Biblioteka
Mësimi 148: 1 Gjon


Mësimi 148

1 Gjon

Hyrje

Gjoni i ftoi anëtarët e Kishës të kërkojnë shoqërimin e Atit dhe Birit. Ai e theksoi nevojën për t’i zbatuar urdhërimet e Perëndisë që ta shfaqim dashurinë tonë për Të. Gjoni gjithashtu u kujtoi anëtarëve të Kishës që t’i donin të tjerët.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Gjon 1–5

Gjoni shpjegon rëndësinë e zbatimit të urdhërimeve dhe të dashurisë ndaj njëri-tjetrit

Ndajini studentët në dyshe. Shkruajeni fjalën braktisje në tabelë. Ftojini studentët t’u drejtohen partnerëve të tyre dhe ta shpjegojnë shkurtimisht kuptimin e braktisjes. Pastaj ftojeni një student të vijë te tabela dhe të shkruajë një përkufizim për braktisjen. Përkufizimi duhet të tregojë se braktisje do të thotë një largim nga e vërteta (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Braktisje”, f. 21–22, scriptures.lds.org).

Shpjegoni se Apostulli Gjon e shkroi letrën e 1 Gjonit në një kohë kur braktisja po kërcënonte Kishën. Në këtë letër, Gjoni i paralajmëroi shenjtorët për antikrishtët (shih 1 Gjon 2:18–26; 4:3). Një antikrisht është “dikush ose diçka që falsifikon planin e vërtetë të ungjillit për shpëtimin dhe që haptazi apo fshehurazi kundërshton Krishtin” dhe autoritetin dhe mësimet e shërbëtorëve të Tij të zgjedhur (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Antikrisht”, f. 7, scriptures.lds.org). Disa antikrishtë në ditët e Gjonit po jepnin mësim se Jezu Krishti nuk kishte një trup fizik ndërkohë që ishte në tokë, por vetëm u duk sikur ishte një qenie me trup fizik.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Gjonin 1:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dëshmoi Gjoni për ta hedhur poshtë këtë mësim të rremë. Shpjegoni se fraza “Fjal[a] e jetës” (vargu 1) i referohet Jezu Krishtit.

  • Çfarë fjalësh përdori Gjoni për ta hedhur poshtë idenë e rreme se Jezu Krishti nuk kishte një trup fizik?

  • Sipas vargjeve 3–4, përse Gjoni e ndau dëshminë e tij të shenjtë për Jezu Krishtin me anëtarët e Kishës? (Ai dëshironte që ata të kishin shoqërimin e udhëheqësve të Kishës, të cilët kishin shoqërimin e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Ai dëshironte gjithashtu që ata të përjetonin një plotësi të gëzimit.)

Shpjegoni se të kesh shoqërimin do të thotë të gëzosh një marrëdhënie mirëbesimi, vëllazërie dhe qëllimi të përbashkët. Ne mund të kemi shoqërimin e udhëheqësve të Kishës kur i marrim dhe i ndjekim mësimet dhe këshillat e tyre.

Shkruajeni në tabelë thënien e paplotë vijuese: Nëse i marrim dhe i ndjekim mësimet e profetëve dhe apostujve, ne mund të …

  • Bazuar te mësimet e Gjonit te 1 Gjoni 1:3, si do ta plotësonit këtë thënie për të formuar një parim? (Duke përdorur fjalët e studentëve, plotësojeni thënien në tabelë në mënyrë që të përçojë parimin vijues: Nëse i marrim dhe i ndjekim mësimet e profetëve dhe apostujve, ne mund të kemi shoqërimin e Atit dhe Birit.)

Paraqitni fotografi të Presidentit të tanishëm të Kishës dhe të profetëve dhe apostujve të tjerë.

  • Si na ndihmon ndjekja e mësimeve të profetëve dhe apostujve që të kemi shoqërimin e Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Gjonin 1:5–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që mund të na pengojë nga pasja e shoqërimit të Atit tonë në Qiell.

  • Çfarë mund të na pengojë nga pasja e shoqërimit të Atit tonë në Qiell?

Nxirrni në pah se përdorimi i fjalës errësirë prej Gjonit, i referohet errësirës shpirtërore.

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë të ecësh në errësirë shpirtërore?

Ftojini studentët të studiojnë 1 Gjonin 1:7–10; 2:1–6, duke kërkuar të vërtetat që dha mësim Gjoni, të cilat mund të na ndihmojnë të dimë se si të ecim në dritën e ungjillit. Shpjegoni se fjala shlyes te 1 Gjoni 2:2 do të thotë një sakrificë shlyese që kënaq drejtësinë e Perëndisë. Ftojini studentët t’i studiojnë në heshtje këto vargje, në mënyrë të pavarur ose me partnerët apo në grupe të vogla.

  • Çfarë të vërtetash përcaktuat në këto vargje? (Merrni parasysh të shkruani në tabelë përgjigjet e studentëve. Këto mund të përfshijnë të vërteta të tilla si vijojnë: Jezu Krishti shleu për mëkatet tona. Kur i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë, dashuria jonë për Perëndinë përsoset.)

  • Përse mendoni se dashuria jonë për Perëndinë bëhet më e përsosur ose e plotë kur i zbatojmë urdhërimet e Tij?

  • Kur keni përjetuar ju një dashuri më të madhe për Perëndinë teksa jeni përpjekur që t’i zbatoni urdhërimet e Tij?

