Biblioteka
Mësimi 59: Lluka 24


Mësimi 59

Lluka 24

Hyrje

Ditën e tretë pas vdekjes së Jezu Krishtit, engjëjt në varr ia lajmëruan Ringjalljen e Tij një grupi grash. Kur e dëgjuan lajmin e grave, disa nga dishepujt e vunë në dyshim mundësinë e Ringjalljes së Shpëtimtarit. Dy dishepuj udhëtuan për në Emaus dhe, pa e njohur Zotin e ringjallur, folën me Të përgjatë udhës. Jezusi më vonë iu shfaq Apostujve të Tij dhe të tjerëve, u tregoi atyre trupin e Tij të ringjallur dhe i porositi ata që të predikonin pendim dhe të ishin dëshmitarë të Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Lluka 24:1–12

Engjëjt lajmërojnë një grup grash se Jezu Krishti është ringjallur

Shfaqni një pjesë të videos “Jesus Is Laid in a Tomb” [“Jezusi Vihet në një Varr]” nga The Life of Jesus Christ Bible Videos, [Video nga Bibla mbi Jetën e Jezu Krishtit] duke ndaluar përpara se engjëlli t’u flasë grave (kodi kohor 0:00–2:27). Kjo video gjendet në LDS.org.

Nëse nuk keni mundësi që ta shfaqni videon, ftojini studentët të përfytyrojnë sikur të kishin qenë te varri kur Jezusi u vendos atje dhe ta kishin parë gurin të rrokullisej përpara hyrjes. Kërkojuni atyre të përfytyrojnë mendimet dhe ndjenjat që mund të kishin patur atje. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 24:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që zbuluan gratë kur u kthyen te varri tre ditë më vonë.

Pasi të shfaqni një pjesë nga videoja ose të lexoni vargjet 1–4, bëni pyetjet:

  • Kë gjetën gratë te varri?

  • Si do të kishit reaguar nëse do të kishit parë engjëj të qëndronin në varrin e hapur?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 24:5–8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që engjëjt u thanë grave. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë.

Përmblidheni Llukën 24:9–10, duke shpjeguar se gratë u larguan nga varri dhe u thanë dishepujve atë që kishin parë e dëgjuar.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 24:11 dhe vëreni klasën të kërkojë reagimin e Apostujve ndaj fjalëve të grave. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë.

Shpjegoni se pasi e dëgjuan raportimin e grave, Pjetri dhe Gjoni vrapuan për te varri dhe zbuluan se trupi i Jezusit nuk ishte atje (shih Lluka 24:12; Gjoni 20:1–4).

Lluka 24:13–32

Zoti i ringjallur u flet dy dishepujve rrugës për në Emaus

Kërkojuni studentëve të përsiatin një rast kur ata, ashtu si dishepujt në këtë rrëfim, kanë patur vështirësi për ta besuar një koncept të ungjillit.

Shpjegoni se te Lluka 24:13, ne mësojmë se dy dishepuj u larguan nga Jeruzalemi “po atë ditë”, duke udhëtuar 10–12 kilometra “drejt një fshati, me emër Emaus”. Studimi i përvojës së tyre gjatë rrugës për në Emaus, mund të na ndihmojë të dimë se si ta forcojmë dëshminë tonë për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 24:14–17, dhe vëreni klasën të kërkojë se kush iu bashkua dy dishepujve ndërkohë që ata po ecnin.

  • Kush iu bashkua dishepujve ndërkohë që ata po udhëtonin?

  • Përse dishepujt nuk e njohën Jezusin? (Shpjegoni se fjala të penguar [vargu 16] do të thotë të kufizuar ose të mbuluar.)

Shfaqni videon “Christ Appears on the Road to Emmaus” [“Krishti Shfaqet Rrugës për në Emaus”] (03:32) nga The Life of Jesus Christ Bible Videos [Video nga Bibla mbi Jetën e Jezu Krishtit], e cila gjendet në LDS.org. Vërini studentët të kërkojnë atë që mësuan dishepujt nga Jezusi ndërsa ecnin me Të pa e njohur se kush ishte Ai. Përpara se ta shfaqni videon, shpjegoni se dialogu në video është nga Lluka 24:17–33, në mënyrë që studentët të mund ta ndjekin njëkohësisht me shkrimet e shenjta nëse duan ta bëjnë këtë. (Nëse nuk keni mundësi për ta shfaqur videon, ftojini studentët të lexojnë me radhë me zë të lartë nga këto vargje.)

