Biblioteka
Mësimi 89: Veprat e Apostujve 10–11


Mësimi 89

Veprat e Apostujve 10–11

Hyrje

Perëndia i zbuloi në një vegim Pjetrit se ungjilli duhej t’u predikohej johebrenjve. Pjetri ia mësoi ungjillin Kornelit dhe familjes së tij e më vonë sheshoi grindjen mes shenjtorëve judeas rreth ungjillit që po u predikohej johebrenjve. Puna e Zotit vazhdoi të ecte përpara pavarësisht nga përndjekja.

Sugjerime për Mësimdhënien

Veprat e Apostujve 10

Perëndia i zbulon Pjetrit në një vegim se ungjilli duhet t’u predikohet johebrenjve

Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur një shok ose shoqe pyet: “Dëgjova se në vitin 1978 kisha jote e ndryshoi pozitën e saj për t’i lejuar të gjithë burrat që të merrnin priftërinë pavarësisht nga raca. Nëse beson që kisha jote drejtohet nga Perëndia dhe Perëndia është një qenie e pandryshueshme, si është e mundur kjo?”

Kërkojuni studentëve të shkruajnë në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta se si do t’i përgjigjeshin këtij shoku ose kësaj shoqeje. (Shënim: Sigurohuni që studentët t’i përgjigjen pyetjes së ndryshimit të praktikës së Kishës në vend që të spekulojnë mbi arsyet e mundshme për kufizimin e priftërisë. Gjithashtu, mos spekuloni rreth arsyeve përse ishte vendosur kufizimi i priftërisë, pasi këto arsye nuk janë zbuluar [shih Deklarata Zyrtare 2].)

Ftojini studentët që teksa studiojnë Veprat e Apostujve 10–11 të kërkojnë doktrina e parime të cilat mund t’i ndihmojnë ata t’u përgjigjen pyetjeve rreth mënyrës se si Zoti e udhëheq, udhëzon, ndryshon dhe drejton Kishën e Tij.

Shpjegoni se deri në këtë pikë në kohët e Dhiatës së Re, ungjilli u ishte predikuar, me pak përjashtime, vetëm judenjve sikurse u udhëzua nga Shpëtimtari (shih Mateu 10:5–6). Mirëpo, Shpëtimtari gjithashtu u tha dishepujve të Tij se pasi Fryma e Shenjtë të vinte mbi ta, ata do ta predikonin ungjillin “deri në skajin e dheut” (Veprat e Apostujve 1:8). Te Veprat e Apostujve 10 ne lexojmë rreth një ndryshimi të rëndësishëm në mënyrën se si Kisha vepronte, që do ta lehtësonte këtë gjë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 10:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar hollësi rreth një johebreu të quajtur Kornel. (Ju mund të doni të vini në dukje që Korneli “e druante Perëndinë” (vargu 2). Druajtësit e Perëndisë ishin johebrenj që e adhuronin Zotin, por nuk ishin prozelitë ose të kthyer në besimin judeas dhe si rrjedhim nuk e jetonin ligjin e plotë të Moisiut.)

  • Cili ishte profesioni i Kornelit? (Ai ishte një centurion i ushtrisë romake, përgjegjës për njëqind ushtarë.)

Kujtojuni studentëve se përpara kësaj kohe, një johebre nuk mund të bashkohej me Kishën e Krishtit pa u kthyer fillimisht në besimin e judaizmit, meqenëse ungjilli u ishte çuar vetëm judenjve.

  • Edhe pse Korneli nuk mund të bashkohej me Kishën si një johebre, si e tregoi ai besimin e tij në Perëndinë?

Ftojini dy studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Veprat e Apostujve 10:3–6. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar çfarë i ndodhi Kornelit. (Shpjegoni se “ora e nëntë e ditës” [vargu 3] ishte rreth 15:00.)

  • Sipas vargut 4, çfarë i tha engjëlli Kornelit rreth lutjeve dhe lëmoshave të tij?

  • Çfarë e udhëzoi engjëlli Kornelin që të bënte?

Përmblidhni Veprat e Apostujve 10:7–8 duke shpjeguar se Korneli dërgoi tre burra për në Jopa që ta gjenin Pjetrin. (Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se ku është Cezarea në lidhje me Jopën, ju mund të doni t’i drejtoni ata te harta “Toka e Shenjtë në Kohët e Dhjatës së Re” [Hartat e Biblës, nr. 11].)

