Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Kolosianëve – 1 Timoteut (Njësia 26)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Kolosianëve1 Timoteut (Njësia 26)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe e parimeve që studentët mësuan ndërsa studiuan Kolosianëve – 1 Timoteut (njësia 26), nuk ka për qëllim që të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqini nxitjet e Shpirtit të Shenjtë ndërsa merrni parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Kolosianëve)

Në letrën e tij drejtuar shenjtorëve kolosianë, Pali dha mësim se Jezu Krishti është Shëlbuesi, i parëlinduri nga fëmijët shpirtërorë të Atit Qiellor, Krijuesi i të gjitha gjërave, kreu i Kishës dhe i pari që do të ringjallej. Studentët gjithashtu mësuan se ne mund të pajtohemi me Perëndinë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit nëse vazhdojmë të jemi me themel dhe të patundur në besimin tonë. Për më tepër, duke pasur rrënjë në Jezu Krisht dhe duke u ndërtuar në Të, ne mund ta shmangim shkuarjen në udhë të gabuar prej filozofive dhe traditave të botës.

Dita 2 (1 Thesalonikasve)

Në këtë letër drejtuar shenjtorëve thesalonikas, Pali i lavdëroi ata për besnikërinë e tyre dhe u mësoi atyre të vërtetat rreth Ardhjes së Dytë të Zotit. Gjatë studimit të kësaj letre, studentët mësuan të vërtetat vijuese: Kur ne e japim mësim ungjillin e Jezu Krishtit me anë të fjalës dhe fuqisë së Perëndisë, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të bëhen pasues të Zotit dhe shërbëtorë të Tij. Ne mund ta ndajmë ungjillin nëpërmjet shembullit tonë. Shenjtorët besnikë që vdesin përpara Ardhjes së Dytë, do të ringjallen kur Krishti të vijë sërish. Shenjtorët besnikë që janë gjallë në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit do të rrëmbehen për ta takuar Atë kur Ai të vijë. Nëse jemi besnikë dhe rrimë zgjuar për shenjat që i paraprijnë Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit, atëherë ne do të jemi të përgatitur kur Ai të vijë sërish.

Dita 3 (2 Thesalonikasve)

Gjatë studimit të kësaj letre të Palit drejtuar shenjtorëve thesalonikas, e cila sqaroi të vërtetat rreth Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit, studentët mësuan se nëse i durojmë besnikërisht kundërshtimet dhe vështirësitë me qëndresë e besim, ne mund të konsiderohemi të denjë për mbretërinë e Perëndisë. Pali dha mësim se në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit, të drejtët do të prehen dhe të ligjtë do të shkatërrohen. Ai gjithashtu dha mësim se përpara Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit, do të ndodhte një braktisje. Studentët gjithashtu mësuan se ne jemi urdhëruar që të përpiqemi të jemi të mbështetur te vetja dhe t’i ndihmojmë të tjerët.

Dita 4 (1 Timoteut)

Nga kjo letër e Palit drejtuar Timoteut, një udhëheqësi të ri priftërie në Efes, studentët mësuan se udhëheqësit e priftërisë kanë përgjegjësinë për t’u siguruar që të jepen mësim doktrina e vërtetë dhe praktikat e sakta. Ata mësuan gjithashtu se lakmia për para të prin drejt së gabuarës dhe braktisjes [shpirtërore]. Nga ana tjetër, nëse mirëbesojmë në Perëndinë e gjallë dhe jemi të pasur në vepra të mira, atëherë ne mund ta arrijmë jetën e përjetshme.

Hyrje

Pali i shkroi Timoteut, një udhëheqësi priftërie në Efes dhe e këshilloi atë të ishte shembull për besimtarët.

Sugjerime për Mësimdhënien

Shënim: Në këtë njësi, studentët studiuan fragmentin për zotërimin e shkrimit të shenjtë 2 Thesalonikasve 2:1–3. Ju mund ta rishikoni këtë fragment me studentët duke i kërkuar atyre që t’i përmbledhin të vërtetat që ai jep mësim. Për t’i ndihmuar studentët ta mësojnë përmendsh një pjesë të këtij fragmenti, ju mund të doni ta përsëritni disa herë si klasë vargun 3.

1 Timoteut 4

Pali përshkruan karakteristikat e një shërbestari besnik të Jezu Krishtit

Sillni në klasë një kapëse letrash, një fije spangoje, ngjitëse dhe një magnet. Lidheni njërin skaj të spangos te kapësja e letrës dhe skajin tjetër ngjiteni me ngjitëse te një tryezë a tavolinë. Mbajeni magnetin afër kapëses së letrave pa e prekur kapësen e letrave me magnetin. Forca magnetike duhet të shkaktojë që kapësja e letrave të shkojë pas magnetit. Lëvizeni magnetin për të treguar se si ai ndikon te lëvizja e kapëses së letrave.