Vini në dukje se në këtë video, ne nuk e dëgjojmë atë që Jezusi u mësoi dishepujve ndërkohë që ata po ecnin. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 24:27, dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Jezusi u mësoi dishepujve.

  • Çfarë u mësoi Jezusi dishepujve? Çfarë mjeti përdori Ai për t’u dhënë mësim mbi Veten e Tij?

  • Sipas Llukës 24:32, si ndikuan te dy dishepujt mësimet e Shpëtimtarit nga shkrimet e shenjta?

  • Çfarë do të thotë që dishepujve “[iu] digjej zemra përbrenda”? (Fryma e Shenjtë dëshmoi se mësimet për Jezusin në shkrimet e shenjta ishin të vërteta.)

Ftojini studentët të përsiatin atë që dishepujt mund të kenë mësuar nga përdorimi i shkrimeve të shenjta nga ana e Jezusit për t’i mësuar ata, në vend që thjesht t’ua zbulonte se kush ishte Ai. Ju mund t’u kërkoni disa studentëve të tregojnë mendimet e tyre.

  • Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje rreth ndikimit të vetë studimit tonë të shkrimeve të shenjta? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani parimin vijues në tabelë: Kur i studiojmë shkrimet e shenjta, ne e ftojmë Frymën e Shenjtë që të na mësojë për Jezu Krishtin.)

  • Përveç një djegie në zemrën tonë, në ç’mënyrë tjetër do ta përshkruanit atë që ne mund të përjetojmë teksa Fryma e Shenjtë dëshmon për Jezu Krishtin?

Kërkojuni studentëve të gjejnë vendndodhjen e një shkrimi të shenjtë, që i ka ndihmuar ta ndiejnë Frymën e Shenjtë kur u ka dhënë mësim për Jezu Krishtin. Ftojini ata t’i tregojnë shkrimet e tyre të shenjta dhe ndikimet e asaj që kanë ndier. Ju gjithashtu mund të doni të tregoni një shkrim të shenjtë që ju ka ndihmuar juve personalisht.

Kujtojuni studentëve që edhe pse është e rëndësishme ta lexojnë Dhiatën e Re për kreditet e seminarit, është akoma edhe më e rëndësishme që t’i studiojnë shkrimet e shenjta në një mënyrë që Fryma e Shenjtë të mund ta forcojë dëshminë e tyre për Shpëtimtarin.

Jepni kopje të një libërshenjuesi që përmban thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (ose ftojini studentët ta shkruajnë thënien në një libërshenjues bosh):

Pamja
fletushkë, libërshenjues

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 59

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Qëllimi kryesor i gjithë shkrimit të shenjtë është që ta mbushë shpirtin tonë me besim te Perëndia, Ati, dhe te Biri i Tij, Jezu Krishti. …

… Besimi vjen nga dëshmia e Shpirtit të Shenjtë tek shpirti ynë, Shpirti ndaj shpirtit, ndërsa e dëgjojmë ose e lexojmë fjalën e Perëndisë. Dhe besimi piqet ndërsa ne vazhdojmë të ushqehemi me bollëk me fjalën. …

… Studiojini shkrimet e shenjta me kujdes, me një synim. Përsiatini dhe lutuni për to. Shkrimet e shenjta janë zbulesë dhe ato do të sjellin zbulesë të shtuar” (D. Tod Kristoferson, “Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 34, 35).

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien nga Plaku Kristoferson. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrat me anë të të cilave ata mund ta përmirësojnë studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta.

Ftojini studentët të vendosin një synim për t’i studiuar shkrimet e shenjta në mënyra që e ftojnë Frymën e Shenjtë ta shtojë besimin e tyre te Jezu Krishti dhe njohurinë e tyre për Të. Ju mund të sugjeroni që ata ta shkruajnë këtë synim në anën e prapme të libërshenjuesit, në mënyrë që të mund ta përdorin atë si një kujtues gjatë studimit të tyre të shkrimeve të shenjta.

