Biblioteka
Hyrje te Letra e Palit drejtuar Filipianëve


Hyrje te Letra e Palit drejtuar Filipianëve

Përse të studiohet ky libër?

Në letrën e tij drejtuar Filipianëve, Pali u dha shenjtorëve në Filipi kurajë dhe i porositi ata të qëndronin të palëkundur në unitet dhe të punonin së bashku për ta mbrojtur besimin. Ndoshta një nga parimet më të rëndësishme që Pali dha mësim te Filipianëve, është që lutja ndaj Perëndisë dhe mirëbesimi në Të sjell “paq[en] e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie” (Filipianëve 4:7). Studimi i mesazheve kurajëdhënëse të Palit në këtë letër, mund t’i ndihmojë studentët në përpjekjet e tyre që të durojnë deri në fund me besnikëri. Teksa studentët përpiqen ta ndjekin Krishtin, edhe ata mund të fitojnë besim dhe, sikurse Pali, të shpallin: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13).

Kush e shkroi këtë libër?

Ndonëse Timoteu është përmendur bashkë me Palin në pjesën përshëndetëse të letrës (shih Filipianëve 1:1), [ishte] Pali që e shkroi Letrën drejtuar Filipianëve. Kjo tregohet nga përdorimi i përemrit njëjës unë gjatë gjithë letrës dhe referencës drejtuar Timoteut te Filipianëve 2:19. Timoteu mund të ketë shërbyer si shkruesi i Palit, duke e shkruar letrën nën udhëzimin e Palit.

Kur dhe ku u shkrua ai?

Pali ka gjasa ta ketë shkruar Filipianëve diku mes viteve 60 e 62 ps.K. ndërkohë që ishte i burgosur në Romë (shih Filipianëve 1:7, 13, 17; shih edhe Veprat e Apostujve 28:16–31; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Filipianë(ve), Letër drejtuar”, f. 49, scriptures.lds.org).

Për kë u shkrua ai dhe përse?

Filipia ishte vendi i parë në Europë ku Pali e predikoi zyrtarisht ungjillin dhe krijoi një degë të Kishës (shih Veprat e Apostujve 16:11–40; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”,, f. 100). Një ndër qëllimet e Palit përse e shkroi këtë letër ishte për të shprehur mirënjohje për dashurinë dhe ndihmën financiare që i kishin dhënë shenjtorët në Filipi gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar dhe burgimit të tij në Romë (shih Filipianëve 1:3–11; 4:10–19; shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, f. 100).

Pali gjithashtu i lavdëroi anëtarët në Filipi për besimin e tyre në Jezu Krisht dhe u dha këshilla bazuar në informacionin lidhur me ta, që e kishte marrë nga një dishepull filipian i quajtur Epafroditi (shih Filipianëve 4:18). Këshillat e Palit përfshinin kurajën për të qenë të përulur dhe të bashkuar (shih Filipianëve 2:1–18; 4:2–3). Pali gjithashtu i paralajmëroi filipianët që të ruheshin nga të krishterët e rremë, të tillë si ata që jepnin mësim se rrethprerja ishte e nevojshme për kthimin në besim. Individë të tillë (shpesh të përmendur si judaizues) pretendonin në mënyrë të rreme që të kthyerit e ri në besim duhej t’i nënshtroheshin ligjit të dikurshëm të Dhiatës së Vjetër për rrethprerjen përpara se të bëheshin të krishterë (shih Filipianëve 3:2–3).

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Filipianëve është quajtur shpesh si letra e burgut, bashkë me atë të Efesianëve, Kolosianëve dhe Filemonit. Pavarësisht se ajo u shkrua në burg, letra e Palit drejtuar filipianëve është përshkruar nga studiuesit si letra më e gëzueshme ndër shkrimet e tij. Pali shprehu mirënjohje, dashuri dhe besim tek anëtarët e Kishës; përshkroi sakrificat që ai kishte bërë për të ndjekur Jezu Krishtin; dhe i udhëzoi shenjtorët filipianë sipas parimeve të një jete të drejtë. Studentët mund të dallojnë te Filipianëve 4:8 paksa nga fjalori i përdorur në nenin e trembëdhjetë të besimit, i cili u shkrua nga Profeti Jozef Smith.

Pali e përshkroi denjimin e Shpëtimtarit në mënyrë poetike, që nga hyjnia në jetën para lindjes e deri te jeta e vdekshme, ku Ai vuajti “vdekje[n e] kryqit” (shih Filipianëve 2:3–8). Pasi e përmbushi misionin e Tij hyjnor, Jezu Krishti tani qëndron i ekzaltuar dhe do të vijë dita që “të përkulet çdo gju” përpara Tij dhe “çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot” (Filipianëve 2:10–11). Pali zbuloi se burimi i tij i brendshëm i besimit dhe i forcës erdhën nga Jezu Krishti (shih Filipianëve 4:13).

Përmbledhje

Filipianëve 1 Pali shpreh mirënjohjen për anëtarësinë e shenjtorëve filipianë. Ai jep mësim se kundërshtimi që pati përjetuar tek i shërbente Zotit, përfshirë burgimin e tij, e kishte çuar përpara kauzën e ungjillit. Ai i nxit anëtarët e Kishës të qëndrojnë të palëkundur në unitet për ta mbrojtur besimin.

Filipianëve 2 Pali i nxit më tej anëtarët e Kishës që të jenë të bashkuar dhe vë në pah shembullin e Jezu Krishtit, i cili denjoi të vinte në vdekshmëri si një shembull dashurie, bindjeje dhe përulësie. Të gjithë një ditë do ta pranojnë Jezu Krishtin si Zot. Pali i udhëzon anëtarët e Kishës të punojnë për vetë shpëtimin e tyre.

Filipianëve 3 Pali paralajmëron për judaizuesit. Ai e përshkruan jetën e tij të hershme si një farise dhe se si ai me gatishmëri hoqi dori nga gjithçka për ta ndjekur Jezu Krishtin. Ai i porosit shenjtorët ta ndjekin shembullin e tij për të vazhduar përpara drejt shpëtimit. Pali shpjegon se Jezu Krishti do t’i ndryshojë trupat tanë të vdekshëm në trupa të lavdishëm si trupi i Tij.

Filipianëve 4 Pali i nxit shenjtorët që të gëzohen gjithmonë në Zotin. Ai i porosit ata që ta zëvendësojnë ankthin e tyre me lutje dhe falënderime, duke i premtuar se ata do të gëzojnë paqen e Perëndisë që ia tejkalon çdo zgjuarsie. Pali u jep këshilla anëtarëve të Kishës që të mbajnë në mendje gjërat që janë të ndershme, të drejta, të vërteta, të pastra, të dashura, me famë të mirë dhe të virtytshme. Ai pohon se mund të bëjë gjithçka me anë të Jezu Krishtit që e forcon.