Biblioteka
Mësimi 14: Mateu 11–12


Mësimi 14

Mateu 11–12

Hyrje

Jezu Krishti dëshmoi se Gjon Pagëzori u dërgua për të bërë gati udhën para Tij dhe Ai i premtoi prehje të gjithë atyre që vijnë tek Ai. Jezusi iu përgjigj thënieve të farisenjve që fuqia e Tij vinte nga djalli. Ai i paralajmëroi ata kundër bërjes së akuzave të rreme dhe kërkimit të shenjave, dhe Ai dha mësim shëmbëlltyrën e shtëpisë së zbrazët.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 11

Jezu Krishti dëshmon se Gjon Pagëzori u dërgua për të bërë gati udhën para Tij

Tregojuni studentëve një figurë të një oficeri policie, të një mjeku dhe të Jezu Krishtit.

  • Përse është e rëndësishme të dimë që këta njerëz janë vërtet ata që duken se janë? Si mund ta dini që ata janë ata që duken se janë?

Shpjegoni se gjatë shërbesës në vdekshmëri të Jezu Krishtit, shumë njerëz po përpiqeshin të dinin nëse Ai ishte Ai që dukej se ishte. Vërini studentët që teksa e studiojnë Mateun 11 të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë ata të zhvillojnë dëshminë e tyre vetjake rreth asaj se kush është Jezu Krishti.

Shpjegoni që mbreti Herod e kishte arrestuar dhe burgosur Gjon Pagëzorin. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 11:2–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar pyetjen për të cilën Gjoni i dërgoi dishepujt e tij që t’ia bënin Jezusit.

  • Përse i dërgoi Gjoni dishepujt e tij që ta pyesnin Jezusin?

Vini në dukje se me këtë pyetje te vargu 3, dishepujt e Gjonit po e pyesnin Jezusin nëse Ai ishte Mesia. Kujtojuni studentëve që Gjon Pagëzori e dinte tashmë se Jezusi ishte Mesia (shih Mateu 3:11, 13–14; Gjoni 1:29–34).

  • Si mendoni, përse Gjon Pagëzori i dërgoi dishepujt e tij që të zbulonin nëse Jezusi ishte Mesia, kur Gjoni tashmë e dinte se kush ishte Jezusi? (Ai donte që dishepujt e tij të merrnin dëshminë e tyre vetjake për Jezu Krishtin.)

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 11:4–5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Jezusi iu përgjigj pyetjes së tyre.

  • Në vend që thjesht të pohonte që Ai ishte Mesia, çfarë i ftoi Jezusi dishepujt e Gjon Pagëzorit që të bënin?

Ju mund të doni të shpjegoni që Jezusi me lehtësi mund t’u kishte thënë dishepujve të Gjonit që Ai ishte Mesia. Përkundrazi, Ai i ftoi të “dëgjoni[n] dhe shikoni[n]” (vargu 4) ose të merrnin parasysh veprat e Tij dhe pastaj të ktheheshin te Gjon Pagëzori dhe të dëshmonin për gjërat që e kishin dëgjuar dhe parë Jezusin të bënte.

  • Si mund t’i ketë ndihmuar përgjigja e Jezusit dishepujt e Gjonit që të merrnin një dëshmi më të fuqishme për Shpëtimtarin sesa nëse Ai thjesht do t’u kishte thënë se kush ishte?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga ky rrëfim rreth mënyrës se si mund ta forcojmë dëshminë tonë për Shpëtimtarin? (Edhe pse mund të përdorin fjalë të ndryshme, studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Kur përpiqemi të mësojmë për Jezu Krishtin dhe kur dëshmojmë për Të, vetë dëshmia jonë për Të mund të forcohet.)

Ftojini studentët të shkruajnë mënyrën se si kanë arritur ta dinë vetë që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë. Ju mund të doni t’i ftoni disa studentë që t’ia tregojnë klasës atë që kanë shkruar.

