Biblioteka
Mësimi 92: Veprat e Apostujve 15


Mësimi 92

Veprat e Apostujve 15

Hyrje

Disa anëtarë të Kishës nga Judea u thanë johebrenjve të kthyer në besim në Antioki se kishin nevojë të rrethpriteshin me qëllim që të shpëtoheshin. Pali dhe Barnaba e çuan çështjen për diskutim tek Apostujt në Jerusalem. Gjatë një ngjarjeje të quajtur kuvendi i Jerusalemit (rreth 49–50 Ps.K.), Pjetri dëshmoi se Perëndia do t’i shpëtonte judenjtë dhe johebrenjtë besnikë, pavarësisht nëse ishin rrethprerë apo jo. Apostujt u dërguan letra anëtarëve të Kishës që të shpjegonin se rrethprerja nuk ishte e nevojshme për shpëtimin. Pali zgjodhi Silën si shoqëruesin e tij misionar dhe u nis për misionin e tij të dytë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Veprat e Apostujve 15:1–29

Nëpërmjet këshillës së frymëzuar, Pjetri dhe Apostujt e tjerë vendosin që rrethprerja nuk kërkohet më nga Zoti

Ftojini studentët të bëjnë një listë në tabelë të disa vendimeve të rëndësishme që iu duhet t’i marrin tani dhe në të ardhmen.

  • Me cilët flisni kur keni nevojë që të merrni vendime të rëndësishme? Përse flisni me ta?

  • Përse është e urtë të kërkoni ndihmën e Perëndisë përpara se të merrni vendime?

Ftojini studentët që teksa studiojnë Veprat e Apostujve 15 të kërkojnë të vërteta që mund t’i udhëzojnë ata kur kërkojnë të dinë vullnetin e Perëndisë për ta.

Shpjegoni se ndërkohë që Pali dhe Barnaba po vizitonin shenjtorët në Antioki, disa judenj nga Judea, të cilët ishin kthyer në besimin e krishterë, bënë disa shpallje rreth asaj që duhej të bënin johebrenjtë e kthyer në besim për t’u shpëtuar.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 15:1. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që këta burra nga Judea shpallën se duhej të bënin johebrenjtë e kthyer në besim për t’u shpëtuar.

  • Çfarë shpallën këta burra se duhej të bënin johebrenjtë e kthyer në besim për t’u shpëtuar?

Shpjegoni se si pjesë e besëlidhjes së bërë me Abrahamin, Perëndia urdhëroi që të rrethpriteshin të gjithë meshkujt që hynin në besëlidhje me Të. “Rrethprerja kryhej duke prerë ‘mishin e prepucit’ të foshnjave meshkuj dhe gjithashtu të të rriturve” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Rrethprerje”, f. 164, scriptures.lds.org). Rrethprerja u themelua si një simbol ose kujtues i besëlidhjes që njerëzit bënë me Perëndinë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 15:2–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi pasi Pali dhe Barnaba i dëgjuan këta burra të shpallin se johebrenjtë e kthyer në besim kishin nevojë të rrethpriteshin.

  • Sipas vargut 2, çfarë ndodhi kur këta burra thanë që të kthyerit në besimin në Kishë kishin nevojë të rrethpriteshin?

  • Çfarë vendosën anëtarët e Kishës në Antioki se duhej bërë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 15:4–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi kur Pali dhe të tjerët mbërritën në Jerusalem.

  • Pasi Pali dhe Barnaba i treguan përvojat e tyre të ndarjes së ungjillit me johebrenjtë, çfarë besonin disa prej farisenjve të kthyer në besim që kishin nevojë të bënin johebrenjtë e kthyer në besim për t’u shpëtuar?

  • Sipas vargut 6, çfarë u mblodhën të bënin Apostujt dhe pleqtë?

Shkruajini pyetjet vijuese në tabelë ose jepuani ato studentëve në një fletushkë:

Pamja
fletushkë

Veprat e Apostujve 15:7–11

Manual i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 92

  1. Kush u çua në këmbë që të fliste?

  2. Si mendoni ju, çfarë donte të thoshte Pjetri kur tha se Perëndia “nuk bëri asnjë dallim midis nesh [judenjve të kthyer në besim] dhe atyre [johebrenjve të kthyer në besim]”?

  3. Cilat fraza në vargjet 8, 9 dhe 11 tregojnë që johebrenjtë e kthyer në besim nuk kishin nevojë të rrethpriteshin me qëllim që të shpëtoheshin?

