetjet me alternativa në këtë fazë, por [vetë] studentët mund t’i zbulojnë përgjigjet e sakta gjatë mësimit të sotëm. Ftojini studentët të kërkojnë të vërteta për ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit teksa studiojnë 1 Thesalonikasve 3–5.

Kujtojuni studentëve se pas predikimit të ungjillit për një kohë të shkurtër në Thesaloniki, Pali, Sila dhe Timoteu u dëbuan nga qyteti prej udhëheqësve judeas (shih Veprat e Apostujve 17:5–15). Më vonë, Pali e dërgoi sërish Timoteun në Thesaloniki për të vëzhguar të kthyerit e rinj në besim dhe për të forcuar besimin e tyre. Te 1 Thesalonikasve 3:1–7 ne mësojmë që Timoteu i raportoi Palit se shenjtorët kishin qëndruar besnikë pavarësisht se kishin përjetuar përndjekje. Timoteu gjithashtu me gjasë raportoi se shenjtorët kishin shumë pyetje për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Pali e shkroi letrën e tij drejtuar shenjtorëve thesalonikas për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Thesalonikasve 3:9–10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se për çfarë tha Pali se u lut gjatë mospranisë së tij tek shenjtorët thesalonikas.

  • Për çfarë tha Pali se u lut gjatë mospranisë së tij?

  • Çfarë do të thotë fraza “të plotësojmë gjërat që … i mungojnë besimit tuaj” në vargun 10? (Pali dëshironte ta forconte besimin e anëtarëve të Kishës në Thesaloniki.)

Shpjegoni se një mënyrë që Pali u përpoq ta forconte besimin e anëtarëve thesalonikas të Kishës, ishte që t’i ndihmonte ata ta kuptonin më mirë se si të përgatiteshin për Ardhjen e Dytë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Thesalonikasve 3:11–13. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali shpresonte se do të bënte Zoti për shenjtorët, që t’i përgatiste ata për Ardhjen e Tij të Dytë.

  • Çfarë shpresonte Pali se do të bënte Zoti për t’i përgatitur shenjtorët për Ardhjen e Tij të Dytë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Thesalonikasve 4:1. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali i porositi shenjtorët në Thesaloniki të bënin, që të përgatiteshin për Ardhjen e Dytë.

  • Çfarë i porositi Pali shenjtorët në Thesaloniki të bënin, që të përgatiteshin për Ardhjen e Dytë?

Caktojini secilit student në klasë një nga referencat vijuese (në varësi të përmasave të klasës suaj, e njëjta referencë mund t’i caktohet më shumë se një studenti): 1 Thesalonikasve 4:2–5; 4:6–8; 4:9–12. Ftojini studentët të lexojnë referencat e caktuara atyre dhe t’u përgjigjen pyetjeve vijuese (ju mund të doni t’i shkruani këto pyetje në tabelë):

  • Çfarë i porositi Pali shenjtorët të bënin që t’i pëlqenin Zotit?

  • Si mendoni ju, në ç’mënyrë të jetuarit e atij mësimi do t’i ndihmonte ata të përgatiteshin për Ardhjen e Dytë?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.

1 Thesalonikasve 4:13–18

Pali jep mësim për Ringjalljen e të vdekurve në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit

Paraqiteni figurën Ardhja e Dytë (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 66; shih edhe LDS.org).

Pamja
Ardhja e Dytë

Shpjegoni se shenjtorët thesalonikas i keqkuptuan disa aspekte specifike të Ardhjes së Dytë. Ata u shqetësuan se mos anëtarët e Kishës në Thesaloniki, të cilët kishin vdekur, nuk do të ishin në gjendje t’i përjetonin bekimet e Ardhjes së Dytë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Thesalonikasve 4:13–14, 16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali dha mësim për shenjtorët besnikë të cilët vdesin përpara Ardhjes së Dytë. Shpjegoni se Pali përdori fjalët flenë dhe fjetur për t’iu referuar atyre që kanë vdekur.

  • Çfarë të vërtete dha mësim Pali rreth shenjtorëve besnikë të cilët vdesin përpara Ardhjes së Dytë? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Shenjtorët besnikë që vdesin përpara Ardhjes së Dytë, do të ringjallen kur Krishti të vijë sërish.)

