Biblioteka
Mësimi 118: Galatasve 1–4


Mësimi 118

Galatasve 1–4

Hyrje

Apostulli Pal i qortoi shenjtorët galatas që i ndiqnin mësimet e rreme dhe u mësoi se ata mund të bëheshin trashëgimtarë të Perëndisë duke pasur besim në Jezu Krisht dhe duke e ndjekur Atë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Galatasve 1–2

Pali i qorton shenjtorët që i ndiqnin mësuesit e rremë dhe i nxit ata të kthehen në ungjill

Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur njëri nga vëllezërit ose motrat apo shokët e tyre ka shprehur se ai ose ajo nuk është më i sigurt nëse mësimet e Kishës janë të vërteta. Si rrjedhim, ky person nuk merr më pjesë në kishë dhe nuk po e jeton më ungjillin. Vërini studentët të shkruajnë në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta se çfarë do t’i thonin vëllait ose motrës apo shokut/shoqes, për ta ndihmuar atë të dijë se mësimet e Kishës janë të vërteta.

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Galatasve 1, të kërkojnë një të vërtetë që mund t’i ndihmojë të dinë se si t’i dallojnë mësimet e vërteta.

Shpjegoni se Galatia ishte një rajon në Azinë e Vogël veri-qendrore, që përfshinte shumë qytete që i vizitoi Pali gjatë udhëtimit të tij të dytë dhe të tretë misionar (shih Veprat e Apostujve 16:6; 18:23). (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të gjejnë vendndodhjen e Galatisë, te Hartat e Biblës nr. 13, [te shtojca e kombinimit tresh], “Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal”.) Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Galatasve 1:6–7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një problem që ekzistonte midis shenjtorëve galatas.

  • Përse shumë shenjtorë galatas po largoheshin nga ungjilli i vërtetë?

Shpjegoni se ata që po i turbullonin galatasit dhe po prishnin mësimet e ungjillit, po ngjallnin dyshime (shih Galatasve 1:7, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]), rreth mësimeve të Palit se shpëtimi vjen vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit. Këta mësues të rremë ishin judeas të krishterë që pretendonin se shenjtorët galatas duhej të rrethpriteshin (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Rrethprerje”, f. 164) dhe të zbatonin ritet e ligjit të Moisiut në mënyrë që të shpëtoheshin.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Galatasve 1:8–9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë tha Pali për ata që e predikonin ungjillin ndryshe nga ai që predikonte [Pali] si një Apostull i Zotit. Kërkojuni studentëve ta raportojnë atë që gjejnë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Galatasve 1:10–12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se cili ishte burimi i mësimeve të Palit.

  • Sipas vargut 12, cili ishte burimi i mësimeve të Palit?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga fjalët e Palit në vargjet 10–12 për doktrinën e vërtetë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Jezu Krishti ia zbulon doktrinën e vërtetë profetëve të Tij.)

  • Si mund të na ndihmojë të kujtuarit e kësaj të vërtete kur kemi pyetje rreth mësimeve të profetëve?

Shpjegoni se për shkak se Jezu Krishti ia zbulon doktrinën e vërtetë profetëve të Tij, Ai mund të na e zbulojë edhe neve vërtetësinë e mësimeve të një profeti.

  • Çfarë mund të bëjmë për të marrë zbulesë nga Zoti, që të mund ta dimë për veten tonë se mësimet e profetëve janë të vërteta?

Kujtojuni studentëve skenarin që i paraqitët në fillim të mësimit. Ftojini disa studentë t’ia shpjegojnë klasës se si do ta përdornin të vërtetën që sapo kanë përcaktuar për zbulesën, për t’i dhënë përgjigje personit i cili po i vë në pikëpyetje mësimet e Kishës.

Dëshmoni se ne mund ta dallojmë doktrinën e vërtetë kur i studiojmë mësimet e profetëve dhe kërkojmë zbulesë nga Zoti.

Përmblidheni Galatasve 1:13–2:21 duke shpjeguar se Pali solli sërish ndër mend kthimin e tij në besim dhe udhëtimet e hershme misionare. Ai shpjegoi gjithashtu se shpëtimi nuk ishte në ligjin e Moisiut, por përkundrazi ne falemi, ose shfajësohemi, nëpërmjet besimit në Jezu Krisht.

Galatasve 3–4

Pali i fton galatasit t’i marrin të gjitha bekimet që iu premtuan Abrahamit nëpërmjet Jezu Krishtit

Lexojini me zë të lartë skenarët vijues. Pasi ta keni lexuar çdo [skenar], kërkojuni studentëve të shpjegojnë përse individi në skenar mund të ndihet në situatë të pafavorshme për marrjen e të gjitha bekimeve të Zotit krahasuar me të tjerë në Kishë, të cilët kishin qenë besnikë ndaj ungjillit që prej një moshe të hershme.

