Biblioteka
Mësimi 24: Mateu 21:17–22:14


Mësimi 24

Mateu 21:17–22:14

Hyrje

Pasi qëndroi në fshatin e Betanisë natën, Jezusi u kthye në tempull. Udhës së Tij, Ai mallkoi një pemë fiku. Udhëheqësit e judenjve erdhën tek Ai në tempull dhe vunë në dyshim autoritetin e Tij. Jezusi i qortoi ata dhe dha mësim disa shëmbëlltyra që ilustrojnë pasojat e mohimit ose e pranimit të Tij dhe të ungjillit të Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 21:17–32

Jezusi mallkon një pemë fiku dhe qorton udhëheqësit e judenjve

Përpara fillimit të orës mësimore, shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë: Cilat janë disa raste kur zbuluat që diçka nuk ishte aq e mirë sa dukej se ishte?

Për ta filluar mësimin, ftoni një ose më shumë studentë të japin përgjigjet e tyre ndaj pyetjes në tabelë.

Shpjegoni që Mateu 21 paraqet një rrëfim të një rasti kur Jezusi hasi diçka që nuk ishte aq e mirë sa dukej se ishte. Ftojini studentët të kërkojnë të vërteta te Mateu 21 që mund të na udhërrëfejnë ne që jo vetëm të dukemi të drejtë para të tjerëve, por gjithashtu të jetojmë me të vërtetë me drejtësi.

Për të siguruar një kontekst për Mateun 21, shpjegoni se pasi Jezusi bëri hyrjen e Tij ngadhënjimtare në Jerusalem dhe pastroi tempullin, Ai qëndroi në Betani, një fshat i vogël pranë Jerusalemit. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 21:18–22. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Shpëtimtari ditën tjetër ndërsa po kthehej nga Betania për në tempullin e Jerusalemit.

  • Çfarë i bëri Shpëtimtari pemës së fikut?

Pamja
pemë fiku

Pemë fiku

© Jose Ramiro Laguna/Shutterstock.com

Paraqitni një figurë të një peme fiku me gjethe. Shpjegoni se gjethet në një pemë fiku zakonisht tregojnë se pema ka fruta. Në pranverë (kur Shpëtimtari hasi pemën e fikut që nuk kishte prodhuar frutë), pemët e fikut përgjithësisht prodhojnë fiqtë e parë. Nëse nuk i prodhojnë, atëherë kjo do të thotë që ata nuk do të prodhojnë fare frutë gjatë atij viti. Pema e përshkruar në këtë rrëfim kishte pamjen sikur ishte një pemë që prodhonte frutë, por ajo nuk kishte prodhuar asnjë frutë. Një arsye përse Shpëtimtari mund ta ketë mallkuar pemën e fikut ishte për t’i mësuar dishepujt e Tij për udhëheqësit e korruptuar fetarë të judenjve.

  • Bazuar në atë që keni mësuar rreth udhëheqësve fetarë judeas në kohën e Shpëtimtarit, si ishin shumë prej tyre si pema e fikut e përshkruar në këtë rrëfim? (Ata dukeshin nga pamja sikur e ndiqnin Perëndinë, por nuk arrinin të prodhonin fryte apo vepra reale drejtësie.)

Përmblidheni Mateun 21:23–27 duke shpjeguar që disa prej këtyre udhëheqësve judeas iu qasën Shpëtimtarit në tempull dhe e vunë në dyshim autoritetin me anë të të cilit Ai bëri hyrjen e Tij ngadhënjimtare në Jerusalem dhe pastroi tempullin. Shpëtimtari u përgjigj duke i pyetur ata nëse pagëzimi (ose shërbesa) e Gjon Pagëzorit ishte porositur nga Perëndia apo nga njeriu. Këta udhëheqës nuk donin t’i përgjigjeshin pyetjes së Shpëtimtarit nga frika se mos kundërshtoheshin ose mos zemëronin njerëzit që e pranonin Gjonin si profet. Shpëtimtari tha se as Ai nuk do t’u përgjigjej pyetjeve të tyre dhe pastaj tregoi tri shëmbëlltyra që ilustrojnë veprimet e udhëheqësve të korruptuar judeas. Shëmbëlltyra e parë përshkruan mënyrat e ndryshme në të cilat dy bijtë iu përgjigjën atit të tyre.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 21:28–30. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke kërkuar se cili prej bijve ishte më i ngjashëm me udhëheqësit judeas.