  • Çfarë do të thotë fraza “Perëndia do të sjellë me të, me anë të Jezusit, ata që kanë fjetur” në vargun 14? (Shenjtorët besnikë që ringjallen në Ardhjen e Dytë do të rrëmbehen për ta takuar Jezu Krishtin dhe do të zbresin me Të në lavdi [shih DeB 88:97–98].)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Thesalonikasve 4:15, 17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth shenjtorëve besnikë, të cilët do të jenë gjallë kur Krishti të vijë sërish. Ftojeni studentin që të lexojë gjithashtu Përkthimi prej Joseph Smith-it në vargun 15, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]. Më pas ftojeni atë që të lexojë Joseph Smith Translation, [Përkthimi prej Joseph Smith-it] në vargun 17, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]. Ju mund të doni të vini në pah se Përkthimi prej Joseph Smith-it e zëvendëson përemrin vetor ne në këto vargje me përemrin ata, duke pasqyruar se Ardhja e Dytë nuk do të ndodhte në kohën e Palit.

  • Çfarë të vërtete dha mësim Pali rreth shenjtorëve besnikë të cilët do të jenë gjallë në Ardhjen e Dytë? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Shenjtorët besnikë që janë gjallë në Ardhjen e Dytë do të rrëmbehen për ta takuar Jezu Krishtin kur Ai të vijë.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 1 Thesalonikasve 4:18, duke kërkuar atë që Pali shpresonte se do të bënin shenjtorët pasi t’i kishin dëgjuar këto të vërteta për Ardhjen e Dytë. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

  • Çfarë ngushëllimi gjeni në këto doktrina për Ardhjen e Dytë?

1 Thesalonikasve 5

Pali u mëson anëtarëve thesalonikas të Kishës se si të përgatiten për Ardhjen e Dytë

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Thesalonikasve 5:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar dy analogjitë që përdori Pali për të përshkruar kohën e Ardhjes së Dytë.

  • Cilat janë dy analogjitë që përdori Pali për të përshkruar kohën e Ardhjes së Dytë? (“Një vjedhës natën” [vargu 2] dhe “grua[ja] shtatzënë” që ka dhembjet e lindjes [vargu 3].)

Shpjegoni se një vjedhës natën shpesh vjen “papritur dhe pa paralajmëruar” (Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:54).

  • Çfarë mendoni ju se na mëson Pali me analogjinë e vjedhësit natën rreth Ardhjes së Dytë?

  • Çfarë mendoni ju se na mëson Pali me analogjinë e gruas shtatzënë rreth Ardhjes së Dytë?

Pasi studentët t’u përgjigjen pyetjeve të mëparshme, ju mund të doni të vini në pah se Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa vijon lidhur me analogjinë e gruas shtatzënë gjatë lindjes: “Ajo nuk e di orën apo minutën e ardhjes së fëmijës në jetë, por ajo e di kohën e përafërt” (Doctrinal New Testament Commentary, 3:54). Bazuar në këtë analogji, ne mund të marrim parasysh edhe se si sprovat që i paraprijnë Ardhjes së Dytë janë të ngjashme me dhembjet e lindjes. Por sikurse ardhja e një foshnjeje në jetë është [diçka] e mrekullueshme, po ashtu do të jetë e mrekullueshme edhe Ardhja e Dytë për të drejtët.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Thesalonikasve 5:4–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar arsyen përse shenjtorët besnikë nuk do të befasohen nga Ardhja e Dytë.

  • Përse shenjtorët besnikë nuk do të befasohen nga Ardhja e Dytë?

  • Çfarë do të thotë të jemi “bij të dritës”? (Fraza “bij të dritës” në vargun 5 i referohet anëtarëve besnikë të Kishës, të cilët i “flaki[n] … veprat e errësirës” [Romakëve 13:12], kanë shoqërimin e Frymës së Shenjtë dhe si rrjedhojë do të jenë të përgatitur për Ardhjen e Dytë [shih DeB 106:4–5].)

  • Çfarë do të thotë të “rrimë zgjuar dhe të jemi të esëll”? (1 Thesalonikasve 5:6.)