Shpjegoni se ndërsa këta burra udhëtonin për në Jopë, Pjetri pati një vegim mbresëlënës teksa qëndronte në shtëpinë e një burri të quajtur Simon. Jepini çdo studenti një fletë letre. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Veprat e Apostujve 10:9–16 dhe të vizatojnë një figurë të vegimit të Pjetrit sikurse përshkruhet në këto vargje. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve t’i përdorin figurat e tyre që t’i shpjegojnë një shoku ose shoqeje të klasës atë që ndodhi në vegimin e Pjetrit. Pas kësaj veprimtarie, pyetini:

  • Në vegim, çfarë u urdhërua të hante Pjetri?

  • Sipas vargut 14, cili ishte reagimi fillestar i Pjetrit ndaj këtij urdhërimi? (Shpjegoni se sipas ligjit të Moisiut, judenjtë ndaloheshin të hanin mishin e kafshëve që përcaktoheshin si të papastra ose të ndotura [shih Levitiku 11].)

  • Sipas vargut 15, çfarë tha Zoti rreth kafshëve të papastra që Ai e kishte urdhëruar Pjetrin t’i hante?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 10:17–20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi teksa Pjetri po përsiaste kuptimin e vegimit të tij.

  • Çfarë fraze në vargun 17 tregon që Pjetri nuk e kuptoi fillimisht domethënien e vegimit të tij?

  • Cilët mbërritën ndërkohë që Pjetri po e përsiaste vegimin e tij?

  • Çfarë i tha Shpirti Pjetrit të bënte?

Përmblidhni Veprat e Apostujve 10:21–24 duke shpjeguar se tre burrat i treguan Pjetrit rreth vegimit të Kornelit. Të nesërmen, Pjetri dhe dishepuj të tjerë i shoqëruan ata për të parë Kornelin.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Veprat e Apostujve 10:25–28. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Pjetri kur mbërriti në shtëpinë e Kornelit.

  • Sipas vargut 28, çfarë tha Pjetri rreth ndërveprimeve midis judenjve dhe johebrenjve?

  • Çfarë kuptoi Pjetri tani?

Përmblidhni Veprat e Apostujve 10:29–33 duke shpjeguar se Korneli i tregoi Pjetrit rreth vegimit të tij. Korneli i kishte mbledhur familjen dhe miqtë e tij me qëllim që Pjetri të mund t’u jepte mësim.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 10:34–35. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pjetri mësoi për vete.

  • Si do ta përmblidhnit atë që Pjetri mësoi për vete?

Përmblidhni Veprat e Apostujve 10:36–43 duke shpjeguar që Pjetri i dha mësim Kornelit dhe familjes së tij rreth Jezu Krishtit dhe veprave të Tij të mira, Kryqëzimit dhe Ringjalljes. Pjetri dëshmoi se ata që besojnë në Jezu Krisht, do të marrin një heqje të mëkateve të tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 10:44–48. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar ndikimin që patën mbi këta johebrenj mësimet e dhëna nga Pjetri. Shpjegoni se fraza “që ishin të rrethprerë” (vargu 45) i drejtohet dishepujve judeas që kishin ardhur me Pjetrin nga Jopa.

  • Sipas vargjeve 44–46, çfarë ndikimi patën mësimet e dhëna nga Pjetri mbi familjen e Kornelit?

  • Përse u mrekulluan judenjtë që ishin të pranishëm për këtë rast?

  • Nëpërmjet përvojave të Pjetrit të shënuara te Veprat e Apostujve 10, çfarë i zbuloi Zoti atij rreth johebrenjve? (Ungjilli duhet t’iu predikohej johebrenjve dhe ata mund të pagëzoheshin në Kishën e Jezu Krishtit.)

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë doktrina që mund t’i mësojmë nga Veprat e Apostujve 10, ndajini ata në grupe me dy ose tri veta. Jepini secilit grup një kopje të fletushkës vijuese ose shkruajini këto pyetje në tabelë. Ftojini studentët të punojnë me grupet e tyre për t’iu përgjigjur pyetjeve.

Pamja
fletushkë

Veprat e Apostujve 10

Manual i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 89

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë rreth mënyrës se si Zoti e drejton Kishën e Tij nga tregimi i Pjetrit dhe Kornelit?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga fakti që Zoti ia zbuloi të vërtetën Pjetrit me kalimin e kohës dhe jo të gjithën njëherësh?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga ky tregim rreth asaj që Perëndia mund të bëjë me udhëzimet që Ai ka dhënë në të shkuarën?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të vijnë te tabela për të shkruar të vërtetat që i përcaktuan grupet e tyre. Sigurohuni që të vërtetat vijuese pasqyrohen në ato që ata shkruajnë:

Perëndia e udhëheq Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës së dhënë profetit të Tij, Apostullit me më shumë kohë në detyrë.