Lluka 24:33–53

Jezusi u shfaqet dishepujve të Tij dhe u tregon atyre trupin e Tij të ringjallur

Ftojini dy studentë që t’i sjellin shkrimet e tyre të shenjta përpara klasës për të ndihmuar në interpretimin me role të një skene që portretizon misionarë që i afrohen derës së dikujt. Udhëzojini ata të trokasin. Hiquni sikur hapni një derë dhe përshëndetini ata. U thoni atyre të prezantojnë veten e tyre. Pasi ta kenë bërë këtë, thoni diçka të ngjashme me sa vijon:

“Kam një pyetje. Njoh shumë njerëz që nuk besojnë te jeta pas vdekjes. Disa prej tyre thonë se besojnë te Jezu Krishti, por nuk besojnë se Ai u ringjall me një trup fizik. Ata thonë se Ai vazhdoi të jetonte vetëm si shpirt. Çfarë besoni ju rreth Ringjalljes së Jezu Krishtit?”

Jepuni dy studentëve kohë për t’iu përgjigjur pyetjes.

Vini në dukje se Lluka 24:36–39 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe mund të ndihmojë për të na mësuar rreth Ringjalljes së vërtetë të Jezu Krishtit. Jepeni kontekstin për këtë fragment duke shpjeguar se dishepujt që ishin me Jezusin rrugës për në Emaus, u kthyen menjëherë në Jeruzalem dhe ua treguan përvojën e tyre Apostujve dhe dishepujve të tjerë (shih Lluka 24:33–35). Ndërsa ata po bisedonin, iu shfaq Shpëtimtari (shih vargun 36).

Ftojeni njërin prej studentëve që ndihmoi në interpretimin me role, të lexojë me zë të lartë Llukën 24:36–39. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar provën që Jezusi u ringjall me të vërtetë dhe ka një trup prej mishi e kockash.

Pamja
Jezusi Tregon Plagët e Tij
  • Çfarë i ftoi Jezusi dishepujt e Tij të bënin, për t’i ndihmuar të kuptonin se Ai nuk ishte thjesht një shpirt, por kishte një trup fizik? (Merrni parasysh të paraqitni figurën Jezusi Tregon Plagët e Tij [Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 60; shih edhe LDS.org].)

  • Si mendoni se do të ndiheshit nëse do të kishit qenë i pranishëm kur Krishti iu shfaq dishepujve të Tij?

Falënderojini studentët që ndihmuan në interpretimin me role dhe u kërkoni të ulen. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 24:40–43. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë tjetër bëri Jezusi për të treguar se Ai kishte një trup të prekshëm (ose fizik), të ringjallur.

  • Çfarë tjetër bëri Shpëtimtari që tregoi se Ai kishte një trup të ringjallur?

  • Çfarë doktrinash mund të mësojmë nga këto vargje? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi doktrinash, por sigurohuni që të theksojnë se Jezu Krishti ka një trup të ringjallur prej mishi dhe kockash. Shkruajeni këtë doktrinë në tabelë.)

  • Përse është e rëndësishme që kjo doktrinë të kuptohet dhe besohet?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese:

“Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit do të ringjallen – do të shpëtohen nga vdekja fizike (shih 1 Korintasve 15:22). Ringjallja është ribashkimi i shpirtit me trupin, në një gjendje të përkryer të pavdekshme, jo më i nënshtruar ndaj sëmundjes apo vdekjes (shih Alma 11:42–45). …

Një kuptueshmëri dhe dëshmi e ringjalljes mund t’ju japë shpresë dhe perspektivë ndërsa përjetoni sfidat, sprovat dhe triumfet e jetës. Ju mund të gjeni ngushëllim në sigurinë se Shpëtimtari jeton dhe se nëpërmjet Shlyerjes së Tij ‘ai këput rripat e vdekjes, që varri të mos ketë fitore dhe thumbi i vdekjes të gëlltitet në shpresat e lavdisë’ (Alma 22:14)” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 145–146).

  • Cilët janë disa shembuj të sprovave që shpresa e vetë ringjalljes sonë mund të na ndihmojë t’i durojmë?

Kërkojuni disa studentëve që të dëshmojnë për Ringjalljen e Shpëtimtarit dhe të shpjegojnë përse doktrina e Ringjalljes është e rëndësishme për ta.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 24:44–53. Kërkojini klasës t’i vënë veshin fjalëve të Shpëtimtarit, sikur ata të kishin qenë pjesë e grupit të dishepujve që ishin me Të dhe të marrin në shqyrtim se cilat mësime mund të kenë qenë më kuptimplotat për ta. Ftojini disa studentë që të tregojnë mendimet e tyre rreth mësimeve në këto vargje.

