Biblioteka
Mësimi 129: 2 Thesalonikasve


Mësimi 129

2 Thesalonikasve

Hyrje

Fill pasi shkroi letrën e tij të parë drejtuar shenjtorëve thesalonikas, Pali u shkroi atyre një letër të dytë, në të cilën ai sqaroi të vërtetat rreth Ardhjes së Dytë. Ai u mësoi se Shpëtimtari nuk do të vinte sërish deri pasi të ndodhte një braktisje. Pali më pas predikoi kundër përtacisë dhe i këshilloi shenjtorët që të “mos … lodh[eshin] së bëri të mirën” (2 Thesalonikasve 3:13).

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Thesalonikasve 1–2

Pali i nxit shenjtorët duke profetizuar për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë deklaratën vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Unë u them të gjithëve dhe veçanërisht rinisë së Kishës se, në qoftë se nuk e keni përjetuar tashmë, ju një ditë do ta gjeni veten të thirrur për ta mbrojtur besimin tuaj apo ndoshta për të duruar njëfarë abuzimi vetjak, thjesht ngaqë jeni anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme” (“Çmimi – dhe Bekimet – e të Qenit Dishepull”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 6).

Kërkojuni studentëve të ngrenë dorën nëse u është dashur ndonjëherë ta mbronin besimin e tyre ose të duronin kundërshtime për shkak të anëtarësisë së tyre në Kishë. Ftojini disa studentë të tregojnë përvojat e tyre.

Shpjegoni se Pali u shkroi një letër të dytë shenjtorëve thesalonikas dhe trajtoi disa tematika, përfshirë kundërshtimet që po hasnin shenjtorët. Ftojini studentët të kërkojnë një parim teksa studiojnë 2 Thesalonikasve 1, që mund t’i ndihmojë ata të durojnë kundërshtimet dhe vështirësitë që mund të hasin si anëtarë të Kishës.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Thesalonikasve 1:3–5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar arsyen përse Pali i lavdëroi shenjtorët thesalonikas.

  • Përse Pali i lavdëroi shenjtorët thesalonikas?

  • Sipas vargut 5 çfarë shpërblimi do të merrnin shenjtorët ngaqë i duruan kundërshtimet dhe vështirësitë me “qëndresë … dhe besim”?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje lidhur me mënyrën se si do të bekohemi ne nëse i durojmë kundërshtimet dhe vështirësitë me qëndresë dhe besim? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse i durojmë besnikërisht kundërshtimet dhe vështirësitë me qëndresë e besim, ne mund të konsiderohemi të denjë për mbretërinë e Perëndisë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë. Kërkojini klasës të dëgjojë se çfarë do të thotë të durosh me qëndresë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Durimi nuk është dorëheqje pasive as nuk është të mos veprosh për shkak të druajtjeve tona. Durim do të thotë pritje dhe qëndrueshmëri aktive. Do të thotë këmbëngulje tek diçka dhe të bësh gjithçka që mundesh – duke punuar, shpresuar dhe ushtruar besim; duke duruar vështirësinë me guxim, edhe kur dëshirat e zemrave tona vonohen. Durim nuk është thjesht të qëndrosh, ai është të qëndrosh mirë!” (“Vazhdoni me Durim”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 57).

  • Sipas Presidentit Uhtdorf, çfarë do të thotë të durosh me qëndresë?

  • Përse na nevojitet besim për t’i duruar kundërshtimet ose vështirësitë me qëndresë?

Ftojini studentët të marrin parasysh dikë që njohin ose për të cilin kanë lexuar në shkrimet e shenjta, që i ka duruar kundërshtimet dhe vështirësitë me besnikëri dhe me qëndresë.

  • Për cilin/cilën menduat dhe në ç’mënyrë ai ose ajo tregoi se i duroi me besnikëri dhe me qëndresë kundërshtimet dhe vështirësitë?

Ftojini studentët të reflektojnë për kundërshtimet ose vështirësitë që mund të jenë duke përjetuar aktualisht dhe të vendosin se si mund t’i durojnë këto sfida me qëndresë dhe besim. Nxitini ata të luten për ndihmë.

Shpjegoni se siç shënohet te 2 Thesalonikasve 1:6–10, Pali profetizoi për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Ndajini studentët në grupe me nga dy ose tre veta. Ftojeni secilin grup të lexojë së bashku 2 Thesalonikasve 1:6–10 dhe të diskutojë për pyetjet vijuese. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani këto pyetje në tabelë ose t’ua jepni në një fletushkë.) Kërkojuni studentëve t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

  • Çfarë fjalësh dhe frazash përdori Pali për të përshkruar Ardhjen e Dytë?