Ndajeni klasën në dyshe. Ftojini studentët të lexojnë Veprat e Apostujve 15:7–11 me partnerët e tyre, duke kërkuar përgjigje për pyetjet e renditura. Përpara se të lexojnë, shpjegoni që fraza “duke qenë se lindi një diskutim i madh” te vargu 7 do të thotë që Apostujt kishin debatuar fuqimisht për çështjen e rrethprerjes.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që t’ia raportojnë përgjigjet e tyre klasës. Pasi studentët t’i përgjigjen pyetjes së parë, kujtojini ata që Pjetri ishte Apostulli kryesues në tokë dhe, si rrjedhim, ishte i autorizuar të fliste për Zotin.

  • Cila është një mënyrë që mund ta dimë vullnetin e Zotit? (Studentët duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Ne mund ta dimë vullnetin e Zotit nëpërmjet profetëve dhe apostujve të Tij të gjallë. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Cilat janë disa mënyra që Apostujt e gjallë na ndihmojnë t’i dimë zbulesat që kanë marrë ata?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 15:12–15. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si grumbulli i njerëzve iu përgjigj shpalljes së Pjetrit që rrethprerja nuk ishte e nevojshme për shpëtimin.

  • Si iu përgjigj grumbulli i njerëzve shpalljes së Pjetrit?

  • Çfarë bënë Pali dhe Barnaba që ta pohonin shpalljen e Pjetrit se johebrenjtë nuk duhej të rrethpriteshin?

  • Sipas vargut 15, me fjalët e cilëve tha Jakobi se pajtohej shpallja e Pjetrit (Simonit)?

Ju mund të doni të shpjegoni që Pjetri kryesoi në këtë kuvend dhe duket që edhe Jakobi kishte një rol të rëndësishëm atje. Jakobi ishte thjeshtri i Jezu Krishtit dhe peshkopi i parë i Kishës në Jerusalem. Përmblidhni Veprat e Apostujve 15:16–18 duke shpjeguar që Jakobi citoi Amosin 9:11–12 për të treguar që shpallja e Pjetrit u pajtua me fjalët e profetëve, siç shënohen në shkrimet e shenjta.

  • Nisur nga ajo që dha mësim Jakobi, cila është një mënyrë tjetër që mund ta dimë vullnetin e Zotit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Ne mund ta dimë vullnetin e Zotit nëpërmjet studimit të shkrimeve të shenjta. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 15:19–20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Jakobi i këshilloi të bënin udhëheqësit e Kishës. Shpjegoni që fjala gjykojvargun 19 do të thotë të japësh një propozim ose rekomandim (shih Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:143).

  • Çfarë i këshilloi Jakobi udhëheqësit e Kishës të bënin për johebrenjtë? (Jakobi rekomandoi që udhëheqësit e Kishës “të mos i bezdisi[n] ata” [vargu 19] ose të mos e bënin të jetuarin e ungjillit më të vështirë për johebrenjtë e kthyer në besim dhe të mos u kërkonin atyre të kryenin rite të ligjit të Moisiut përpara se të bashkoheshin me Kishën. Duke e thënë këtë, Jakobi po e mbështeste vendimin e dhënë më parë nga Pjetri.)

  • Sipas vargut 20, cilat pjesë të ligjit të Moisiut mendoi Jakobi që johebrenjtë e kthyer në besim ende kishin nevojë t’i mbanin? (Ndalimet e kryerjes së mëkatit seksual, ngrënies së mishrave të ofruara si flijime ndaj idhujve dhe ngrënien e gjakut.)

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Veprat e Apostujve 15:22–27. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar vendimin e këshillit.

  • Çfarë vendosën të bënin Apostujt? (T’u dërgonin një letër anëtarëve të Kishës që shpallte se rrethprerja nuk kërkohej për shpëtimin.)

  • Si mendoni ju, përse Apostujt vendosën të dërgonin udhëheqës të Kishës si Palin dhe Silën për t’ua dhënë letrën? (Studentët mund të japin përgjigje të ndryshme, por një arsye është që të vërtetonin se shpallja erdhi nëpërmjet vendimin të përbashkët të Apostujve. Vini në dukje që Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve i ndjekin po këto praktika në kohën tonë për t’u dhënë udhërrëfim të frymëzuar anëtarëve të Kishës.)