Përmblidheni Mateun 11:7–27 duke shpjeguar se pasi dy dishepujt u larguan, Jezusi i tha turmës që Gjon Pagëzori ishte profeti i zgjedhur për të bërë gati udhën për Mesian. Jezusi i dënoi ata që nuk e pranuan Gjon Pagëzorin si edhe ata që kishin dëshmuar prova të qarta të hyjnisë së Zotit e prapëseprapë nuk e pranuan Atë. (Shënim: Mësimet e Jezusit rreth Gjon Pagëzorit në këto vargje do të diskutohen më me hollësi në mësimin për Llukën 7:18–35).

Jezusi pastaj u dha një premtim të gjithë atyre që e pranojnë Atë si Mesian. Për t’i ndihmuar studentët ta përsëritin Mateun 11:28–30, të cilin e paraqitët te mësimi 1, ftojeni një student t’i lexojë këto vargje me zë të lartë dhe vëreni klasën ta ndjekë e të kërkojë atë që Zoti na fton që të bëjmë.

  • Çfarë na fton Zoti që të bëjmë? Çfarë na premton Ai në këmbim? (Pasi studentët të kenë treguar përgjigjet e tyre, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Nëse vijmë te Jezu Krishti, Ai do t’i lehtësojë barrët tona dhe do të na japë çlodhje.)

  • Si mund t’ju ndihmojë të kuptuarit e të vërtetave në këtë fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë këtë vit?

Mateu 12:1–42

Jezu Krishti i qorton farisenjtë për akuzat e tyre të rreme dhe për kërkimin e shenjave

(Shënim: Ngjarjet te Mateu 12:1–21 do të jepen më me thellësi në mësimin për Markun 2–3.)

Përmblidheni Mateun 12:1–30 duke shpjeguar se pasi Jezusi shëroi një burrë ditën e Shabatit, disa prej farisenjve filluan të përpiqeshin ta shkatërronin Atë. Kur Ai shëroi një person të pushtuar nga një demon, ata u përpoqën ta diskreditonin Atë para njerëzve duke e akuzuar që po i bënte ato vepra me anë të fuqisë së djallit. Jezusi i njihte mendimet e tyre dhe shpalli se, përkundrazi, duke dëbuar demonët Ai po tregonte se ishte Mesia dhe po ngrinte mbretërinë e Perëndisë. Vërini studentët ta lexojnë në heshtje Mateun 12:30, duke kërkuar atë që Jezusi dha mësim për ata që nuk i bashkohen Atij. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjetën.

  • Sipas vargut 30, nëse ne dëshirojmë të jemi pjesë e mbretërisë së Perëndisë, çfarë duhet të bëjmë? (Teksa studentët tregojnë përgjigjet e tyre, sigurohuni të theksoni këtë të vërtetë: Nëse ne dëshirojmë të jemi pjesë e mbretërisë së Perëndisë, ne duhet t’i përkushtohemi plotësisht Jezu Krishtit.)

  • Cilat janë disa mënyra se si ne mund ta tregojmë përkushtimin tonë të plotë ndaj Jezu Krishtit?

Përmblidheni Mateun 12:31–42 duke shpjeguar se Jezusi e pohoi sërish që veprat e Tij të mira ishin provë se Ai vinte nga Perëndia dhe jo nga djalli. Ai gjithashtu i paralajmëroi farisenjtë që Perëndia do t’i mbante përgjegjës për fjalët e tyre akuzuese. Disa prej skribëve dhe farisenjve pastaj i kërkuan një shenjë dhe Jezusi i qortoi ata ngaqë kërkonin shenja dhe nuk arrinin të kuptonin se Ai ishte më i madh se çdo profet ose mbret i mëparshëm në Izrael.