Ne mund të marrim zbulesë dhe kuptueshmëri dalëngadalë kur i bindemi Zotit.

Perëndia mund t’i ndryshojë udhëzimet ose t’u shtojë udhëzimeve që Ai i ka dhënë në të shkuarën, në përputhje me urtësinë e Tij dhe nevojat e fëmijëve të Tij.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Vëreni klasën të dëgjojë për mënyrën se si e vërteta e tretë në listën e renditur pasqyrohet në thënien e Plakut Kristoferson.

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Me anë të kësaj përvoje dhe zbulese ndaj Pjetrit, Zoti i ndryshoi praktikat e Kishës dhe u zbuloi dishepujve të tij një kuptueshmëri më të plotë të doktrinës së shpëtimit. Dhe kështu predikimi i ungjillit u zgjerua për të përfshirë të gjithë njerëzimin” (“Doktrina e Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 88).

Jepuni studentëve kohë të rishikojnë atë që shkruan rreth mënyrës se si do t’i përgjigjeshin pyetjes së shokut apo shoqes së tyre. Nxitini ata të shkruajnë idetë shtesë që i fituan teksa studionin Veprat e Apostujve 10 dhe lejojini t’ia tregojnë këto ide klasës.

Mund t’ju nevojitet të vini në dukje se, edhe pse Perëndia mund t’i ndryshojë praktikat e Kishës dhe ta shtojë kuptueshmërinë tonë doktrinore nëpërmjet zbulesës së vazhdueshme (shih Nenet e Besimit 1:9), natyra hyjnore, vetitë, besëlidhjet, doktrinat dhe plani i Tij nuk ndryshojnë kurrë. Njohja e kësaj mund të na ndihmojë të kemi besim në Perëndinë dhe vetëbesim se Ai do ta udhëheqë Kishën e Tij sipas vullnetit të Tij dhe nevojave të fëmijëve të Tij.

Veprat e Apostujve 11:1–18

Pjetri sheshon grindjen mes shenjtorëve judeas rreth predikimit të ungjillit te johebrenjtë

  • Si mendoni se u ndien disa prej anëtarëve judeas të Kishës kur dëgjuan rreth ndërveprimit të Pjetrit me një johebre? (Ndërveprimi i Pjetrit me një johebre ishte një ndryshim i madh nga praktika e së kaluarës dhe disa anëtarë kishin vështirësi ta pranonin këtë ndryshim.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 11:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si dishepujt iu përgjigjën asaj që kishte bërë Pjetri.

  • Si iu përgjigjën dishepujt asaj që kishte bërë Pjetri?

Përmblidhni Veprat e Apostujve 11:4–15 duke shpjeguar se Pjetri u përshkroi dishepujve vegimet që i kishin marrë ai dhe Korneli. Ai u tha atyre se Korneli dhe familja e tij i kishin pranuar mësimet e Jezu Krishtit dhe më pas kishin përjetuar fuqinë e Frymës së Shenjtë në të njëjtën mënyrë sipas së cilës e kishin përjetuar Pjetri dhe dishepuj të tjerë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 11:16–17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar vërejtjet përmbyllëse të Pjetrit drejtuar dishepujve.

  • Çfarë mendoni se donte të thoshte Pjetri kur tha: “Kush isha unë që të mund t’i kundërvihesha Perëndisë?” (vargu 17)? (Pjetri nuk do ta kundërshtonte vullnetin e Perëndisë për t’i dhënë johebrenjve mundësinë për ta pranuar ungjillin, për t’u penduar dhe për t’u pagëzuar.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Veprat e Apostujve 11:18, duke kërkuar mënyrën se si dishepujt iu përgjigjën shpjegimit të Pjetrit.

  • Si u përgjigjën dishepujt pasi mësuan se Pjetri ishte udhëhequr nga Perëndia?

  • Çfarë parimi na mëson ky rrëfim rreth mënyrës se si ne mund t’i mbështetim dhe ndjekim ata që kryesojnë mbi Kishën? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që ata e kuptojnë se kur e dimë që ata të cilët kryesojnë mbi Kishën udhëhiqen nga Perëndia, ne mund t’i mbështetim dhe ndjekim ata me vetëbesim. Ky parim është pohuar në shkrimin e shenjtë modern, i cili shënon që Perëndia ua ka zbuluar vullnetin e Tij atyre që mbajnë çelësat kryesues të priftërisë [shih DeB 28:2, 7; 42:11; 107:65–66].)

  • Si keni arritur të dini se ata që kryesojnë mbi Kishën udhëhiqen nga Perëndia?