  • Cilën të vërtetë mund të mësojmë nga ky rrëfim rreth mënyrës se si udhëheqësit e Kishës marrin frymëzim rreth problemeve të vështira? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Duke u këshilluar së bashku dhe duke kërkuar zbulesë nga Perëndia, udhëheqësit e Kishës marrin frymëzim rreth problemeve të vështira.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si kjo e vërtetë lidhet me Kishën sot, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit ndiqen sot po të njëjtat modele. Presidenti i Kishës mund të njoftojë ose të interpretojë doktrina bazuar te zbulesat që i jepen (shih, për shembull, DeB 138). Interpretimi doktrinor mund të vijë edhe nëpërmjet këshillit të bashkuar të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (shih, për shembull, Deklaratën Zyrtare 2). Diskutimet në këshill do të përfshijnë shpesh një peshim të veprave standarde të shkrimeve të shenjta, mësimet e udhëheqësve të Kishës dhe praktikat e mëparshme. Por në fund, ashtu si në Kishën e Dhiatës së Re, synimi nuk është thjesht marrëveshja e përgjithshme mes anëtarëve të këshillit, por zbulesa nga Perëndia. Ky është një proces që përfshin edhe arsyen edhe besimin për të mësuar mendjen dhe vullnetin e Zotit” (“Doktrina e Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 88).

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme për udhëheqësit e Kishës që të këshillohen së bashku shpesh kur kërkojnë zbulesë nga Perëndia?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 15:28–29. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Apostujt dhe pleqtë shkruan në letrën drejtuar anëtarëve të Kishës.

  • Çfarë shkruan Apostujt dhe pleqtë në letrën drejtuar anëtarëve të Kishës?

  • vargun 28, çfarë do të thotë fraza “që të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përveç këtyre gjërave të nevojshme”? (Njerëzit nuk kishin nevojë t’iu bindeshin kërkesave shtesë, të cilat kishin ardhur nga njerëzit dhe jo nga Perëndia.)

  • Sipas vargut 28, si e dinin Apostujt vullnetin e Perëndisë lidhur me kërkesat për johebrenjtë e kthyer në besim?

Vini në dukje që Fryma e Shenjtë i frymëzoi Apostujt teksa këshilloheshin së bashku. Ai gjithashtu siguroi një dëshmim pohues që vendimi i tyre ishte i saktë.

  • Nisur nga mënyra se si udhëheqësit e Kishës e dinin vullnetin e Zotit, sikurse shënohet te vargu 28, si mund ta dimë ne vullnetin e Zotit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që e kuptojnë se ne mund ta dimë vullnetin e Zotit nëpërmjet frymëzimit nga Fryma e Shenjtë. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Ftojini studentët të shohin tek të vërtetat në tabelë.

  • Si mund të na ndihmojnë këto të vërteta kur na duhet të marrim një vendim të rëndësishëm?

  • Sipas këtyre të vërtetave, çfarë na duhet të bëjmë me qëllim që ta dimë vullnetin e Zotit?

  • Kur jeni ndier sikur arritët ta dinit vullnetin e Zotit, ndërkohë që i keni ndjekur këto të vërteta?

Nxitini studentët të studiojnë fjalët e profetëve bashkëkohorë dhe shkrimet e shenjta. Shpjegoni se teksa e bëjnë këtë, ata mund të arrijnë ta dinë vullnetin e Zotit nëpërmjet Frymës së Shenjtë kur marrin vendime të rëndësishme.

Veprat e Apostujve 15:30–41

Pali dhe njerëz të tjerë ua dorëzojnë letrën e Apostujve anëtarëve në Antioki

Përmblidhni Veprat e Apostujve 15:30–41 duke shpjeguar se disa udhëheqës të Kishës ua dorëzuan letrën e Apostujve anëtarëve të Kishës në Antioki. Pasi predikuan në Antioki, Pali i kërkoi Barnabës të shkonte me të për të vizituar të gjitha vendet ku kishin predikuar ungjillin. Barnaba dëshironte ta merrnin Markun me vete, por Pali nuk pranoi. Pas njëfarë grindjeje midis dy udhëheqësve të Kishës, Barnaba vendosi ta merrte Markun me vete, kështu që Pali zgjodhi Silën si shoqërues misioni dhe u nis për misionin e tij të dytë. Shpjegoni se nuk konsiderohet mëkat të mos jesh dakord me të tjerët. Megjithatë, në vend që të bëhemi grindavecë, ne duhet të kërkojmë së bashku që të gjejmë zgjidhje për mosmarrëveshjet tona. (Ne mësojmë te 2 Timoteut 4:11 se problemi midis Palit dhe Markut u zgjidh më vonë.)