Lexojini me zë të lartë përshkrimet vijuese të dy të rinjve shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Ftojini studentët të mbajnë vesh për një urdhërim të veçantë që këta dy individë e kanë të vështirë t’i binden.

  1. Një i ri i lexon shkrimet e shenjta çdo ditë dhe i kryen me besnikëri shumë nga detyrat e tij të priftërisë por shpeshherë ai është i vrazhdë me vëllanë e tij të vogël.

  2. Një e re merr pjesë rregullisht në mbledhjet e Kishës dhe ka fituar çmimin Njohja e së Resë. Sidoqoftë, ajo shpesh poston komente të ashpra ndaj disa prej shokëve e shoqeve të saj të klasës dhe ndaj mësuesve në mediat shoqërore.

  • Cilit urdhërim e kanë të vështirë që t’i binden këta dy të rinj?

Ftojini studentët të reflektojnë për situatat në të cilat ata mund të hasin vështirësi për t’iu shfaqur dashuri të tjerëve.

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga 1 Gjoni 2:9–11; 4:7–11, 19–21. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar se çfarë dha mësim Gjoni për dashurinë. Ju mund të doni t’i ftoni studentët të marrin parasysh t’i shenjojnë mësimet në këto vargje që janë kuptimplote për ta.

  • Cilat nga mësimet e Gjonit për dashurinë janë kuptimplote për ju? Përse?

  • Çfarë parimi mund të përcaktojmë nga këto vargje rreth asaj që duhet të bëjmë kur e duam Perëndinë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur e duam Perëndinë, ne do t’i duam të tjerët.)

  • Si mendoni ju, përse ne do t’ua shfaqim dashurinë tonë të tjerëve nëse e duam me të vërtetë Perëndinë?

Nxirrni në pah se, ndërkohë që Gjoni përdori fjalën urren te 1 Gjoni 4:20, ka edhe shumë mënyra me anë të të cilave përveçse i urrejmë të tjerët as nuk ua shprehim dashurinë ose mirësinë tonë atyre. Ftojini studentët të shpjegojnë se cilat mendojnë se mund të jenë disa nga këto mënyra.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Gjonin 3:17–18 dhe vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si ne duhet t’ua tregojmë dashurinë tonë të tjerëve. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë. Studentët duhet të zbulojnë rëndësinë që ka të duash jo vetëm “me fjalë” por edhe “me vepra”.

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që ta tregojmë dashurinë tonë nëpërmjet veprave dhe jo vetëm nëpërmjet fjalëve tona?

  • Cilin njihni ju që është një shembull i mirë i shfaqjes së dashurisë ndaj të tjerëve? Çfarë bën ky person që shpreh dashurinë e tij ose të saj për të tjerët?

Ftojini studentët të mendojnë për dikë në jetën e tyre ndaj të cilit ata mund të shfaqin më shumë dashuri. Kërkojuni atyre të shkruajnë në një fletë letre emrin e atij individi bashkë me diçka konkrete që mund të bëjnë për t’ia treguar dashurinë dhe mirësinë atij personi. Shpjegoni se ata nuk kanë nevojë ta shfaqin dashurinë e tyre në mënyra të bujshme dhe se ato gjeste të vogla, të thjeshta dashurie dhe mirësie, shpesh janë gjestet më kuptimplote. Ftojini ata ta marrin me vete në shtëpi letrën dhe të veprojnë sipas asaj që shkruan.

Nxirrni në pah se, kur ne e tregojmë dashurinë tonë nëpërmjet veprave tona, ne jemi duke ndjekur shembullin e Jezu Krishtit (shih 1 Gjon 2:6; 3:1–3). Ju mund të doni ta mbyllni mësimin duke dhënë dëshminë tuaj për të vërtetat që studentët përcaktuan gjatë studimit të tyre të 1 Gjonit. Nxitini studentët t’i zbatojnë këto të vërteta në jetën e tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Gjon 3:2. “Do të jemi të ngjashëm me të”

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se qëllimi i jetës së vdekshme është që të bëhemi si Perëndia nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit:

“Në teologjinë e kishës së rivendosur të Jezu Krishtit, qëllimi i jetës në vdekshmëri është të na përgatitë që të bëjmë të ndodhë fati ynë si bij dhe bija të Perëndisë – të bëhemi si Ai. … Bibla i përshkruan njerëzit e vdekshëm si ‘bij të Perëndisë’ dhe si ‘trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit’ (Romakëve 8:16–17). Ajo gjithashtu shpall që ‘nëse vuajmë me të dhe lavdohemi me të’ (Romakëve 8:17) dhe që ‘kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të’ (1 Gjon 3:2). Ne i pranojmë këto mësime të Biblës me tërë kuptimin e fjalës. Ne besojmë se qëllimi i jetës në vdekshmëri është që të marrim një trup fizik dhe, nëpërmjet shlyerjes së Jezu Krishtit dhe me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të ungjillit, të kualifikohemi për gjendjen e lavdishme, të ringjallur çelestiale që quhet ekzaltim ose jetë e përjetshme (“Apostasy and Restoration”, Ensign, maj 1995, f. 86–87).

1 Gjon 5:3. “Sepse kjo është dashuria e Perëndisë”

Plaku Xhozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth marrëdhënies midis dashurisë për Perëndinë dhe zbatimit të urdhërimeve të Tij:

“Kur ne duam Zotin, bindja pushon së qeni një barrë. Bindja bëhet kënaqësi” (“Urdhërimi i Madh”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 30).