Mateu 12:43–50

Jezusi jep mësim shëmbëlltyrën e shtëpisë së zbrazët dhe se ata që bëjnë vullnetin e Atit të Tij përfshihen në familjen e Tij

Vërini studentët të përfytyrojnë sikur një prej shokëve të tyre u ka kërkuar këshillë mbi mënyrën se si ta shmangë përsëritjen e një mëkati që ai apo ajo po përpiqet ta braktisë.

  • Çfarë këshille do t’i jepnit shokut tuaj për ta ndihmuar atë t’i bëjë ballë tundimit?

Shpjegoni që Mateu 12:43–45 përmban një shëmbëlltyrë për një frymë të ndyrë që u dëbua nga një njeri. Ftojini studentët të kërkojnë një parim në këtë shëmbëlltyrë që mund ta ndihmojë shokun e tyre ta mposhtë tundimin. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 12:43–44 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që bëri fryma e ndyrë pasi u dëbua nga njeriu.

  • Çfarë bëri fryma e ndyrë pasi nuk gjeti qetësi askund?

  • Çfarë fjalësh e përshkruajnë gjendjen e “shtëpi[së]” ose të njeriut kur fryma e ndyrë kthehet?

Ftojeni një student tjetër ta lexojë me zë të lartë Mateun 12:45 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që bëri fryma e ndyrë pasi e gjeti “shtëpinë” ose njeriun të zbrazët. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjetën.

  • Pasi e kishte larguar demonin, çfarë nuk arriti të bënte njeriu në shëmbëlltyrë që e lejoi frymën e ndyrë të kthehej? (Ai nuk e zëvendësoi të ligën me mendime, ndjenja, fjalë dhe veprime të drejta.)

  • Si mund ta përfaqësojë përvoja e njeriut në këtë shëmbëlltyrë dikë që po pendohet për mëkatin dhe po përpiqet t’i bëjë ballë tundimit?

Pasi studentët të përgjigjen, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball:

Pamja
Presidenti Spenser W. Kimball

“Në braktisjen e mëkatit dikush nuk mundet thjesht të urojë për kushte më të mira. Ai duhet t’i krijojë ato. …

… Gjërat me të cilat ai u përzje dhe e magjepsën atë dhe i pushtuan mendimet kanë ikur, dhe zëvendësues më të mirë nuk e kanë mbushur ende zbrazëtinë. Kjo është mundësia e Satanit” (The Miracle of Forgiveness [1969], f. 171–172; theksimi është shtuar).

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga kjo shëmbëlltyrë që mund të na ndihmojë të dimë se si të vazhdojmë t’i zmbrapsim ndikimet e liga pasi i kemi hequr ato nga jeta jonë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Ne mund t’i zmbrapsim ndikimet e liga pasi i kemi hequr ato nga jeta jonë duke i zëvendësuar ato me drejtësi.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë të vërtetë, kërkojini një studenti ta lexojë thënien vijuese me zë të lartë. Kërkojini klasës të mbajë vesh për arsyen përse nuk është e mjaftueshme që thjesht ta çlirojmë jetën tonë prej mëkatit.

“Nuk mjafton thjesht të përpiqesh të kundërshtosh ligësinë ose të boshatisësh jetën nga mëkati. Duhet ta mbushni jetën me drejtësi dhe të merreni me veprimtari që sjellin fuqi shpirtërore. …

Bindja e plotë e sjell të plotë fuqinë e ungjillit në jetën tuaj, përfshirë rritjen e fuqisë për të mposhtur dobësitë tuaja. Kjo bindje përmban veprime të cilat në fillim mund të mos i keni quajtur si pjesë të pendimit, siç janë frekuentimi i mbledhjeve, pagimi i së dhjetës, shërbimi dhe falja e të tjerëve” (Të Vërtetë Ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], f. 118–119).

  • Kur pendohemi, cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë për ta mbushur jetën tonë me drejtësi në mënyrë që të mos i kthehemi mëkatit? (Ju mund ta ftoni një student t’i shkruajë përgjigjet në tabelë.)