  • Çfarë këshille nga profetët keni zgjedhur të ndiqni ngaqë e dini se profetët udhëhiqen nga Perëndia?

Ftojini studentët të caktojnë një synim për të fituar një dëshmi më të fortë që ata, të cilët kryesojnë mbi Kishën, udhëhiqen nga Perëndia.

Veprat e Apostujve 11:19–30

Puna e Zotit ecën përpara pavarësisht nga përndjekja

Përmblidhni Veprat e Apostujve 11:19–30 duke shpjeguar se për shkak të përndjekjes, disa dishepuj u shpërndanë anembanë krahinës, por me besnikëri e predikuan ungjillin e Jezu Krishtit kudo që shkuan.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Veprat e Apostujve 10:21–24. Korneli kishte nevojë të dërgonte njerëz te Pjetri që të merrte ordinancat e ungjillit

“Të shikuarit e një engjëlli ose marrja e një vizite nga qielli nuk sjell shpëtim; mbajtja e urdhërimeve po. Korneli dëshironte shpëtim dhe me qëllim që ta merrte atë, ai duhej t’u bindej rregullave të tij. Engjëlli që iu shfaq dhe i dha Kornelit udhëzimet fillestare, mund t’i kishte thënë se çfarë duhej të bënte, por ai e dërgoi te Pjetri, i cili kishte autoritetin tokësor. Ky është modeli në mbretërinë e Perëndisë. Është, pra, siç vuri në dukje Jozef Smithi: … ‘Engjëlli i tha Kornelit të mirë se ai duhet të dërgonte të thërriste Pjetrin që të mësonte se si të shpëtohej: Pjetri mund të pagëzonte ndërsa engjëjt nuk mundeshin, për sa kohë kishte shërbestarë të ligjshëm në mish që mbanin çelësat e mbretërisë, ose autoritetin e priftërisë” [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 115; shkrimi kursiv i shtuar]” (The Life and Teachings of Jesus and His Apostles [Church Educational System manual, 1979], f. 252).

Veprat e Apostujve 10:45. Dhurata e Frymës së Shenjtë

Te Veprat e Apostujve 10:45, fraza “dhurata e Frymës së Shenjtë” i drejtohet fuqisë së Frymës së Shenjtë, që kishte ardhur mbi këta johebrenj. Kjo është e ndryshme nga dhurata e Frymës së Shenjtë, të cilën e marrim nëpërmjet ordinancës së konfirmimit pas pagëzimit (shih Veprat e Apostujve 8:14–17; Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 101).

Veprat e Apostujve 11. Perëndia e udhëheq Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës së dhënë profetit të Tij, Apostullit me më shumë kohë në detyrë

Plaku L. Tom Peri, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli rreth rregullit me anë të të cilit merret zbulesa për Kishën:

“Ka rregull në mënyrën se si Zoti ia bën të ditur vullnetin e Tij njerëzimit. Ne të gjithë kemi të drejtën t’i kërkojmë Zotit dhe të marrim frymëzim nëpërmjet Shpirtit të Tij brenda sferës së vetë kujdestarisë sonë. Prindërit mund të marrin zbulesa për vetë familjen e tyre, një peshkop për bashkësinë e caktuar atij dhe Presidenca e Parë për të gjithë Kishën. Megjithatë, ne nuk mund të marrim zbulesë për përgjegjësinë e dikujt tjetër. Profeti Jozef Smith shpalli:

“Është në kundërshtim me rendin e Perëndisë që ndonjë anëtar i Kishës, ose cilido, të marrë udhëzime për ata që janë në autoritet, më të lartë se vetja” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 207]” (“We Believe All That God Has Revealed”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 85–86).

Veprat e Apostujve 11. Zbulesa vjen shpesh shkallë-shkallë ndërsa veprojmë në përputhje me atë që dimë

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përngjasoi zbulesën e përshkallëzuar me lindjen e diellit:

“Shtimi shkallë-shkallë i dritës që rrezatohet nga dielli që lind, është si të marrësh nga Perëndia një mesazh ‘rresht pas rreshti, parim pas parimi’ (2 Nefi 28:30). Më së shpeshti, zbulesa vjen me shtesa të vogla përgjatë kohës dhe dhurohet në pajtim me dëshirën, denjësinë dhe përgatitjen tonë. Kumtime të tilla nga Ati Qiellor, shkallë-shkallë e butësisht ‘[pikojnë] mbi shpirtin [tonë] sikurse vesat nga qiejt’ (DeB 121:45). Kjo mënyrë zbulese priret të jetë më shumë e zakonshme sesa e rrallë” (“Shpirti i Zbulesës”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 88).