  1. Një i ri u rrit në një familje pak aktive dhe nuk iu mësua ungjilli kur ai ishte i ri. Familja e tij tani po rikthehet në Kishë dhe ka filluar ta mësojë e ta vërë në jetë ungjillin.

  2. Një grua e kritikoi Kishën për vite me radhë. Kohët e fundit ajo përjetoi një ndryshim zemre dhe u pagëzua.

Ftojini studentët të kërkojnë një të vërtetë teksa studiojnë Galatasve 3–4, e cila mund të na ndihmojë të kuptojmë se çfarë bekimesh janë në dispozicion për këdo, sido që të jenë rrethanat e tij ose të saj dhe zgjedhjet e kaluara.

Shpjegoni se shumë prej shenjtorëve galatas ishin johebrenj të kthyer në besimin e krishterë dhe, si pasojë, nuk ishin pasardhës të drejtpërdrejtë të Abrahamit, të cilëve u ishin premtuar të gjitha bekimet e Perëndisë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Galatasve 3:7–9. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth atyre që “janë nga besimi” (vargu 7), ose që besojnë, në Jezu Krisht.

  • Çfarë dha mësim Pali rreth atyre që besojnë në Jezu Krisht?

  • Sipas vargut 8, çfarë i premtoi Zoti Abrahamit?

  • Sipas vargut 9, çfarë do t’u ndodhë atyre që kanë besim në Jezu Krisht?

Shpjegoni se që të jesh i “bek[uar] … me të besueshmin Abraham” i referohet të qenit përfitues i besëlidhjes që bëri Perëndia me Abrahamin, se nëpërmjet tij të gjithë njerëzit mund të gëzonin bekimet e ungjillit (shih Abraham 2:11).

Përmblidheni Galatasve 3:10–25 duke shpjeguar që Pali dha mësim se ligji i Moisiut kishte për qëllim t’i ndihmonte izraelitët të vinin te Jezu Krishti dhe të shfajësoheshin me anë të besimit në Të.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Galatasve 3:26–27. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ne duhet të bëjmë për të marrë bekimet që iu premtuan Abrahamit.

  • Çfarë duhet të bëjmë ne për të marrë bekimet që iu premtuan Abrahamit?

Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Të gjithë ata që ushtrojnë besim në Jezu Krisht dhe hyjnë në besëlidhjen e ungjillit do të bëhen …

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Galatasve 3:28–29. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar fjalë ose fraza që mund t’i përdorin për të plotësuar thënien për parimin e paplotë në tabelë.

  • Sipas vargut 28, në çfarë shndërrohen individë të ndryshëm kur hyjnë në besëlidhjen e ungjillit?

  • Sipas vargut 29, po ata që numërohen midis farës së Abrahamit, çfarë bëhen nëpërmjet Jezu Krishtit?

Shpjegoni se një trashëgimtar është dikush që ka të drejtë nëpërmjet ligjit që të marrë pronën ose zotërimet e një tjetri.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Galatasve 4:7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se trashëgimtarët e kujt mund të bëhemi ne.

  • Trashëgimtarët e kujt mund të bëhemi ne? (Duke përdorur fjalët e studentëve, plotësojeni thënien për parimin në tabelë, në mënyrë që të përçojë të vërtetën vijuese: Të gjithë ata që ushtrojnë besim në Jezu Krisht dhe hyjnë në besëlidhjen e ungjillit, do të bëhen një në Krishtin dhe trashëgimtarë të Perëndisë.)

  • Përse është e rëndësishme të dimë se Perëndia i premton këto bekime për këdo që hyn në besëlidhje, sido që të jenë rrethanat e tij apo të saj?

Dëshmoni se premtimet e Atit Qiellor janë për këdo që hyn në besëlidhjen e ungjillit. Nxitini studentët të jenë besnikë ndaj besëlidhjeve që kanë bërë.