  • Cili prej bijve ishte më i ngjashëm me udhëheqësit judeas? Në ç’mënyrë?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 21:31–32. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari u mësoi udhëheqësve të korruptuar judeas nëpërmjet kësaj shëmbëlltyre. (Mund t’ju duhet të shpjegoni që tagrambledhësit ishin vjelës taksash dhe prostitutat ishin gra të përdala. Udhëheqësit judeas i përçmonin të dy këto grupe njerëzish, duke i quajtur ata mëkatarë.)

  • Si ishin tagrambledhësit dhe prostitutat si biri i parë?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga mësimet e Shpëtimtarit rreth asaj se kush do të hyjë në mbretërinë e Perëndisë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me vijuesen: Që të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë, ne duhet t’i bindemi Atit tonë Qiellor dhe të pendohemi për mëkatet tona në vend që vetëm të themi apo të shtiremi sikur po i bindemi Atij.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë zbatimin e kësaj të vërtete [në jetën e përditshme], ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë skenarin vijues:

Një i ri shpesh u thotë prindërve të tij se po ndjek aktivitete të Kishës, kur ai në të vërtetë shkon në shtëpinë e një shoku në vend [të Kishës]. Kur ai është pranë udhëheqësve e mësuesve të Kishës, ai flet e vepron sikur i mban urdhërimet e Atit Qiellor, por jashtë këtyre ambienteve ai me qëllim i shkel shumë prej urdhërimeve.

  • Si mund ta pengojnë zgjedhjet e tij këtë të ri që të hyjë në mbretërinë e Perëndisë?

  • Nëse do të ishit shoku i këtij të riu, çfarë mund t’i thoshit atij për ta ndihmuar ta ndryshonte sjelljen e tij?

Ftojeni një student tjetër ta lexojë me zë të lartë skenarin vijues:

Një e re bën thashetheme me shoqet e saj për disa vajza në shkollën e saj, por hiqet sikur është shoqe me ato vajza kur ato janë afër. Ajo merr pjesë rregullisht në kishë dhe e merr sakramentin, por gjatë mbledhjeve ajo shpesh u dërgon shoqeve të saj mesazhe elektronike që përmbajnë kritika për njerëzit rreth saj.

  • Në çfarë mënyrash kjo e re mund të jetë thjesht duke u shtirur sikur po i mban urdhërimet e Atit Qiellor?

  • Përveç shembujve në këta skenarë, cilat janë mënyrat e tjera në të cilat mund të tundohemi që të shtiremi sikur i bindemi Atit Qiellor në vend që t’i bindemi vërtet Atij?

Ftojini studentët që ndërsa vazhdojnë të studiojnë Mateun 21, të kërkojnë atë që mund të bëjnë për të shmangur të qenit si pema e fikut që nuk prodhonte frutë.

Mateu 21:33–22:14

Jezusi jep mësim shëmbëlltyrat e vreshtarëve të ligj dhe të martesës së birit të mbretit

Ndajini studentët në dyshe. Nëse është e mundur, sigurojini çdo dysheje një kopje të tabelës vijuese. Ftojini studentët ta lexojnë me zë të lartë Mateun 21:33–41 bashkë me partnerët e tyre dhe ta plotësojnë tabelën duke shkruar atë që mendojnë se përfaqësojnë tri simbolet e fundit.