  • Çfarë do t’u ndodhë të drejtëve kur të ngjasë Ardhja e Dytë?

  • Çfarë do t’u ndodhë të ligjve kur të ngjasë Ardhja e Dytë?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që t’ia raportojnë klasës gjetjet në grupin e tyre. Shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit, të drejtët do të prehen dhe të ligjtë do të shkatërrohen.

  • Nga se mendoni se do të prehen të drejtët?

  • Si mund t’i ngushëllojë kjo doktrinë ata që momentalisht janë duke duruar vështirësi për shkak të zotimit të tyre ndaj Jezu Krishtit?

Kërkojuni studentëve të ngrenë dorën nëse e kanë pyetur ndonjëherë veten se kur do të ndodhë Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit. Shpjegoni se edhe shenjtorët thesalonikas e pyetën veten për këtë dhe se Pali ishte i shqetësuar se ata mund të ishin drejtuar keq.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Thesalonikasve 2:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që mendoi Pali për përfundimin që mund të kishin arritur shenjtorët thesalonikas për kohën e Ardhjes së Dytë.

  • Çfarë nuk donte Pali që thesalonikasit të besonin për kohën e Ardhjes së Dytë? (Se ajo do të ishte e afërt.)

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje 2 Thesalonikasve 2:3, duke kërkuar atë që tha Pali se do të ndodhte përpara Ardhjes së Dytë. Shpjegoni se fraza “ajo ditë” i referohet Ardhjes së Dytë dhe “rënia” i referohet braktisjes.

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga këto vargje për atë që do të ndodhë përpara Ardhjes së Dytë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Përpara Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit, do të ndodhte një braktisje [shpirtërore].)

Vini në pah se në këto vargje, Pali sugjeroi se anëtarët e Kishës në kohën e tij duhej të ishin më tepër të shqetësuar për braktisjen që kishte nisur tashmë mes tyre sesa për kohën e Ardhjes së Dytë të Zotit.

Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë më tej se ç’ishte Braktisja, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë shpjegimin vijues:

“Pas vdekjes së Jezu Krishtit, njerëz dashakeqë i përndoqën Apostujt dhe anëtarët e Kishës dhe vranë shumë prej tyre. Me vdekjen e apostujve, çelësat e priftërisë dhe autoriteti kryesues i priftërisë u morën nga toka. Apostujt i kishin mbajtur doktrinat e ungjillit të pastra dhe kishin ruajtur kërkesat dhe standardin e denjësisë për anëtarët e Kishës. Pa Apostujt, me kalimin e kohës doktrinat u korruptuan dhe u bënë ndryshime të paautorizuara në organizimin e Kishës dhe të ordinancave të priftërisë, të tilla si pagëzimi dhe dhënia e dhuratës së Frymës së Shenjtë” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar [2005], f. 35).

  • Bazuar në këtë kuptim për Braktisjen, përse ishte e nevojshme rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit dhe e Kishës së Tij?

Shpjegoni se “njeriu i mëkatit” i përmendur te 2 Thesalonikasve 2:3 i referohet Satanit. Rivendosja e ungjillit, përfshirë nxjerrjen në dritë të Librit të Mormonit “shfaq[i]” (vargu 3) mashtrimet e Satanit dhe të ndjekësve të tij.

Përmblidheni 2 Thesalonikasve 2:4–17 duke shpjeguar që Pali profetizoi se Zoti do ta lejonte Satanin t’i mashtronte banorët e tokës deri në Ardhjen e Dytë. Pali i nxiti shenjtorët të “qëndroni[n]” në ato që ai u kishte mësuar (vargu 15).

2 Thesalonikasve 3

Pali paralajmëron për ata që janë të padisiplinuar dhe predikon për mbështetjen te vetja

Shpjegoni se në kohën kur Pali e shkroi Letrën e tij të Dytë drejtuar Thesalonikasve, anëtarët e Kishës mbanin rregullisht një ceremoni në bashkësi për marrjen e sakramentit. Sidoqoftë, disa anëtarë në Thesaloniki do të merrnin pjesë në ceremoni për të ngrënë por refuzonin të ndihmonin në sigurimin apo përgatitjen e ushqimit për vaktin.

  • Çfarë problemesh mund të kenë ardhur si rrjedhojë e kësaj situate?

Përmblidheni 2 Thesalonikasve 3:1–9, duke shpjeguar se Pali i përgëzoi shenjtorët që ishin besnikë dhe i paralajmëroi për shoqërimin me ata që ishin të “çrregullt” ose të padisiplinuar (vargu 6). Pali shkroi gjithashtu se ai dhe shokët e tij [të misionit] kishin vendosur një shembull të mbështetjes te vetja nga ana materiale duke punuar që ta mbanin veten e tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Thesalonikasve 3:10–13. Vëreni klasë ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë i udhëzoi Pali shenjtorët të bënin lidhur me ata që refuzonin të punonin.