  • Si mund të sjellë të bërit e këtyre gjërave fuqi më të madhe shpirtërore në jetën tonë dhe të na ndihmojë t’i mposhtim ndikimet e liga?

Dëshmoni se të mbushurit e jetës sonë me drejtësi do të na japë fuqi më të madhe për ta zmbrapsur të ligën. Nxitini studentët që të përsiatin se si mund ta mbushin jetën e tyre me më shumë drejtësi dhe që ta ndjekin frymëzimin që ata marrin ndërsa përsiatin.

Përmblidheni pjesën tjetër të Mateut 12 duke shpjeguar se ndërsa Jezusi po jepte mësim, dikush i tha që disa pjesëtarë të familjes së Tij dëshironin të flisnin me Të. Zoti atëherë dha mësim se të gjithë ata që bëjnë vullnetin e Atit përfshihen në familjen e Tij.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Mateu 11:28–30

Për t’i ndihmuar studentët ta mësojnë përmendsh Mateun 11:28–30, ftojeni klasën të krijojë veprime që mund të përfaqësojnë fjalët ose frazat në secilin varg dhe pastaj ta thonë përmendsh fragmentin ndërsa kryejnë veprimet. Vërini studentët të ushtrohen duke e thënë atë përmendsh në fillim të orës mësimore për disa ditë derisa të mund ta thonë përmendsh nga sa mbajnë mend.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mateu 11:11. “Por më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai”

Profeti Jozef Smith shpjegoi që një mënyre për ta kuptuar Mateun 11:11 është ta shikosh atë si një referim ndaj Vetë Jezu Krishtit:

“Cilit i referohej Jezusi si të qenit më i vogli? Jezusin e konsideronin sikur të kishte pretendimin më të vogël për mbretërinë e Perëndisë dhe, [me sa duket], kishte të drejtën më të vogël për t’u besuar prej tyre si profet; pra, sikur të kishte thënë – ‘Ai që konsiderohet më i vogli midis jush, është më i madh se Gjoni – domethënë, vetë unë’” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 86).

Mateu 12:31–32. “Blasfemia kundër Frymës”

Profeti Jozef Smith shpjegoi mënyrën se si një person e bën mëkatin e blasfemisë kundër Frymës së Shenjtë:

“Ai duhet ta marrë Frymën e Shenjtë, t’i hapen qiejt dhe të njohë Perëndinë e më pas të mëkatojë kundër Tij. Pasi një njeri ka mëkatuar kundër Frymës së Shenjtë, nuk ka pendim për të. Ai duhet të ketë thënë se dielli nuk shkëlqen ndërsa e sheh atë; ai duhet ta ketë mohuar Jezu Krishtin kur qiejt të jenë hapur për të, dhe ta ketë mohuar planin e shpëtimit me sytë e tij të hapur ndaj të vërtetës së saj; dhe nga ajo kohë ai fillon të bëhet një armik” (në History of the Church, 6:314).

Ndonjëherë studentët shqetësohen për mëkatin e blasfemisë kundër Frymës së Shenjtë ose për mohimin e Frymës së Shenjtë. Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim:

“Mëkati kundër Frymës së Shenjtë kërkon një nivel të tillë njohurie që është qartësisht e pamundur për anëtarësinë e përgjithshme që të kryejë një mëkat të tillë” (The Miracle of Forgiveness [1969], f. 123).

Plaku Xhejms E. Talmixh, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi arsyen përse Jezusi po i paralajmëronte farisenjtë për mëkatin e pafalshëm te Mateu 12:31–32:

“Jezusi qe i mëshirshëm në sigurimin prej Tij që fjalët e thëna kundër Tij si Njeri, mund të faleshin; por të flisje kundër autoritetit që Ai kishte dhe veçanërisht t’ia vishje atë fuqi e autoritet Satanit, ishte shumë pranë të qenit blasfemi kundër Frymës së Shenjtë, mëkat për të cilin nuk mund të kishte falje” (Jesus the Christ, bot. i 3-të [1916], f. 269).