Përfundoni duke dëshmuar për të vërtetat që keni diskutuar.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Lluka 24:36–39

Për t’i ndihmuar studentët të mësojnë përmendsh Llukën 24:36–39, ndajeni klasën në katër grupe. Caktojini secilit grup një varg të ndryshëm nga ky fragment dhe udhëzojini studentët në secilin grup, që të punojnë së bashku për të mësuar përmendsh vargun e caktuar atyre. Pas disa minutash, kërkojini secilit grup të thonë përmendsh vargun e caktuar atyre sipas rendit të vargjeve. Ju mund të doni t’i ftoni studentët që t’i thonë përsëri përmendsh vargjet e tyre, për disa orë mësimore, derisa i gjithë fragmenti të bëhet i njohur për çdokënd.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Lluka 24:11. “Ata nuk u besuan atyre”

Lluka tregon se ishte e vështirë që njëmbëdhjetë Apostujt t’i besonin grave që dëshmuan se Jezusi ishte ngritur nga varri. Megjithëse individë të tjerë u ngritën përkohësisht nga vdekja, por në fund do të vdisnin sërish si të vdekshëm, Jezu Krishti ishte njeriu i parë që u ringjall. Presidenti Gordon B. Hinkli shpjegoi:

“Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Kishte patur veçse vdekje pa shpresë. Tani kishte jetë të përjetshme. Vetëm një Perëndi mund ta bënte këtë. Ringjallja e Jezu Krishtit ishte ngjarja e madhe kurorëzuese e jetës dhe misionit të Tij. Ishte guri qendror i Shlyerjes. Sakrifica e jetës së Tij për gjithë njerëzimin nuk ishte e plotë pa ngritjen e Tij nga varri, me sigurinë e Ringjalljes për të gjithë ata që kanë ecur në tokë.

Ndër të gjitha fitoret e historisë njerëzore, asnjëra nuk ishte kaq e madhe, asnjëra nuk ishte kaq e gjithanshme në ndikimin e saj, asnjëra nuk ishte kaq e përjetshme në pasojat e saj, sa fitorja e Zotit të kryqëzuar, i cili u ngrit nga varri atë mëngjes të parë Pashke.

Të gjithë ata që ishin dëshmitarë të asaj ngjarjeje, të gjithë ata që e panë, e dëgjuan dhe folën me Zotin e Ringjallur, dëshmuan për vërtetësinë e kësaj mrekullie, më të madhen e të gjithave. Pasuesit e Tij gjatë shekujve jetuan dhe vdiqën duke shpallur të vërtetën e këtij akti hyjnor.

[Dëshmisë] së të gjithë këtyre ne i shtojmë dëshminë tonë se Ai që vdiq në kryqin e Kalvarit, u ngrit sërish me një shkëlqim të mrekullueshëm si Biri i Perëndisë, Mësuesi i jetës dhe i vdekjes” (“Special Witnesses of Christ”, Ensign, prill 2001, f. 15, ose Liahona, prill 2001, f. 16–17).

Lluka 24:36–43. “Një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam”

Plaku Ted R. Kallister, që shërbeu në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve, tha sa vijon rreth idesë së rreme se Ringjallja e Shpëtimtarit ishte e përkohshme:

“Pas Ringjalljes së Shpëtimtarit, Ai iu shfaq dishepujve të Tij dhe tha: ‘Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam’ (Lluka 24:39). Disa kanë sugjeruar se kjo qe një shfaqje e përkohshme fizike dhe se, kur u ngjit në qiell, Ai u zhvesh nga trupi i Tij dhe u kthye në formën e shpirtit të Tij. Por shkrimet e shenjta na tregojnë se kjo nuk ishte e mundur. Pali dha mësim: ‘Duke ditur se Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja s’ka më pushtet mbi të’ (Romakëve 6:9). Me fjalë të tjera, sapo Krishti u ringjall, trupi i Tij nuk mund të ndahej më kurrë nga shpirti i Tij, përndryshe Ai do të vuante vdekje, vetë pasojën që Pali tha se nuk ishte më e mundur pas Ringjalljes së Tij” (“Jozef Smithi – Profeti i Rivendosjes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 35).