  • Sipas vargut 12, çfarë udhëzimi u dha Pali atyre që refuzonin të punonin? (Të “han[in] bukën e tyre duke punuar shtruar” ose të ishin të mbështetur te vetja duke siguruar për vetë nevojat e tyre.)

  • Sipas vargut 13, çfarë udhëzimi shtesë u dha Pali shenjtorëve besnikë?

  • Çfarë do të thotë “mos u lodhni së bëri të mirën”?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga këto vargje? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Ne jemi urdhëruar që të përpiqemi të jemi të mbështetur te vetja dhe t’i ndihmojmë të tjerët.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga [broshura] Për Forcën e Rinisë. Vëreni klasën të dëgjojë për mënyrat se si ne mund të përpiqemi për të qenë të mbështetur te vetja.

“Një nga bekimet e punës është zhvillimi i mbështetjes te vetja. Kur ju mbështeteni te vetja, ju i përdorni bekimet dhe aftësitë që Perëndia ju ka dhënë, për t’u kujdesur për veten e për familjen tuaj dhe për të gjetur zgjidhje për problemet tuaja. Mbështetja te vetja nuk do të thotë se ju duhet të jeni të aftë t’i bëni të gjitha gjërat vetë. Për të qenë me të vërtetë të mbështetur te vetja, ju duhet të mësoni se si të punoni me të tjerët dhe të drejtoheni te Zoti për ndihmën e forcën e Tij.

Mbani mend se Perëndia ka një punë të mrekullueshme për t’u bërë nga ju. Ai do t’ju bekojë në çdo përpjekje tuajën për ta përmbushur atë punë” (Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 41).

  • Si mund të përpiqemi që të jemi të mbështetur te vetja?

  • Cilat janë disa bekime të mbështetjes te vetja?

Dëshmoni se kur përpiqemi të jemi të mbështetur te vetja, Zoti do të na ndihmojë të plotësojmë nevojat tona dhe do të na ndihmojë të gjejmë zgjidhje për problemet tona.

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh atë që mund të bëjnë për të qenë më të mbështetur te vetja tani e në të ardhmen. Ftojini ata të vendosin një synim që do t’i ndihmojë ata të bëhen më të mbështetur te vetja dhe nxitini të kërkojnë ndihmën e Zotit për ta arritur atë.

Përmblidheni 2 Thesalonikasve 3:14–18, duke shpjeguar se Pali e mbylli letrën e tij duke i këshilluar shenjtorët që t’i prapseshin përtacisë dhe të reshtnin së qeni përtac dhe të mos i përçanin njerëzit. Sidoqoftë, shenjtorët nuk duhet t’i trajtonin ata si armiq por t’i qortonin si vëllezër e motra në ungjill.

Mbylleni duke dëshmuar për të vërtetat që u dhanë në këtë mësim.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – 2 Thesalonikasve 2:1–3

Ftojeni secilin student të përdorë mjetet ndihmëse për studimin e shkrimeve të shenjta (të tilla si poshtëshënimet, Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta ose Topical Guide [Udhëzuesin Tematik]) që të gjejnë një shkrim tjetër në vend të 2 Thesalonikasve 2:1–3, që jep mësim për Braktisjen. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni disa studentëve të tregojnë shkrimet e shenjta që gjetën dhe të shpjegojnë se çfarë na mësojnë këto shkrime të shenjta për Braktisjen. Ju mund të dëshironi t’i renditni në tabelë referencat që ata gjejnë. Ftojini studentët të zgjedhin një shkrim të shenjtë si një referencë kryq për 2 Thesalonikasve 2:1–3. Ju mund të doni të sugjeroni që ata ta shkruajnë këtë referencë në anë të shkrimeve të tyre të shenjta pranë 2 Thesalonikasve 2:1–3. Shpjegoni se ky fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë përdoret më shpesh për të dhënë mësim rreth Braktisjes dhe nevojës për Rivendosjen. Ftojini studentët të përdorin 2 Thesalonikasve 2:1–3 dhe një nga referencat e shkrimeve të shenjta të renditura në tabelë, për të mësuar një shok/shoqe për Braktisjen.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Thesalonikasve 2:3. Braktisja

“‘Rënia’ është një përkthim i fjalës greke apostasia, një fjalë që është e përafërt në kuptim me ‘rebelim’ ose ‘kryengritje’. Si rrjedhim, Pali po fliste për një luftë të qëllimshme kundër ungjillit të Jezu Krishtit më tepër sesa për një lëvizje graduale larg prej tij. Në Librin e Mormonit, vegimi i Nefit për të ardhmen i mësoi atij se ‘shtëpia e Izraelit’ e bashkuar me ata njerëz në ndërtesën e madhe dhe të gjerë do ‘të luft[onte] kundër dymbëdhjetë apostujve të Qengjit’ (1 Nefi 11:35). Braktisja nuk është vetëm një largim i thjeshtë pasiv nga e vërteta, por një rebelim veprues që nis brenda bashkësisë së besëlidhjes” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 453).

Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se Braktisja ndodhi për shkak se njerëzit e refuzuan Krishtin dhe Apostujt e Tij:

“Në periudhën relativisht të shkurtër të viteve që mbulon Dhiata e Re … populli u kthye kundër Krishtit dhe Apostujve të Tij. Katastrofa ishte aq e madhe, saqë ne e njohim si Braktisja e Madhe, e cila çoi në shekuj stanjacioni shpirtëror dhe injorance që morën emrin Epoka e Errësirës.

Tani, unë dua të jem shumë i qartë mbi këto periudha historikisht të përsëritura të braktisjes dhe të errësirës shpirtërore. Ati ynë Qiellor i do të gjithë fëmijët e Tij dhe Ai do që të gjithë ata të kenë bekimet e ungjillit në jetën e tyre. Drita shpirtërore nuk ka humbur sepse Perëndia u ktheu shpinën fëmijëve të Tij. Përkundrazi, errësira shpirtërore shfaqet kur fëmijët e Tij i kthejnë shpinën kolektivisht Atij” (“Nxjerrja e Mësimeve nga e Kaluara”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 32).

2 Thesalonikasve 2:3. Reformimi dhe Rivendosja

Shumë njerëz që jetuan pas vdekjes së Apostujve vazhduan të ndiqnin Zotin. Përkushtimi i tyre ndaj Zotit ishte kaq i fortë saqë ata i vuajtën me vetëdije kundërshtimet, madje dhe vdekjen për shkak të bindjeve të tyre. Gjatë periudhës së Reformimit, shumë individë dalluan se disa mësime të krishterimit kishin ndryshuar dhe nuk përkonin me mësimet në Bibël. Këta reformatorë u përpoqën ta rilidhnin krishterimin me shkrimet e shenjta. Presidenti Xhon Tejlor tha sa vijon, në lidhje me ata njerëz që e kërkuan të vërtetën gjatë Epokave të Errësirës:

“Kishte njerëz në ato epoka të errësirës që mund të bisedonin me Perëndinë dhe, të cilët, me anë të fuqisë së besimit, mund të lëviznin tutje perden e përjetësisë dhe të vështronin ngultas drejt botës së padukshme[,] … të kishin shërbesën e engjëjve dhe të shpalosnin fatin e ardhshëm të botës. Nëse ato qenë epoka të errësirës, i lutem Perëndisë të më japë pak errësirë dhe të më dhurojë nga drita dhe inteligjenca që mbizotëron në kohën tonë” (në Journal of Discourses, 16:197). (Për informacion shtesë për sa u përket përpjekjeve besnike të këtyre reformatorëve, shih Thomas S. Monson, “The Way Home”, Ensign, maj 1975, f. 15–16; shih edhe Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar [2005], f. 45–46.)

Falë përpjekjeve të këtyre reformatorëve dhe pasuesve të tjerë besnikë të Perëndisë, të vërtetat rreth Atit Qiellor dhe planit të Tij i mbijetuan Braktisjes dhe mund të gjenden në mbarë fetë mbi tokë. Sidoqoftë, të vërtetat e nevojshme për shpëtimin tonë kishin humbur, si edhe autoriteti i priftërisë për të drejtuar punën dhe për të administruar ordinancat e shpëtimit. Zoti u siguroi atyre njerëzve të feve të tjera se Rivendosja e Kishës dhe Libri i Mormonit nuk shpallën se çdo gjë që ata dhanë mësim ishte e rreme: “Vër re, unë nuk e sjell atë për të shkatërruar atë që kanë marrë, por për ta forcuar atë” (DeB 10:52). Për këtë arsye, Presidenti Gordon B. Hinkli, i ftoi të gjithë njerëzit e tokës të “sillnin me vete gjithçka që kanë të mirë dhe të vërtetë, të cilën e kanë marrë nga çfarëdo burimi, dhe ejani e le të shohim nëse mund t’ia shtojmë asaj” (“The Marvelous Foundation of Our Faith”, Ensign ose Liahona, nëntor 2002, f. 81).