Përmblidheni Galatasve 4:8–31 duke shpjeguar se Pali i ftoi shenjtorët galatas të ktheheshin te Krishti dhe të largoheshin nga skllavëria që vjen nga besnikëria ndaj ligjit të Moisiut.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Galatasve 1:8–10. “Një engjëll i qiellit”

Mësimet e Palit të shënuara te Galatasve 1:8–10 ndonjëherë përdoren gabimisht për të debatuar kundër vegimeve të engjëjve dhe predikimit të ungjillit të rivendosur. Sidoqoftë, Pali nuk dha mësim se të gjitha shfaqjet e engjëjve duhen refuzuar, sepse shkrimet e shenjta tregojnë se engjëjt do të vijnë vërtet në ditët e fundit që ta predikojnë ungjillin sërish (shih Zbulesa 14:6). Përkundrazi, Pali dha mësim se nëse një engjëll do të vinte për t’i devijuar njerëzit nga ungjilli i vërtetë, atëherë ai engjëll duhet refuzuar (shih edhe Alma 30:53). Ungjilli i vërtetë sot, sikurse në kohën e Palit, administrohet nga profetë dhe apostuj të autorizuar (shih Efesianëve 2:19–20; 4:11–14) dhe është themeluar me anë të “hirit të Krishtit” (Galatasve 1:6; shih edhe 2 Nefi 2:8; 10:24).

Galatasve 2:11–16. Kundërshtimi i Palit ndaj Pjetrit

Për informacion shtesë lidhur me mosmarrëveshjen që kishte Pali me Pjetrin ndërsa Pjetri po vizitonte shenjtorët në Antioki, shihni New Testament Student Manual (Church Educational System manual, 2014), f. 413.

Galatasve 3:10–14. “Mallkimi i ligjit”

Siç shënohet te Galatasve 3:10, Pali dha mësim se ata që kërkojnë të shfajësohen me anë të ligjit të Moisiut janë të detyruar t’i binden atij në tërësi. “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t’i praktikuar”, tha Pali. Kjo kërkesë e pamundur i lë gjithashtu të gjithë ata që kërkojnë shfajësim nëpërmjet ligjit nën “mallkimi[n e] ligjit” (Galatasve 3:13). Pali shpjegoi më tej se Jezu Krishti vuajti prej “mallkimi[t të] ligjit” duke “u bë[rë] mallkim për ne” nëpërmjet Shlyerjes së Tij (Galatasve 3:13). Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, të gjithë mund të marrin bekimet e Abrahamit duke ushtruar besim në Jezu Krisht dhe duke hyrë në besëlidhjen e ungjillit.

Galatasve 3:24. “Ligji qe mësuesi ynë”

Plaku Pol V. Xhonson, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi se shumë njerëz në kohën e Dhiatës së Re e keqkuptuan qëllimin e ligjit të Moisiut:

“Shumë judenj dhe madje të krishterë judeas, … e kishin humbur kuptimin e qëllimit dhe rolit të duhur të ligjit. Një arsye për këtë ishin [gjërat] e shtuara të paautorizuara të kërkesave dhe traditave rreth ligjit, që çuan në zbehjen e qëllimit të tij të vërtetë. Këto [gjëra] të shtuara dhe tradita nuk ishin më ‘mësuesi … për te Krishti’ (Galatasve 3:24), ‘duke drejtuar shpirtrat tanë tek ai’ (Jakobi [LiM] 4:5), por përkundrazi, ishin të rënda dhe gërryese saqë shumë judenj shihnin ‘përtej shenjës’ (Jakobi [LiM] 4:14) dhe e vendosnin ligjin e shtrembëruar në vend të Vetë Ligjvënësit” (“Responding Appropriately to Change” [fjalim drejtuar mësuesve të fesë të Sistemit Arsimor të Kishës, 8 shkurt 2013], f. 1, si.lds.org).

Galatasve 3:28. “Të gjithë jeni një në Jezu Krishtin”

Nganjëherë njerëzit ngurrojnë të pagëzohen ose të marrin pjesë plotësisht në Kishë, ngaqë shqetësohen se duhet të heqin dorë nga kultura e tyre ose ngaqë mund të ndihen sikur nuk përshtaten. Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, dha mësim se anëtarësia e Kishës mund të jetë sa e larmishme edhe e bashkuar:

“Ne nuk e humbasim identitetin tonë duke u bërë anëtarë të kësaj kishe. Ne bëhemi trashëgimtarë të mbretërisë së Perëndisë, duke u bashkuar me trupin e Krishtit dhe nga ana shpirtërore i vendosim mënjanë disa nga ndryshimet tona vetjake për t’u bashkuar në një kauzë më të madhe shpirtërore. Ne u themi të gjithë atyre që janë bashkuar me Kishën, ruajeni gjithçka që është fisnike, e mirë dhe lartësuese në kulturën dhe identitetin tuaj vetjak. Sidoqoftë, nën autoritetin dhe fuqinë e çelësave të priftërisë, të gjitha ndryshimet bien ndërsa ne përpiqemi të bëhemi trashëgimtarë të mbretërisë së Perëndisë” (“Heirs to the Kingdom of God”, Ensign, maj 1995, f. 62).