Pamja
fletushkë, Shëmbëlltyra e Vreshtarëve të Ligj

Shëmbëlltyra e Vreshtarëve të Ligj

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 24

Mateu 21:33–41

Simboli

Kuptimi

Pronari i shtëpisë

Ati Qiellor

Vreshtarët

Shërbëtorët

Biri i pronarit të shtëpisë

Pasi studentët ta kenë përfunduar këtë veprimtari, ftojini disa dyshe që të raportojnë atë që shkruan. Sipas nevojës, sqaroni se vreshtarët përfaqësojnë udhëheqësit e korruptuar izraelitë, shërbëtorët përfaqësojnë profetët e Perëndisë dhe biri i pronarit të shtëpisë përfaqëson Jezu Krishtin.

  • Çfarë po ilustronte Jezusi nëpërmjet kësaj shëmbëlltyre? (Gjatë shekujve, disa nga udhëheqësit e Izraelit i kishin hedhur poshtë profetët e Dhiatës së Vjetër dhe udhëheqësit aktual judeas kishin qëllim ta vritnin Jezusin [shih New Testament Student Manual (manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014), f. 65]).

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 21:43. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë se kujt do t’i jepej mbretëria e Perëndisë (domethënë Kisha e Jezu Krishtit dhe bekimet e ungjillit) pasi udhëheqësit judeas ta kishin hedhur poshtë atë.

  • Kujt do t’i jepej mbretëria e Perëndisë?

Shpjegoni që Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 21:53, i përcakton johebrenjtë si kombin të cilit do t’i jepej mbretëria e Perëndisë. Ju mund të doni të shpjegoni që fjala johebrenj mund t’i referohet “njerëz[ve] që nuk janë të prejardhjes izraelite … [ose] judease” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Johebrenj”, f. 79–80, scriptures.lds.org) ose kombeve që nuk e kanë plotësinë e autoritetit, ordinancave, ligjeve dhe mësimeve të Perëndisë. Kalimi i mbretërisë johebrenjve filloi kur për herë të parë ungjilli iu çua johebrenjve nëpërmjet Apostujve pas Ringjalljes së Shpëtimtarit (shih Veprat e Apostujve 10–11; shih edhe Mateu 20:16). Ajo ka vijuar në ditët e fundit me Rivendosjen e ungjillit nëpërmjet Profetit Jozef Smith, i cili jetonte në një komb johebraik. Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit, ne jemi mes atyre të cilëve Perëndia u ka dhënë mbretërinë e Tij.

  • Sipas vargut 43, çfarë jemi përgjegjës të bëjmë si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit? (Sigurohuni që studentët të përcaktojnë diçka të ngjashme me të vërtetën vijuese: Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit, ne jemi përgjegjës të japim fryte drejtësie. Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Ftojini studentët të vijnë në tabelë dhe të bëjnë vizatime të frutës në pemën e fikut. Kërkojuni që ta etiketojnë frutën me fjalë që përshkruajnë gjëra të drejta që duhet të bëjmë ne si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit. Ftojini studentët ta shpjegojnë atë që shkruan duke i pyetur:

  • Si mendoni, përse është e rëndësishme për ne që ta sjellim atë fryt?

  • Si jeni bekuar ju kur jeni përpjekur të sillni një prej këtyre fryteve të drejtësisë?

Përmblidheni Mateun 21:45–46 duke shpjeguar se krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u zemëruan kur kuptuan se vreshtarët e ligj në shëmbëlltyrë përfaqësonin ata. Sidoqoftë, ata u përmbajtën nga vënia dorë mbi Shpëtimtarin pasi i trembeshin reagimit të njerëzve nëse do ta bënin atë.

Shpjegoni që te Mateu 22:1–10 ne lexojmë që Jezu Krishti tregoi një shëmbëlltyrë në të cilën Ai i krahasoi bekimet e ungjillit me një gosti dasme që bëri një mbret për të birin. Njerëzit që u ftuan të parët në gosti (që përfaqësojnë shumë prej judenjve, përfshirë udhëheqësit) nuk pranuan të vinin. Ata që u ftuan më pas (që përfaqësojnë johebrenjtë) zgjodhën të vinin dhe ta gëzonin gostinë.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 22:11–14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi në gostinë e dasmës.

  • Përse u dëbua ky i ftuar nga gostia?