  • Si do ta përmblidhnit atë që u mësoi Pali shenjtorëve thesalonikas rreth mënyrës se si të përgatiteshin për Ardhjen e Dytë? (Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Nëse jemi besnikë dhe rrimë zgjuar për shenjat që i paraprijnë Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit, atëherë ne do të jemi të përgatitur kur Ai të vijë sërish.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith dhe kërkojini klasës të dëgjojë për mënyrën se si ne mund të përgatitemi për Ardhjen e Dytë:

Pamja
Presidenti Jozef Filding Smith

“Toka është plot me gjëma, andralla. Zemrat e njerëzve po ligështohen. Ne i shohim shenjat sikurse shohim pemën e fikut të nxjerrë gjethet e saj; dhe duke ditur se koha është pranë, vlen për mua e për ju dhe për të gjithë njerëzit mbi faqen e tokës, që t’ua vëmë veshin fjalëve të Krishtit, apostujve të tij dhe të rrimë zgjuar, sepse ne nuk e dimë as ditën as orën” (Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 3:52–53).

  • Sipas Presidentit Smith, si mund të përgatitemi për Ardhjen e Dytë?

Ftojini studentët të rishikojnë thëniet e vërtetë – e rremë dhe përgjigjet që shkruan në fillim të orës mësimore.

  • Bazuar në të vërtetat që keni mësuar në këtë mësim, a do ta ndryshonit ndonjë nga përgjigjet tuaja? (Përgjigjet: [1] E rremë, [2] E vërtetë, [3] E rremë.)

Përmblidheni 1 Thesalonikasve 5:7–22 duke shpjeguar se Pali i këshilloi me tej shenjtorët mbi mënyrën se si të përgatiteshin për Ardhjen e Dytë.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 1 Thesalonikasve 5:12–22, duke kërkuar atë që Pali u këshilloi shenjtorëve të bënin për ta përgatitur veten dhe të tjerët që ta takonin Shpëtimtarin në Ardhjen e Tij të Dytë. Nxitini studentët të përzgjedhin një frazë këshille që u bën përshtypje. Ftojini studentët t’u përgjigjen pyetjeve vijuese në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani këto pyetje në tabelë.)

  • Cila këshillë nga 1 Thesalonikasve 5:12–22 ju bën përshtypje?

  • Si mund t’ju ndihmojë ju dhe të tjerët të jetuarit e kësaj këshille që të përgatiteni për Ardhjen e Dytë?

  • Si do ta nxitnit dikë që ta përdorë këtë këshillë në jetën e përditshme?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët t’ia tregojnë përgjigjet e tyre një shoku/shoqeje të klasës.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Thesalonikasve 5:23–24. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali tha se do të bënte Perëndia për shenjtorët e Tij besnikë ndërsa ata përgatiten për Ardhjen e Dytë.

  • Çfarë do të bëjë Perëndia për shenjtorët e Tij besnikë ndërsa ata përgatiten për Ardhjen e Dytë?

Mbylleni duke dëshmuar për të vërtetat e dhëna në këtë mësim dhe ftojini studentët të përgatiten me besnikëri për Ardhjen e Dytë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Thesalonikasve 4:17. “Rrëmbehemi bashkë”

“The Joseph Smith Translation, [Përkthimi prej Joseph Smith-it] për 1 Thesalonikasve 4:17 thotë: ‘Pastaj ata që janë gjallë, do të rrëmbehen bashkë retë me ata që kanë mbetur, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin’ (te 1 Thesalonikasve 4:17, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]). Shumë të krishterë përdorin fjalën rapture [rrok] (nga një term latin që do të thotë ‘rrëmbej’) kur i referohen kohës që të drejtët do të rrëmbehen për të takuar Shpëtimtarin në ardhjen e Tij” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 450).