  • Nëse kapësja e letrave përfaqëson një njeri, çfarë mund të përfaqësojë magneti?

Kërkojuni studentëve të mendojnë se si kanë qenë si magneti dhe kanë ndikuar tek të tjerët. Ftojini ata të kërkojnë një parim teksa studiojnë 1 Timoteut 4, që na mëson se si ne mund të jemi një ndikim pozitiv në jetën e të tjerëve.

Përmblidheni 1 Timoteut 4:1–11 duke shpjeguar se Pali profetizoi se në “kohët e fundit” (vargu 1) disa anëtarë të Kishës do të largoheshin nga besimi dhe do të ndiqnin mësimet dhe praktikat e rreme, të tilla si “ndal[imin e] martesë[s]” (vargu 3). Pali e porositi Timoteun që t’i ushqente shenjtorët me doktrinën e vërtetë.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 1 Timoteut 4:12, duke kërkuar se çfarë e këshilloi Pali Timoteun që të ishte. Shpjegoni se fjala sjellje në këtë varg i referohet mënyrës si vepron ose qëndrimit (shih 1 Timoteut 4:12, poshtëshënimi c, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]). Kërkojuni studentëve ta raportojnë atë që gjejnë.

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë të jesh një “shembull për besimtarët”? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë frazë në shkrimet e tyre të shenjta.)

  • Në ç’mënyra e këshilloi Pali Timoteun që të ishte një shembull për besimtarët? (Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Timoteut 4:13–16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar këshillat shtesë që dha Pali, të cilat do ta ndihmonin Timoteun të ishte një shembull për besimtarët.

  • Cilat këshilla shtesë të Palit mund ta kenë ndihmuar Timoteun që të ishte një shembull për besimtarët?

  • Sipas vargut 15, përse Pali i tha Timoteut të meditonte për doktrinat që Pali i mësoi atij dhe t’u kushtohej tërësisht atyre? (Në mënyrë që të tjerët të mund të shihnin dobitë [që kishte] Timoteu kur vepronte kështu.)

  • Bazuar te mësimet e Palit në vargun 16, çfarë mund të vijë si rrjedhojë kur ne përpiqemi të jemi shembuj për besimtarët e Jezu Krishtit? (Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajeni në tabelë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse jemi shembuj për besimtarët e Jezu Krishtit, ne mund të ndihmojmë për t’i sjellë shpëtim vetes sonë dhe të tjerëve.)

  • Në ç’mënyrë të qenët një shembull për dikë që beson në Jezu Krisht dhe e ndjek Atë, ndihmon t’u sjellë shpëtim të tjerëve?

Ftojini studentët të shqyrtojnë listën në tabelë dhe të marrin parasysh mënyrat në të cilat Timoteu duhej të ishte një “shembull për besimtarët” (1 Timoteut 4:12). Vëreni klasën të përshkruajë mënyrat sipas të cilave dikush mund të jetë një shembull në secilën prej këtyre fushave.

Ju mund të merrni parasysh të shfaqni një nga materialet filmike të mëposhtme: “No Cussing Club” [“Klubi Ndal Mallkimeve”] (04:57) ose “The Lost Purse” [“Çanta e Humbur”] (02:40). Këto materiale filmike janë në dispozicion në LDS.org. Vërini studentët të kërkojnë mënyrat se si i riu ose e reja në materialin filmik është një shembull për besimtarët e Jezu Krishtit.

  • Në ç’rast ka vepruar dikush si një shembull për besimtarët tek ju, në një nga mënyrat që përmendi Pali? (Ju mund të doni të tregoni gjithashtu një përvojë nga vetë jeta juaj.)

Ftojini studentët të shkruajnë një synim në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta lidhur me mënyrën se si ata mund të jenë shembuj për besimtarët e Jezu Krishtit dhe si rrjedhojë të ndihmojnë t’u sjellin shpëtim vetes dhe të tjerëve.

Njësia Tjetër (2 Timoteut 1Hebrenjve 4)

Ftojini studentët të marrin parasysh disa nga sfidat e të qenit një dishepull i Jezu Krishtit sot. Shpjegoni se teksa ata vazhdojnë t’i studiojnë mësimet e Palit në javën që vjen, ata do të mësojnë të vërteta që do t’i ndihmojnë të qëndrojnë besnikë pavarësisht nga vështirësitë dhe përndjekjet.