Shpjegoni që mbreti kishte përmbushur një zakon të lashtë duke u dhënë të ftuarve të tij veshje të pastra dhe të përshtatshme për t’u veshur në dasmë. Mirëpo, ky burrë kishte zgjedhur të mos i vishte rrobat që mbreti kishte siguruar.

  • Në këtë shëmbëlltyrë, çfarë mund të përfaqësojnë rrobat e dasmës? (Ju mund të doni të shpjegoni se në shkrimet e shenjta, veshjet dhe rrobat e pastra shpesh simbolizojnë drejtësinë dhe pastërtinë e atyre që janë bërë të pastër nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit [shih New Testament Student Manual (manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014), f. 66; shih edhe 3 Nefi 27:19].)

Vini në dukje se Përkthimi prej Joseph Smith-it i Mateut 22:14 shton që jo çdo kush në gosti do ta ketë veshur veshjen e dasmës. Me fjalë të tjera, jo çdo kush që e njeh Shpëtimtarin, që është thirrur dhe që e pranon ftesën për të qenë pjesë e mbretërisë do të jetë i përgatitur dhe i denjë për të jetuar përjetësisht me Të dhe me Atin Qiellor. Disa do t’i kenë përjashtuar vetes bekime të çmuara pasi ata nuk janë veshur me veshjen e drejtësisë.

  • Si e ilustron më tej parimin e shkruar në tabelë kjo shëmbëlltyrë?

Dëshmoni për rëndësinë e bekimeve të përjetshme që jemi ftuar të marrim. Kërkojuni studentëve të përsiatin për atë që po bëjnë tani për ta pranuar ftesën e Atit Qiellor për t’i marrë të gjitha bekimet e ungjillit. Nxitini që ta zbatojnë atë që kanë mësuar duke u përgatitur për t’i marrë këto bekime.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mateu 21:19–22. Mallkimi i pemës së fikut

Mallkimi nga Shpëtimtari i pemës së fikut dha disa mësime të rëndësishme. Pema e fikut mund të shërbente si një përfaqësim i udhëheqësve të korruptuar fetarë të judenjve, që tregonin në dukje devocion, por u mungonte drejtësia e vërtetë. Në këtë kontekst, ngjarja na mësoi se të gjithë ne duhet të përpiqemi ta jetojmë jetën tonë në një mënyrë që është në përputhje me atë që besojmë e japim mësim. Mallkimi i pemës siguroi gjithashtu një ilustrim pamor të mësimit që Shpëtimtari dha më herët në shërbesën e Tij me shëmbëlltyrën e pemës së fikut (shih Lluka 13:6–9): të gjithë duhet ose të pendohen ose të mbarojnë. Pasi pa reagimin e dishepujve për mallkimin e pemës së fikut, Shpëtimtari gjithashtu e përdori këtë rast për t’i mësuar ata për fuqinë e besimit për të bërë mrekulli edhe më të mëdha sesa ajo që sapo kishin dëshmuar.

Mateu 21:42–44. “Guri, që ndërtuesit e nxorën të papërdorshëm”

Jezu Krishti është “guri, që ndërtuesit e nxorën të papërdorshëm” (Mateu 21:42) dhe u bë guri i qoshes i mbretërisë së Perëndisë në tokë (shih Veprat e Apostujve 4:11; Efesianëve 2:19–20). Udhëzimi i Shpëtimtarit për bërjen copë-copë të atyre që bien mbi këtë gur i referohet faktit që në vend që ta ndërtonin jetën e vet mbi këtë gur (shih Helamani 5:12), judenjtë do të pengoheshin dhe binin mbi të (shih Isaia 8:14; 1 Korintasve 1:23). Ata do të bëheshin copë-copë apo do të shkatërroheshin ngaqë nuk arrinin ta pranonin Jezusin si Mesian dhe Birin e Perëndisë dhe nuk arrinin ta pranonin ungjillin e Tij. Guri që bie mbi të tjerët i referohet shkatërrimit nga Shpëtimtari të atyre që nuk do ta pranonin Atë. (shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 21:47–56 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, f. 227–228].)