Mbylleni duke dëshmuar për të vërtetat që studentët i përcaktuan te Veprat e Apostujve 15.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Veprat e Apostujve 15:6. “Apostujt dhe pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë problem”

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si Shpëtimtari ua zbulon vullnetin e Tij profetëve të Tij:

“Si ua zbulon Shpëtimtari vullnetin dhe doktrinën e Tij profetëve, shikuesve e zbuluesve? Ai mund të veprojë nëpërmjet një lajmëtari ose personalisht. Ai mund të flasë me vetë zërin e Tij ose me anë të zërit të Shpirtit të Shenjtë – një komunikim Shpirt me shpirt që mund të shprehet në fjalë ose ndjenja që përçojnë kuptueshmëri përtej fjalëve (shih 1 Nefi 17:45; DeB 9:8). Ai mund t’u drejtohet Vetë shërbëtorëve të Tij një e nga një ose si këshill (shih 3 Nefi 27:1–8)” (“Doktrina e Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 87).

Veprat e Apostujve 15:6–11. Pjetri e shpalli mendjen e Zotit pasi Apostujt u këshilluan së bashku

Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim rreth vendimeve të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Asnjë vendim nuk buron nga diskutimet e Presidencës së Parë dhe Të Dymbëdhjetëve pa njëzëshmërinë e plotë midis gjithë të pranishmëve. Kur parashtrohen çështje të rëndësishme, mund të ketë mendime të ndryshme. Këto janë të pritshme. Këta burra vijnë nga rrethana të ndryshme. Këta janë burra që kanë një mendje të tyren. Por përpara se të merret një vendim përfundimtar, arrihet njëzëshmëria e mendjes dhe e zërit.

Kjo është diçka që pritet nëse ndiqet fjala e zbuluar e Zotit. Përsëri citoj nga zbulesa:

‘Vendimet e këtyre kuorumeve ose të secilit prej tyre, duhet të merren gjithë drejtësi, shenjtëri e përulësi të zemrës, butësi e durim, dhe besim, dhe virtyt, dhe dituri, vetkontroll, qëndresë, perëndishmëri, mirësi vëllazërore dhe dashuri hyjnore;

Ngaqë premtimi është: nëse këto gjëra gjenden me shumicë në ta, ata nuk do të jenë të pafryt në diturinë e Zotit’ (DeB 107:30–31).

Unë shtoj me anë të dëshmisë vetjake se gjatë njëzet viteve që shërbeva si anëtar i Këshillit të Të Dymbëdhjetëve dhe gjatë pothuajse trembëdhjetë viteve që kam shërbyer në Presidencën e Parë, kurrë nuk është ndërmarrë një veprim madhor pa u zbatuar kjo praktikë. Kam parë mospërputhje të mendimeve të paraqitura në këto diskutime. Nga i gjithë ky proces ku burrat kanë thënë atë që mendojnë, ka ardhur një shoshitje dhe shqyrtim i ideve dhe i koncepteve. Por kurrë nuk kam parë mospërputhje të rënda apo armiqësi vetjake midis Vëllezërve të mi. Për më tepër, kam vërejtur një gjë të bukur dhe të mrekullueshme – ardhjen së bashku, nën ndikimin udhëzues të Shpirtit të Shenjtë dhe nën fuqinë e zbulesës, të pikëpamjeve të ndryshme derisa të ketë harmoni tërësore dhe pajtim të plotë. Vetëm atëherë vjen zbatimi. Kjo, dëshmoj unë, përfaqëson shpirtin e zbulesës të shfaqur herë pas here në drejtimin e kësaj pune të Zotit” (“God Is at the Helm”, Ensign, maj 1994, f. 54, 59).

Veprat e Apostujve 15:20. “Gjërat e mbytura dhe nga gjaku”

“Ngaqë ligji i Moisiut e ndalonte ngrënien e gjakut (shih Levitiku 3:17; 17:10–14; 19:26), këshilla e Jakobit për të mos i përdorur ‘gjërat e mbytura dhe nga gjaku’ mund të kishte nënkuptuar që ata të shmangnin fyerjen e judenjve dhe në këtë mënyrë pengimin e punës misionare mes tyre” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 309).