1 Thesalonikasve 5:19. “Mos e shuani Frymën”

“Nga fundi i 1 Thesalonikasve, Pali dha disa lajme me këshilla praktike mbi mënyrën se si të përgatitemi për ardhjen e Zotit (shih 1 Thesalonikasve 5:6–23). Si pjesë të këshillës së tij, Pali u kërkoi shenjtorëve të ‘mos e shuani[n] Frymën’ (1 Thesalonikasve 5:19). Të mos e shuash Frymën do të thotë të mos e flakësh ose mbytësh ndikimin e Frymës së Shenjtë në jetën vetjake (shih edhe Efesianëve 4:30–31). Plaku Dejvid A. Bednar, [i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve,] vuri në pah se për ta shijuar plotësisht shoqërimin e Shpirtit, ne duhet t’i shmangim veprimtaritë që do ta largojnë Shpirtin prej nesh:

“‘Nëse ndonjë gjë që mendojmë, shikojmë, dëgjojmë ose bëjmë na largon nga Fryma e Shenjtë, atëherë ne duhet të reshtim së menduari, së shikuari, së dëgjuari ose së bëri atë gjë. Për shembull, nëse ajo që ka për qëllim të na argëtojë, na largon nga Shpirti i Shenjtë, atëherë me siguri ky lloj argëtimi nuk është për ne. Duke qenë se Shpirti nuk pajtohet me atë që është vulgare, e vrazhdë ose jomodeste, atëherë me siguri që të tilla gjëra nuk janë për ne. Meqë ne e tëhuajmë Shpirtin e Zotit kur përfshihemi në veprimtari që e dimë se duhet t’u shmangemi, atëherë gjëra të tilla pa dyshim nuk janë për ne.

… Teksa zhytemi gjithnjë e më tepër në Shpirtin e Zotit, ne duhet të përpiqemi të dallojmë mbresat kur na vijnë dhe ndikimet ose ngjarjet që na bëjnë ta largojmë veten nga Fryma e Shenjtë’ (‘Që të Mund ta Kemi Gjithmonë me Vete Shpirtin e Tij’, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 30)” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 451; Konferenca e Përgjithshme, prill 2006, f. 49, 50).

1 Thesalonikasve 5:20–21. “Provoni të gjitha, mbani të mirën”

Si anëtarë të Kishës, ne jemi këshilluar ta analizojmë dhe t’i provojmë (ose vëmë në provë) gjërat që lexojmë, dëgjojmë ose që janë dhënë mësim. Presidenti Jozef Filding Smith dha mësim se ne mund ta vëmë në provë të vërtetën e asaj që kemi lexuar, dëgjuar ose na është mësuar, duke e krahasuar atë me mësimet e fjalëve të Perëndisë në veprat standarde (shih Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 3:203). Nëse ajo që lexojmë, dëgjojmë ose na mësohet nuk është në përputhshmëri me fjalët e Perëndisë që gjenden në shkrimet e shenjta ose fjalët e profetëve dhe apostujve të Tij të gjallë “për sa kohë përputhen me … veprat standarde” atëherë ne kemi përgjegjësinë ta refuzojmë atë si të pavërtetë (Joseph Fielding Smith, Doctrines of Salvation, 3:203). Nëse është e vërtetë, atëherë ne kemi përgjegjësinë të jetojmë sipas atyre mësimeve.

1 Thesalonikasve 5:22. “Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë”

“Pali u mësoi shenjtorëve të hiqnin dorë nga çdo ‘dukje’ e ligë, ose me fjalë të tjera, nga të gjitha ‘llojet’ e liga (1 Thesalonikasve 5:22, poshtëshënimi b, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]). Drejtuesit e Kishës e kanë përdorur gjithashtu 1 Thesalonikasve 5:22 për të dhënë mësim se ne duhet ta shmangim dukjen sikur jemi duke bërë diçka të ligë. Për shembull, Presidenti Xhejms E. Faust, [i Presidencës së Parë,] dha mësim: ‘Unë ju nxit fuqishëm se në qoftë se në mendjen apo në zemrën tuaj ka ndonjë dyshim nëse sjellja juaj personale është e drejtë apo e gabuar, mos e bëni atë. Është përgjegjësia e profetëve të Perëndisë që ta japin mësim fjalën e Perëndisë, jo të përcaktojnë çdo pikë e presje të sjelljes njerëzore. Në qoftë se po përpiqemi me vetëdije ta shmangim jo vetëm të ligën, por çdo dukje të ligë, ne do të veprojmë nga vetja jonë dhe nuk do të lejojmë që e liga të veprojë mbi ne’ (‘The Devil’s Throat’, Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 51). Pali dha këshillë të ngjashme te 1 Korintasve 8:9–13” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 451).